Home / Opinion / Politika në gjunjë para Janullatosit!

Politika në gjunjë para Janullatosit!

August 7, 2020 12:03

Politika në gjunjë para Janullatosit

 

Prifti grek Anastas Janullatos festoi 28 vjetorin e akaparimit të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale. Tashmë ai thirret “Anastasi i Shqipërisë”. Krimi politik që u bë në fillim të viteve ‘90 me lejimin e tij për të qenë kryepeshkop, vazhdon edhe sot e kësaj dite me shurdhërinë dhe memecërinë e politikës aktuale ndaj veprimtarisë së mbrapshtë të vazhduesit të antishqiptarit Kozma Etoli… Misioni i vetëm i Janullatosit, ashtu si  në kohën  e priftit antishqiptar, Shën Kozmai, ka qenë e mbetet “Megalidheja”, teoria famëkeqe e shovinizmit pushtetar e kishëtar të Greqisë

Nga Gjon BRUÇI

Më 2 gusht 2020, u mbushën plot 28 vjet nga dita kur “eksportuesit” e demokracisë me “hashash e kallash”, vendosën në krye të Kishës Ortodokse Atoqefale Shqiptare, priftin grek me emrin Anastas Janullatos. Fillimisht, ai e nisi punën me afat të përkohshëm, me misionin e dukshëm, të riorganizonte Kishën Ortodokse Shqiptare, dhe njëherësh të përgatiste edhe prelatët shqiptarë, për drejtimin e punëve të saj. Erdhi si peshqesh në krye të sofrës sonë ky prift me bekimin e politikanëve të majtë e të djathtë që e kishin dhe e kanë kokën dhe zemrën në Athinë.

Por mbasi u rehatua në kolltukun e Kryepeshkopit, duke marrë edhe titullin brilant “Fortlumturia e Tij”, çeshtjen e “përkohësisë” e hodhi prapa krahëve, dhe u vu me mish e me shpirt në realizimin e misionit të tij të dyfishtë, që nuk ishte hiç më pak se ringjallja e kufijve të Vorioepirit, ëndrrës shekullore të Qeverisë dhe Kishës greke, të cilat, siç e dimë, kanë një flamur të përbashkët.

***

Në biografinë e Janullatosit në Wikipedia, ku ai paradoksalisht quhet “Anastasi i Shqipërisë” (!), siç nuk është quajtur as Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pasi i radhiten një sërë meritash për ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri, theksohen edhe kritikat dhe kundërshtimet ndaj tij:

Kundërshtimet ndaj Kryepeshkopit Anastas Janullatos përqendrohen te qenia e tij me kombësi greke dhe tensionet në kohë të ndryshme të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Greqisë. Në 2 gusht 1992 fronëzohet si Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në Kishën Katedrale të Tiranës, në prani të të gjithë klerikëve e laikëve, përfaqësues të krahinave të Shqipërisë, të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës (Stambollit) si dhe nga klerikë ortodoksë nga USA, por duke pasur kundërshtime nga një grup personash brenda në kishë. Por akuzat ndaj krypeshkopit vazhdonin se edhe Patriarkati shkelte dispozita. Kisha Ortodokse dhe Kryepeshkopi deklaronte vazhdimisht në median e shkruar dhe televizive se fronëzimi i tij si Kryepeshkop ishte i rregullt dhe pa ndonje shkelje kanonike te Kishes, as te shtetit, por u krye pas miratimit zyrtar të Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë Sali Berisha (30.6.1992), konform të së Drejtës Kanonike Kishtare Ortodokse, pas kërkesës së ortodoksëve shqiptarë drejtuar Patriarkanës Ekumenike. Në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, por së fundi ajo u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.

Disa shqiptarë ortodoksë, njohin At Nikollë Markun si kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë (KOAKSH) e si drejtuesin legjitim të ortodoksisë shqiptare. Gjithashtu, mbështetja që Janullatosi i ka bërë me anë të KOAKSH-it politikave të shtetit grek ndaj atij shqiptar, ka bërë që të shihet si figurë e dyshimtë që mundohet të fusë përçarjen mes besimtarëve shqiptarë ortodoksë.

Në sulmet ndaj Anastasit e orientojnë këndin optik të marrëdhënieve Janullatos-Liolin vetëm në vitet e para të dhjetëvjeçarit të viteve 90-të, duke injoruar vazhdimësinë dhe marrëdhëniet që janë zhvilluar që nga ajo kohë me Kishën Shqiptare të Amerikës, konkretisht edhe me Atë Liolinin.

Shkruajnë se Kisha ortodokse shqiptare e Amerikës me seli në Boston, nën kryesinë e At A. Liolinit, kur mori vesh përgatitjet për shpalljen e Janullatosit si kryepeshkop i KOASh-it, lëshoi më 30 korrik 1992 këtë deklaratë:

Ne protestojmë vendimin e Patriarkut ekumenik në Stamboll që një prift me kombësi greke të bëhet kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Në bazë të statuteve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në të kaluarën të gjithë klerikët permanent prej kryepeshkopit dhe deri te famullitarët, kanë qenë shqiptarë. Klerikët e huaj që janë tani në Shqipëri janë pritur me mirënjohje për ndihmën që po japin duke rindërtuar Kishën Ortodokse në përputhje me historinë tonë të veçantë, me traditat dhe identitetin tonë, të cilat diktojnë që kryetari i Kishës Ortodokse Shqiptare të jetë me kombësi shqiptare. Letra kredenciale e peshkopit Anastas Janullatos më 3 qershor 1991, premton se puna e tij në Shqipëri si një i dërguar i veçantë ekleziastik do të ishte e kufizuar në kohë dhe në detyra deri sa të rimëkëmbej Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ne mendojmë se për të qenë Kisha Ortodokse Shqiptare vetëqeverisëse dhe e pavarur (autoqefale) është e domosdoshme që klerikët dhe sidomos kryepeshkopi të jenë me kombësi dhe nënshtetësi shqiptarë.

Ndërkaq, Prifti Nikolla Marku nga Elbasani depozitoi në vitin 2015 një kallëzim në prokurori me 12 akuza për kreun e KOASH, Anastas Janullatos. Janullatos akuzohet nga kreu i kishës “Shën Mëria” në Elbasan, se lobon kundër interesave të Shqipërisë. Sipas At Nikolla Markut, këto më poshtë janë disa akuzat për të cilat duhet hetuar Janullatos: Ndërhyrje në punët e Shqipërisë; Shkelje të statutit të Kishës; Bashkëpunim me qarqe shoviniste; Shkelje të territorit shqiptar; Lobim kundër interesave të Shqipërisë etj.

PAK HISTORI PËR KISHËN ORTODOKSE AUTOQEFALE SHQIPTARE:

Siç shkruan Noli ynë, pas 444 vjetësh të pushtimit otoman (1478 – 1922), u krijua Sinodi i Parë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Këtij akti i kishte paraprirë veprimtaria e Rilindasve dhe priftërinjëve atdhetarë, të cilët luftuan pa pushim për pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, dhe veçanërisht për aplikimin e Liturgjisë së saj në gjuhën shqipe. Në këtë luftë me Kishën greke, që kishte pretendime shekullore, patëm edhe martirë nga radhët e prelatëve shqiptarë, siç ishin Papa Kristo Negovani, At Stath Melani e të tjerë.

Sinodi i Parë, i krijuar në vitin 1922, përbehej nga: Hireotheu – mitropolit i Korçës e Gjirokastrës; Kristofor Kisi – mitropolit i Beratit e Vlorës; dhe Fan Noli – mitropolit i Durrësit e Tiranës. Ky Sinod, sipas Nolit, vijoi deri në vitin 1924, kur “Peshkopi i kuq shiptar”, u detyrua të largohej nga Shqipëria, për shkak të ndjekjes nga regjimi zogollian.

Me 16 qershor të vitit 1929, Kongresi gjithortodoks i mbledhur në Korçë, krijoi Sinodin e Dytë, dhe njëherësh formuloi edhe Statutin e Kishës Ortodokse Shqiptare, në të cilin thuhet: “Kryepeshkopi, peshkopët, zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, si dhe ndihmësit e tij dhe zëvendës klerikët e Kryepeshkopit dhe peshkopëve, duhet të jenë: “ME GJAK, GJUHË DHE NËNSHTETËSI SHQIPTARE”!

Si rezultat i punës dhe luftës këmbëngulëse të Peshkop Nolit, dhe shokëve të tij në Shqipëri e në diasporë, me 12 Prill të vitit 1937, Kishës  Ortodokse Shqiptare, iu njoh zyrtarisht varësia direkte  nga Patriarkana Ekumenike, dhe u shpall “AUTOQEFALE” (Autonome).

***

Por konvertimi i sistemit politik në vendin tonë në fundvitet nëntëdhjetë, solli edhe “konvertimin” e Kishës sonë, e cila nga e pavarur, u kthye domen i Kishës greke, misioni i së cilës, qysh në kohën  e priftit antishqiptar, Shën Kozmai, ka qenë e mbetet “Megalidheja”, teoria famëkeqe e shovinizmit pushtetar e kishëtar të Greqisë. E gjithë lufta, përpjekja dhe martirizimi i priftërinjëve patriotë shqiptarë, me Nolin e madh në krye, u hodh poshtë, falë “përkujdesjes” së Kishës Greke, me përfaqësuesin e saj Anastas Janullatos, ndihmuar me të gjitha mjetet nga skota e presidentëve dhe kryeministrave të tipit “Esat Pashë Toptani”, që kanë kullundrisur punët e shtetit tonë, në këta tri dekada të demokracisë hibride.   I pari ishte Presidenti Berisha, që me marrëveshje në prapaskenë të qytetarëve, i dha  Janullatosit liçencën të “ujdiste” punët e Kishës sonë. Pas tij, kryeministri Nano, pas një “kursi” në Janinë, Kretë dhe Athinë, liçencës së Berishës,  i shtoi edhe “lejen” për ngritjen e varreve të ushtarëve grekë, rënë në Shqipëri “Për Eladhën” gjatë Luftës së dytë Botërore. Vendvarrimet e mësipërme u piketuan në tri pika të thjeshta: Bularat të Gjirokastrës, në Këlcyrë të Përmetit dhe në Boboshticë të Korcës, të cilat “hiç muhabile”, personifikojnë tri pikat e “brezit të parë” të kufirit të “Vorioepirit”. Ndërtimi i këtyre varreve, vijoi me një hop cilësor, sapo në pushtet erdhi Kryeministër Rama.

Madje, në mungesë të eshtrave të ushtarëve grekë, që nuk po gjendeshin në shifrën e dëshirueshme, u rrëmbyen edhe eshtrat e disa të vdekurve të hershëm të fshatit Kosinë në Përmet. Mandati i dytë i dha dorë Ramës, që përveç ndërtimit e zbukurimit të varrezave dhe Manastireve pranë tyre, ta ndihmonte priftin grek edhe me disa akte nënligjore e vendime të qeverisë që drejtonte, për festimet që Kisha dhe shteti Grek, organizojnë në Tetor të çdo viti, muaj që shënon “Fitoren e Eladhës në çlirim – pushtim të “parcelës” së parë të “Vorioepirit”.

Dhe si për t’i vënë vulën kësaj “skeme” antikombëtare, Meta, në postin e Presidentit, i jep  grekut Anastas, nënshtetësinë shqiptare, duke plotësuar kështu njërën nga kërkesat e Statutit të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale, e duke shpresuar se në të ardhmen, do të arrijë të realizojë edhe dy kërkesat e tjera, atë të “Gjakut dhe të Gjuhës shiptare”, çka do ta nxirrte faqebardhë atë, dhe kolegët e tij, përpara historisë së shkruar me gjak, të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale.

Kjo “skemë” antikombëtare, pothuajse ishte harruar e hedhur prapa krahëve, sepse “skema” të tjera kanë lindur e po lulëzojnë mbi  interesat e vendit tonë.

Një nga aspektet më të diskutueshme dhe më të kritikueshme të Janullatosit është hyjnizimit të të ashtuquajturit Shën Kozmai, një antishqiptari të tërbuar rreth tre shekuj më parë. Për hyjnizimit e këtij antishqiptari Janullatosi ka punuar me ngulm përgjatë gjithë këtyre viteve, duke angazhuar për këtë gjithë stafin e tij klerikal.

Se cili ka qenë Shën Kozmai, këtë e ka sqaruar shumë mirë prej vitesh Akademiku dhe historiani i njohur Pëllumb Xhufi.

Prof Xhufi thotë: “Thelbin real të veprimtarisë murgut Kozma nga Etolia, e përbëjnë udhëtimet misionare që ndërmori në “Shqipërinë e poshtëme” (Epir), në vitet 1768-1774 dhe 1775-1779. Kjo periudhë dokumentohet nga letrat dhe predikimet e tij nga dokumentet e kohës, sidomos ato veneciane. Misioni i tij i parë në Shqipëri, i viteve 1768-1774, lidhet me kryengritjet e Himarës, Labërisë, Delvinës e Sulit, deri në Peloponez, që u mbështetën edhe nga Rusia, nga Venediku, nga Franca e Papati.

Me këta kryengritës u bashkua edhe vetë patriku Serafim II, “Arvaniti” (nga Delvina). Patriku i ri, Sofroni i II, që erdhi në vend të tij, ishte një vegël e Sulltanit I. Biografi i shën Kozmait, K. Sardelis, pohon se misioni i murgut në Shqipëri u “sponsorizua” jo vetëm nga Patriku por edhe nga vetë Sulltani i cili, e pajisi Kozmanë me një ferman të posaçëm.

Letrat dhe predikat e shën Kozmait që lidhen me këtë mision, tregojnë se detyra e tij ishte të qetësonte dhe të sillte në bindje të Portës së lartë, kryengritësit shqiptarë. Në një letër dërguar kadiut të Filatit më 13 qershor, I767, të cilit i prezantohet si i dërguar i padishahut, Kozmai shkruan: “…Unë, imzot, si shërbëtori sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për tu mbushur mendjen të krishterëve të ruajnë besën e zotit dhe tu binden urdhërave të Sulltanit, siç kam porosi nga Patriku dhe nga të parët e kishës…” Kozmai shprehej në predikën e tij të tretë: “Pushteti turk është më i miri se çdo pushtet tjetër… Turqit na lanë të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na lanë tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë as Frëngjtë e as Venecianët… Prandaj zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha turqëve për të mirën tonë…”

Pra Kozma Etoli, jo vetëm që nuk është nxitës dhe tribun i kryengritjeve antiosmane siç e paraqet propaganda kleriko-nacionaliste greke, por është një emisar i Portës së Lartë dhe i Patrikanës greke të Stambollit për shuarjen e kryengritjeve shqiptare. Edhe në Sul, Kozmai u predikoi luftëtarëve shqiptarë të linin armët dhe të nënshtroheshin. Kur këta, të zëmëruar, e dëbuan nga fshati, Kozmai u lëshoi profecinë ogurzezë: “Kjo kokëfortësi e kjo krenari do t’ju marrë në qafë. Aty, në ato degë ku kini varur jataganët tuaj, do vijë dita që evgjitërit të varin sazet e tyre”.

Prof. Xhufi konkludon se sot nuk ka grek që t’i njohi “shenjtorit” anti-shqiptar,gjysmanalfabet nga Etolia dhe varrit të tij në Kolkondas, ndonjë vlerë tjetër veç asaj të greqizimit të popullsisë ortodokse të Myzeqesë dje, dhe të një hipoteke absurde në tokat e shqiptarëve, sot. Me këtë synim të mbrapshtë, shën Kozmai është futur qëllimshëm në kalendarin e kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe besimtarët e Myzeqesë e nderojnë atë, pa ditur cili është dhe përse. Njëlloj si besimtarët myslimanë të Petrelës të cilët, nuk dinë përse nderojnë tyrben e Ballaban Pashës, tradhtarit dhe armikut të Shqipërisë…!?

***

Anasat Janullatos është vazhdues i denjë i veprimtarisë antishqiptare të Kozma Etolit. Pavarësisht se i ndan një distancë pre 300 vjetësh, ata janë njësh në ide dhe qëllime. Atëherë, përse shqiptarët e krishterë dhe jo vetë, duhet që në shekullin e njëzetenjë të nderojnë këtë person dhe për më tepër të lejojnë qenien e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të themeluar nga shqiptari i madh Fan Noli? Vazhdimësia e një sjelljeje të tillë nga politika shqiptare është një dëshmi autentike se politikanët dhe pushtetarët tanë vazhdojnë të  rrinë në gjunj para Janullatosit! Turp! Shumë turp për ta!

/ Mar nga gazeta dita/

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...