Home / Opinion / OBJEKTIVI FINAL I SHQIPTARËVE: BASHKIMI KOMBËTAR!

OBJEKTIVI FINAL I SHQIPTARËVE: BASHKIMI KOMBËTAR!

Në luftë, veçanërisht kur ajo bëhet për Atdheun, dalin në pah vlerat e vërteta të qytetarit, shumica e të cilëve marrin në sy edhe aktin final të jetës. Ndërsa në paqe lulëzojnë të gjitha “sëmundjet”, fizike, shpirtërore e madje edhe mendore. Në ujët e ndenjur të paqes, po nuk vozite pandërprerë, ai kthehet në ujë kënete. Dhe këneta është streha e mykut.
Po, ne shqiptarët, në ujin e qetë të dy dekadave pas çlirimit të gjysmës tonë me emrin Kosovë, zumë myk. Të gënjyer nga pelerina blu me yje të ndritura të Kontinentit plak, ne zumë myk në tru dhe në gjymtyrë. Dhe qëndruam plot dy dekada duke përtypur fitoren tonë gjysmake, me sy nga qielli, në pritje se mos na bie prej andej edhe gjysma tjetër e munguar. Për më keq, kur duhej të ktheheshim nga “Qabeja” jonë historike – tek Bashkimi Kombëtar, kinse për t’u dukur modernë, pelegrinuam tek strofkulla e hasmit, i cili edhe pse arriti në dekadën e dytë të shekullit të njëzet e një, vlerat e tij njerëzore e morale, ishin dhe mbeten si të Vikingëve të hershëm, apo të hordhive të Xhingis Khanit.
Si është e mundur që e harruam historinë e shekujve të kaluar, treguar nga të parët tanë? Po atë që përjetuam jo më larg se dy dekada më parë, si e hodhëm prapa krahëve? Dhe shkuam pa teklif, e pa sëkëlldi, duke u qafuar e buzëqeshur me hasmin shekullor! Ndërkohë që hasmi në fjalë, ndryshe nga e drejta zakonore botërore, nuk e uli për asnjë çast grykën e pushkës e tehun e thikës. Kur duhej të binte para nesh në gjunjë, pa të mund të ulej në të njëjtën tryezë me ne!
Kush na e imponoi këtë poshtërim të padëgjuar më parë, e të paprovuar kurrë?! Liderët tanë pa palcë kurrizore, të cilët, ndërsa morën përsipër detyrën e “Zotit të Konakut”, u kthyen në rolin e “jatakut”. Dhe shkaktari i dytë, Europa plakë, e cila, ndonëse ka udhëtuar drejt zhvillimit prej më shumë se dy mijë vjet, ruan ende siptomat e të parëve të saj të lashtë, me emrin e tmerrshëm “Vikingët”, apo të “modernëve” me emrin drithërues “Nazistët”. Të dy këta shkaktarë, ne duhej t’i neutralizonim. Të parët, liderët, duke i zëvëndësuar me të tjerë të vërtetë. Ndërsa të dytën, Europën, duke mos e besuar nga pelerina fosforeshente me plot yje që ka veshur. Mjaftonte të kujtonim thënien lapidare të Gjergj Fishtës: “Moj Europë, moj kurvë e Motit / Që i re hasha Besës së Zotit!, dhe ne nuk do të kishim rënë viktima të “mykut” të paqës.
Vini re: Me dhjetra herë kemi parë Hashimin tonë, duke pozuar me presidentin serb Vuçiç, shoqëruar nga buzëqeshja hipokrite e përfaqësueses së Europës, Magherinit. Dhe jo vetëm ajo, por edhe liderë të tjerë të Europës, ndërhyjnë e këmbëngulin për pajtim të shqiptarëve me serbët! A thua se ishim ngatërruar për ndonjë vijë uji në krye të arës së thekrës! Skena të tilla poshtërimi ka interpretuar edhe sivëllai i Hashimit në post e gjatësi, por jo në emër, gjatoshi ynë karizmatik, Rama, i cili ndërsa “paradite” përdor fraza kinse patriotike, “mbasdite” kthehet në rolin e italianes Federikë.
Dikush nga lexuesit e këtij shënimi, me siguri do të më quajë një ekstremist dhe jashtë kohëve të sotme moderne. Por unë besoj se askush mbi shpinë të tokës, nuk mund t’i quajë kohë moderne, ditët e luftës e të dhunës së neofashistëve serb, në mbyllje të shekullit të njëzet në Bosnjë, e veçanërisht në Kosovën tonë. Edhe sikur t’i fshijmë nga historia vitet e progromit serbo-sllav të Ilia Garashaninit e Qubrilloviqit, që nisën “zyrtarisht” më 1878 e vijuan për mbi një shekull, kurrsesi nuk mund të anashkalohet e të harrohet lumi i gjakut, i dhunës dhe gjenocidit serbo-sllav të ushtruar mbi popullin martir të Kosovës në vitet 1998-1999.
. . .
Zotërinj deputetë, ministra, kryeministra e presidentë të Kosovës e të Shqipërisë së këtyrë dekadave të fundit. Për të parën herë, koha punoi për shqiptarët, por ju, jo vetëm nuk e administruat si duhet, por përkundrazi e degjeneruat në dëm të shqiptarëve e në favor të hasmit tonë shekullor. Ndaj ju duhet të hapni krahun, e në vendin tuaj, në krye të oxhakut të konakut tonë duhet të vijnë shqiptarët e vërtetë, që këtë emërtim, nuk e kanë vetëm në pasaportën biometrike, por thellë në shpirt e në zemër.
Këta bij të vërtetë të Shqipërisë, të cilët nuk kanë munguar në asnjë kohë, të marrin drejtimin e fateve tona dhe të realizojnë dy aksione të vërteta politike e kombëtare:
Së pari: Me pasaportën e përflaktë të viteve 1998 – 1999; me pasaportën e përgjakur të masakrës së Prekazit, të Reçakut, të Izbicës, të Rezallës, të Dubravës, të Krushës së Madhe, të Rugovës së Hasit; me pasaportën e përgjakur të Suharekës së Gramozit 7 – 8 vjeçar; me pasaportën e përflakur e të përgjakur të të gjithë Kosovës, të shkojnë tek të mëdhenjtë e kancelarive euroatllantike: Jo për të vulosur viza “Shengen”, apo “’lotari amerikane”, por për t’jua vringëlluar përpara syve, si flakërimë shpate, ato që kanë ndodhur në kurriz të shqiptarëve. Tu thonë atyre, pa pikë rezerve e xhentilese, se gjenocidi serbo – sllav i fund shekullit të njëzet kundër banorëve autoktonë shqiptarë, është i pashoq në botë. Lufta është e egër dhe përlan burra e të rinj, por kurrsesi gratë dhe fëmijët e paarmatosur. T’u ritregojnë atyre me video, pamjet që u dhanë ato ditë lufte në të gjitha stacionet televizive të botës, se ndoshta u kanë dalë nga kujtesa. Dhe që ta fiksojnë mirë e të mos e harrojnë, t’u thonë se gjenocidi serbo-sllav mbi shqiptarët, u nxit nga kancelaritë e tyre, të cilat, ndonëse me ngjyra moderne, kanë brenda edhe nëpunësa me mustaqe si të Bismarkut. T’u thonë, se jo shqiptarët e Kosovës martire, por serbët e Serbisë duhet të futen në karantinë e në geto. T’u thonë se Institucionet Euroatllantike, bëhen të pabesushme demokratikisht, nëse viktimën e viktimizojnë dhe agresorin e ledhatojnë. Ata duhet ta dinë se nuk ka, e nuk mund të ketë rregull, ligj apo normë në botë, që të ulë në një tavolinë viktimën me agresorin, pa kërkuar falje ky i fundit për krimet e bëra dhe pa dëmshpërblyer të dëmtuarin.
Së dyti: Pasi të kenë realizuar të parën, të mblidhen kombëtarisht nga të dy anët e kufirit artificial shqiptar-shqiptar dhe të organizojnë një referendum kombëtar, ku të hartohet e miratohet REZOLUTA E MADHE DHE FINALE, Rezoluta e BASHKIMIT KOMBËTAR, kërkesa dhe aspirata shekullore e shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike, trashëguar qysh në gjenezë të krijimit të Kontinentit plak me emrin Europë!
Vetëm kështu, do të mund tw sigurohet paqja e qëndrueshme në Gadishullin tonë ILIRIK, që padrejtësisht dhe përdhunisht u mbiquajt “Ballkan”!

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...