Home / Opinion / 70 % e ndihmave financiare të Fondit “Vendlindja thërret”, u janë dorëzuar Xhavit Halitit, Azem Sylës, Hashim Thaçit

70 % e ndihmave financiare të Fondit “Vendlindja thërret”, u janë dorëzuar Xhavit Halitit, Azem Sylës, Hashim Thaçit

Se kildebilledet

Ibrahim Kelmendi

KOHA PËR REFLEKTIM E POZICIONIM TË DINJITESHËM

Ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe qytetarë përkrahës të saj, ju lutëm të pozicionoheni
PËR UÇK-në e Adem e Hamzë Jasharit, Zahir Pajazitit, Adrian Krasniqit, Luan, Shkëlzen e Enver Haradinajt, Ilir Konushevcit, Fehmi Lladrovcit, Ilaz Kodrës, Bekim Berishës, Ismet Asllanit dhe mbi tremijë martirëve, me UÇK-në e mijëra pjesëtarëve të saj që po vazhdojnë ta ruajnë fisnikërinë e tyre, me UÇK-në e Vegjëlisë çlirimtare dhe
KUNDËR “uçk-së” së komplotistëve e profiterëve të luftës, Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Rrustem Berisha…!

Aspak nuk është e dinjitetshme heshtja e ish-bashkëveprimtarëve, që janë dëshmitarë për komplotet, sabotazhet dhe plaçkitjet e ndihmave financiare të UÇK-së, nga ish-bashkëveprimtarët Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Hashim Thaçi. Ta zëmë, ish-anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes/Dega jashtë vendi (në emigracion), Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi, Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Gafurr Elshani, janë dëshmitarë se çfarë diskualifikimi i kanë bërë Xhavit Haliti dhe Azem Syla “Grupit të Drenicës”, të komanduar nga Adem Jashari, pos që ua kanë bllokuar ndihmat financiare dhe ua kanë privuar mundësinë praktike të ishte pjesë e UÇK-së “zyrtare”! Ajo Kryesi ka raportuar në mbledhje të përgjithshme për dorëzim të ndihmave financiare për UÇK-në, nga viti 1994 deri në mars 1998, por asnjëherë nuk na kanë informuar se ato mjete ua ka dorëzuar Xhavit Halitit dhe Azeme Sylës, që ata t’ia përcjellin UÇK-së në Kosovë. Akoma më keq: as atëherë as më vonë nuk kanë kontrolluar, ku vërtet kanë shkuar ato ndihma. E nuk kanë kontrolluar as nga viti 1996 e deri në mars 1998, kur na erdhën ankesa e kërkesa për ndihma financiare nga tre “grupet”, bërthama të UÇK-së në terren, ai i Drenicës i komanduar nga Adem Jashari, i Llap/Gollkaut i komanduar nga Zahir Pajaziti dhe i Dukagjinit, i komanduar nga Adrian Krasniqi.

Atëherë dhe pas lufte jam interesuar të informohem nga Nait Hasani dhe Rexhep Selimi, sa ndihma kanë pranuar nga Xhavit Haliti e Azem Syla, nga viti 1994 deri në mars 1998, meqë Xhaviti dhe Azemi ata dy duhet t’i kenë pas argatët kryesor koordinues në Kosovë, për të sabotuar e komplotuar UÇK-në. Por nuk janë përgjigj. Dhe nuk më besohet ta kenë informuar dike tjetër…
As Kryesia pasuese, me Kryetar Berdri Islamin dhe anëtarë Jashar Salihun, Ali Ahmetin, Bardhyl Mahmutin, Sejdi Gegën, Agush Bujen, Ibrahim Kelmendin, nuk dimë dhe nuk kemi kontrolluar, si janë shpenzuar rreth 70 % e ndihmave financiare të Fondit “Vendlindja thërret”, pasi që ato u janë dorëzuar Xhavit Halitit, Azem Sylës, Hashim Thaçit, nga maji 1998 deri më 15 qershor 1999 (kur kundër Fondit pat bërë puç “ministri” Adem Graboci, duke e tjetërsuar në fond të “qeverisë së përkohshme”)! Ndërsa për “ndihmat” e shumë milonave që ia ka dhënë “kryeministri” Bujar Bukoshi shefit Xhavit Haliti, për ta paguar për komplotet kundër UÇK-së, zor se do ta marrim vesh ku janë “avulluar” (pos honorareve që duhet t’ua ketë dhënë Fatos Nanon, Fatos Klosit, Kudusi Lamës…).

Po heshtim për hir të profiterizmit, konformizmit, konjuturalizmit, karrierizmit, dhe për shkak se po frikësohemi që po na zbehet miti dhe legjendarizimi si veprimtarë të “ilegales” – prandaj po u lëmë hapësirë të lirë ta “shkruajnë historinë” e Lëvizjes dhe UÇK-së xhavit halitët, azem sylët, hashim thaçët, rexhep selimët, e tani, Hashim Thaçi, i alarmuar si dhelpra e anekdotave kur i ka marrë flakë bishti, po pisket: “Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës!” (edhe pse është përhap miti i shpifur se ka qenë student i shkëlqyeshëm në Fakultetin e historisë në Prishtinë)!

E kam përjetuar si tepër tronditës informimin e komandantit Sami Lushtaku, – në prani të komandantëve të të gjitha zonave dhe të komandantëve të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimi e Agim Çeku, meqë rastisi t’i takoj pas mbledhjes që kishin pas me Komandantin e KFOR-it Jacjson, – se në Zonë Operative të Drenicës, nga shtatori 1998 deri në qershor 1999, nuk kishte shkuar asnjë “lek e fishekë” ndihmë nga Fondi “Vendlindja thërret”. Tepër tronditës e kam përjetuar edhe informimin e komandantëve të Shtabit të Përgjithshëm Sylejman Selimi dhe Agim Çeku, se nuk janë informuar nga askush asnjëherë për qarkullimin e mjeteve financiare të UÇK-së! Bile Agim Çeku pat thënë se as para xhepi, për cigare, nuk i kishin dhënë ndonjëherë…

Ja, pra, të gjitha këto i heshtim, që historinë ta shkruan pseudo historiani Hashim Thaçi, por që tani u alarmua: “Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës!”

Akoma më tragjike: ne ish-bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët heshtim edhe për vrasje e zhdukje të Ali Ukës, Ilir Konushevcit, Behajdin Allaqit, sepse ndihemi të turpëruar se prapa tyre qëndrojnë ish-bashkëveprimtarët tanë!

Pa e zgjatur më shumë dhe shkurt e shqip, siç thuhet: kush mbron tani marionetën komplotiste Hashim Thaçi, komprometon UÇK-në dhe Kosovën!

PS.: Për mbi NJË miliardë DM (500 milionë Euro), që janë grumbulluar në Fondin e “qeverisë Bukoshi”, dhe për FARK-un e Ahmet Krasniqit, le të kusuritën mes tyre ata të “krahut institucionalist”…

Ibrahim Kelmendi

About admin

x

Check Also

Intervistë me veprimtarin nga Struga, Lebit Murtishi

  Intervistë me veprimtarin nga Struga, Lebit Murtishi June 23, 2020 Portali ...