Home / Opinion / Dalin emrat që janë përfshirë në skenarin e copëtimit të Kosovës

Dalin emrat që janë përfshirë në skenarin e copëtimit të Kosovës

Ish-këshilltari për Sigurinë i Presidentit të SHBA, Donald Trump, John Bolton ka tronditur Tiranën dhe Prishtinën me deklaratat e bëra gjatë ditëve të fundit për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Në intervistë për median amerikane dhe dje në intervistë për televizion shqiptar “Fax Neës”, njeriu që për më shumë se një vit ka qenë krahu i djathtë i Donald Trump, ka treguar se ideja për ndarjen e Kosovës nuk ka qenë një projekt amerikan. I akuzuar si diplomati që mbështeste këtë projekt, Bolton thotë se shkëmbimi apo ndarja e territoreve është propozuar  nga Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç. Pra pala amerikane nuk ka gisht në këtë pazar copëtimi.

Deklarata e Bolton është një akuzë e hapur ndaj Thaçit dhe gjithë politikanëve të tjerë që e kanë mbështetur këtë nismë. Shkëmbimi i territoreve u prezantua nga Hashim Thaçi në gusht të vitit 2017. Në atë kohë dhe më pas, mbështetësit e Hashim Thaçit në Prishtinë dhe të Edi Ramës në Tiranë deklaronin se ky është një projekt amerikan që nuk duhej kundërshtuar. Edi Rama nuk ka folur asnjëherë publikisht pro kësaj ideje, por deklaronte shpesh se mes Kosovës dhe Serbisë po diskutohet një marrëveshje, e cila është një shans që vjen njëherë në një shekull. Kryeministri shqiptar ka tentuar të mos flasë për kufijtë dhe pas dështimit të takimit në SHBA këto ditë ka marrë rolin e patriotit, por dje John Bolton e ka përfshirë direkt atë në grupin e atyre që punonte për ndarjen e Kosovës. “Serbia e Kosova ta zgjidhin marrëveshjen vet. Para një viti dukej se parashikimet ishin shumë të mira. Europian serioz ishin angazhuar, ndër to Toni Blair u angazhua për marrëveshjen Serbi-Kosovë. Mendova se diçka do të ndodhë. Nëse do isha sot këshilltar i sigurisë kombëtare nuk do të tërhiqesha, por sot nuk jemi siç ishim atëherë”,– tha Bolton në një intervistë për gazetarin Robert Papa, në televizionin “Fax News”.

Emri i Toni Blair është pika kyçe që e lidh këtë projekt me Edi Ramën. Ish-kryeministri britanik që prej vitit 2013 është këshilltar i jashtëm i qeverisë “Rama”. Pas vitit 2017, kur ka nisur diskutimi real për ndarjen e Kosovës, janë disa kontrata lobimi që qeveria “Rama” ka nënshkruar me kompani afër ish-kryeministrit britanik. Qëndrimet e John Bolton janë provë konkrete që tregojnë se si është luajtur kundër interesave të shqiptarëve këto vite. Fatkeqësisht, pjesë e lojës së serbëve  për copëtimin e Kosovës janë bërë pjesë dhe drejtuesit e lartë të dy shteteve shqiptare. Pranimi i këtij projekti nga Hashim Thaçi dhe mbështetja më pas nga Edi Rama është një skandal që tejkalon çdo imagjinatë. Ndarja e Kosovës dihet historikisht se është një projekt serb që politikanë të ndryshëm të Beogradit ia kanë propozuar disa herë Kosovës dhe Shqipërisë, që pas viteve ’90-të. Është anti-kombëtare që një projekt të tillë kundër interesave tona në rajon ta mbështesin dhe prezantojnë në kancelaritë ndërkombëtare shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë. Aq më keq, siç del nga dëshmia e Bolton, qeveritë e dy vendeve kanë lobuar me kompani ndërkombëtare që kjo ide të pranohej edhe nga vendet që e kundërshtonin në Bashkimin Europian. Sot në Kosovë dhe në Prishtinë shkëmbimi i territoreve cilësohet si projekt i rrëzuar. Ndërkohë dëmi që i është bërë Kosovës dhe shqiptarëve në rajon është fatal që në momentin që institucionet e dy vendeve kanë pranuar që kjo ide të diskutohet. Diplomatikisht i kanë dhënë Serbisë një argument më shumë në mosnjohjen e Kosovës me çfarëdolloj negociata tjetër.

Dëshmia e ish-këshilltarit të presidentit Trump do të mjaftonte që edhe nëse nuk kishte aktakuzë nga Haga, presidenti Thaçi të jepte dorëheqjen. Natyrisht me suportimin e Edi Ramës dhe ish-kryeministrit britanik , Toni Blair. Ecejaket e shpeshta me avion charter të Blair te kryeministri Rama duket se ka qenë për këtë qëllim./Q.Xhani/

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...