Home / Opinion / PRAPAGANDA POLITIKE NË EMËR TË NACIONALIZMIT ËSHTË PSEUDONACIONALIZËM

PRAPAGANDA POLITIKE NË EMËR TË NACIONALIZMIT ËSHTË PSEUDONACIONALIZËM

Përdorimi i shprehjes “nacionalizëm shqiptar”, nga kushdo qoftë dhe në çfarëdo konteksti, nga pushteti aktual në Maqedoninë Veriore, analistët e ndryshëm apo nga qarqe të caktuara politike, nuk është i arsyeshëm dhe duhet të hiqet nga përdorimi, sidomos duhet të kundërshtohet ashpër nga vetë shqiptarët, sepse kjo shprehje nuk mund të jetë përkatëse për kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat jetojnë aktualisht shqiptarët në këtë shtet.
Përderisa shqiptarët në Maqedoninë Veriore konsiderohen si pakicë, si “pjesë e popullit” sikurse romët, turqit, vllahët, serbët, boshnjakët dhe të tjerët, jo si popull autokton (Enciklopedia zyrtare e këtij shteti shqiptarët i konsideron si ardhacakë pas shek. XVII në këto hapësira), ndërsa gjuha shqipe, si kod kryesor i identitetit, nuk përmendet me emrin e saj, në Kushtetutë dhe në ligje, por si gjuhë që e flasin 20% e qytetarëve, kurse partitë politike të shqiptarëve për tri dekada me radhë, duke manipuluar me vullnetin politik dhe votën e shqiptarëve, vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e pushtetit dhe ta legjitimojnë këtë politikë diskriminuese, si mund të flitet për nacionalizëm shqiptar në jetën, bindjet dhe veprimtarinë politike të këtyre qytetarëve?
Krejtësisht tjetër çështje janë ndjenjat individuale të njerëzve të caktuar se si e shprehin ato, por që janë të sanksionuara me ligj në këtë shtet dhe nga kjo politikë, si vepra të ndaluara dhe kundërligjore, ngjashëm siç i ka trajtuar edhe ish-regjimi komunist jugosllav në po këtë shtet deri në vitin 1990.
Në një shoqëri ku ende kërkohet përshtatshmëri ideopolitike, përkatësi partiake dhe libreza për realizimin e një të drejte më elementare qytetare e njerëzore, për çfarë nacionalizmi mund të bëhet fjalë.
Mos i ngatërroni revoltën qytetare, rezistencën individuale ndaj padrejtësive të pushtetit me nacionalizmin, aq më pak parullat partiake apo propagandën parazgjedhore të partive politike në emër të nacionalizmit, e që në fakt është shovinizëm ekstrem për ta luftuar nacionalizmin e vërtetë, në kuptimin pozitiv të tij, siç e ka realisht ndër të gjithë popujt liridashës.
(16 gusht 2020)

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...