Home / Opinion / Bukkuria e maleve tona shqiptare

Bukkuria e maleve tona shqiptare

 

Beqir Elshani

Sipas fantazisë së fëmijëve mali është një vend i mbuluar kryesisht me dru dhe me bimë të ndryshme, kurse sipas shkencës biologjike është më shumë se mal, sepse aty jetojnë kafshët, zogjtë, insektet dhe mikroorganizma të ndryshme. Nën dheun e malit të dendur e shkëmbor fshihet lumi që derdhet në drejtim të detit. Me fjalë të tjera, mali është jeta e botës bimore dhe shtazore. Pastaj, sipas terminologjisë luftarake, në mal strehohet kryengritësi i ndjekur nga dhuna e pushtuesit. Ka dy lloje kolonizimesh territoriale nga një shtet i fortë mbi shtetin e dobët. Mirëpo ka edhe kolonizim vdekjeprurës të përhapjes së kolerës nga një shtet i varfër në shtetin e pasur, siç është rasti në Afrikë dhe bartet në vendet e zhvilluara. Prandaj, sido që të jetë, të dyja janë të rrezikshme, gjithmonë me faktorin kolonizues prej më të fortit. Me të drejtë parashtrohet pyetja, a më e rrezikshme është murtaja e Azisë në drejtim të Europës apo e kundërta, prej Europës në drejtim të Azisë? Njëlloj janë, e para është sëmundje biologjike, e dyta sëmundje imperialiste.
Prej detit Adriatik vijnë malet, ndërsa mbi male ngrihen alpet e larta që mbarojnë në qiellin e kaltër. Duket qartë që të gjitha dielli i rrezon, gjithashtu edhe shiu i lag. Me të drejtë poetët shkruajnë se alpet i mbajnë detet. Sa i përket ajrit, mbi 6 km lartësi ka më pak oksigjen, prandaj zogjtë nuk fluturojnë më lartë. Në tokë ka shumë kafshë të egra e të butë, ashtu siç ka edhe deti peshq të llojeve të ndryshme. Mirëpo njeriu është më i lirë se kafshët, sepse mund të mendojë dhe të flasë. Për t’i fituar njeriu këto veti fizike dhe mendore është dashur të kalojnë me miliona vite për të arritur te shndërrimi i majmunit në njeri.
I mallkova fanatikët fetarë që në maje të kodrës mbi Shkupin legjendar me lisa e me zogj të shumtë e ngulën kryqin me drita të forta elektrike. Ndërkohë që më në majin e bukur të pranverës, kryqit vezullues në maje të kodrës po ia ktheja shpinën, në Kaçanik më doli maja e Lubotenit me borë. Luboteni, përndryshe koka e vargmalit Sharr, dukej si plis shqiptar. Mendoj se ideja e plisit të bardhë ka lindur prej majës së alpeve me borë, që nuk e shkrin as dielli i verës së nxehtë. A ka më bukur se të ecësh nëpër Kosovën e gjelbër me Lubotenin e bardhë që i jep ujë Prizrenit, kurse Drinit shqiptar i jep dritë?! Lumi Bistra që buron prej majës së Lubotenit, është i bukur me pamje piktoreske, zbret si çupë dhe si nuse shkon në drejtim të Prizrenit legjendar. Ky lum shkëmbor Prizrenit ia sjellë edhe cicërimën e zogjve, kurse me gurgullimën e lumit shton ritmin e jetës. Prandaj atë që Drini vendit i jep ujë me sasi, i jep Bistra me bukurinë e saj të pashuar. Rreth e përqark Lubotenit gjenden qytetet e bukura, siç janë Ferizai, Vitia, Kaçaniku, Shkupi dhe Tetova. Nuk di pse thonë se në Kosovë gjatë verës ndihet mungesa e ujit të pijes, kur dihet që bjeshkët e mëdha shqiptare mbajnë thesarin e jetës – ujin. Duket qartë që me sasinë e ujit malet shqiptare ua kalojnë të gjitha vendeve në Europën jugore, prej nga njerëzit shuajnë etjen, ujitin fushën dhe natën e bën ditë. Prandaj siç është Himalaja për indianët, është Sharri për shqiptarët. Krenaria e maleve të Himalajës nuk është vetëm te lartësia, por edhe te burimi i lumenjve të shumtë që rrjedhin në drejtim të fushës. Pikërisht lumi më i madh në Indi, Gangu, buron prej shpellës së akullt të Himalajës.
Një ditë vjeshte shkova në shpatin e Samadragjës, gjendet në perëndim të Therandës, me kënaqësi i shikova alpet. Prej shpatit, në drejtim të jugut, shihet Prizreni legjendar, gjendet në mes Sharrit plak dhe Koritnikut krenar. Pastaj kam shikuar Pashtrikun, të cilin populli e quan Plisi Shqiptar, që shkon në drejtim të Deçanit dhe me Bjeshkët e Nemuna me maja të ashpra dhe kalon mbi Pejën kreshnike. Ndërkohë që dallëndyshet fluturonin në drejtim të Mesdheut, unë prej Suedisë kam fluturuar në drejtim të Kosovës. Në verën e madhe kam lënë Suedinë e ftohtë me shi e me probleme sociale, dhe tani do të pushojë në gjirin e mëmëdheut, që e dua më shumë se shumë, sepse është më e ëmbël se mjalta. Prandaj dashurinë e madhe e meritojmë, sepse jemi bijtë e Shqipërisë mëmë. Nuk ikën vera pa u mbledhë rrushi i venës nëpër vreshta, prandaj ende është ngrohtë.
Siç dihet, prej majës së Pashtrikut shihet Rrafshi i Dukagjinit, kurse prej cilitdo qytet dhe katund mund të shihen vetëm alpet e larta shqiptare. Në anën jugore të Kosovës ngrihen alpet e larta të Koritnikut dhe të Pashtrikut, që nisin në Kukës e Prizren dhe përfundojnë në Junik e në Pejë. Bjeshkët e Nemuna ose Bjeshkët e Bekuara quhen Bjeshkët Shqiptare ”Albania alpe”. Po ashtu malet e Koritnikut janë pjesë e Pashtrikut, të dyja janë pjesë e vargmaleve të larta të Korabit, që shtrihen deri në Korçë. Gjatë udhëtimit me automobil prej Therandës në drejtim të Rahovecit e Gjakovës kaluam disa lumenj, dhe një ndër ta lumin kryesor, të cilin populli e quan Drini plak. Kështu e quan populli, sepse është më i vjetër dhe është më i madhi, pastaj është lumë që buron në bjeshkët shqiptare, që po ashtu derdhet në detin shqiptar. Drini, para se të derdhet në basenin e madh të Fierzës, mbledh me dhjetëra lumenj të vegjël. Një poet, më tregoi fantazinë e tij, se Drini vazhdimisht shkon vetëm, mirëpo lumenjtë e vegjël e shoqërojnë, prandaj u thotë “Ejani me mua”. Kur një kuksian e pyeta nëse Drini shteret, po të pinë ujë gjithë njerëzit. Kuksiani, që ishte rritur nën hijen e alpeve të larta, më tha se as dielli midis verës nuk e thanë. Dimri i Tiranës ndryshon me dimrin e Prizrenit, për shkak se në Tiranë është klima bregdetare, kurse në Prizren është klima alpine që nis prej Sharrit dhe mbaron në Koritnik.
Gjatë natës drita e hënës është e dobët meqë llambat elektrike e kanë marrë botën. Dikur me dritën e hënës, që ndriçonte më shumë se feneri me gaz, bujqit vaditnin kallamboqin dhe perimet me gjithë bostanin në arë. Është kënaqësi që gjatë netëve verore, po ashtu të shkurtra, të shikosh shkëlqimin e specit dhe domates në dritën e hënës. Në dritën e hënës edhe abetarja shqipe mund të lexohet. Prandaj Drini është i madh e i lavdishëm, popullit i jep ujë dhe energji, pastaj rrit bereqetin me të gjitha të mirat e vendit.
Dribardhi buron në veri të Kosovës, në Pejë, dhe prej veriut shkon në drejtim të Kukësit, ku bashkohet me Driziun, që vjen prej liqenit të Ohrit, në Strugë, prej nga merr emrin e përgjithshëm Dri. Para se Drini të bashkohet me Bunën shkodrane me vete merr Valbonën, Shalën e kristaltë dhe Kirin, që janë perla turistike të vendit. Kiri është lumë më i vogël, mirëpo lavdinë ia shton ura arkitektonike e Mesit me 13 harqe. Buna buron nga liqeni i Shkodrës dhe në perëndim të qytetit, mu te qarku i Rozafës, bashkohet me lumin Dri, pastaj vazhdon në Adriatik. Të rrallë janë qytetet si Shkodra atraktive që i bashkon dy e më shumë lumenj. Drini kreshnik, kështu po e quaj lumin e madh, pasi që kalon shumë male, fshatra e qytete, para se të bashkohet me Bunën, e lag Rozafën qiellore. Ndryshe me Drinin që derdhet në Adriatik, lumi Ibër bën një udhëtim të çuditshëm, buron në alpet shqiptare dhe bashkë me Moravën në Serbi derdhet në Danubin e madh europian që shkon në drejtim të Detit të Zi.
Që deti Adriatik është grykës i madh, shihet që me anën e Driziut prej Strugës e kollofit liqenin e Ohrit. Drini i përngjan Nilit të madh afrikan, i cili buron në Afrikën jugore, siç është Nili i Kaltër që buron prej Liqenit Viktoria në Afrikë, dhe Nili Blu që buron prej liqenit Tana në Abisini të Etiopisë. Ç’kuriozitet me Drinin shqiptar në dallim me Nilin e madh afrikan që kalon nëpër dhjetëra vende deri në detin Mesdhe, siç janë: Etiopia, Sudani, Egjipti, Ruanda, Tanzania, Uganda, Burundi, Kongo-Kinshasa, Eritrea dhe Kenia, Drini buron dhe kalon në tokën shqiptare dhe derdhet po ashtu në Adriatikun shqiptar. Strugën e lidhin urat e shumta, prandaj populli e quan “Qyteti i urave”. Ngjashëm porsi Nili i Kaltër që buron në Liqenin Viktoria, buron Buna prej liqenit Shkodran. Me anën e Bunës lidhet liqeni me detin, gjithashtu edhe peshqit kureshtar, siç janë krapi, trofta, qefujt, karasi, ngjala, kubla, blini, prej detit Adriatik ngjiten në drejtim të liqenit Shkodran, për të vendosur vezët.

Siç dihet, Malet Dinarike përfshihen prej Lubjanës në Slloveni dhe shtrihen deri në Shkodër në Shqipëri. Përndryshe dy qytete të kohës së vjetër ilire, siç janë Emona dhe Skodra. Është interesante me reliefin e botës, shumë male të larta përfshijnë me dhjetëra shtete, siç janë malet Karpate që nisin prej Çekisë, Sllovakisë, Polonisë, Ukrainës dhe Rumanisë. Për habi, Malet Dinarike i përkasin vetëm shtetit ilir përgjatë detit Adriatik, domethënë gjendet në mes detit dhe fushës së madhe të Panonisë. Kjo është një bukuri e rrallë natyrore. Në të kaluarën Malet Dinarike kanë qenë ishull që ndante Adriatikun me detin e Panonisë, e cila më vonë është zhdukur, dhe sot ka mbetur fushë pjellore e Panonisë.
Therandë, 2018

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...