Home / Opinion / ENVER HOXHA E KA FITUAR REFERENDUMIN, QYSH NË DITËN E PARË TË LIRISË, MË 29 NËNTOR 1944

ENVER HOXHA E KA FITUAR REFERENDUMIN, QYSH NË DITËN E PARË TË LIRISË, MË 29 NËNTOR 1944

Se kildebilledet
Nga Gjon BRUÇI
-Në mbështetje të kërkesës së 93 veteranëve dhe pasardhësve të tyre drejtuar presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë-
Jo vetëm 93 veteranë e pasardhës veteranësh, por edhe nëntëqind e nëntëdhjetë e tre mijë veteranë, pasardhës veteranësh e qytetarë të thjeshtë, nëse do t’u kërkohej, do të nënshkruanin me entusiazëm për lartimin e shtatores së Enver Hoxhës, këtij shqiptari të madh, i cili ishte dhe do të mbetet Rilindasi modern i kombit shqiptar! Dhe kjo nuk është një dëshirë apo një hamendje. A nuk ishin institucionet ndërkombëtare, të cilat në prag të zgjedhjeve parlamentare te qershorit që sapo kaloi, me testimin e tyre “dorështrënguar”, u detyruan të na kumtojnë se mbi 52 pëqrqind e shqiptarëve kanë nostalgji për periudhën e ndritur Enveriane!
Duke mbështetur plotësisht kërkesën e veteranëve të nderuar dhe pasuesve të tyre, unë deshiroj t’ju kujtoi atyre, se Enver Hoxha e ka fituar Referendumin Popullor qysh në ditën e parë të Lirisë me 29 nëntor 1944, kur ai së bashku me shokët e tij luftëtarë, i sollën popullit shqiptar dhe Shqipërisë Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë. Referendumi i asaj date të madhe historike do të shoqërohej me referendume të tjera po aq popullore në vitet e ndërtimit socialist, referendume të cilat evidentuan se Enver Hoxha, nuk ishte vetëm një Udhëheqës politik e ushtarak ngadhnjimtar, që siguroi fitoren e madhe të LANÇ të popullit shqiptar, por edhe një reformator vizionar, i cili në vetëm dyzet e katër vite e transformoi Shqipërinë e mesjetës në një vend e shtet modern, duke e radhitur denjësisht krah shteteve të zhvilluara të kontinentit, e duke shënuar në shumë sektorë të jetës, hapa të paimagjinueshëm transformimesh e zhvillimesh social – ekonomike.
Kërkesa e veteranëve të nderuar të LANÇ e pasardhësve të tyre, dhe të mijëra e qindra mijëra të tjerëve që me siguri do të rreshtohen pas tyre, është plotësisht e drejtë. Jo vetëm në Tiranë apo në Gjirokastër, por të gjitha sheshet e Shqipërisë do të ishin të nderuara, nëse do të mbanin shtatoren e Shqiptarit të Madh Enver Hoxha.
Po, a do të pranonte Komandanti të “rikthehej” në sheshet e sotme të pista?!
Kur jetonte, Komandanti kurrë nuk deshi të lartohej në shtatore e monumente, por gju më gju me popullin, në krah të punëtorit, në ugar tek fshatari, pranë pozicionit të ushtarit, shtruar në sofrën e malësorit, do të rrinte e të bisedonte, të pyeste, të uronte, të mvrejtej e të gëzonte. Ai nuk pati nevojë për shtatore e monumente, sepse e gjithë vepra e tij në interes të popullit, në interes të Shqipërisë ishte një monument i gjallë, i cili edhe sot me famën e tij kombëtare e ndërkombëtare trëmb e tmerron korbat e sorrat që vërtiten ta zhvatin vendin e tij të rënë në reanimacion.
Kur u nda prej nesh, Komandanti na la Amanetin e Madh, Amanetin për Shqipërinë:
“Ta ruajmë pra, si sytë e ballit gjithçka kemi arritur. T’u lëmë brezave të ardhshëm një Shqipëri kurdoherë e më të fortë, kurdoherë të kuqe, si flakë e pashuar e zemrave dhe idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparaojë në shekuj”.
Ne, populli i thjeshtë, hapëm “kapakun” e zemrës dhe bashkë me Amanetin, futëm aty dhe kujtimin e Tij. Kjo ishte dëshira dhe mundësia jonë. Ndryshonte puna më shtetarët, me ata që i rrinin shumë pranë…. Ata kishin forca e mjete, aftësi e mençuri më të shumta se ne populli i thjeshtë. Ndaj dhe nuk u morën me zemra e “cingërima” të tilla, por shpejt e shpejt fabrikuan Shtatoren e madhe dhe me pompozitet e vendosën në mes të sheshit. Ne të thjeshtët pyetëm në heshtje: “Ç’ishte nevoja për Shtatore kaq të madhe? Komandanti la vepra që nuk ka shtatore t’i ballancojë!!!…Por pyetja jonë ishte naive. Ishte naive sepse ne nuk e dinim në atë kohë se “ndërtuesit” e Shtatores, ditën që po e “lartonin”, kishin planizuar dhe rrëzimin e saj. Ndaj e bënë dhe kaq të madhe atë shtatore, me qëllim që kur “të binte”, të bënte më shumë figurë. Kur po e ngrinin Shtatoren, ne qytetarët e thjeshtë nuk arritëm të shihnim bullonat e heqshme në bazament, të cilat Juda bëri sikur i montoi dhe i mbuloi shpejt e shpejt me pllaka të bukura larushe…..
Mercenarët, tradhëtarët, kurvarët, litarët, zagarët, . . . të prirë prej “Pardesyve të bardha”, si Arturo-ui i Lulelakrës, atë ditë të 20 Shkurtit 1991 u lëshuan mbi shtatore si një lukuni ujqërish. Megjithëse e dinin se “Policia është me ne”, se armët e tyre kishin vetëm fishekë manovër, se dy-tre qen kufiri vinin vërdallë sheshit me kasat e turinjëve të mbërthyera, përsëri zemra e tyre, si zemër mercenari u dridhej në kafazin tërë zhul të kraharorit. Gjithë paraditen e asaj dite kishin rrëkëllyer gota alkoli me qëllim që të trimëroheshin. Vërtet një shtatore bronxi ishte ajo, por frika ishte e madhe. Kjo frikë nuk vinte nga ndonjë kërcënim fizik i çastit. Të tilla rreziqe nuk egzistonin. Dora e fshehtë u kishte dhënë “yzëm” të vepronin pa droje. U kishte dhënë dhe çelësin “anglez” me të cilin do të lironin “dadot” hileqare të montuara qysh në ngritje të shtatores. Mercenarët e “demokracisë” borgjeze nga kjo anë ishin të sigurtë. Aq më tepër kur në krye të tyre ishin “Pardesytë e bardha”, që dora e fshehtë, më saktë dora e zezë, ua kishte veshur si “mburojë” nga ndonjë ngatërresë amatore . . . E megjithatë, frikën e kishin në palcë. Ishte frika e veprës së zezë që po bënin. Se ata e dinin fort mirë, se një ditë historia do ti damkosë me njollën e turpit. Dhe ajo ditë ka mbërritur.
Këtë frikë ata e kanë edhe sot pas njëzet e gjashtë vjetësh nga ajo ditë e shëmtuar. Madje ajo frikë sot u është shtuar, sepse shtuar e shumuar i kanë edhe mëkatet. Jo thjeshtë ndaj një shtatoreje prej bronxi, por mëkatet ndaj popullit, ndaj vendit, ndaj Shqipërisë sonë.
Naivët mercenarë të borgjezisë, të fryrë nga propaganda dhe alkooli, kujtuan se duke përmbysur një shtatore, do të siguronin “Llampën e Aladinit”. Dhe pasi ta fërkonin atë llampë, do të vërshonin gjithë të mirat e botës. Mirëpo “Aladini” llampën e kishte për vete dhe për fisin e tij e jo për gjithë miletin. Ndaj dhe shumica e mercenarëve naivë mbetën me gisht në gojë dhe me copat e bronxit të shtatores si kujtim në xhepat e grisur.
Ju kujtohet besoj greva e famshme e minatorëve të Valiasit? Me Shtatoren dhe emrin që ajo mbante e kishin gjithë inatin, gjithë luftën. Dhe e fituan . . . disa prej tyre, që pasi morën një shuk dollarësh, ia mbathën drejt perendimit për të cilin na thonë se “Lind nga perendon”!!! Ndërsa shumicën e tyre e kemi në Bulqizë, në Munellë e në ndonjë skutë tjetër, ku sot pas njëzet e gjashtë vjetesh jeta e tyre ka ngrirë. Të njëjtën gjë bënë dhe studentët, të cilët braktisën librat dhe nisën grevën, jo për drita, ujë, e kondita studimi, por për shtatoren që ishte në shesh dhe emrin e tij në dipllomën e ardhshme. Dhe ia “arritën” qëllimit. Disa prej tyre pa dipllomë fare u quajtën të dipllomuar dhe falë pardesyve që patën veshur, apo që ua mbanin të tjerëve, arritën të ngjiteshin gjer tek zyra e dikurshme e Komandantit, për të mbetur në histori si varrmihësit e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Ndërsa shumica, mbeti si peshku në zallë. Diplloma e tyre pa emër, pa formë e pa përmbajtje u kthye në një letër bakalli që jo vetëm nuk u pin ujë, por nuk u hyn në punë as për të mbështjellë bukën, kur shkojnë refugjatë nëpër botë. Edhe disa nga fshatarët, ndonëse nuk ishin personazhe të drejtpërdrejta të rrëzimit të Shtatores, “Llampa e Aladinit” i trullosi. Llampa e famshme, në vend që të hapte “Suzamin”, hapi shtigjet e mërgimit dhe fshati shqiptar mbeti me nga dy pleq për shtëpi e një lope, të cilën mezi e mbajnë për bishti. E kështu me radhë edhe për shtresat e tjera të shoqërisë.
Ata që shëmbën Shtatoren e Komandantit këtu e njëzet e gjashtë vjet më parë, nuk shembën thjeshtë një shtatore bronxi. Ata shëmbën Shqipërinë. Këtë tashmë e kanë kuptuar shumica e shqiptarëve. Është pikërisht kjo e fundit, që i nxiti veteranët e nderuar dhe pasardhësit e tyre t’i drejtohen Presidentit dhe Kryeministrit të vendit, me kërkesën e tyre legjitime, që është kërkesë e gjithë shqiptarëve të vërtetë. Por ata, megjithë drejtësinë absolute të kërkesës, harrojnë një vogëlsirë. Një vogëlsirë në dukje, por shumë domethënëse dhe madje përcaktuese.
Komandanti, nuk do të pranonte të kthehej në sheshin ku ne vetë e kishim vënë. Nuk do të pranonte të kthehej pa e pastruar atë shesh dhe gjithë sheshet tona, që janë kthyer në sheshe prostitucioni, në sheshe korrupsioni, në sheshe kurvash e kurvarësh të politikës borgjeze, në sheshe ku liria e individit zgërdhihet duke përcjellur plumba për të pafajshmit, në sheshe ku zhgryhet e përdhoset identiteti dhe dinjiteti ynë kombëtar. Në këto lloj sheshesh ku mbretëron skota e nëveristshme e kohës së sotme borgjeze nuk mund të qëndrojë Komandanti. Ndaj ai ka zgjedhur të qëndrojë, jo shtatore prej bronxi në pluhurin e pistë të sheshit të turpëruar, por ka zgjedhur të qëndrojë Shtatore e gjallë në kujtesën e popullit, në kujtesën që ai e përcjell brez pas brezi për të mos u harruar kurrë. Në kujtesën e memorien e popullit Shtatorja e tij, kujtimi i tij, vepra e tij është e sigurtë. Aty nuk mund të preket as nga tradhtia e as nga mercenarët e saj. Shtatorja e Komandantit çdo ditë ringrihet e lartësohet në zemrat e miliona shqiptarëve. Jeta dhe situata aktuale që po përjetojmë, verteton çdo ditë se Ai ishte shqiptari më i madh i të gjitha kohrave. Mercenarët dhe të shiturit tek të huajt, nuk po lënë shesh pa mbushur me statuja, buste e shtatore mercenarësh, tradhtarësh e liliputësh, me shpresën për të mbuluar famën e Shtatores së Komandantit. Por e kanë kot. Nuk janë shtatoret që lartojnë njeriun, por është njeriu që larton Shtatoret. Ato u kushtohen veprave në shërbim të kombit. Dhe veprat janë ato që e mbajnë shtatoren lart, edhe kur vdektëtarët e trullosur i rrëzojnë ato. Kështu ka ndodhur e po ndodh me Shtatoren e Komandantit. Se veprat e tij nuk mund të rrëzohen.
Qeveritarët aktualë, përfshi dhe kryeministrin e madje edhe presidentin, që hiqen si mbrojtës të idealeve të LANÇ, e kanë të vështirë të japin përgjigje kërkesës së veteranëve. Kjo sepse ata e dinë fort mirë se gjithë sheshet e kryeqytetit e më tej, i kanë të mbyrtur nga zhuli e pisllëku, të cilin jo vetëm nuk mund ta pastrojnë, po pëkundrazi përditë e më shumë e ndyjnë. Dhe s’ka “Ndërmarrje pastrimi” ta heqë zhulin njëzet e shtatë vjeçar vjeçar që tashmë është bërë mullar. Vetëm një aksion i përgithshëm i qytetarëve mund t’i shkulë ato plehra dhe autorët e tyre nga sheshet tona. Atëherë aty do të kthehej Komandanti për të na kujtuar Amanetin e tij të madh: “T’u lëmë brezave të ardhshëm një Shqipëri kurdoherë të fortë, kurdoherë të kuqe, si flakë e pashuar e zemrave dhe idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparojë në shekuj”.

About admin

x

Check Also

Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

12/09/2020 Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ...