Historia përsëritet, ndërsa mashtrimet modifikohen…
Populli maqedonas, luftën për liri dhe për krijimin e shtetit të përbashkët të Maqedonisë së pavarur e ka bërë gjithmonë me shqiptarët dhe banorët e tjerë vendës, ndërsa elitat politike maqedonase të kohës pushtetin e kanë ndërtuar me ndihmën dhe për interesat e pushteteve bullgare apo serbe, kundër interesave të popullit të tyre dhe të shqiptarëve!
Si ka arritur pushteti komunist t’ua shpërlajë trurin qytetarëve të Maqedonisë, edhe në tri dekadat e fundit të transformimit demokratik, disa shqiptarëve “të ndershëm”, maqedonasve dhe të tjerëve, kinse armiku potencial më i rrezikshëm për shtetin është “albanizimi” dhe “kosovizimi” i Maqedonisë*, e jo serbizimi apo bullgarizimi i saj?! Dhe, më tepër se kaq, kinse shqiptarët kohën e fundit po shfaqin nacionalizëm përmes kërkesave të tyre për barazi të plotë në shtetin e tyre të përbashkët të Maqedonisë Veriore!
Kjo filozofi politike e sundimit të një populli mbi të tjerët është tepër e tejdukshme, jodemokratike dhe primitive, për vetë faktin se: me Kushtetutë dhe ligje emri i shqiptarëve si popull dhe gjuha e tyre amtare përmenden në formën më ofenduese dhe poshtëruese, si numra dhe përqindje (20%), ndërsa me gjuhën e propagandës, të medieve dhe të një pjese të studiuesve, analistëve dhe intelektualëve, për t’u akuzuar shqiptarët si element i rrezikshëm dhe “armik” potencial i shtetit, nacionalizmi i shpifur shqiptar përmendet me emër, si nacionalizëm shqiptar, jo si nacionalizëm i qytetarëve prej 20%, ose i qytetarëve që e shfaqin këtë ndjenjë ndryshe nga nacionalizimi institucional i të tjerëve, siç thuhet për përdorimin e gjuhës shqipe zyrtare se qenka “gjuhë e ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase”!
Pse nuk e thonë këto qarqe propaganduese, medie, intelektualë dhe analistë se kush ulërin me vite e dekada në sheshet e qyteteve dhe nëpër vendbanime kudo në Maqedoni me parulla dhe thirrje raciste ndaj një popullit tjetër: “Vdekje shqiptarëve”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj.; a nacionalistët shqiptarë apo grupet shoviniste dhe raciste të nxitura, paguara dhe organizuara nga shërbimet e huaja sekrete, serbe dhe ruse, në emër të popullit maqedonas dhe të tjerëve?!
Poshtëshënim:
Brezat e ri të shqiptarëve duhet të lexojnë, studiojnë dhe mësojnë më tepër për këto histori mashtrimi, që t’i kuptojnë lojërat e pista të politikës në kohën e sotme.
Ky shembull nga periudha e Luftës së Dytë Botërore në këtë shkrim nuk përmendet për ta lavdëruar periudhën e luftës partizane dhe këtë pjesë të historisë së rrejshme, përkundrazi, si shembull i keq i shtrembërimit dhe falsifikimit të historisë dhe të së vërtetës për shqiptarët dhe Maqedoninë.
Pse askush nuk e thotë të vërtetën, pse formacionet e para dhe kryesore ushtarake për lirimin e vendit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si dhe organet e para të pushtetit komunist të asaj kohe, të ashtuquajtura Këshilla nacionalçlirimtare u krijuar në vendbanimet me popullsi të përzier, shqiptare, maqedonase dhe të tjerë (i pari për Maqedoninë u krijua në qytetin e Dibrës me shumicë shqiptare), e jo në afërsi të kufijve të Maqedonisë me shtetet dhe popujt tjerë fqinjë, mes maqedonasve dhe “vëllezërve të tyre sllavë”, serbë apo bullgarë, e që duhet ta thotë sipas burimeve historiografia shkencore, jo ta manipulojë dhe falsifikojë historiografia ideologjike.
*Brigada e parë sulmuese maqedonase-kosovare thuhet se është formuar në nëntor të vitit 1943, në katundin (Slivovë) Debarcë të qytetit të Ohrit, me përbërje prej katër batalioneve, 2 batalione kosovare dhe 2 batalione nga Maqedonia, njëri batalion maqedonas dhe tjetri batalion nga Kërçova me përbërje të përzier kombëtare të pjesëtarëve të tij“.
(26.VIII.2020
