Home / Opinion / DUART MË TË BUKURA TË NËNËS !

DUART MË TË BUKURA TË NËNËS !

 

Se kildebilledet

Beqir Elshani

Nuk gjenden duar më të bukura në botë se duart e nënës që e ka lindur dhe rritur fëmijën, gjithashtu nuk gjendet gjuhë më e bukur në botë se gjuha e nënës me të cilën fëmija është përkundur në djepin shqiptar. Kështu populli shqiptar në shekuj është rritur me ninullat e folklorit më të bukur, më të vjetër dhe një nga më të pasurit në Europë.
Një nënë tregoi për bisedën që kishte zhvilluar në familjen e saj. Kur e ka pyetur të birin në fëmijëri, se kush i ka duart më të bukura në botë, i biri ishte përgjigjur që nëna e tij i ka duart më të bukura. Atëherë nënës i bëhej zemra mal. Mirëpo pas një kohe, kur i biri u martua, nëna ia përsëdyti pyetjen se kush i ka duart më të bukura, i biri është përgjigjur që nusja e tij i ka duart më të bukura. Natyrisht që nëna është lënduar nga përgjigja e të birit. Ndryshe me të birin e saj që e shkeli fjalën, nusja e tij kishte thënë që nëna e saj i ka duart më të bukura në botë, pasi që e ëma e kishte rritur me thërrime. Me një rast tjetër, një vajzë e pyeta se kush i ka duart më të bukura në botë, ajo në fillim ngurroi të përgjigjet, pastaj i ndihmova unë, që nëna e saj i ka duart më të bukura. Mirëpo ajo me keqardhje, ma ktheu se nëna i kishte vdekur qysh në fëmijëri, prandaj tha se duart më të bukura i ka gjyshja që është kujdesur për të. Megjithatë edhe duart e gjyshes zënë vendin e duarve të nënës, që kujdesen për nipat dhe mbesat e tyre. Që me të drejtë janë shkruar edhe përrallat e gjyshit. Prandaj nuk ka duar më të bukura në botë se duart e nënës që ka rritur fëmijën, gjithashtu nuk ka gjuhë më të bukur në botë se gjuha e nënës me të cilën fëmijës i ka kënduar qysh në djep.
Dallimi në mes duarve të mrekullueshme dhe duarve të bukura është se në të parën flitet për cilësinë e duarve të vyeshme për punën dhe kujdesin, kurse e dyta ka të bëjë për dukjen estetike. Në anën tjetër, kur themi “Duart e nënës janë të bukura”, këtu kemi të bëjmë me shprehjen metaforike, që do të thotë se janë duar të mrekullueshme për nga puna dhe kujdesi – jo për nga dukja estetike. Me të drejtë populli thotë se më e mirë është gruaja me shpirt të mirë, se gruaja me trup të bukur. Kur u martova me nusen time, i mbylla sytë, sepse nuk ishte e bukur si Helena trojane, përkundrazi i çela veshët dhe më doli gruaja më e mirë në botë. Hirushja jetime me dy motrat njerkë ishin të bukura, mirëpo princi me anën e këpucës së majtë e zgjodhi Hirushen e virtytshme. Në vazhdim, shprehja “vallëzon mirë e bukur” domethënë që valltari luan mirë sipas traditës popullore, por edhe luan bukur sipas pamjes. Po ashtu te lirika popullore “Rrushja me duar të bardha” këndohet bukuria e Rrushes, jo mirësia e saj. Nëse thuhet “Në bregdetin e Durrësit është bukur dhe mirë” domethënë që është bukur për nga pamja e jashtme dhe mirë për nga kushtet e shërbimit dhe furnizimit me ujë të pijes. Ka edhe një mënyrë tjetër e përshkrimit të gruas së mirë, për të cilën Denis Didero thotë se kur te një grua shfaqet mendimi intelektual, ajo nuk vlerësohet me sa e bukur, por sa e ngritur.

Katundi i mirë dhe katundi i bukur
“A më shumë burra ka katundi i mirë apo katundi i bukur?” – kështu më pyeti një mik. Mendoj se përgjigja është e lehtë, katundi i mirë ka më shumë burra se katundi i bukur, meqë i pari e ka vendin në bujari, i dyti në arkitekturë. Apo siç thotë populli duart e nënës peshojnë më shumë se argjendi dhe ari. Sapo fëmija fillon të ecë, di të vizatojë dorën, lulen dhe zemrën. E para sepse e do nënën siç e do bleta lulen, dhe e dyta, e do nënën siç e do dora punën. Miku im vazhdoi të më parashtrojë edhe një pyetje tjetër, se cila nënë është më e mirë në botë, që kishte pak dallim me pyetjen e parë. Mu kujtua fizikani gjerman, Albert Anshtajni, kur gjatë turneut nëpër universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte mbajtur ligjëratën mbi teorinë e relativitetit, të cilin vazhdimisht e shoqëronte shoferi i tij. Pas një kohe shoferi tha se aq shpesh e kishte dëgjuar ligjëratën e profesor Anshtajnit, saqë leksionet e tij i dinte përmendësh. Në kohën e ligjëratës Anshtajni me kapelën e shoferit ulet me publikun në fund të sallës, ndërkohë shoferi ngjitet në podium dhe shumë mirë e mbajti ligjëratën mbi teorinë e relativitetit, sa që edhe Anshtajni u habit për aftësinë e shoferit të tij. Mirëpo në fund, një hulumtues nga publiku në sallë parashtroi një pyetje të ndërlikuar, prandaj shoferi duke mos ditur t’i përgjigjet, thotë që është një pyetje e thjeshtë, saqë edhe shoferi im di të përgjigjet, dhe fjalën ia dha Anshtajnit, i cili shpjegimin e përmbylli me sukses.
Pasi mbarova tregimin, rastësisht pranë nesh kalon një fëmijë me libër në dorë dhe unë e pyeta se cila nënë është më e mirë në botë, fëmija u përgjigj: “Nëna Shqipëri është nëna më e mirë në botë”. Pastaj vazhdoi: “Ashtu siç i do Nëna Shqipëri bijtë e saj, e duan edhe shqiptarët Nënën Shqipëri”. Pas pak u mblodhën edhe disa fëmijë tjerë, ishin bërë kureshtarë për bisedën tonë, prandaj i pyeta: “E doni kompjuterin apo “Librin?” Fëmijët njëzëri u përgjigjën që librin e duan më shumë se shumë, i cili është burim i të gjitha të mirave të jetës. Në fund, mikut tim i thashë, besoj se jeni të kënaqur me përgjigjen e fëmijëve më të dashur në botë.

 

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...