Home / Lajme / Dy kleçkat e paktit të Uashingtonit Serbi-Kosovë

Dy kleçkat e paktit të Uashingtonit Serbi-Kosovë

26/08/2020

Askush nga Prishtina nuk flet. As njerëzit e Thaçit që dikur nuk pushonin për “zbulimin e shkëmbimit të territoreve” e as qeveria e Hotit.
Isa Mustafa, është zgjuar sot duke i kërkuar opozitës së Vetëvendosjes një konsensus për një proces që nuk e ka informuar askush.

Ndërkohë nga Beogradi rrjedhin ditë pas dite, pikë pas pike, detaje e zhvillime që priten të firmosen në Uashington.

E para që pritet të firmoset, e që e bën të ditur Dushan Janjiç, një analist i rëndësishëm në Serbi, natyrisht jo pro Vuçiç, por sot as kundërshtar, është “i ashtuquajturi pakt i mossulmimit”.

Pra Prishtina dhe Beogradi do të firmosin një letër, një dokument ku angazhohen për paqen mes dy vendeve.

Një dokument sofist më shumë e me detaje të panjohura, që thelbësisht do të jetë një angazhim mes palëve për të jetuar në një hapësirë qetësie e paqeje.

Një dokument që natyrisht i shërben administratës Trump, por edhe Vuçiçit, pasi ata nuk kanë çfarë humbin.

Kosova në këtë rast nuk fiton asgjë, përveç se përfshihet në një proces që është angazhuar jo vetëm solemnisht por edhe ligjerisht prej vitit 1999.

Një marrëveshje e tillë paqeje që është përgatitur në një shkresë me fusnotë të tipit: “Qeveritë e Serbisë dhe Kosovës angazhohen…”, është realisht një përsëritje e angazhimeve që Prishtina e Beogradi kanë marrë prej vitesh kur kanë nisur dialogun.

Është një dokument natyrisht i vlefshëm, por jo një hap para që pret qytetari i Kosovës.

Por prit se ka edhe më. Dhe këtë e thotë Daniel Servver për “Danas”-in e Beogradit. Dhe kjo është kleçka e dytë më e komplikuar se e para dhe që duket se po diskutohet në Uashington, Beograd e Prishtinë.

Bëhet fjalë për atë që ambasadori Richard Grenell e ka cilësuar si “pjesë e marrëveshjes ekonomike”.

Servver thekson se do të arrihet një marrëveshje ku Trepça dhe Ujmani, dy nga resurset më të rëndësishme të Kosovës, të përcaktohen si “zona të lira ekonomike”.

Një artific dukshëm politik i një çështje për të cilën Beogradi ka qenë gjithmonë i palëvizshëm; ka kërkuar akses si në Trepçë ashtu edhe në Ujman apo siç ata i thonë, Gazivoda.

Pra këtu qëndron çështja dhe realisht kjo përbën “nyjen gordiane” të negociatave.

Çfarë janë këto “zona të lira ekonomike”?

Përse Trepça e Ujmani, përkatësisht një kolos industrial i Kosovës dhe një resurs natyral e ekonomik i saj, të jenë pjesë e vetos serbe?

Edhe mundet që të jetë kështu, nëse hyhet në marrëveshje, nëse bëhet e qartë përmbajtja e saj, dhe natyrisht nëse bëhen transparente detajet, por në Prishtinë nuk është folur fare.

Dhe më e bukura, Beogradi merr dy konçensione pa përmendur askund fjalën “njohje të shtetit të Kosovës” e kjo natyrisht që është një çështje e komplikuar.

Beogradi, duket se është realisht porta nga ku Kosova do të marrë një njohje qoftë nga 5 vendet skeptike në BE por edhe nga dy anëtarët e këshillit të përhershëm të Sigurimit në OKB siç janë Rusia dhe Kina.

E natyrisht që ta bëjë këtë veprim, Beogradi mund edhe të marrë edhe konçensione. Por këto duhet të njihen, të diskutohen të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Natyrisht e mira është të bëhen para miratimit, të paktën në parim, por në këtë rast po ecet në një tunel ku nuk shihet dritë në fund.

Ja Kosova firmosi për këto dy pika, a do ta njohë Serbia shtetin e Kosovës?

Dilemë! Është bërë gati edhe mazhoranca për ta firmosur këtë marrëveshje të kleçkave, të cilën Isa Mustafa e bëri të ditur sot në postimin e tij. Do të jenë LDK, PDK e Lista Serbe. Që më pas mund të zgjedhin edhe Presidentin edhe të bëjnë qeverinë e Hotit.

Por kjo marrëveshje s’mund të kalojë ashtu apriori pa u miratuar në Kuvend, pasi është e papranueshme, sepse nëse dje flitej për shkëmbim territoresh politikisht kjo për të cilën flitet sot është realisht dhe ekonomikisht shitje e territoreve./Huazuar  nga Pamfleti/

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...