Pacolli: Delegacioni nga Kosova në ShBA, shumë i dobët karshi atij serb

Në ditët kur delegacionet e Serbisë dhe Kosovës pritet të kenë takime intensive për arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, partitë opozitare kanë refuzuar t’i bashkangjiten delegacionit kosovar.

Lëvizja Vetëvendosje takimin në Washington dhe përpjekjen për marrëveshje po e sheh si një nevojë të administratës amerikane për zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës.

Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli për KALLXO.com ka thënë se takimi duhet të shihet si tentim i administratës aktuale amerikane për të arritur sukses në minutën e fundit.

Pacolli ka deklaruar mes tjerash se delegacioni i Kosovës është i papërgatitur për negociata të tilla.

“2 muaj saktësisht na ndajnë nga zgjedhjet e reja në ShBA. Siç po intensifikohet fushata mes Presidenti Donald Trump kundër kandidatit të tij demokrat Joe Biden, ashtu po intensifikohen përpjekjet e administratës aktuale për të arritur ndonjë sukses në politika të caktuara. E në politikën e jashtme takimi i 4 shtatorit duhet të shihet si tentim i administratës aktuale për të arritur sukses në minutën e fundit”, tha ajo.

Sipas deputetes së LVV-së, delegacioni qeveritar i Kosovës nuk e din as vet se çfarë do të diskutojnë e çfarë jo në ShBA.

“Pa legjitimitetit popullor, pa platformë për dialogun e pa miratimin e Kuvendit delegacioni nga Kosova është shumë i dobët karshi delegacionit serb”, u shpreh Pacolli për KALLXO.con.

Pacolli ka shtuar se Vetëvendosje do të kundërshtojë çdo marrëveshje që bëhet në kurriz të vendit, e pa pëlqimin e qytetarëve.

“Duke marrë parasysh se nga kush dhe si përfaqësohet Kosova nuk mund se si të ketë marrëveshje të mira për Kosovën e pa pasoja politike për të. Por, çdo marrëveshje që bëhet në kurriz të vendit, e pa pëlqimin e qytetarëve, do të kundërshtohet nga ne”, theksoi ligjvënësja.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për të qenë pjesë e takimit në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Kurse, ish-krye diplomati kosovar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për KALLXO.com se janë tri parime bazë të cilat përcaktojnë nëse takimi i 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është në përputhje me interesat e vendit tonë.

Më 4 shtator në Washington pritet të ketë një takim ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, për, siç është thënë, marrëveshje ekonomike.

Hoxhaj tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Ai ka ngritur disa pikëpyetje rreth zbatimit të çfarëdo lloj marrëveshje që do të mund të arrihej më 4 shtator.

“Dhe parimi i tretë ka të bëjë me pritjen që po kultivon vetë qeveria: a do jetë një marrëveshje e mundshme me fokus temat ekonomike pjesë e një marrëveshje të madhe për njohje të ndërsjellë apo jo? Apo do të jetë një vetëm një marrëveshje e veçantë, pa iu referuar marrëveshje për normalizim të plotë që është njohja e ndërsjellë? Kush do të mbikëqyrë zbatimin e saj?”, vlerëson ai.

Ndërsa, ka thënë se çdo vendim për Kosovën nga ShBA ka qenë me peshë historike, por sa do të shfrytëzohet kjo mundësi nga delegacioni i Kosovës atje, pritet të shihet.

“Natyrisht ka qenë kërkesa e jonë për rol më të madh të SHBA në këtë proces dhe çdoherë vendimet e Washingtonit kanë qenë historike për Kosovën. Ta shohim sesa delegacioni i Kosovës do të mund dhe dijë ta shfrytëzojë këtë shanse dhe parimet te tilla vlen vetëm nëse krijohet mundësia e ndonjë marrëveshje tematike”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkuar në ShBA vetë i teti, së bashku me dy zëvendëskryeministrat, Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj-Halimaj, ministrat Selim Selimi, Meliza Haradinaj-Stublla e Arban Abrashi. Pjesë e delegacionit është edhe koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni dhe Ardita Dushi, shefe e kabinetit të Hotit.
/ Mar nga Kallzo.COM/

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...