
19.8.2020
Kurti tha se më 31 korrik, Ditën e Kurban Bajramit, kanë marrë vesh se Presidenti i Kosovës fali pjesërisht dënimet e shtatë të dënuarve me burg.
Kurti tha se dje ka marrë vesh një detaj tjetër lidhur me këtë rast.
“Pikërisht ky vrasës është dëshmitar i vdekjes së Astrit Deharit”, tha ai.
“Ne s’i dimë ende arsyet e vërteta pse Presidenti i Republikës i ka shkurtuar dënimin një vrasësi të dyfishtë, i cili për më tepër i ka marrë jetën një fëmije 13 vjeçar. Mirëpo, ka mjaft persona që mund t’i dinë këto arsye, duke nisur nga vetë presidenti, anëtarët e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje e deri tek i dënuari në fjalë”, shtoi Kurti.
“Bëj thirrje që të gjithë këta zyrtarë të japin dëshmi në lidhje me procesin dhe që kjo falje, si dhe të gjitha faljet e dyshimta të presidentit, të hetohen dhe të zbardhen deri në fund, qoftë nga ana e organeve të rendit, qoftë nga ana e një komisioni të posaçëm të Kuvendit për hetim parlamentar”, përfundoi Kurti.
/ Huazuar nga Kallzo.com/