Home / Opinion / MERCENARËT DHE HAJDUTËT, SHKATËRRUESIT E SHTETIT DHE VRASËSIT E SHQIPTARËVE TË LARGOHEN SA MË PARË NGA PUSHTETI

MERCENARËT DHE HAJDUTËT, SHKATËRRUESIT E SHTETIT DHE VRASËSIT E SHQIPTARËVE TË LARGOHEN SA MË PARË NGA PUSHTETI

Shkruan Akademik; Abdulla Memeti
Me përkrahje nga aleatë të fuqishëm, si SHBA, NATO dhe disa shtete të BE, është turp shqiptarët të mbeten edhe më tej në këtë gjendje!
Çfarë përfitojnë shqiptarët nga mashtrimi ordiner përmes politikës, rrjeteve politike fetare, medieve dhe agjenturave të huaja, të ndarë e përçarë në demokratë e socialistë, djathtistë e majtistë, myslimanë e të krishterë, shqiptarë me emra shtesë sipas krahinave, vendës dhe në diasporë? E, kush mbeti pastër shqiptar në këtë lojë vetëvrasëse, që të punojë për shtetin dhe për Shqipërinë, atdheun e të gjithë shqiptarëve?!
Për disa shekuj me radhë, e sidomos gjatë shekullit të kaluar, trojet shqiptare janë tkurrur si mos më keq, ndërsa një pjesë e shqiptarëve të mbetur nën sundime të huaja janë asimiluar përmes strategjisë afatgjatë dhe të propagandës politike e fetare;
– shqiptarët, në mënyrë sistematike janë shpërngulur për në Turqi, apo janë larguar në botën e jashtme, gjithashtu përmes strategjisë afatgjatë, kohë pas kohe dhe sipas rrethanave të krijuara nga të huajit;
– janë sunduar nga grupe dhe klane politike të përgatitura nga agjenturat e huaja jashtë vendit, të sjella në pushtet, si më 1913, 1945, 1991, 1997, 1999;
– u është shpërlarë truri, topitur kujtesa dhe janë mpirë nga ideologjitë e huaja politike dhe fetare, saqë vëllai vëllanë e ka vështirë ta njeh dhe pranojë si pjesë të qenies së tij, sipas prejardhjes dhe lidhjes së gjakut, të gjuhës dhe veçorive të tjera kombëtare, pa ndonjë identifikim tjetër të imponuar nga të huajit;
– janë dobësuar ekonomikisht dhe ushtarakisht sa nuk ka pasur nevojë asnjë armik nga jashtë t’i pushtojë dhe okupojë territoret etnike shqiptare dhe t’i sundojë shqiptarët me ndihmën e renegatëve vendës, duke mjaftuar një fije propagande e huaj për nxitje edhe të luftës vëllavrasëse mes shqiptarëve;
– kujtesa historike e shqiptarëve është shuar në mënyrë të vazhdueshme, për gjithçka që e mban gjallë qenien e një kombi, duke i zëvendësuar vlerat kombëtare, kulturore, sociale dhe ekzistenciale, me interesa të huaja ideologjike dhe fetare, politike, ekonomike dhe strategjike.
Në gjendjen ku u sollën shqiptarët për një periudhë të gjatë, nën sundimet e huaja mbi dymijë vjeçare, influenca e armiqve të jashtëm mbi shqiptarët i ka drobitur e katandisur si asnjë popull tjetër në rajon dhe Evropë, sidomos nga ekspansionizmi i shteteve fqinje satelitë të interesave ruse, nga mezi arritën ta sigurojnë një shtet të vetin kombëtar më 1912, ta ruajnë këtë shtet në valët e turbullta të dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore, si edhe gjatë përplasjes mes fuqive të mëdha të botës në Luftën e Ftohtë, deri në vitin 1990.
Me përpjekje titanike mbi njëshekullore, pas shumë sakrificave, betejave dhe luftërave, shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit kombëtar, pas okupimit më 1913 dhe riokupimit më 1945, mezi arritën ta lirojnë Kosovën nga sundimi serb e jugosllav, edhe atë, me ndihmën e aleatëve besnikë të tyre, që vetëm pas dy dekadave ta vërtetojnë vetë shqiptarët dhe aleatët e tyre se zgjebja e huaj, ajo sllave, greke dhe jo vetëm, nuk kanë qenë një infeksion i përkohshëm në lëkurën e një pjese të shqiptarëve, sidomos të strukturave udhëheqëse të pushtetit, por një mortajë vdekjeprurëse që ka depërtuar edhe në gjakun dhe trupin e tyre.
Një popull në këtë gjendje të mpirë, harron si duhet ta mbrojë shtetin, trojet e veta etnike dhe lirinë e tij, përkundrazi:
– vret ministrin e vet të mbrojtjes në valën e luftës për lirinë e Kosovës, jo në frontin e luftës por në kryeqytetin e vendit, të okupuar nga agjenturat e huaja dhe bandat kriminale vendëse;
– fondet kryesore të qeverisë dhe të luftës lejon të përfundojnë në duart e agjenturave të huaja dhe të bandave kriminele në shërbim të tyre, jo në shërbim të luftës për liri;
– lejon t’i përndiqen, burgosen dhe vriten komandantët më të dalluar para se të hyjnë në betejë me armikun;
– në prag të luftës e shkatërron sistemin e mbrojtjes, të sigurisë kombëtare dhe ushtrinë e shtetit, në prag të luftës për lirimin e Kosovës dhe të trojeve të veta etnike, si më 1997;
– lejon shtetin me traditë njëshekullore ta qeverisin klanet politike dhe bandat kriminale të kontrolluar nga shërbimet e huaja sekrete, jo vetëm nga jashtë por edhe nga brenda shteti dhe kryeqyteti i vendit;
-lejon që, në valën e luftës për liri të hapen fronte vëllavrasëse mes grupeve, bandave dhe rrjeteve të kontrabandës për shitblerje e tregti me armë, jo ndihmën dhe furnizimin e banorëve të rrezikuar dhe të ushtarët në vijën e frontit, aty ku mbrohet pragu i shtëpisë, nderi i familjes, krenaria kombëtare dhe trojet etnike; dhe, në këtë gjendje cili mund të jetë fati i këtij populli, sot dhe në të ardhmen?!
Cili mund të jetë fati i një populli, kur qeveria e tij u shërben interesave të huaja, e plaçkit dhe varfëron popullin e tij, një qeveri që i vret edhe veprimtarët, idealistët dhe atdhetarët më të mirë, i likuidon kundërshtarët politikë që guxojnë t’i dalin përpara kësaj politike shkatërruese dhe shfarosëse brenda llojit?!
Cili mund të jetë fati i një populli, kur në rrethana okupimi e sundimi të huaj e paguajnë tagrin e rëndë të okupimit, por rezistojnë dhe nuk e braktis e vendin, siç e braktisin nën sundimin dhe qeverisjen e bandave kriminale vendëse të pushteteve jodemokratike dhe jokombëtare?!
Cili mund të jetë fati i një populli, kur qeveria e tij nuk bën plane për zhvillim e përparim, por bën veprime nga më të ligat për shkatërrimin e vendit dhe mirëqenien e banorëve të tij, kur pa ndalur gjen një arsye për shitjen apo faljen e tokave të veta, të pasurisë së vendit, e shet pasurinë, trashëgiminë dhe vlerat kulturore të mbrojtura me shekujt nga të parët?!
Cila mund të jetë e ardhmja e një populli, kur politika nuk jep llogari për dështimet dhe kaosin tridhjetëvjeçar, për largimin e afër gjysmës së banorëve në botën e jashtme, nga qeverisja e keqe, varfëria dhe pasiguria?!
Cila mund të jetë e ardhmja e një populli, kur mediet dhe propaganda janë më të fuqishme se vetë shteti, ku më lehtë operojnë rrjetet e huaja të kontrabandës dhe krimit të organizuar, ndërsa banorët vendës nuk ndjehen të lirë në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre, në qytetin,. katundin dhe lagjen e tyre, as brenda familjes dhe pragut të shtëpisë, të kërcënuar nga bandat kriminale që përditë e më tepër e forcojnë ndikimin dhe pushtetin e tyre, në mungesë të institucioneve të shtetit dhe të qeverisjes demokratike, siç e meriton çdo qytetar i lirë i botës në vendin e tij?!
Me politikanë që në gojë e mbajnë popullin dhe shtetin, kombin, gjuhën, historinë, lirinë dhe flamurin, e ndërkohë punojnë tinëz me qarqet më armiqësore kundër shqiptarëve, kurse xhepat i mbushin me monedha nga llogari bankare të huaja, kurse mendjen e kanë plot stalinizëm, rankoviqizëm, millosheviqizëm e jugosllavizëm, me kokë e me zemër; me renegatë të tillë nuk bëhet shteti as kombi, nuk zhvillohet Shqipëria dhe nuk mbrohet Kosova dhe trojet tjera etnike shqiptare!
Shqiptarët, me gjithë këtë fatkeqësi nga brenda, kanë vetëm një fat, që janë komb i mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe aleatët tradicionalë të tyre, përndryshe do të ishin larë në gjak e lot edhe më tej, trojet shqiptare qëmoti do të ishin shndërruar në gërmadhë e shkretëtirë, si aty ku deshën ta sjellin bandat kriminale vendëse dhe tradhtarët, në marrëveshje me agjenturat serbe dhe ruse, para ndërhyrjes së NATO-s më 1999 për lirimin e Kosovës, për ta realizuar strategjinë dhe planet për zbrazjen e trojeve etnike nga shqiptarët dhe pushtimin e tyre nga serbët, si më 1978, 1913, apo 1945!
(6.IX.2020)

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...