Home / Histori / TEKSTI I PLOTË I LIGJIT TË LUFTËS TË VITIT 1940 I CILI VË NË SHTETRRETHIM ÇAMËRINË DHE PËRVETËSON PËR VETE PERIUDHËN ANTIKE SHQIPTARE.

TEKSTI I PLOTË I LIGJIT TË LUFTËS TË VITIT 1940 I CILI VË NË SHTETRRETHIM ÇAMËRINË DHE PËRVETËSON PËR VETE PERIUDHËN ANTIKE SHQIPTARE.

TIRANË – Për shkaqe tashmë të njohura, më 28 tetor 1940, Italia i shpalli luftë Greqisë dhe sulmoi territorin e saj nëpërmjet territorit të aneksuar shqiptar.
Në këtë moment filloi edhe lufta e quajtur si italo-greke. Menjëherë pas fillimit të luftës, në Greqi u vendos gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë. Me anë të një dekreti mbretëror të datës 10 nëntor 1940, Greqia bllokoi jo vetëm pasuritë e çamëve por edhe të gjithë shqiptarëve.
Në bazë të këtij ligji të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u vunë nën sekuestrimin konservativ dhe filluan të administrohen nga shteti grek. Ligji në fjalë u botua dje i plotë në gazetën “Kombëtare”:
Pjesa e Parë/ Numër botimi 379
PËRMBAJTJA
Ligje detyruese
Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike. Rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të dispozitave të organizimit sigurues të rreziqeve të luftës dhe ligjeve detyruese.
DEKRETE
Rreth përcaktimit të shteteve armike sipas kuptimit të ligjit detyrues nr. 1636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe zbatimit në lidhje me këto shtete, të dispozitave të këtyre ligjeve.
LIGJE DETYRUESE
RAPORT MOTIVUES
Rreth planit të ligjit Detyrues, “rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurive armike”.
Drejtuar Lartmadhërisë së tij, mbretit
Lartmadhëri
Rëndësi që kanë të gjitha burimet ekonomike të shtetasve të palëve ndërluftuese, gjatë zhvillimit të luftës bashkëkohore, u duk nga lufta e fundit botërore, ku të gjitha shtetet ndërluftuese dekretuan ligje me të cilat bëhet e pamundur shfrytëzimi i burimeve të shtetasve të armikut, të prejardhura nga pasuri që ndodhen në territorin kombëtar dhe ndalohet çdo lloj akti juridik në favor të shteteve armike ose të shtetasve të tyre. Kjo masë u mor edhe gjatë luftës së tanishme, pavarësisht nga shtetet që morën pjesë në të. Me paraqitjen e këtij plani “Për ligjin detyrues”, dekretohet një gjë e tillë edhe për ne.
Dispozita e planit në një pjesë të madhe janë përsëritje e ligjit 1073 të vitit 1917, por të plotësuara me rrjedhimet që kanë ardhur si rezultat i zbatimit të këtij ligji, me qëllim që të përjashtohet çdo veprimtari ekonomike direkte ose indirekte e shtetasve armike në shtetin tonë gjatë kohës së luftës. Gjatë hartimit të këtij plani u morën gjithashtu parasysh edhe ligjet që miratuan palët e tjera ndërluftuese. Dispozitat e ligjit bëhen dispozita definitive dhe çdonjëra prej tyre vihet në zbatim me dekretet mbretërore të botuara mbi bazën e propozimit të kryetarit të qeverisë dhe të ministrit të Financave. Plani i paraqitur synon në realizimin e qëllimeve të lartpërmendura, prandaj lutemi të keni mirësinë që ai të gëzojë miratimin tuaj.
Athinë, më 08 nëntor, 1940
Shtetas të devotshëm të Lartmadhërisë Suaj
Ministrat
i Drejtësisë
i Financave
Ajis Tabakopullos
Andhr. Apostolidhis
Ligji i Forcës Nr. 2636/1940
Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike
Jeorjios B’
Mbret i Grekëve
Mbi bazën e propozimit të Këshillit tonë të Ministrave, vendosëm dhe urdhërojmë:
Kapitulli A’
NENI 1
ARMIQ
2. Armiq sipas kuptimit të këtij neni, konsiderohen:
a. Shtetet, kryetarët e këtyre shteteve dhe personat juridike të juridiksionit shtetëror të tyre, të cilat përcaktohen secili në veçanti si armik nëpërmjet Dekreteve Mbretërore të botuara me propozim të Kryetarit të Qeverisë, të Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Financave, sipas kuptimit të këtij Ligji.
b. Persona fizikë, të cilat kanë shtetësinë e shteteve armike, sipas rastit a), ose ata që kanë banesë, ose banim të përhershëm në to.
c. Personat juridikë të juridiksionit privat dhe çdo bashkim personash, ose pasurish, përderisa kanë qendrën drejtuese të tyre në shtetet armike, sipas rastit, ose janë nën influencën ligjore, ose ekonomike të armiqve, sipas këtij neni.
2. Nuk janë armiq, sipas kuptimit të këtij ligji, personat fizikë, të cilat kanë fituar nënshtetësinë e shtetit armik, por janë me kombësi greke dhe banojnë në shtete të huaja, ose shtet aleat.
3. Në rast se ekzistojnë dyshime në lidhje me karakterizimin si armik të cilitdo personi ose bashkimi, sipas paragrafit 1, vendoset pas mendimit të komitetit, sipas nenit 19, të Ministrave të Financave dhe të Ekonomisë Kombëtare, me vendim të përbashkët të tyre.
NENI 2
NDALIMI I SHKËMBIMEVE
2. Ndalohet dhe është i pavlefshëm çdo shkëmbim tregtar dhe çdo marrëveshje midis personave, pavarësisht nga shtetësia, që banojnë në Greqi, dhe armiqve, si dhe çdo akt i administratës, ose akt i njëanshëm i personave që banojnë në Greqi, përderisa për të nëpërmjet saj, fitojnë të drejta, ose përfitojnë armiqtë.
2. Aktet që lidhen një gjashtëmujor para vënies në zbatim të këtij ligji, mund të shpallen të pavlefshme me rrugë gjyqësore, pas padisë së ushtruar, nga shteti, pas mendimit të komitetit sipas numrit 19.
NENI 3
NDALIMI I KRYERJES SË VEPRIMEVE LIGJORE
Përmbushja në Greqi e çdo veprimi ligjor dhe përmbushja e çdo detyrimi kundrejt armiqve, për cilindo arsye, ose përderisa nga përmbushja e tyre përfitojnë armiqtë bëhet me gjobë pavlefshmërie kundrejt administratorit, sipas nenit 12, dhe në qoftë se ai nuk ekziston në Arkën e Depozitimeve dhe Huave dhe ndalohet kryerja me cilindo mënyrë direkte te huadhënësit e armiqve.
NENI 4
PERSONA TË FAMILJES
Ndalimet në nenet 2 dhe 3 kanë fuqi edhe për personat e familjes
NENI 5
PËRJASHTIME
Me vendim të Ministrit të Financave dhe pas mendimit të Komitetit, sipas nenit 19, për raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime nga dispozitat e neneve 2, 3 dhe 4, përderisa një gjë të tillë e imponojnë arsye të veçanta dhe vetë nevoja e mbajtjes se personave dhe familjeve, sipas nenit 1, b.
Kapitulli B’
Pasuritë armike
NENI 6
SEKUESTRIMI
Pasuritë armike në Greqi me hyrjen në fuqi të këtij ligji ndalohen dhe është i pavlefshëm disponimi i këtyre pasurive tek armiqtë, ose në shkelje të dispozitave të këtij ligji.
NENI 7
PASURI ARMIKE NË GREQI
2. Si pasuri armike në Greqi konsiderohen elementet pasurore të mëposhtme, përderisa u takojnë ligjërisht ose ekonomikisht armiqve, sipas kuptimit të nenit 1:
– Elemente të patundshme dhe të tundshme të ndodhura në Greqi.
– Letra me vlerë dhe tituj të tjerë të çdo lloji të ndodhura në Greqi, obligacione të shtetit grek, të firmave, të organizmave me selinë administrative të tyre, ose qendrën e tyre në Greqi, akoma edhe titujt përkatës të ndodhura jashtë shtetit.
– Para dhe lloje të tjera pagese të ndodhura në Greqi.
– Aksione të firmave, të cilat kanë selinë administrative të tyre ose qendrën e shfrytëzimit në Greqi, pavarësisht nga fakti nëse këto aksione janë të mishëruara në letra me vlerë, ose jo, dhe në qoftë se këto mishërime ndodhen në Greqi, ose jashtë shtetit.
– Kërkesa ndaj debitorit me banesë, ose me banim të përhershëm në Greqi, ose kërkesa të prejardhura nga shkëmbimet të firmës tregtare në Greqi.
– Të drejta të pasurisë industriale dhe intelektuale, të cilat mbrohen në Greqi.
– Të drejta mbi elementet pasurore të përshkruara në pikat a-f.
– Të drejta nga marrëveshjet rreth elementeve pasurore të pikave a-f.
– Çdo element tjetër pasuror i ndodhur në Greqi.
2. Përjashtohen nga dispozita e paragrafit të mësipërm elementet pasurore, të cilat u përkasin shtetasve grekë me banesë, ose banim në shtete armike.
NENI 8
SEKUESTRIMI I PËRKOHSHËM
Me ligj, konsiderohen nën sekuestrim të përkohshëm, të gjithë ata që gjatë zbatimit të këtij ligji janë pronarë me cilëndo arsye të pasurive armike, sipas nenit 7, si dhe drejtuesit, administruesit, sekuestruesit, këshilltarët ose cilitdo kujdestarë ose debitorë të elementeve pasurore të tyre, përderisa këta zotërues të pasurive armike janë pronarë të këtyre elementëve pasurore.
NENI 9
MARRËDHËNIET RRETH PASURIVE PËRKOHËSISHT TË SEKUESTRUARA
Në lidhje me marrëdhëniet rreth pasurive përkohësisht të sekuestruara zbatohen përkatësisht, me rezervimet e dispozitave të këtij ligji, dispozitat e procedurës civile për konfiskimin konservator, në emër të debitorit sipas nenit 8 të sekuestrimit të përkohshëm që ka vendin e tretë dhe të administratorit sipas nenit 12, që ka vendin e kreditorit.
NENI 10
TË DREJTAT E TË TRETËVE JO ARMIQ
. Sekuestrimi nuk pengon të tretë jo armiq, të ushtrojnë të drejtat e tyre kundër pronarit, pasuria e të cilit është në sekuestrim dhe të kërkojnë plotësimin e tyre, sipas ligjeve analoge, kjo me rezervimet e dispozitës së paragrafit 2 të nenit
2. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, tjetërsimet, regjistrimet në librat e Hipotekës ose në regjistrat themeltarë të anijeve, ose te parashënimet kanë fuqi vetëm për sa kohë që bëhen mbi bazën e një titulli me vendim gjyqësor, ose me dëshirën personale të mëparshme nga zbatimi i këtij ligji dhe bazuar në dokumente shtetërore ose private me datë të DEKLARATAT E PASURIVE ARMIKE
1. Të detyruar për deklaratë të pasurive armike në sekuestrim janë:
Pronari i pasurisë armike. Cilido qoftë sipas nenit 8 është sekuestrues provizor i pasurisë armike.
2. Ata që sipas paragrafit 1 janë të detyruar të bëjnë deklaratë, duhet që brenda një muaji nga hyrja në zbatim e këtij ligji, të paraqesin te nëpunësi i Shërbimit Ekonomik Shtetëror deklaratë të hollësishme në dy kopje, për të gjitha elementët pasurore armike, ose të debitorëve të tyre. Për këtë deklaratë, nuk paguhet asnjë lloj takse.
3. Afati i paraqitjes së deklaratës mund të shtyhet me një akt të Ministrit të Financave të botuar në Gazetën Qeveritare.
4. Ata që paraqesin elementet e pasurisë armike pas përfundimit të afatit, përderisa nuk janë të detyruar të bëjnë deklaratë, sipas dispozitave të këtij neni kanë të drejtën e pagesës deri në tre për qind të vlerës së tyre të përcaktuar kundrejt këtyre elementëve me vendim të Ministrit të Financave.
NENI 12
ADMINISTRUESIT
2. Administruesit e pasurive armike nën sekuestrim janë nëpunësit e Shërbimit Ekonomik Shtetëror të vendit ku ndodhet çdo element pasuror.
2. Aty ku janë shumë nëpunës të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, administrator emërohet njëri prej tyre, me vendim të Ministrit të Financave.
3. Me vendim të të njëjtit ministër, lejohet të emërohen administratorë në vend të nëpunësit të Shërbimit Ekonomik Shtetëror, nëpunës të tjerë shtetërorë ose privatë në qoftë se ushtrimi i administrimit nga nëpunësi Ekonomik Shtetëror, nuk është ai që duhet.
NENI 13
DETYRAT DHE PUSHTETI I ADMINISTRATORËVE
2. Administratorët kanë për detyrë gjetjen, regjistrimin, mirëmbajtjen dhe sipas destinacionit të zakonshëm, shfrytëzimin e pasurive të sekuestruara, duke marrë për këtë qëllim gjithmonë masat e duhura, kanë për detyrë të synojnë në kënaqjen e kërkesave të sekuestruara, si edhe kënaqjen e të drejtave të të tretëve, kundër pronarit të pasurisë së sekuestruar. Administratorët fillojnë nga puna, me hyrjen në zbatimi të këtij ligji, ose me përcaktimin e pronësisë të pasurisë armike të sekuestruar.
2. Administratorët përfaqësojnë në mënyrë të plotë, në rrugë gjyqësore dhe jashtëgjyqësore, pronarin e pasurisë së sekuestruar brenda kufijve të detyrave, të përshkruara në paragrafin 1 dhe tek ata dhe vetëm tek ata, publikohen detyrimisht gjithnjë dokumentet gjyqësore ose jashtëgjyqësore të çdo natyre, që kanë të bëjnë me pasurinë e pronarit. 3. Çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e pasurive nën sekuestrim, mendime të Ministrit të Financave, të botuara në Gazetën Qeveritare. Me të njëjtat vendime rregullohen çështjet e funksionimit të Shërbimit Qendror, në zbatimin e këtij ligji.
4. Pagesa e administratorëve përcaktohet nga Ministri i Financave, pas dhënies së mendimit të komitetit të përshkruar nga neni 19.
3.
Agron Alibali
Pse mbeti në letër vendimi i 2 gushtit 1987 i qeverisë greke. Shqipëria të kërkojë ndihmë në BE dhe NATO për shfuqizimin e ligjit famëkeq
Si dy popujt më të vjetër në Ballkan, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë duhet të karakterizohen nga barazia, fqinjësia e mirë, mbrojtja e pakicave kombëtare reciproke dhe vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe respektit dhe mosndërhyrjes. Bisedimet dypalëshe të Kretës fillimisht lindën shpresat se më në fund, një frymë e re dhe konstruktive do të niste midis të dy vendeve.
Mirëpo, nga njoftimet në shtyp lind shqetësimi i ligjshëm, se pavarësisht nga kriza ekonomike në Greqi apo fakti se në krye të vendit drejtojnë udhëheqës vizionarë si Tsipras dhe Kotzias, prapësprapë shovinizmi grek vijon të përbëjë tipar të padëshirueshëm të politikës së jashtme, duke këmbëngulur në objektivat e përhershme për varreza greke në Shqipërinë e Jugut. Tjetër shfaqje shqetësuese është mos-abrogimi pa kushte i Ligjit të Gjendjes së Luftës dhe përdorimi i këtij reliku të historisë si mjet të pandershëm negocimi me Tiranën
Ligji grek i Gjendjes së Luftës dhe shkelja e parimeve të së drejtës ndërkombëtare
Dihet tashmë se pushtimi italian i Shqipërisë më 7 prill 1939 solli humbjen e pavarësisë së saj, si dhe të personalitetit juridik të Shqipërisë si subjekt i pavarur dhe sovran i së drejtës ndërkombëtare. Fillimi i Luftës Italo-Greke në tetor 1940, shpallja zyrtarisht e gjendjes së luftës dhe ngjarjet që rrodhën më tej treguan qartë se Shqipëria dhe populli shqiptar nën pushtim nuk ishin palë në atë konflikt. Dezertimi i batalioneve shqiptare të komanduara nga Gjeneral Spiro Moisiu, internimi i këtij të fundit në fshatrat e Elbasanit nga ana e autoriteteve italiane, dhe mjaft shembuj të tjerë provojnë qartë këtë gjë.
Porse shqiptarët, nga ana tjetër, panë me mjaft shqetësim dhe hidhërim se në territoret jugore ku hynë trupat greke gjatë luftimeve, ato pas pak u paraqitën haptazi si trupa pushtuese, duke zëvendësuar pushtimin italian me pushtimin grek. Kjo madje vërtetohet edhe nga disa akte juridike të shtetit grek të asaj kohe ku nënkuptohej aneksimi i trojeve shqiptare në shtetin grek. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore solli edhe lidhjen dhe nënshkrimin e një sërë traktatesh të paqes midis vendeve ndërluftuese. Kështu për shembull, u nënshkrua Traktati i Paqes midis Italisë dhe Greqisë, ai midis Italisë dhe Shqipërisë, etj.
Juridikisht dhe formalisht, gjendja e luftës midis Italisë e Greqisë, dhe Italisë e Shqipërisë mori fund. Dhe tash, pas gati 80 vjetësh, Italia dhe Greqia janë dy vende aleate, dhe anëtare të BE-së dhe NATO-s, dhe përbëjnë një shembull të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar midis dy vendeve që dikur ishin ndërluftuese. Por nuk ndodhi kështu në marrëdhëniet diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë. Eshtë për të ardhur keq që autoritetet greke, dhe konkretisht Parlamenti dhe Presidenti grek ende nuk kanë shpallur të pavlefshëm juridikisht Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë të vitit 1940.
Ky qëndrim përbën një shkelje të hapur dhe flagrante të normave të së drejtës ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis dy shteteve sovrane, dhe më konkretisht të parimit themelor “pacta sunt servanda” (marrëveshjet duhen zbatuar). Të gjitha qeveritë shqiptare të pasluftës kanë ngritur botërisht problemin e Ligjit të Gjendjes së Luftës. Qëndrimi i shtetit shqiptar, pavarësisht nga forma e regjimit në vend, ishte më se i qartë: heqja dhe abrogimi i Ligjit të Gjendjes së Luftës ishte conditio sine qua non për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke dhe ngritjen e tyre në nivele të tjera bashkëpunimi në interes të ndërsjelltë dhe në dobi të paqes e stabilitetit në rajon. Rezultat i këtij qëndrimi ishte edhe Vendimi i 2 gushtit 1987 i qeverisë greke të kryeministrit Andreas Papandreu për heqjen e Ligjit të Gjendjes së Luftës.
Ishte e qartë se pala greke pranonte kushtet dhe qëndrimin e palës shqiptare për heqjen e Ligjit të Gjendjes së Luftës si parakusht për normalizimin e marrëdhënieve. Prandaj edhe Athina filloi të ndërmerrte hapat e nevojshme në zbatim të marrëveshjes dypalëshe për shërimin e gjendjes. Qëndrimi realist dhe pragmatik grek kishte edhe një arësye tjetër që tejkalonte rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe. Greqia, si anëtare e NATO-s dhe BE-së nuk mund dhe nuk duhej të toleronte që një ligj i tillë absurd të dëmtonte anëtarësinë e saj në ato dy organizata të rëndësishme, pasiqë kuptohet se hyrja e Greqisë në to ishte arritur duke pranuar se ajo nuk kishte asnjë problem, konflikt apo mosmarrëveshje me vendet fqinje veriore, jo më të ishte de jure në gjendje lufte. Por shpejt u bë e qartë se vendimi i vitit 1987 i qeverisë së Z. Papandreu nuk kishte fuqi juridike sipas legjislacionit grek, dhe pra nuk mund të sillte pasoja dhe rrjedhime në të drejtën ndërkombëtare.
Me të vërtetë, ai vendim as nuk u miratua nga Parlamenti grek, dhe as nuk u promulgua nga Presidenti grek i asaj kohe, Z. H. Sarcetaqis, çka përbënin hapa të domosdoshëm për dhënien e fuqisë juridike të akteve nënligjore sipas të drejtës së brendshme greke. Sepse, kuptohet, që vendimi qeveritar i vitit 1987, si akt nënligjor, duhej të merrte miratimin parlamentar apo presidencial në mënyrë që të shfuqizonte një akt ligjor të vitit 1940 të ndërmarrë nga Parlamenti dhe të dekretuar nga Mbreti. Megjithatë, pala shqiptare gjatë viteve në vazhdim punoi seriozisht për përmirësimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe, edhe pse ndryshimet e mëdha në sistemin qeverisës si dhe tranzicioni i vështirë nuk i mundësuan asaj që t’i kërkonte palës greke me ngulm dhe vendosmëri respektimin e plotë dhe të shpejtë të angazhimeve dhe detyrimeve të premtuara.
Dhe kështu, pas gati 30 vjetësh, ndodhemi në gjendjen paradoksale kur pala shqiptare i ka plotësuar, madje ka tejkaluar të gjitha angazhimet e veta ndaj Greqisë, porse kjo e fundit ende nuk ka realizuar detyrimin e saj të parë dhe themelor ndaj Shqipërisë – atë të shfuqizimit të Ligjit të Gjendjes së Luftës të vitit 1940. Nuk ka dyshim se, në rrafshin dypalësh, ky qëndrim përbën shkelje të parimit pacta sunt servanda, që është një ndër parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Por ky qëndrim i Greqisë përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare edhe në rrafshin shumëpalësh. Sikurse u theksua më sipër, anëtarësimi i Greqisë në BE dhe NATO u njëmendësua duke menduar se ajo nuk kishte kurrfarë problemi të pazgjidhur me fqinjët e vet veriorë.
Shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe NATO-s do të habiten pa masë dhe pa tjetër që duhet të reagojnë kur të marrin vesh se një anëtar i organizatave ku edhe ato bëjnë pjesë ka një Ligj të Gjendjes së Luftës me një shtet të tretë. Madje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania, për shembull, nuk mund të pranojnë apo tolerojnë që Greqia të ndodhet de jure në gjendje lufte me një shtet të tretë, pasiqë detyrimet e ndërsjellta që rrjedhin nga Traktati NATO mund të cënojnë marrëdhëniet e tyre me shtetin e tretë, në këtë rast Shqipërinë. Nga ana tjetër, refuzimi i Greqisë për të abroguar Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë përbën shkelje të Nenit 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili ndalon “kërcënimin apo përdorimin e forcës kundrejt integritetit territorial apo pavarësisë politike të çdo shteti”.
Pavarësisht nga marrëdhëniet e mira dypalëshe, vetë ekzistenca de jure e ligjit në fjalë përbën “kërcënim” sipas kuptimit të Nenit 2(4) të mësipërm, pa përmendur qëndrime dhe deklarata të tjera nacionaliste madje edhe nga zyrtarë të lartë grekë, sikurse ishte rasti i vitit 2000 kur ish-ministri i Mbrojtjes i Greqisë, A. Xohaxopullos, krahasoi gjendjen në Kosovë me atë të pakicës greke në Shqipëri (ANA 10 tetor 2000), apo qëndrimi i tij i hapur nacionalist në takimin e atëhershëm Meidani-Xohaxopullos, kur ky i fundit e lidhi apo e kushtëzoi heqjen e Ligjit të Gjendjes së Luftës me “zgjidhjen e problemeve globale midis Greqisë dhe Shqipërisë.”
Por, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se Greqia e sotme nuk është ajo e Venizellosit, Metaksait, Zervës, apo e elementeve nacionalistë si Xohaxopullos me shokë.
Segmente të tëra të shoqërisë greke, pjesa më e përparuar e saj, po përpiqen seriozisht që Greqia të jetë me të vërtetë një vend europian, ku të drejtat e njeriut dhe të pakicave të njihen dhe të respektohen plotësisht, dhe ku ai deficit demokratik i krijuar dhe i lejuar nga akte legjislative apo qëndrime nacionaliste të papranueshme, sikurse është Ligji i Luftës me Shqipërinë, të shfuqizohen njëherë e përgjithmonë. Rrjedhojë e këtyre qëndrimeve realiste, konstruktive dhe europiane ishte edhe lidhja e Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të vitit 1996.
Sipas këtij Traktati për herë të parë Greqia dhe Shqipëria njohën kufirin midis tyre, si dhe ndërmorrën angazhime të rëndësishme në trajtimin dhe respektimin e të drejtave të pakicave në vendet përkatëse. Kuvendi i Shqipërisë e ratifikoi Traktatin një vit më vonë. Në dhjetor 1999 traktati u miratua edhe nga Parlamenti grek, edhe pse aty u debatuan me frymë aspak pozitive dhe u shprehën rezerva për rrjedhimet që mund të sillte Traktati lidhur me problemet e pronave të shqiptarëve në Greqi. Por pavarësisht prej këtij hapi monumental në marrëdhëniet dypalëshe, pala greke nuk e shoqëroi miratimin e Traktatit me një angazhim apo deklarim të qartë (eksplicit) dhe të padyshueshëm që të shpallte dhe përcaktonte pavlefshmërinë e menjëhershme dhe pa kushte të Ligjit të Gjendjes së Luftës të vitit 1940.
Gjendja e Luftës, asnjë lidhje juridike dhe faktike me problemin çam
Rrjedhimisht, është për të ardhur keq që Ligji i Gjendjes së Luftës ende ekziston në regjistrat parlamentarë grekë dhe në praktikën gjyqësore të shtetit fqinj. Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se ky ligj ende sjell pasoja juridike civile mohuese në konflikte të karakterit pasuror që kanë të bëjnë me shtetas shqiptarë apo me shtetas grekë me origjinë shqiptare të cilët kanë interesa pasurore në Greqi. Por ekzistenca e këtij ligji vazhdon të përbëjë frymëzim të fuqishëm edhe për disa qarqe nacionaliste në Greqi, ndikimi dhe veprimtaria e të cilave dëmton rëndë interesat dhe imazhin europian të Greqisë, si dhe marrëdhëniet e saj me Shqipërinë.
Madje edhe ish-kryetari i shtetit shqiptar, z. Meidani, e ngriti zyrtarisht në forumin e OKB-së në shtator 2000 problemin e ekzistencës së Ligjit të Gjendjes së Luftës. Vetë Ministri i Jashtëm i Greqisë, Z. Jorgo Papandreu, një nga personalitetet më të shquara dhe progresiste në Greqi, ia konfirmoi autorit të këtyre rradhëve ekzistencën formale të Ligjit të Gjendjes së Luftës gjatë një bisede në SHBA në vjeshtën e vitit 2000. Një vit më vonë, në shtator 2001, z. Papandreu premtoi në një takim me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork se Ligji i Gjendjes së Luftës do të shfuqizohej brenda vitit të ardhshëm. Pra, është më se e qartë se, pavarësisht nga lidhja dhe ratifikimi i Traktatit të Miqësisë Shqipëri-Greqi, pala greke ende nuk e ka shfuqizuar formalisht Ligjin e Gjendjes së Luftës.
Si mund të veprohet që Greqia të plotësojë detyrimet e veta të papërmbushura?
Por çfarë duhet të bëjë pala shqiptare që Greqia të zbatojë detyrimet e veta të papërmbushura në rrafshin dypalësh dhe shumëpalësh? A mundet ajo të mjaftohet vetëm me ngritjen e problemit në takimet zyrtare dypalëshe, prej të cilave deri më sot nuk është arritur asgjë? A duhet të pranojë qeveria shqiptare “një zgjidhje globale” – që flitet se është duke u përgatitur nga pala greke – ku shfuqizimi formal i Ligjit të Luftës të shoqërohet edhe nga vënia e disa kushteve të tjera ndaj palës shqiptare, ndër të cilat është edhe mohimi i kthimit të pakicës çame në vatrat e tyre dhe ofrimi i njëfarë kompensimi monetar?
Së pari, duhet të mbetet e qartë se ekzistenca e Ligjit të Gjendjes së Luftës në të vërtetë nuk ka kurrfarë lidhje juridike dhe faktike me problemin çam. Ekzistenca e Ligjit të Gjendjes së Luftës është një problem i së drejtës ndërkombëtare publike, dhe përbën thjesht një detyrim të papërmbushur të shtetit grek në marrëdhëniet dypalëshe (ndaj Shqipërisë si shtet i pushtuar nga i njëjti agresor dhe, pra shtet-viktimë) dhe shumëpalëshe (ndaj vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s).
Shkurt, qëndrimi grek është shkelje e parimit “pacta sunt servanda”. Problemi çam, nga ana tjetër, është një problem i të drejtave të njeriut dhe ka të bëjë me mohimin e të drejtës së një popullsie që përbën pakicë etnike për t’u kthyer në trojet e veta prej të cilave u detyrua të shpërngulej dhunshëm dhe me forcë rreth 70 vjet më parë. Ata pjestarë të popullsisë çame që jetojnë përkohësisht në Shqipëri janë de facto qytetarë të Bashkimit Europian që dëshirojnë të kthehen në trojet dhe vatrat e veta dhe për të jetuar në paqe dhe vëllazëri me popullin grek dhe duke respektuar ligjet e shtetit grek dhe të BE-së. Do të jetë në nderin dhe interesin e vetë Greqisë që të lejojë dhe lehtësojë kthimin në atdhe të popullsisë së vuajtur çame.
Pra, Ligji i Gjendjes së Luftës u miratua më 1940 si pasojë e konfliktit midis Italisë dhe Greqisë, kurse popullsia çame e besimit musliman u detyrua të shpërngulej rreth 4-5 vjet më vonë, si pasojë e terrorit dhe masakrave nacionaliste të bandave të Zervës. Përfundimisht, teza që hidhet andej këndej se Ligji i Gjëndjes së Luftës është “pazgjidhmërisht i lidhur me problemin çam”, në thelb nuk qëndron për sa i takon këndvështrimit të pales shqiptare. Së dyti, shteti shqiptar mund t’u drejtohet e t’u kërkojë edhe miqve të vet në BE ose NATO për të ndërhyrë që Greqia të shfuqizojë edhe formalisht Ligjin e Gjëndjes së Luftës. Nuk do të kishte asgjë të keqe sikur, për shembull, Shqipëria t’i kërkonte në rrugë diplomatike vendeve aleate që të ngrinin në instancat më të larta të NATO-s dhe BE-së, në emër të Shqipërisë por edhe në emrin e tyre, shfuqizimin nga ana e Greqisë të këtij ligji famëkeq.
Kjo madje mund të shtrohet edhe drejtpërdrejtë në diskutimet midis palës shqiptare dhe Ekipit të Posaçëm të BE-së. Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një partner të rëndësishëm dhe luajal të Perëndimit në rajonin e Europës Juglindore. Kuptohet që kthimi i gjendjes apo i nivelit të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Greqi në status quo ante, sikurse ishin përpara vendimit të qeverisë Papandreu më 1987, gjë që nënkuptohet nga
mospërmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve të kahershme të palës greke, është jo-realist dhe do të ishte në kundërshtim me interesat dypalëshe dhe me proceset integruese europiane. Janë të gjitha këto disa prej arësyeve që duhet të nxisin shtetet e fuqishme perëndimore, dhe BE-në, që të ndërhyjnë në favor të Shqipërisë duke i kërkuar Greqisë respektimin e parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe abrogimin e shpejtë dhe pa kushte të Ligjit të Gjendjes së Luftës të vitit 1940.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...