Home / Opinion / BEKIMI dhe MALLKIMI i “GJYKATËS SPECIALE” I

BEKIMI dhe MALLKIMI i “GJYKATËS SPECIALE” I

Se kildebilledet
Sami Kurteshi
Përpjekja e fundit për shpëtim apo mashtrimi primitiv i Thaçit
Në deklaratën e datës 24 gusht 2020, në të cilën presidenti me fytyrë të nxirë e mendje të çakërdisur nga frika, përmes një video-mesazhi kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Kosovës.” Një përpjekje primitive për mashtrim nga një njeri me mendje të çakërdisur nga frika e ditës së gjykimit. Kjo është humbje totale e arsyes njerëzore. Për arsyen politike e juridike të mos flasim, sepse atë nuk e kishte kurrë, ashtu si nuk e kanë as ata që e këshilluan për marrëzira të këtilla. As ky mashtrim primitiv nuk e shpëton nga gropa që e ka bërë vetë për të tjerët. Kjo është e vërteta e tmerrshme.
Mandati i Dhomave të Specializuara – normë kushtetuese dhe jo “vullnet” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo marrëzirave mashtruese të Thaçit!
Dekonstruimi ligjor e politik e bën të qartë e të dukshme marrëzinë mashtruese të Thaçit. Amandamenti 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i votuar më 3 gusht 2015, e shpërfaqë lakuriqësinë e përpjekjes së marrë për mashtrim të opinionit dhe të deputetëve nga Thaçi. Neni 162, paragrafi 13 shprehimisht përcakton se “Mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare (5), përveç nësë njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No. 04/L-274 bëhet më herët.” Ndërsa paragrafi 14 i po këtij neni sqaron se “Në mungesë të njoftimit për përfundim të mandatit sipas paragrafit 12, mandati i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë.” E për të mos lënë asnjë dyshim për kohëzgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara me kohë është kujdesur ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Jahjaga. Në letërkëmbimin me Baroneshën Catherine Ashton të datës 14 prill 2014, ish-Presidentja Jahjaga siguron Baroneshën Ashton se: “Përkundër përfundimit të mandatit të EULEX KOSOVA, me këtë letër dua të konfirmoj që puna dhe mandati i deleguar për të siguruar operimin e dhomave të lartëpërmendura gjyqësore dhe prokurorive speciale, me gjyqtarët, prokurorët dhe personelin mbështetës të dedikuar nga EULEX KOSOVA, do të vazhdojë deri në momentin kur Kosova merr njoftimin nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar, si dhe çdo procedurë nga dhomat gjyqësore që rezultojnë nga ato hetime, të kenë përfunduar.”
LIGJI NR. 04/L -274 PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE NË MES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE BASHKIMIT EVROPIAN MBI MISIONIN E BASHKIMIT EVROPIAN PËR SUNDIM TË LIGJIT NË KOSOVË, në Nenin 1, paragrafi 2 përcakton qartë se: “Ky ligj ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare në tërësi, duke përfshirë këtu, por pa u kufizuar nga: 2.1. zgjatja e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara në marrëveshje deri më 15 qershor 2016, dhe me përjashtim të Task Forcës Speciale Hetuese. Mandati dhe pavarësia e SITF do të garantohen si në marrëveshje.” E në Nenin 2 [Fushëveprimi] Ligji po ashtu përcakton se: “Marrëveshja ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të jetë pjesë përbërëse e këtij ligji (Shtojca 1) dhe zbatohet nga Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.”
Prandaj, puna e mandatit të Dhomave të Specializuara apo Gjykatës Speciale, ka marrë fund që në vitin 2014. E sa për rikujtim të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e tmerrit të marrë presidencial, duhet domosdo t’u përplaset hundëve Neni 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare], paragrafi 2 i Kushtetutës që përcakton e garanton se: “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.” Tani për tani vetëm kaq!
Natyrisht, edhe atëherë, edhe tani, e edhe në të ardhmen, i gjithë cirku i quajtur qoftë Dhoma të Specializuara apo Gjykatës Speciale, ka qenë dhe mbetet konstrukt politik i kurdisur kundër Luftës Çlirimtare dhe UÇK-es, i përkrahur drejtëprdrejtë nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, me heshtjen e të ashtuquajturve “veteranë të UÇK”, i vendosur me votën e 82 deputete/ëve të Kuvendit, nën duartrokitjet e “gazetarëve”, “analistëve”, “mediave”, “ekspertëve” të llojllojshëm injorantë e të shitur, madje edhe me mallkim të kundërshtimit nga LVV, sidomos të deputete/ëve të LVV që nxirreshin zvarrë nga Kuvendi.
Vajtimi me lotët përpjetë apo kofini pas të vjelave
Prandaj, të gjitha “kundërshtimet” e tashme të Dhomave të Specializuara, përveç nga LVV dhe disa persona, media e ekspertë të sinqertë që kishin kundërshtuar me forcë krijimin e tyre, janë thjeshtë përçyrrje hipokrite, fallco, të rrejshme dhe në thelb tradhëtare. Madje edhe zhurmat shurdhuese para një muaji për “shkelje të sistemit dhe parimeve të drejtësisë”, për “veprimin politik të qëllimshëm” nga Dhomat e Spezializuara, kur u publikua komunikata për ngritjen e aktakuzës, tani janë heshtur. Aty-këtu dëgjohet ndonjë thirrje “patriotike” me zë të mekur sa për të larë gojën. Mirëpo, “çudia” e shkeljeve procedurale të Prokurorisë Speciale nuk zgjati më shumë se çuditë e tjera.
Çirrjet shurdhuese të eksponentëve të ndryshëm, “analistëve”, “profesionistëve”, “intelektualëve” e “juristëve”, secili më i “pavarur” se tjetri, pa treguar pavarësi nga kush, dhe përfaqësuesve të ndryshëm politikë e të organizatave që i kishin aplauduar krijimit të Gjykatës Speciale, se publikimi i komunikatës për përpilimin e aktakuzës për 10 persona të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, në mesin e të cilëve edhe Thaçi e Veseli, mbetën vetëm dërdëllisje korale të injorantëve e frikacakëve politikë dhe zhurmuesve medialë, që bëjnë përpjekjen e fundit për të arsyetuar injorancën, frikën, dërdëllisjen e tyre kriminale.
Çfarë thotë ligji?
Me Ligjin Nr. 05/L -053 për Dhomat e Specializuara në Nenin 19, me të cilin përcaktohen Rregullat e procedurës dhe provave, në paragrafin 6 shprehimisht përcakton se “Dhomat e specializuara kanë kompetencë për të miratuar rregulla, politika dhe praktika të brendshme”. Në këtë kuptim, Prokurori i Specializuar, sipas Nenit 35, par. 2, pika 1 e ligjit, ka kompetenca për “ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që i kërkohen prokurorit të specializuar sipas këtij ligji.” Kjo kompetencë përjashton sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Çfarëdo ndikimi në sistemin gjyqësor të një vendi përbën njër cenim të drejtëpërdrejtë të sovranitetit shtetëror.
Këta altoparlantë të tradhëtisë me zhurmën, çirrjet e dërdëllisjet injorante, ende sot vazhdojnë të mashtrojnë qytetarin, aty ku u shitet, se bazuar në votat e duartrokitjet e tyre Dhomat e Specializuara “kanë kompetencë për të miratuar rregulla, politika dhe praktika të brendshme” për “ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që i kërkohen prokurorit të specializuar”. Po këta altoparlantë të neveritshëm, që me defilimet në televizione, gazeta e portale, që sipas nevojës së bosëve të krimit ringjallen sa herë t’u duhen atyre, nuk i tregojnë popullit se me Nenin 3 [Parimet themelore], në paragrafin 2, pika b. Dhomave të specializuara u kishin garantuar kompetenca që të gjykojnë dhe funksionojnë në përputhje me “këtë Ligj si lex specialis,”.
Prandaj, lehjet për “shkelje të sistemit dhe parimeve të drejtësisë” e “veprimin politik të qëllimshëm”, janë vetëm vajtim me lotë përpjetë apo si “kofini pas të vjelave”. Thënë shkurt e shqip, Gjykata ka kompetencat e plota për të bërë punën, për të vepruar ama bash ashtu si do ajo, madje edhe duke u mbivendosur edhe mbi ligjet e Republikës së Kosovës, pa asnjë mundësi as praktike e as teorike për ndërhyrje as nga zhurmat “patriotike”. Kështuqë, me zhurmën e tyre shurdhuese “patriotike”, këta altoparlantë të neveritshëm përveç se dëshmojnë poshtërsinë, dyftyrësinë dhe dashakeqësinë e tyre, dëshmojnë edhe për injorancën e tyre intelektuale, juridike e politike. Jo vetëm se janë frikacakë të zhurmshëm, por edhe injorantë të neveritshëm.
Loja e rrahagjokseve “patriotike” për zhbërje të Gjykatës Speciale
Pas pjesës së lojës së vajtimit me lotët përpjetë, tani erdhi pjesa e lojës për zhbërjen e Gjykatës Speciale që u riaktualizua sërish. Tani përmes “kryeveteranëve” e “patriotëve-kryekomandantë” loja e zhurmshme për zhbërje mori zjarr edhe njëherë. Helbete, mos po dhezë! Kjo është loja e njerëzve që nuk njohin as shtetin, as ligjin, as drejtësinë e as kontratën, por njohin vetëm ligjin e të fortit dhe atë të mashtrimit e të krimit.
Më 22 dhjetor 2017, “kryekomandantët” në bashkëpunim me “kryepatriotët” e Kosovës, pasi kishin mbledhur 43 nënshkrime nga deputetët, pas intervenimit dhe rekomandimit të ashpër të “miqëve” ndërkombëtarë, nuk guxuan të organizojnë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për zhbërjen e Gjykatës Speciale, të cilën sërish do ta kishte në dorë presidenti i shantazhuar për të luajtur lojën e marrëveshjes personale. Nuk dhezi edhe këtë herë, nga “dashuria” për Kosovën dhe “miqtë” ndërkombëtarë.
Mirëpo, se loja e 22 dhjetorit 2017 me deputetët e patriotizuar që kishte filluar qysh herët, që me informatat e njoftimet për dëshmitarët e parë, nuk ishte as e rastit dhe as pa shqetësime serioze për Thaçin, dëshmon letra e dërguar më 29 nëntor 2019 Sekretarit të shtetit M.R. Pompeo nga Thaçi. Aty ai shprehte “keqardhjen e thellë” me mënyrën e operimit të Gjykatës që ishte “në kundërshtim të drejtëpërdrejtë” me gjoja marrëveshjen dhe parashikimet fillestare dhe origjinale, sepse fryma e implementimit të procesit nuk ishte në pajtim me marrëveshjen dhe fillimin e procesit. Këtë keqardhje të thellë për mosrespektimin e një “standardi të gjykimit të drejtë dhe procesi të rregullt” e shpreh duke u bazuar në “raporte të besueshme për kornizën ligjore dhe procedurale” Dhomave të Sepcializuara. Kjo letër vetëm disa muaj para ngritjes së aktakuzës. Pra, presidenti i “qetë” dhe i “pashqetësuar” fare, të cilit kishte filluar ti rrëshqiste dheu nën këmbë, megjithatë kishte “raporte të besueshme” për veprimet e Dhomave të Specializuara.
Krejt kjo tanimë ka marrë fund. Është vonë, tepër vonë për zhurmat, lehjet, përçyrrjet, jargavitjet politike, intelektuale, juridike e patriotike. Sepse gropën e kanë bërë vetë, vetëm pritet tani kush do të bjerë në të.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...