Home / Opinion / Letër për të gjithë, para së gjithash për Kryetarin e Komunës Istog, z. Haki Rugova

Letër për të gjithë, para së gjithash për Kryetarin e Komunës Istog, z. Haki Rugova



LARG bagerat nga godina e Burgut të Gjurakovcit!
Për 20 vjet me radhë në Istog kanë ndodhur disa masakrime të gjurmëve e të dëshmive historike.
Ato masakra të pamëshirshme e serike me idenë e fundit monstruoze të rrënimit të godinës së Burgut të Gjurakovcit, me gjasë do të prekin edhe majen më të dhimbshme e të turpshme të tyre.
Këtu në Istog ndoshta më shumë se në krejt Kosovën u mbulua ose u rrafshua me tokë pothuajse secila pikë e përgjakshme e përkujtuese e gjenocidit shekullor serb mbi shqiptarë.
Në qendër të Istogut janë fshirë gjurmët e tmerrit të Kullës së Popit.
Afër Troftës, Xhamisë e Pazarit, bashkë me ngritjen e një të ashtuquajture Halle sportesh, u zhduk përgjithmonë kujtesa e brezave të tashëm e të ardhshëm, duke e betonizuar e mbuluar pa lënë asnjë shenj të vendndodhjes së vrasjeve masive çetniko-komuniste pas Luftës së Dytë ai vend që quhej Vendvrasje në Lluga të Istogut.
Duke ndërtuar me mburravecësi mite e legjenda të reja dhe duke zhdukur sistematikisht gjurmë të historisë së vërtetë, Istogu me të gjitha përbërjet e deritashme të Asamblesë, ka ra keq në provim të ndërgjegjes kombëtare, historike e njerëzore.
Çka përfaqëson Burgu i Gjurakovcit?


Ai është Gllavnjaçë e Beogradit, Lepogllavë, Stara Gradishkë, Burg i Pozharevcit, Burg i Zenicës, Goli Otok…
Dhe më i tmerrshëm se ato shtëpi vrasjesh, torturash e poshtërimesh njerëzore.


Burgu i Gjurakovcit mund të krahasohet me burgjet e Perusë, të Gruzisë, Ruandës,Tadnonit të Sirisë, Ishullit të Djallit në Gvajanën franceze, Llogorin 22 në Korenë e Veriut, Tuliamunin, burgun e kohës së Perandorisë romake, 12 metra, nën tokë, Delfinin e Zi të Rusisë, Karandirun të Sao Paolos në Brazil dhe të Alkatrazit në San Francisco.
Ka do kohë qyshse kisha propozuar hapjen e Burgut të Gjurakovcit për publikun dhe shndrrimin e e tij në Muze Përkujtimor të Torturave e të Vrasjeve, të kryera nga pushteti okupues serb e jugosllave.

 Natyrisht duke bërë një zgjidhje më humane për fukarenjtë që banojnë hapësirat e degraduara të atij ish-burgu.
Mos të harrojmë se OZNA e UDB-ja në Burgun e Gjurakovcit kanë kryer krimet më të rënda që mund të shpik një sistem vrastar e totalitar.
Rrënimi i godinës së Burgut do të paraqiste krim tepër të rëndë e të pafalshëm si dhe fyerje të paimagjinueshme për Memorien Historike të një populli.
Ftoj kryetarin Haki Rugova që të jetë në nivel të duhur të pozitës që mban.
Amerikanët kur e kishin mbyllë Burgun famëkeq Alkatraz, atë e kishin futë në Regjistrin Nacional të Vendeve Historike, pastaj atë ia hapën publikut dhe e shndrruan në Muze.
Ngjashëm kanë vepruar edhe me disa burgje të tjera famëkëqia.
Haki Rugova! Në Burgun e Gjurakovcit shumëkush ka hy gjallë, por nga atje gjallë nuk ka dalë.
Sepse ashtu donte OZNA e UDB—ja, viktima të të cilave, zoti Krytar, jeni edhe ju si familje!

Thirrja ime deri në kupë qielli është: Mos lejoni një vetëvrasje të tillë!
PS
Pas Luftës pata mysafir shkrimtarin e njohur Adem Istrefin. Që në mëngjes ai shfaqi dëshirën që ta vizitonim Burgun famëkeq. Shkuam dhe shkrimtari e poeti më foli për shumë histori për mua të njohura e të panjohura që lidheshin me Ferrin e quajtur Burg i Gjurakovcit: gjumë në qeli me gjarpërin, nata deri në fyt në ujin e akullt, rrahje barbare të të burgosurve, pranga në duar e pranga në kambë, etje e uri, varje, zhdukje kufomash…
Në korrik 2011 atje, si për ta përplotësuar imazhin e Ferrit që e kishim në derë shtëpie, shkova me banorin e dikurshëm të Ferrit, mësuesin e vjetër Sylë Krasniqin…
Në atë burg janë rrënuar shëndetësisht e mendërisht shumë figura të njohura të patriotizmit e të iluminizmit shqiptar.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...