Home / Intervista / INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!
Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ka folur për sfidat në jetën e tij, gjendjen aktuale politike në Kosovë, por edhe çështje të tjera të rëndësishme. Më poshtë e gjeni intervistën e plotë:

  • ALMAKOS: Profesor Ramabaja pas 3 vjetesh burgim me akuza te renda si grupim terrorist, plan per te vrare kreret me te larte te politikes se Kosoves dhe si mendja e organizatëst Syri i Popullit, ju jeni liruar nderkohe qe gjykimi ndaj jush vazhdon, a mund te na thoni pas 3 vjetesh cili eshte mendimi Juaj per te gjithe kete megahistori ?

Ramabaja: E para, Republikës sonë të re nuk i duhej një megahistori e kësaj natyre fare. Por, fatkeqësisht, olhokratët e saj ia kishin nevojën spektakleve gjyqësore dhe megahistorive me elemente tragjikomike, që për shumëçka të kujtojnë epokën e Stalinit. Procesi ndaj meje në tërësi ishte i montuar, i motivuar politikisht dhe mbetet tutje i tillë. Gjykata e Apelit, meqë ka gjetur se me aktgjykimin e saj, Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë shkelje të procedurës penale, në njërën anë, ndërkaq , në anën tjetër, ka konstatuar se aktgjykimi nuk është i bazuar në prova dhe fakte (ato, natyrisht se i mungojnë – SR), e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Telenovela “Syri I popullit” vazhdon. Duket për aq kohë sa në krye të Republikës do të jetë kjo kastë olhokratësh.

  • ALMAKOSEshte e qarte qe pozicionimi Juaj ne Vetevendosje mund te kete patur ndikim politik ne ngritjen e akuzave, por nga ana tjeter ju nuk mund te mohoni qe me nje pjese te ketyre aktoreve politike ne fjale ju keni patur miqesi dhe njohje te vjetra, çfarë ndodhi mes jush?

Ramabaja: Që nga teoria e Platonit mbi shtetin, egziston edhe hipoteza se, çdo formë e sundimit mund të marrë njërën nga dy cilësitë që ndërlidhen me vizionin politik: Njëra trajtë që orjentohet në arritjen e mirëqenies dhe tjetra që bazohet ekskluzivisht në interesat e sundimtarëve. Kasta sunduese në Republikën e Kosovës, sado formalisht ka pranuar parimet e shoqërisë demokratike, vazhdimisht i ka shërbyer me zell thellimit të polarizimit ekstrem dhe, në vend të kompromiseve dhe debatit, ka imponuar vetëm vullnetin e saj. Në këtë rast kemi të bëjmë me shenjusin e dytë të demokracisë: atë të cilën historiani grek Polybios (200 deri 120 vj. para Krishtit) e cilësote si OLHOKRATI– sundim të fundërrinave.

Në Kosovë de fakto sundojnë fundërrinat e shoqërisë. Një pjesë të këtyre olhokratëve, po, është e vërtetë se i kam njohur sa isha aktivist i ilegales, anëtarë i organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës; respektivisht si njëri nga pjesëmarrësit e Mbledhjes së saj themeluese (1987).

Në atë organizatë në vitet 1986/87, me të dale nga burgu, isha madje edhe koordinator faktik i strukturave të shpërdndara e shkëputura të ilegales në nivel të Kosovës dhe viseve shqiptare në ish Jugosllavi. Me t’u arratisur në Zvicër unë pata kaluar në redaksinë e “Zërit të Kosovës”, e vetmja gazetë klandestine atbotë që vazhdonte të ishte fanar në terrin informative të Kosovës.

Më lejoni ta them me këtë rast, një të dhënë që ndërkohë e kam mësuar, njëri nga skenaristët për burgosjen time, ishte pikërisht ish kryeredaktori i “Zërit të Kosovës”, së fundmi një kuazidiplomat në Zvicër!

Sidoqoftë skenari i plotë dhe gjithë drama me elemente të theksuara të tragjedive shekspiriane, është shkruar në Zyrën e presidentit të Republikës. Motivi kryesor ka qenë:

hakmarrja politike ndaj meje, si redaktor i librit të Murat Jasharit “Lufta e pambaruar” dhe intenca për ta ndërlidhur “Syrin e popullit”, që po rezulton të jetë një organizatë e stisur nga SHIK-u, alias PDK-ja, me Lëvizjen Vetëvendosje!

  • ALMAKOSGjatë procesit ndaj Jush, ju keni kerkuar te deshmojne shume politikane, kush ishin keta dhe pse zgjodhet kete strategji.

Ramabaja: Po, ashtu është, unë pata listuar plot 19 dëshmitarë mbrojtës në listen e dëshmitarëve që ia pata dorëzuar Trupit Gjykues. Në krye të listës ishte Ramush Haradinaj, atbotë kryeministër, pasonte me Ahmet Isufin, kryetarin e grupit parlamentar të AAK dhe vazhdoja tutje me Hydajet Hysenin, Bardhyl Mahmutin, etj.

T’ju kujtoj një fakt absurd. Prokuroria kishte ftuar plot 47 dëshmitarë, në mesin e të cilëve ishin: Presidenti i Republikës (Hashim Thaçi), pastaj kryetari i Parlamentit (Kadri Veseli), nënkryetari i Parlamentit (Xhavit Haliti), kryetari i grupit parlamentar të PDK-së (Elmi Reçica), ish ministri i financave e ish kryetari i GP të PDK, Adem Graboci, ish ministri i drejtësisë (Hajredin Kuçi) etj. etj. E gjithë nomenklatura e Shtetit më 28 dhjetor 2018 kishte zbarkuar në sallën nr 17 të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e shoqëruar nga këshilltarët e tyre dhe eskorta e fuqishme e Njësistit të Policisë për ndërhyrje të shpejtë!

Ishte krijuar në gjithë hapësirën e Gjykatës, në koridore e sallë, atmosphere e tendosur e terrori shtetëror.

I vetëdijshëm se kisha të bëj me një skenar tepër të rrezikshëm, unë qesh përcaktuar të ftojë dëshmitarë të gjithë ata ish shokë të mi të ilegales (me Ahmet Isufin psh dhe Nuhi Berishën, tani hero i Kosovës, kam qenë në celulën e pare ilegale – 1981), por edhe të tjerë me të cilët gjatë ilegales, gjatë kohës së luftës e pas saj, më kishte rënë të punojë qoftë në kuadër të redaksisë së Zërit të Kosovës, në Zyrën e Kryeministrit sa unë isha Zyrtar i lartë për çështje politike (2004-2006), por edhe kolegë pune në Universitetet ku kam ligjëruar (2008-20017).

Gjykata e vetëdijshme se po të lejonte tëvinin dëshmitarët e mbrojtjes, pra dëshmitarët e mi, tok me fjalën time, do ta përmbysnim procesin, duke e shndërruar atë në gjyq real për krerër e SHIK-ut, që tash e 20 vite po e mbajnë peng Republikën, ma pamundësoj këtë strategji veprimi, duke i penguar dëshmitarët e mi.

  • ALMAKOSKane kaluar 3 vjet dhe procesi vazhdon, si e prisni ju vazhdimesine e ketij procesi dhe sa kohe do te vazhdoje?

Ramabaja: Sistemi i Drejtësisë në Kosovë, ashtu si edhe gjithë Republika, ështëi kapur nga ky grusht olhokratësh.

Procesi është zvarritur qëllimisht dhe vetëm për shkak timin. Gjykata, e vetëdijshme se i mungojnë provat për t’më dënuar, fillimisht zvarriste seancat përtej afateve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale, pastaj edhe shqiptimin e aktvendimit dhe vet aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

I vetëdijshëm se jam peng i terrorit shtetëror, në ekspozenë time të parë i pata bërë thirrje Ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së, respektivisht misionit të saj në Kosovë – EULEX-it, që ta përcjellin procesin, meqë e kisha të qartë se çfarë më prêt.

Procesi, siç e pohova, është kryekreje politik, rrjedhimisht edhe vazhdimi I tij do të varet nga rrjedha e ngjarjeve politike.

Jam i bindur se, poqëse VV në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019 nuk do të kishte rezultatin që pati, në janarin e 2020 do të pasonte arrestimi i Albin Kurtit, Glauk Konjufcës, Xhelal Sfeçlës, Albulena Haxhiut dhe të një numri të pakonsiderueshëm të aktivistëve të VV. Më lejoni t’i kujtojë lexuesit tuaj të respektuar një fakt. Në séance e 28 dhjetor 2018, Hashim Thaçi pat zgjeruar padinë e tij, duke na akuzuar mua, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën si themelues dhe ideolog të “Syrit të popullit”!

Atë ditë ai e bëri të qartë se çfarë kishte ndërmend të bënte. Me çdo kusht kokat e kësaj bande që njihet me akronimin herë si PDK e here si SHIK, donin ta shpallnin Lëvizjen Vetëvendosje si organizatë të jashtëligjshme, meqë ishin koshient se vetëm VV do t’mund t’jua rrezikonte pushtetin!

  • ALMAKOSProf Ramabaja tashme Kosova po perballet me Tribunalin special, a mund te na jepni mendimin Tuaj per kete tribunal nderkohe qe VV ka qene kunder ngritjes se ketij Tribunali dhe pse ju e lidhni ngritjen e ketij tribunali me rastin kunder Jush ?

Ramabaja: Më 2 dhe 3 maj 1998 katërshja e famshme: Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, natyrisht të ndihmuar nga vasalët e tyre jo të paktë, e kishin ushtruar puçin e pjesshëm brenda LPK, ndërkaq të plotë brenda UÇK-së.

Ngjitja e kësaj bande në krye të UÇK-së ka një histori specifike që ndërlidhet me shërbimin ushtarak të Francës, por edhe me shërbime tjera, që ndërkohë po bëhen si fakte historike gjithnjë e më të qarta.

Kjo marshutë e këtyre marionetave nuk ka kaluar pa gjak. Njëri prej të parëve që ka pësuar në ktë betejë të ashpër politike ka qenë shoku im Behadin Hallaqi, ish udhëheqësi politik i LPK-së në Kosovë (1992-1998).

Për lexuesit tuaj, më lejoni të sjell edh enjë të dhënë karakteristike për Behadinin. Ai ishte studjues i pasionuar i sociologjisë, kishte kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit në lëmin e Sociologjisë. E kishte shok të ngushtë professor Ukshin Hotin. Tek unë në Bazel të Zvicrës, kishte qenë dy here ilegalisht në vitet 1990 dhe 1991.

Dëshmitarët okular të arrestimit të tij nga një njësitë i Policisë ushtarake të UÇK-së, natyrisht me urdhërin nga lartë, në majin e vitit 1998, pohojnë se ai është dërguar menjëherë në burgun e Kleçkës, që ishte nën kontrollin e rreptë të Shtabit të UÇK-së. Në librin e tij, Murat Jashari, sjell dëshminë më autentike për fatin tragjik të Behadin Hallaqit. Në korrik 1998, Ismet Jashari, vëllai i Muratit, i njohur me nofkën Komandant Kumanova, e merr në telefon Muratin dhe i tregon se në burgun e Kleçkës është edhe Behadini. Murati i jep udhëzimet e duhura, duke e porositur në fund që ta ketë nën kujdesë derisa të sqarohet çështja. I alarmuar Murati e merr fillimisht në telefon Xhavit Halitin (meqë e kishte shok celule) e fill pas tij edhe Ali Ahmetin, meqë ky i fundit atbotë ka qenë Sekretar organizativ i LPK-së.

Behadini nga përgjegjësit e burgut i dorëzohet Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Fundi i Behadinit tashmë dihet.

Ka qenë pikërisht kjo sekuencë e librit që më ka shty ta redaktoj atë, natyrisht pas një kohe hamendësimi, dhe ta shkruaj parathënien e tij. Në tekstin e parathënies, përveç tjerash, kam potencuar rëndësinë e librit për studjuesit e historisë politike të Kosovës dhe veçmas ata të LPK-së dhe UÇK-së. Duket ky fakt ka qenë pika e vlimit për hakmarrje politike ndaj meje. Këtë ma kanë pohuar edhe hetuesit (dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Ilmi Reçicës) gjatë procesit të hetimeve.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës me seli në Kopenhagen, të njohura shkurt si Gjykata Speciale, ishin themeluar pas raportit të publikuar të senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dik Marti. Në atë raport, ashtu si edhe në aktakuzën e publikuar nga Prokuroria Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj. akuzohen për mbi 100 vrasje, kryesisht civilë, gjatë luftës, e kundërshtarë dhe oponentë politik pas saj. Duket se rasti i Behadin Hallaqit zë vend qendror në këtë aktakuzë.

Lëvizja Vetëvendosje!, siç dihet, ka qenë që në fillim (2015) kundër themelimit të kësaj gjykate. Arsyet janë të natyrës së qashtër politike. Gjykata do të mirret vetëm me krimet e supozuara të UÇK-së, ndërkaq lë në heshtje gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë (1998-199). Kjo Gjykatë do ta dëmtojë rëndë imazhin e UÇK-së, Kosovës, por edhe të Kombit në tërësi. Sidoqoftë, tashmë dihet, shtytës kryesor për themelimin e saj nga Kuvendi I Kosovës (legjislatura e pestë), ishte Hashim Thaçi. Duket se atij atbotë i janë dhënë premtime se do të amnistohej nga çfardo akuze!

Më 24 qershor 2020 Prokuroria e Dhomave të Specializuara (kësaj gjykate sui generis të Kosovës me seli në Hagë!) që prodhoi sistemi ynë politik i kastruar nga olhokratët, e bëri publik lajmin-bombë, duke bërë të njohur disa nga bëmat çnjerëzore të krerëve të olhokratëve tanë. Ky lajm do të pasohej me “kundërlajmin” pa fjalë – postimin e stemës së UÇK-së, keqpërdorimin e saj si strehë nga naa e Hashim Thaçit.

Insistimi për fshehje prapa emblemës së UÇK-së është edhe një përpjekje shtesë për DEHUMANIZIMIN E LIRISË dhe dalëzotses së saj – UÇK-së së vegjëlisë.

Ky përfundim logjik i olhokratëve tanë ishte rezultat i dy forcave dinamike në thelb amorale: I makutrisë dhe injorancës, që e karakterizon këtë grusht olhokratësh.

Gjykata Speciale dhe proceset që do të fillojnë shpejt ndaj pjesës më të madhe të “kumandantave” të UÇK-së, është barrë e rëndë për Republikën.

UÇK-ja dhe Kombi në tërësi nuk ua kishte askujt borgj këtë Gjyq të Turpit, që më asocion disi me Kamarën e Turpit të Kadaresë. Por, nëse përmes “Kamares së Turpit” aplikohej reagimi i Shtetit totalitar, ashtu që qytetarët të merrnin “mësimin nga mënxyra”, Gjygji i turpit që do të aplikohet përmes Gjykatës Speciale, do të jetë, para së gjthash, një leksion për marionetat e tipit të H.Thaçit e Kadri Veselit me C.

Historia e dokumentuar e Gjyqit të Turpit, shih për këtë, do të duhej ekspozuar në të ardhmen në Muzeun e luftës së UÇK-së, që do të duhej të ngritej në Prekaz.

Gjyqin e Turpit që ju imponua Kosovës, sidoqoftë duhet shfrytëzuar edhe në rrafshin pozitiv. Aty, në muzeun në fjalë, në dokumentarin për këtë Gjyq sui generis, brezat që vijnë, do të mësojnë se, për dallim nga atdhemohuesit klasik, që bartin vulën e tradhëtisë përjetësisht, marionetat, gjatë historisë sonë, meqë si duket i kishim në numër më të

madhë, jo rrallë janë lënë në harresë. Madje në shumë raste ka ndodhur edhe më këq, ata janë rehabilituar (Ahmet Zogu, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, …).

Sidoqoftë, Gjykatën Speciale jam i prirur ta shoh edhe si produkt i përplasjes së gjeopolitikës moderne, ndërkaq për Kosovën ajo do ët shërbejë si një lloj Vis Majoris.

  • ALMAKOSZoti Ramabaja ne Washington u nenshkrua nje marreveshje mes Serbise, Kosoves dhe SHBA, si profesor i marredhenieve nderkombetare si e shikoni ju kete marreveshje?

Ramabaja: Marrëveshja e tillë siç është publikuar, nuk është ligjërisht e parafuar sipas kritereve te Konventes së Vjenës për të Drejtën e Traktateve dhe si e tillë, ajo nuk është obligative. Mbetet në domenin e vullnetit politik të palëve të akorduara çështjet e parafuara se a do të realizohen apo jo. Aq më pak ajo obligon qeverinë që do ta pasojë këtë të Hotit, alias beniaminit të Isa Mustafës e Hashim Thaçit.

Kësaj marrëveshjeje sidoqoftë, i parapriu një mision që kishte Hashim Thaçi. Fatmirsisht ai mission u ndërpre.

Misioni i ndërprerë i Thaçit, si duket, kishte disa objektiva.

  • E para, ai mëtonte të tumirte planin serb për ndarjen e Kosovës në emër të përkufizimit (razgraniçenies) etnike që trumbetonte Aleksandar Vuçiqi.
    • E dyta, me këtë akt, t`i hapte rrugë pozicionimit të Rusisë në brigjet e Ibrit, në Mitrovicë, me çka garantohej rikthimi i plotë i Rusisë në Ballkan.
    • E treta, si rrjedhojë e objektivit të dytë, të cenoheshin rënd interest e BE-së, para së gjithash, të Gjermanisë, me çmimin edhe që shkaktonte thellimin drejt çarjes së BE- së, meqë në këtë kuadër përflitej edhe joshja e Hungarisë për dalje nga BE-ja.

Por, marrveshja e nënshkruar nga kryeministri ilegjitim Abdullah Hoti, u përkufizua fillimisht, duke vu në tavolinë ndërkohë Liqenin e Ujmanit, dhe ofroi si dhuratë për Beogradin, edhe gjithë hapësirën shqiptare cep më cep!

Marrveshja për Shengenin rajonal de fakto e ribën Jugosllavinë e re, pa Kroacinë e Sllovenin, por me Republikën e Shqipërisë! Ndërkaq pozicioni i Kosovës në kë krijesë të re, nuk do të jetë më i mire se ai i të ashtuquajturave republika autonome ruse nëe ish BRSS!

Siç shihet, po u toleruan nga populli, olhokratët tanë tok, do të shkojnë gjithnjë e më larg, duke defaktorizuar Kombin në tërësi!

  • ALMAKOSA vazhdoni ju personalisht ti besoni Bashkimit Kombetar apo jeni per nje integrim europian te te gjithe rajonit dhe te gjithe Kombit.

Ramabaja: Politika shqiptare ka nevojë për zhvillimin e një metode të re të të menduarit, respektivisht një doktrine politike, që do të mundësonte njohjen e tendencave politike globale, duke i vënë ato në funksion të interesit nacional.

Nëse anglosaksonët pas Luftës së Dytë Botërore ishin përqendruar në ndërtimin e kësaj medote të të menduarit politik, duke marrë në konsideratë aspektet dhe interesat gjeostrategjike, ndërkaq francezët krahas përqendrimit në selitjen e mendimit mbi interesin hapësinor, kishin kultivuar, përmes shkencave sociale dhe politike, komponentën filozofike dhe ideologjike, shqiptarët për realizimine projektit të Federatës Shqiptare dhe zgjerimin e influencës në rajon, kanë nevojë për kombinim të që të dy shkollave të lartëtheksuara, duke i shtuar kësaj konceptin ushtarak të të menduarit.

Ky concept, Federatën Shqiptare do ta bënte më me peshë në syrin e aleatëve tanë gjeopolitik, para së gjithash SHBA-ve dhe Gjermanisë.

Në këtë rast, Aleancës sonë gjeopolitke (NATO-s) në vend se t’ ijapin refugjatë, qytetarë që ikin nga mjerimi, nga Republikat tona në dështim, si po bëjmë tashti, do t’ i afronim partneritet serioz, meqë do të ishim një Republikë e zhvilluar dhe me mirëqenie për qytetarë, rrjedhimisht asaj, pra Aleancës, do t’ i jipnim gjeneralë e ushtarë.

Federata Shqiptare duhet të krijohet dhe besoj e pres të krijohet ose ca vite para integrimeve të rajonit në BE, ose në hap me të. Ajo tashmë po shndërrohet në domosdoshmëri.

  • ALMAKOSZoti Ramabaja, por nuk mund te mohoni se sot shqiptaret perveç Kosoves dhe Shqiperise, jane vendimtar ne Maqedoni, madje dhe Mal te Zi dhe shume te re rendesishem ne Jugun e Serbise, kurre ne shqiptaret s kemi qene kaq te rendesishem, cfare mendoni qe duhet bere me mire ?

Ramabaja: Pikrisht se shqiptarët me kalimin e kohës do t jenë faktor politik në Evropën Juglindore, atyre pretendohet t’ju imponohen pengesa të natrës së Shengenit rajonal!

Kombi jonë tutje vazhdon të jetë i ndarë, pa vullnetin e tij, në dy republika shqiptare, në Republikën e tretë (Maqedonin Veriore), që gradualisht po shndërrohet në komb shtetformues, pra titular i saj (Maqedonisë Veriore), ndërkaq në Mal të Zi ka fituar

gjithnjë e më shumë peshë pakica shqiptare, por kjo nuk mund të thuhet dot për minoritetin tone në Serbi. Dhe kur flasim për minoritetin shqiptar në Serbi, nuk guxojmë të zëmë në gojë vetëm tri komunat e jugut (Preshevën, Bujanocin dhe Medokën (Medvegja), por aty hyjnë edhe shqiptarët në Sanxhak. Pozita e tyre, dihet, është ajo e minoritetit më të shtypur në Evropë; ata i nënshtrohen çdo ditë politkave të asimilimit gradual.

ALMAKOS: Le te rikthehemi tek Ju, a do te rifilloni aktivitetin Tuaj, te shkruani, leksionet universitare, udhetimet dhe aktivitetin politik ?

Ramabaja: Gjatë kohës sa isha në burg (6 tetor 2017 – 22 qershor 2020), kam mbijetuar duke lexuar dhe shkruar.

Unë kam gruan dhe dy djem të mrekullueshëm. Ata më kanë paisur vazhdimisht me literature të re në lëmin e mendimit politik. Natyrisht pjesën më të madhe e kasha në gjuhën gjermane. Atyre ju detyrohem shumë dhe ju shpreh mirënjohjen time më të thellë edhe publikisht. Falë tyre unë kam shkruar gjatë kësaj kohe dy libra dhe kam lexuar një bibliotekë të tërë.

Ndërkohë jam duke redaktuar librin që ka titull paksa specifik: Republika në kthetrat e olhokratëve. Pres ta dorëzoj në shtyp gjatë nëntorit.

Me kënaqësi, gjithësesi do t’i kthehesha amfiteatrove të universitetit dhe leksioneve universitare. Po pres që këtë ta bëjë menjëherë me të filluar viti akademik. Kjo tashmë varet nga drejtuesit e universitetit ku isha. Nëse ata i nënshtrohen presionit të SHIK-ut, mund të mbetem i papunë!

Ndërkaq aktivitetin politik unë e kam filluar kur isha 17 vjeçar (1979) dhe mund ta ndërprej vetëm kur pleqëria e thellë do t’ma pamundësojë. Unë jam nga ajo sorta e intelektualve veprimtarë politik që për model kanë rilindasit tanë. I tillë do të mbetem deri në fund.

  • ALMAKOSE fundit si jetohet ne burgjet e Kosoves, si e kaluat jeten aty dhe si jane kushtet ne pergjithesi ne burgjet e Kosoves dhe a mund te na beni nje krahasim me burgjet e ish Jugosllavise ju si nje ish i burgosur politik i asaj kohe ?

Ramabaja: Në fillim e kasha më rënd, sidomos në rrafshin psiçik, se sa gjatë kohës sa isha i burgosur politik në Serbi (1983-1986). Pasoja gjithësesi ka në rrafshin shëndetësor. Për çka kam nevojë për kontrollë mjekësor të detajuar tek kardiologu dhe kura të specializuara në ujra termale.

Me kalimin e kohës, meqë oficerët e sigurimit që më shoqëronin në Prokurori dhe Gjykatë, por edhe nga fakti se opinion filloi ta kuptojë se isha një peng politik I llojit të vetë, qëndrimi i oficerve dhe zyrtarëve të burgut ndryshoi pozitivisht. Madje dy vitet e fundit unë kam shfrytëzuar bibliotekën e burgut (si hapësirë) nga 5-6 orë në ditë dhe kam vazhduar t’i thelloj studimet e mia në lëmin e Marrdhënieve ndërkombëtare.

Burgu i Lipjanit kishte pak dritë e edhe më pak ajër. Kjo më pengonte shumë.

Burgu i Gjilanit, ku isha gjashtë muajt e fundit, është me kushte jashtëzakonisht të mira, por me një personel drejtues tepër rigjid, meqë ishin pothuajse të gjithë ish officer të SHIK-ut.

Mos ë harrojmë faktin se SHIK-u ka kapur Shtetin në çdo qelizë të tij, nga çerdhet e kopshtet për fëmijë e deri në institucionet më të larta. Burgjet e Kosovës nuk guxonin të bënin përjashtim! Sidoqoftë, aty ka edhe officer e drejtues që udhëhiqen nga parime njerëzore e profesionale. Ata ma kanë mundësuar ta shfrytëzoj bibliotekën, por edhe kanë pas qasje jashtëzakonisht njerëzore, prandaj burgjet e Republikës, asesi nuk guxojmë t’i krahasojmë me ato të Serbisë.

Kush është Sadri Ramabaja?

Dr. Sadri RAMABAJA lindi në Magurë të Dardanës, më 4 tetor 1961.

I ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në Katedrën për Studime Juridiko-Ndërkombëtare, e mbrojti tezën e magjistraturës me titull “Shteti dhe e ardhmja e tij në kuadër të proceseve integruese evropiane.”

Ndoqi kurse specializimi në Institutin për Studime Evropiane të Universitetit të Bazelit, në Zvicër. Ndërkaq studimet e doktoraturës i filloi në Universitetin e Paqes, i akredituar në OKB, dhe i përfundoi në Universitetin Evropian të Tiranës (2016). Teza mbi Federatën Shqiptare, pavarësisht se ishte miratuar fillimisht nga Këshilli shkencor i Universitetit të Paqes, më pas u bën përpjekje që ajo ët devijohet, për çka u bë shkas i transferit të disertacionit në UET.

Për një periudhë të gjatë ka qenë aktiv në jetën ilegale (1980-1999), e më pas në jetën publike politike. Si pjesëtar i Ilegales idealiste ishte arrestuar nga pushteti serb dhe ishte mbajtur në burg tre vjet. Për t’iu shmangur arrestimit të sërishëm, në vitin 1987 arratiset në Zvicër. Atje do ta vazhdojë aktivitetin e tij në lëmin e organizimit dhe propagandës në kuadër të LPK-së, duke qenë për një kohë edhe pjesë e redaksisë së Zërit të Kosovës, e më pas në krye të Qendrës së UNIKOMB- it për Evropë dhe gjatë luftës pjesë e Shtabit Mobilizues të UÇK-së për Zvicër.

Prej shumë vitesh merret me publicistikë. Vijon të publikojë në të përditshme e revista të ndryshme profesionale shqipe dhe të huaja vështrime, ese e studime mbi çështjen shqiptare dhe korrelacionet e saj në gjeopolitikë, mbi politikat e Unionit Evropian etj. Ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca shkencore me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, ku është prezantuar dinjitetshëm me kumtesa që janë vlerësuar nga audienca shkencore.

E ka botuar librin me poezi “Feniksit ia gjeta çerdhen” (Tiranë,1983); përmbledhjen me shkrime publicistike “Realizmi politik dhe çështja kombëtare” (Tiranë, 1998); përmbledhjen me ese politike “BE-ja, shpresë apo ringjallje utopish” (Prishtinë, 2003). Është koautor i librit universitar “Gazetaria” (Tiranë, 2000) dhe librin e fundit “Federata shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE” (2016) , që ishte njëkohësisht edhe teza e tij e disertacionit, me mbrojtjen e së cilës është lauruar me titullin shkencor – Doktor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Deri në ditën që qe arrestuar, më 6 tetor 2017, ishte ligjërues në Kolegjin Universitar UBT në Prishtinë, ku pretendon të rikthehet sërish ndërkohë.

Është i martuar dhe ka dy djem. Jeton në Prishtinë./Almakos

About admin

x

Check Also

 TVM2: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma! Këtë sezonë të ri të  emisionit “Open” e fillojmë me një protagonist shumë të veçantë, z. Xhemil Zeqiri i cili çështjen kombëtare e sheh si një strumbullar të vetëm që vetëm duke thënë të vërtetën edhe atëherë kur dhemb shumë dhe shton dhembjen e plagës, mund të zgjidhet çështja shqiptare.

Emisioni “Open” TVM2: Z. Xhemil, mirëmbrëma dhe  mirë se na erdhët në ...