Home / Opinion / NJË DEKORATË EDHE PËR GAZETARIN ALI UKA, PËR VRASJEN E TË CILIT ISHTE ARRESTUAR HASHIM THAÇI

NJË DEKORATË EDHE PËR GAZETARIN ALI UKA, PËR VRASJEN E TË CILIT ISHTE ARRESTUAR HASHIM THAÇI

Para se të ndante dekorata për gazetarë, presidenti Hashim Thaçi do të ishte mirë të fliste për rrethanat e vrasjes së gazetarit dhe cimerit të tij, Ali Uka, në Tiranë. Do të duhej të deklarohej se a janë të vërteta dokumentet e NATO-s të cilat atë e bëjnë përgjegjës për vrasjen e gazetarit Uka. Derisa nuk e bënë një gjë të tillë, ai do të shihet si përgjegjës për këtë krim të pazbardhur. Në këto rrethana me të nderu Thaçi, me medalje për gazetari dhe liri të shprehjes, është njëlloj sikurse një diktator me i nda mirënjohje një disidenti. Është krejtësisht e panatyrshme. Është hipokrizi.

Një dekoratë edhe për gazetarin Ali Uka, për vrasjen e të cilit ishte arrestuar Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, sërish ka çelur tezgën e dekoratave shtetërore për figura të ndryshme publike, disa prej të cilëve nuk i paguajnë tatim shtetit – këngëtarët.

Klientë ka bërë gazetarë e emisione nga Shqipëria.

“Me Medalje Presidenciale, sot e dekorova edhe një prej gazetarëve më të shquar në Kosovë dhe Shqipëri. Me zell dhe profesionalizëm, me kritikë dhe analizë, Armand Shkullaku që nga vitet e 90-ta ka dhënë kontribut të pareshtur në ngritjen e cilësisë dhe modernizimin e gazetarisë në vendet tona. Gjurmë të pashlyeshme, ai kanë lënë edhe në Kosovë, ku me ide dhe përkushtim kontribuoi shumë në afrimin e vazhdueshëm të shqiptarëve përtej kufijve”, shkroi të enjten Thaçi në Facebook, shoqëruar edhe me një fotografi.

“Në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Medalja Presidenciale e Meritave i jepet programit të gazetarisë hulumtuese ‘Fiks Fare’, për kontributin e dhënë në denoncimin e dukurive negative dhe për promovimin e lirisë së shprehjes”, tha Thaçi kur i ndau këtë medalje drejtuesit të njohur të këtij emisioni, Filip Çakulit.

Si Shkullaku, ashtu edhe emisioni “Fiks Fare” meritojnë mirënjohje për punën dhe angazhimin shumëvjeçar në Shqipëri.

Ama jo nga Hashim Thaçi, i cili shumë vjet më parë ishte arrestuar për vrasjen e një gazetari kosovar në Shqipëri.

Ali Uka, ka qenë gazetar në “Gazetën Shqiptare” gjatë viteve të ’90-ta në Shqipëri. Ka raportuar kryesisht për zhvillimet në Kosovë. Me afrimin e luftës ai ka qenë shumë aktiv në promovimin e UÇK-së. Madje kishte filluar të identifikohej si zëdhënës i UÇK-së. Ishte mbështetës i lëvizjes për pavarësisë.

Për një kohë, Ali Uka, në shkrimet e tij ishte bërë kritik i Xhavit Halitit, ndërkohë që ishte cimer me Hashim Thaçin dhe Bashkim Thaçin, aso kohe një nga drejtuesit e UÇK-së. Ndanin dhomën së bashku në Tiranë.

Një mëngjes të hershëm të korrikut të vitit 1997, Ali Uka ishte gjetur i masakruar në banesën e tij. Fytyra e tij ishte shqyer me kaçavidë dhe fundin e një shishe të thyer.

Dokumentet sekrete të NATO-s, të botuara në gazetën britanike “The Guardian” hedhin dyshime se gazetari Uka ishte vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve me Xhavit Halitin.

Mirëpo, sipas këtyre dokumenteve hetimet drejtonin fajin kah Hashim Thaçi, i cili ishte arrestuar për t’u liruar më vonë me ndërhyrjen e Xhavit Halitit dhe Shërbimit Sekret të Shqipërisë.

Thaçi kurrë nuk ka folur për vrasjen e Ali Ukës.

Haliti, ka dhënë një version tjetër i cili nuk përputhet me dokumentet e NATO-s të botuara në gazetat e njohura ndërkombëtare.

Haliti, e ka fajësuar djalin e axhës së Ukës, Selman Ukën për vrasje, duke e cilësuar si pijanec që ka humbur vetëdijen në gjendje të dehur. Ka treguar se Selmani, ishte gjykuar por nuk ishte dënuar për shkak se ishte dërguar në psikiatri në Shqipëri dhe më vonë kishte ikur nga burgu pas trazirave të marsit.

E ka pastruar Thaçin nga kjo përgjegjësi.

“Hashimin e kanë arrestu një ditë ma vonë sepse u zanë me armë. Bashkim Thaçi, kushëriri i Hashimit ka banu me Ali Ukën. Hashimi s’ka qenë aty. Kështu është e vërteta”, ka thënë Haliti në një debat të TV Dukagjini vitin e kaluar.

Një tjetër bashkëpunëtor i Halitit dhe Thaçit, Ibrahim Kelmendi e ka fajësuar direkt Thaçin për vrasjen e Ali Ukës.

Kelmendi, një nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, pjesë e të cilës ishin Haliti e Thaçi, kishte shkruar për vrasjen e Ukës dy muaj më parë.

“Në mars të vitit 1998, krejt rastësisht kam njohur Babain e Ali Ukës, i cili ishte vendosur për të fjet te ‘hoteli’ i Tafilit në Tiranë, banesa të improvizuara si dhoma hoteli, që flenim ne që nuk kishim të holla për hotele”, shkruante Kelmendi.

“Meqë ai aty po mbante plis të bardh, e pyeta kush ishte e nga ishte. Më tregoi, duke rrëfyer edhe arsyen se kishte ardhur aty për të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor për vrasje të djali të tij. Nga kureshtja e pata shoqëruar në atë shqyrtim gjyqësor”, kishte thënë Kelmendi.

Ai kishte treguar se për shkak të skandalizimit nga ai pseudogjykim, kishte shkruar një shkrim të gjatë në gazetën “Zëri i Kosovës”.

“I kam harruar ato, meqë gjerat që i publikoi, nuk i mbaj më në kujtesë. Por, bindja ime, atëherë e sot, është se Ali Uka është vra për shkak që u bë i njohur si ‘zëdhënës i UÇK-së’. Ashtu e prezantonte shtypi senzacionalist në Tiranë. Dhe, qysh atëherë kam dyshuar se afirmimi i Aliut duhet të ketë penguar Hashimin dhe Xhavitin. Atëherë thuhej se Aliu e Hashimi ishin shokë. Megjithatë, tashmë kisha mendimin se Hashimi vret edhe shokët, nëse e pengojnë në rrugëtimin e tij… Uroj të rishqyrtohet vrasja e Ali Ukës, meqë qysh atëherë kisha dilema, të cilat i kam shfaq”, kishte shkruar Kelmendi.

Sido që të jetë, rasti i vrasjes së Ali Ukës kurrë nuk u rihap. Gjurmët e vrasjes së tij nuk i ndoqën as gazetarët e Shqipërisë të dekoruar nga Hashim Thaçi. Atë nuk e përmendi asnjëherë presidenti i vendit, e as nuk e dekoroi.

Pos dyshimeve që shtypi ndërkombëtar dhe shërbimet sekrete të NATO-s hedh mbi Thaçin për këtë vrasje e Ali Ukës, presidenti i vendit nuk shquhet si kontributdhënës për lirinë e mediave dhe gazetarëve.

Bashkëpartiak të tij kanë sulmuar, fyer e linçuar dhjetëra herë gazetarët kritikë në Kosovë. Asnjëherë Thaçi nuk i ka dënuar këto sulme.

Në këto rrethana, me të nderu Thaçi, me medalje për gazetari dhe liri të shprehjes, është njëlloj sikurse një diktator me i nda mirënjohje një disidenti. Është krejtësisht e panatyrshme. Është hipokrizi.

/ mar nga Isnajder/

About admin

x

Check Also

Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

12/09/2020 Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ...