Home / Opinion / Ejani vëllezër e motra kurbetçarë, ejani, por jo këtë vit!

Ejani vëllezër e motra kurbetçarë, ejani, por jo këtë vit!

Ejani vëllezër e motra kurbetçarë, ejani. Ejani të çmallemi, e ju ta shuani mallin e vendlindjes, por mallin ta shuani pas një viti, pasi të kalojë kjo rrëmujë pandemike. Ne na ka marrë malli e sytë na janë njomur nga malli për ju, por mos eni këtë vit, ejani vitin tjetër. Më besoni se do ju duam më shumë e do ju përqafojmë fort e më fort kur të ju shohim e takojmë në aeroportin “Adem Jashari” ose kur të futeni në oborrin e shtëpisë. Nëse do vini me vetura, bëjani një vizëllimë, siç i themi ne në Kosovë “poliranje”, për inati të atyre që thonë se kurbetçarëve po u vjen era kredit! e sidomos grave të atyre ministerucave që po thonë se po u shkon të vjellur kur i shohin që kanë ardhur “të jashtmit”, sikur të ishin vetë jashtëtokësorët!
Të na vini more vëllezër, të na vini, se na dogji malli, por jo këtë vit, ejani vitin tjetër. Sa për pare hiç mos u merakosni se nuk na duhen paratë e kurbetçarëve (siç thoshin disa këtë vit, pak para se të fillojë pandemia), ani se sot të gjithë mbajmë sytë nga aeroporti dhe në xhepat e juaj.
Dasmat do ishte më mirë t’i bëni pas dy apo tre vitesh, sepse edhe këngëtarët e dasmave në Kosovë janë lodhur shumë, kanë nevojë të pushojnë të mjerët, edhe ata janë njerëz nga mishi e gjaku, ani pse ata edhe protesta kanë organizuar për të ju dëfryer juve kur të vini. Por ju mos ejani fare këtë vit, e ata nëse e kanë marrë kaparin e majmë të dasmave të kontraktuara, le të bëjnë çfarë të duan, edhe me kokë poshtë le të rrinë.
Të na vini vëllezër, të na vini, por jo këtë vit. Merreni shembull rastin e kurbetçarëve nga Gjermania, 608 të infektuar u kthyen atje nga përqafimet në vendlindje, ku më shumë ua shikojmë xhepat dhe ju përqafojmë e shtrëngojmë, e qe besa edhe ju puthim në faqe e në ballë aq herë sa na i keni lëshuar ndonjë qindëshe EURO. E merreni me mend sikur të na i sillni nga një “kerr” edhe pa “poliranje”, por me një rezervuar plot me benzinë! (Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar që për një muaj rreth 911 kosovarë shkuan të infektuar në Gjermani, transmeton albinfo.ch.)!!!
Edhe qeveria e Hutit ishin gëzuar bukur shumë kur kanë parë remitencat e dërguara për muajin qershor, ishin hiç më pak se 430 milionë EURO! Ishin gëzuar sa nuk qanin nga gëzimi! Bile Skender harmonika sapo u njoftua për këto të hyra nga ju kurbetçarët, i hipi aeroplanit e drejt e në New York me paratë e juaja, prej nga e thirri në telefon mistër Grenellin, sepse Pompeo as që ia vari fare. Thuase nuk kishte fare telefona në Prishtinë!
Që të mos ju lodhi më shumë, vëllezër e motra kurbetçarë, ejani, ejani, por jo këtë vit, ejani vitin tjetër!

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...