31 Korrik 2020

I akuzuari në rastin “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja, i cili qëndroi për tri vjet në paraburgim, për Klan Kosova u rrëfye se si ishte paralajmëruar se do t’i ndodhte diçka e keqe nga një person i paidentifikuar dhe më pas edhe për frikën që e kishte në dhomën e burgut, të cilën e ndante me, siç u shpreh, persona të rrezikshëm.

“Në rrafshin psikik, ditët në paraburgim ishin më të vështira se vitet që i kam kaluar në burgjet e Serbisë, dhe ndoshta republika jonë me përndjekjen e një profesioni universitar dhe mbajtjen në paraburgim bazuar në një akuzë të sajuar nga krerët e shtetit, i kalon kufijtë e nacionalitetit”.

“Pata marr një paralajmërim në vitin 2017 në Aeroportin e Prishtinës se më pret fati i Astrit Deharit nga një person që u prezantua si punëtor i AKI-së. Tash nuk kam qenë i sigurt se a ka qenë paralajmërim apo shantazh! Jam përpjekur nga kamerat që të shoh se mos po e njoh nga vijat e fytyrës, por për fat të keq ishte e vështirë ta njihja. Madje edhe gjykatësit u munduan ta identifikojnë”.

“Ai eci krah meje, në mënyrë jashtëzakonisht profesionale pa e kthyer kokën, më paralajmëroi duke më thënë ‘profesor je i rrezikuar dhe mund të të presë fati i Astrit Deharit. Largohuni deri sa të kalojë furtuna’. Unë kam jetuar në ankth dhe në pritje të ndonjë momenti tragjik”.

“Kam qenë në dhomë me vrasës të kalibrit të lartë, me njerëz qe kishin vrarë familjarë. E kisha parasysh që të këqijat mund të më ndodhin nga njerëzit e dhomës, por me kalimin e kohës ka pasur  sjellje fenomenale të mirë nga një pjesë e punëtorëve të Burgut të Lipjanit që më kanë krijuar kushte të stabilitetit dhe qetësimit shpirtëror”.

Ramabaja foli edhe në lidhje me “Syrin e Popullit”, për çka tha se është shpikje.

“Emër i bukur, por është një shpikje. “Syri i popullit” është organizatë inekzistente që nuk i bën vlerë historisë sonë. Mendoj që është sajesë e krerëve të SHIK-ut”.

“Kanë qenë dy qëllimet kryesore. Që mua si individ, intelektual e aktiv në Vetëvendosje të më likuidojnë nga skena politike”.

“Një lidhje familjare që e kam me Glauk Konjufcën e kanë keqpërdorur në ekstrem. Syri i Popullit të lidhet më VV-në dhe VV-ja të shpallet organizatë e jashtëligjshme. Kjo ishte intenca edhe në procesin gjyqësor”.

“Asnjëherë në jetë nuk jam pajtuar me aktet terroriste. Unë e kam provuar edhe sprovën e likuidimit fizik në vitin 1983 nga UDB-ja, por nuk më ka shkuar mendja të hakmarrja”.

“Në zyrat e PDK-së është lakuar emri im si pjesëtar i ‘Syrit të popullit’, madje edhe procesi komplet është përgatitur ne zyrat e PDK-së. Gjykatësja nuk ka qenë në gjendje të strukturoje një aktgjykim të mirëfilltë”, u shpreh Ramabaja në Edicionin Special në Klan Kosova.