Nga: Ibrahim Kelmendi
26,06,2020

Fatkeqësisht edhe disa ish-kuadro, por edhe ish-ushtarë e dashamirë të UÇK-së po angazhohen kundër aktakuzës që ka ngritur Prokurori i Specializuar i Kosovës (me seli në Hagë) kundër presidentit Hashim Thaçi, me mendim se kështu po i mbrojnë UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare.

Qysh në fillim po e shpreh shkurt dhe shqip: Hashim Thaçi, bashkë me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, ishin komplotistët më goditës të UÇK-së dhe të luftës së saj titanike, ishin profiterë lufte; Hashimi nuk ishte udhëheqës politik i UÇK-së, por një marionetë e shërbimeve armiqësore, i penetruar në UÇK për ta komplotuar sa më shumë nga “brenda”.

Shtjellimi i këtij diskualifikimi:

Nga se shumica e veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (në tekst të mëtejmë Lëvizja apo ankronimi i saj LPK) qysh në vitin 1993 u bind se vetëm “rezistenca pacifiste” e Ibrahim Rugovës nuk do të mjaftonte për ta çliruar Kosovën nga ripushtimi i Serbisë, u përcaktuan për të krijuar forcë të armatosur çlirimtare. Ai përcaktim u konkretizua me vendimin që morën delegatët e Mbledhjes së 4-tërt të përgjithshme, mbajtur me 26 dhe 27 korrik 1993 në Prishtinë (në shtëpi të Familjes Brajshori), ku ishte pjesëmarrës edhe Hashim Thaçi. Pas mbledhjes pasuan përndjekjet nga policia e Serbisë e pjesëmarrësve të Mbledhjes, meqë dikush duhet të ketë qenë i penetruar në atë Mbledhje si spiun i shërbimit të Serbisë. Ajo përndjekje vështirësoi realizimin e menjëhershëm të vendimit për formim të forcës së armatosur çlirimtare. Për rrjedhojë, grupet guerile, të formuara qysh më herët, nga pjesëtarë të Lëvizjes dhe të tjerë patriotë që ishin bindur se duhej forcë e armatosur çlirimtare, vazhduan të mos ishin gjendje të bashkoheshin në forcë të organizuar dhe të përbashkët çlirimtare. Kjo gjendje u zvarrit për fajin kryesor se ata që i kishte ngarkuar Mbledhja e përgjithshme për ta realizuar vendimin, u detyruan të kalonin në klandistineitet (“ilegalitet”), për t’u ikur arrestimeve. Disa prej tyre ia dolën të arratisen në Shqipëri dhe në shtete të tjera. Në mesin e tyre është arratisur edhe Hashim Thaçi, siç informon Fatmir Brajshori, i bashkë-arratisur me Hashimin, në dhjetor 1993, fillimisht në Makedoni, prej andej në Shqipëri dhe në Zvicër. Ndërsa mua me rezulton se Hashim Thaçi duhet të ketë qenë i rekrutuar dhe dresuar nga shërbimi serb qysh kur ka qenë nxënës në gjimnaz, sepse kuadër i atij shërbimi ishte eksponuar edhe vëllai i tij më i madh, Ganiu…

Në Statutin e atëhershëm të Lëvizjes kishim të sanksionuar përcaktimin, që udhëheqja e Lëvizjes në Kosovë i kalon Degës së saj në emigracion (e quanim LPK/Dega jashtë vendi), nëse pamundësohet funksionimi i saj nga sulmet e policisë serbe. Prandaj, gjatë vitit 1994 Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes (KP) dhe kryesia e tij, u angazhuan për të rikuperuperonin pasoja që ia kishte shkaktuar policia serbe Lëvizjes në Kosovë, pas mbledhjes së përgjithshme. Me 17 nëntor 1994 KP vendosi për formim të Sektorit të rëndësisë së veçantë (S.r.v.), i cili duhej të merrej me ndihmim organizativ e logjistik të realizimit të vendimi për formimin e forcës së armatosur çlirimtare. Për këtë qëllim KP vendosi edhe themelimin e Fondit “Vendlindja thërret”, që të grumbulloheshin ndihma financiare për atë forcë të armatosur çlirimtare. Për shkak të rrezikshmërisë dhe për hir të konspiracionit, KP ngarkoi Kryesinë të caktonte pjesëtarët e S.r.v. Përgjegjës koordinues për Fondin KP pat zgjedh Musa Xhaferrin…

Në vitin 1995 ndodhi të na vinë kërkesa për ndihma financiare
nga “grupet guerile” në Kosova. Për shkak të lidhjeve shoqërore ato kërkesa i erdhën LPK/Nëndega në Gjermani. Grupi gueril i Drenicës, i komanduar nga Adem Jashari, kërkesat i bëri përmes Fehmi Lladrovcit (atëherë kuadër i Lëvizjes në Gjermani), Grupi gueril i Llapit/Gollakur, i komanduar nga Zahir Pajaziti, kërkesat i bëri përmes Sabri Kiçmarit dhe Ali Ramës, ndërsa Grupi gueril i Dukagjinit, i komanduar nga Adrian Krasniqi, kërkesat i bëri përmes Sali Kelmendit. Kryesia e Lëvizjes/Nëndega në Gjermani iu përgjigj atyre kërkesave me ca mjete modeste që dispononte, meqë ndihmat e Fondit dhe 60 % të anëtarësisë i dorëzoheshin Kryesisë së Lëvizjes/Dega j.v. (e cila ishte e përqendruar kryesisht në Zvicër, për shkak se shumica e anëtarëve të saj jetonin në Zvicër). Për ato ndihma që pat dërguar Kryesia e Nëndegës në Gjermani, u hidhërua Kryesia e Degës (në Zvicër). Në vitin 1996 u thirra të merrem në përgjegjësi nga Kryesia, për shkelje të “centralizmit demokratik” që kishte bërë Kryesia e Nëndegës në Gjemani – me dërgim të ndihmave financiare UÇK-së në Kosovë. Në atë mbledhë do të informohem se ato tre grupe guerile nuk ishin fare pjesë e UÇK-së. Aty do të informohesha se anëtarë të S.r.v. ishin Xhavit Haliti, Ali Ahmeti dhe Azem Syla, kurse UÇK në Kosovë ishte Nait Hasani, Rexhep Selimi, Sokol Bashota, Gjeladin Gashi dhe tre-katër pjesëtarë tjerë që i komandonte ai “shtab”. Aty dhe pastaj informohem se ata ishin të kooptuarit e Xhavit Halitit (Naita Hasani) dhe të Azem Sylës (Rexhep Selimi, Xheladin Gashi, Sokol Bashota), kurse Ali Ahmeti i mbante lidhjet me komandantët e tre grupeve guerile (Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe Adrian Krasniqin), të cilat Xhavit Haliti dhe Azem Syla ua pamundësonin të ishin pjesë e UÇK-së, sepse nuk e pranonin telekomandimin e tyre nga Zvicra…

Gjatë vitit 1995 Kryesia e Lëvizjes/D.j.v. u përcaktua ta emëronte forcën e armatosur çlirimtare, meqë ato tre grupe guerile po i shpeshtonin sulmet guerile. Në një mbledhje të saj, ndoshta në maj 1995, të mbajtur në Luzern të Zvicrës, Kryesia përcaktohet për emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Pas asaj llogaridhënie në Kryesi për shkelje të “centralizmit demokratik”, në verë 1996, ato zhvillime “problematike” u bartën në Këshill të Përgjithshëm. Deri atëherë Kryesia e kishte privuar KP nga informimi me zhvillime në “terren” – se mjetet financiare të Fondit “vendlindja thërret” dhe rreth 60 % të anëtarësisë po i dorëzoheshin Xhavit Halitit, që ai t’ia përcjellte UÇK-së në Kosovë, e ato po “avulloheshin” kryesisht në Tiranë po nga Xhavit Haliti. Gjithashtu Kryesia nuk na kishte informuar se Xhavit Haliti e Azem Syla po sabotonin përfshirjen e të gjitha grupeve guerile në UÇK, se Kryesia nuk e kishte nën kontroll Xhavit Halitin dhe Azem Sylën e S.r.v., ndërsa Ali Ahmeti po mbante lidhjet me grupet guerile, të cilat nuk ishin pjesë e uçk-së së Xhavit Halitit, Azem Sylës, Nait Hasanit, Rexhep Selimit…

Aty e tutje zuri fill fraksionimi i KP dhe Degës, në përkrahës të Kryesisë, që kishte bërthamë dogmatike e autoritariste Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gafurr Elshanin, Xhavit Halitin, e cila për dekor intelektual kishte mësuesin e gjuhës shqipe Fazli Veliu (kryetar i Kryesisë) dhe magjistrin e drejtësisë Muhamet Kelmendi (nënkryetar i Kryesisë), dhe përkrahës të Xhavit Halitit dhe Azem Sylës, që tashmë u identifikuan se figura kryesore të UÇK-së. Fatkeqësish, përkrahës të Xhaviti dhe Azemit u shquan Jashar Salihu, Agush Buja, Bardhyl Mahmuti, Adem Graboci, Bilall Sherififi, Shaban Muja dhe ca të tjerë. Më rezulton se këta i kishte dëshpëruar dogmatizmi dhe autoritarizmi i bërthamës së Kryesisë (Emrushi, Aliu, Gafurri dhe Xhaviti), prandaj u përcaktuan ta përkrahin Xhavitin e S.r.v., gjegjësish të UÇK-së, siç besonin gënjeshtrat e tij.

Përpjekjet e Kryesisë për të sanuar gjendjen e Lëvizjes dhe UÇK-së në Kosovë nxiten policinë e Serbisë që të intensifikonte sulmet kundër kuadrove kryesorë gjatë vitit 1997. Prandaj në Janar 1997 ndodhen burgosja e Nait Hasanit (kryesues i “shtabit qendror” të uçks-së së Xhavitit dhe Azemit) dhe të tjerëve, vrasjet e Zahir Pajazitit, Hakif zejnullahut dhe Edmon Hoxhës (31.01,1997), vrasja e Adrian Krasniqit gjatë sulmit gueril policisë në Kliqinë të Pejës (16.10.1997), sulmet Grupit gueril në Drenicë, etj.

Hashim Thaçi, si azilkërkues në Zvicër, në vitin 1994 u sistemua në Nëndegën e Lëvizjes në Zvicër. E njoha gjatë pjesëmarrjes së tij në dy-tre mbledhje të KP, si mysafir. Tashmë kishte ndodhur mitizimi i tij si bashkëluftëtar i Adem Jasharit (meqë kishin qenë bashakrisht në një aksion gueril), si student-prorektor i Universitetit të Prishtinës, si pjesëtar i grupit të organizimit të Mbledhjes së katërt të përgjithshme, etj. Fatkeqësisht nuk mundi të imponohej si kuadër, meqë kishte paraqitje dhe përgatitje mjerane intelektuale. Prandaj, u zhduk si “shurrë pule”. Mendoja mos ndoshta për shkak të injorimit që i ndodhi. Por, rezulton se ai tashmë ishte transferuar si marionetë e DGSE-së famoze franceze, e cila atëherë ishte më serbofile se sa BIA e Serbisë…

Nga investigimet e pastajmë me rezultoi që Hashim Thaçi ka shpërdoruar studentët në Universitet në Prishtinë, të organizuar në Lëvizjen Popullore, që të imponohet si student-prorektor, duke falsifikuar për këtë qëllim edhe certifikatën e notave…

Hashimin e ritakova në fund të marsit apo në fillim të prilli 1998 në Hotel “Tirana” në Tiranë, kur mu lut për organizim të një bisede me Qerim Kelmendin (Vëllain tim, tashmë të ndier), i cili bashkë me Ilir Konushevcin ishin koordinues të sektorit logjistik të UÇK-së për të fut fshehurazi armatim e municion në Kosovë. Hashimi aty pozoi kuadrin komandues të UÇK-së dhe kërkonte nga Qerimi t’i subordinohej. Qerimi i kërkoi të ofronte dëshmi, kush, kur, çka e kishte caktuar Hashimin, meqë nga gushti 1993 nuk kishte bërë asgjë për UÇK-në. Hashimi nuk ishte në gjendje të na mashtronte, sepse Qerimi e njihte mirë gjendjen në Kosovë ndërsa unë e njihja organizimin në emigracion. Prandaj bisedimi që përfunduar pa ndonjë marrëveshje e mirëkuptim (ishte i pranishëm edhe Kadri Veseli…).

Deri në mars 1998 nuk ia dolëm të sanojmë sabotimet nga Xhaviti e Azemi dhe sulmet e policisë serbe, prandaj shpërthimi i Kryengritjes së armatosur çlirimtare me rastin e Epopesë së Jasharëve në Prekaz, gjeti UÇK-në pa komandë dhe pa radhë të sistemuara. Në atë gjendje alarmante Kryesia e Lëvizjes u transferua në Tiranë, duke e improvizuar rrollin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, e cila ishte e bërë e famshme, edhe pse nuk kishte kurrfarë strukture ushtarake. Deri sa Kryesia po mundohej ta koordinonte organizimin në Kosovë dhe në Shqipëri, duke pas në dispozicion Selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, Xhavit Haliti dhe Azem Syla, edhe pse ishin anëtarë të Kryesisë, po realizonin komplotin kundër Lëvizjes dhe UÇK-së, meqë kishin potencial më të madh financiar se sa Kryesia. Kjo sepse Jashar Salihu, Agush Buja dhe të tjerë, ndihmat financiare për UÇK-në që i grumbullonim në emigracion, ia dorëzonin Xhavit Halitin, nga se ishin të mashtruar se ai ishte kryeshef i UÇK-së.
Nga gjysma e prillit 1998 Kryesia u ndie e mundur nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla, prandaj u vendos të mbanim Mbledhjen e përgjithshme, për mendim timin e jashtëzakonshme, për disa të tjerë po numërohet “Mbledhja e pestë”. U mbajt në fillim të majit 1998, në Zvicër. Në atë Mbledhje u kontrabandua si pjesëmarrës Hashim Thaçi, pa qenë as delegat as anëtar i ndonjë institucione që kishte të drejtë statutare për pjesëmarrje në mbledhje të përgjithshme. Ai aty provoi t’i jap grusht të fortë komplotist Lëvizjes, duke shpresuar se do ta përçante, për ta tjetërsuar UÇK-në në juntë paramilitariste. Për atë qellim ngriti akuzën se Ali Ahmeti dhe Emrush Xhemajli ishin fajtorë për vrasjen e Luan Haradinajt në kufirin Shqipëri-Kosovë, më 6 maj 1997, në përpjekje për të fut në Kosovë Fehmi Lladrovcin me bashkëluftetarë dhe akuza të tjera bombastike. Fatmirësish pjesëmarrësit në Mbledhje të përgjithshme ruajtën qetësinë. Mbledhje vendosi formimin e komisionit hetimor për të shqyrtuar ato akuza (i cili pat konstatuar se Hashimi kishte shpifur). Mbledhja zgjodhi KP. KP zgjodhi Kryesinë. Tashmë u përvijuar dyzimi. Në Kryesinë 7-antarëshe, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti, Agush Buja, ishin pro Xhavit Halitit, Azem Sylës e Hashim Thaçit, ndërsa Ali Ahmeti, Sejdi Gega dhe unë ishim kundër. Kryetari Bedri Islami simulonte neutralin, e në realitet antonte më shumë nga gjysma jonë. Por komploti kishte marrë përmasa dhe nuk u bëmë në gjendje t’i bënim zap Xhavitin, Azemin e Hashimin…

Fatkeqësisht përmasat e komplotit kundër UÇK-së po rriteshin, sidomos në Tiranë, Shqipëri, emigracion, por jo edhe në Kosovë, meqë atje këta komplotistë nuk kishin zuzë të komplotonin aq hapur, sa jashtë Kosove, sepse tashmë në Kosovë Epopeja e Jasharëve kishte nxit revoltë dhe eufori për kryengritje, e cila po rritej në mënyrë eksplozive, nën akronimin e afirmuar UÇK. Bërthamë e asaj kryengritje ishin ish-grupet guerile. Argatët e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës ishin margjinalizuar krejtësisht. Po vetë-organizohej UÇK-ja e Vegjëlisë çlirimtare në zona, duke vetë-zgjedhur shtabet e zonave, që përbeheshin kryesisht nga ata që kishin informacion për sabotuesit dhe komplotistët Xhaviti Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi. Megjithatë komplotin e ndihmonte shumë fuqia financiare, meqë të gjitha ndihmat financiare të UÇK-së përfundonin në kthetrat e tyre, falë lajthitjes së Jashar Salihut, Agush Bujës dhe argatëve të tyre. Por atë bandë tashmë e financonte edhe “kryeministri” Bujar Bukoshi (për bindjen time, me urdhër të Beogradit neofashist). Pjesë e komplotit ishte edhe vrasja e Ilir Konushevcit, me 9 maj 1998, në Qafë Mali (Shqipëri), kur ishte duke transportuar kamion me armë e Municion për në Tropojë. Me atë rast vritet edhe Doktori tropojan Hazir Mala, i cili po e shoqëronte Ilirin në atë angazhim. Ilirin e vranë sepse dinte shumë për komplotet e Xhavit Halitit dhe Azem Sylës dhe nuk pranonte t’u subordinohej atyre. Edhe “tubimi” në Osllo, po në maj 1998, për “bashkim të UÇK-së dhe FARK-ut”, ishte pjesë e komplotit. Për atë komplot Xhavit Haliti shpërdoroi edhe Adem Demaçin. FARK-un e përfaqësonin Ahmet Krasniqi dhe Agim Mehmeti. Aty u dakorduan për zhbërje të UÇK-së, por nuk munden ta realizonin në praktikë. Pjesë e komplotit ishte edhe caktimi i Adem Demaçit si përfaqësues politik i UÇK-së, në korrik 1998, nga Xhavit Haliti, sigurisht me miratim të Beogradit, përndryshe AD nuk do të tolerohej të krekosej si përfaqësues politik i UÇK-së në Prishtinë. Ndërsa komplot tepër goditës qe grabitja e rreth 60 % të ndihmave financiare që në Emigracion i grumbulluam për UÇK-në, nga ana e Xhavit Halitit, Azem Sylës dhe Hashim Thaçit…

Meqë UÇK-ja u bë forcë që nuk mund ta injoronin Serbia dhe shtetet përkrahëse të saj (pothuajse e gjithë bota, fatkeqësisht edhe kryeministri Fatos Nano), shërbimet e huaja dhe diplomacia operative, që ishin përcaktuar ta viktimizonin Kosovën, me insistim të BIA së Serbisë dhe DGSE-së së Francës, e profilizuan marionetën Hashim Thaçi si “udhëheqës politik” të UÇK-së, edhe pse nuk e kishim zgjedh as emëruar në asnjë strukturë komanduese as përfaqësuese.

Në qershor 1998 në Kosovë futet edhe koloneli Bislim Zyrapi. Ai bashkë me ushtarakë tjerë fillojnë improvizimin e shtabit të përgjithshëm, i cili kishte në përbërje nga komandantët e zonave, por si bërthamë operative kishte ca argatë të Xhavit Halitit, Azem Sylës dhe Hashim Thaçit. Shtabi i Përgjithshëm, i mirëfilltë, nuk ia doli të bëhej asnjëherë, sepse e pengonin komplotistët dhe marionetat e shërbimeve armiqësore…

Hashim Thaçi kishte frikë konkurrencën e Behajdin Allaqit, i cili në vitin 1993 ishte udhëheqës i Lëvizjes në Kosovë; në Mbledhjen konsultative në Kollare të Kërçovës (prill 1993) Hashim Thaçi, i kompleksuar si pseudo intelektual, konfliktuohet me Behajdinin. Në qershor 1998 Hashim Thaçi urdhëron Policinë ushtarake të UÇK-së ta arreston Behajdinin, i cili tashmë ishte angazhuar edhe në UÇK. Me 11 qershor 1998 Hashim e merr në dorëzim, duarlidhur, Behajdin Allaqin. Nga ai moment nuk dihet më për Behajdinit, kush, ku, përse e “zhduku”…

Serbia kishte një miratim të heshtur (konspirativ) nga Bota, që deri në fund të dimrit 1998-99 ta shtypte luftën çlirimtare të Vegjëlisë së Kosovës, e cila bëhej nën koordinim të UÇK-së. Ajo, e frymëzuar nga shpirti i sakrificës së çlirimtarëve e sfidoi Serbinë neofashiste! Për këtë merita të mëdha pati edhe gatishmëria e popullsisë, kryesisht fshatare, për sakrifica deri në fitore.

Meqë Serbia nuk ia doli të shtypte UÇK-në, Bashkësia “ndërkombëtare” u përcaktua ta viktimizonte Kosovën përmes një konference ndërkombëtare. Me insistim të DGSE-së serbofile franceze ajo u vendos të mbahej në Francë, buzë Parisi, në Kështjellën e Rambujesë (Rambouillet). Diplomacia operative përcaktoi pjesëtarët e delegacionit “kosovar”. Serbia caktoi delegacionin e saj. Në Rambuje DGSE-ja imponoi Hashim Thaçin kryetar të delegacionit (operativ për këtë ishte Danjaen ARNAUD, shef i drejtorisë për Ballkanin, i DGSE-së, i cili gjatë gjithë kohës në Kështjellë e mbante nën kontroll e komandë “shokun” e tij, Hashimin). Në përmbyllje të Konferencës organizatorët u përcaktuan të impononin një marrëveshje pro Serbisë, por delegacioni i Serbisë dhe Hashim Thaçi refuzuan ta nënshkruajnë (me 23.02.1999). Me 18 mars 1999, me presionin që Amerika, Anglia, Gjermania, ia bëjnë kryetarit të Francës, për të urdhëruar DGSE-në ta lejonte Hashim Thaçin që ta nënshkruante, marrëveshja u nënshkrua nga krerët e delegacionit “kosovar” dhe nga përfaqësuesit amerikan e britanik. Fatmirësisht delegacioni i Serbisë nuk e nënshkroi. Kjo bëri që Udhëheqja e Amerikës të hidhërohej, edhe pse deri në ato momente ishte përcaktuar për ta viktimizuar Kosovën. Prandaj pasoi vendimmarrja që NATO të intervenonte për të evituar katastrofën humanitare, siç u bë arsyetimi zyrtar.

Para ca ditëve luta Kolonelin gjirokastrit Dilaver Goxhaj, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të më informonte për përbërje të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ja përgjigja e tij:

“Kur shkova unë, më 7 MARS 1999, në SHP ishin anëtarë: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Ramë Buja (keta te katert, pas disa ditësh u nisen për në Rambuje, dhe kthehet vetëm Thaçi me Rame Bujen me 12 prill, duke sjelle me vete edhe Agim Çekun si dhe Shukri Bujën (komand i zonës operative të Nerodimës, deri atë ditë e drejtonte Komandant Ferri). Deri në këtë datë AGIM CEKU nuk ka qenë në Kosove asnje dite.

Shtabi i Përgjithshëm përbehej nga:

1. Sylejman Selimin (komandant SHP),
2. Agim Çeku (komandant SHP nga 12 prilli 1999),
3. Bislim Zyrapi (Shef I SHP),
4. Hashim Thaçi (drejtor i drejtorisë politike),
5. Jakup Krasniqi (zëdhënës),
6. Kadri Veseli (Shef i Zbulimit),
7. Sejdi Veselin (Shef Operativ),
8. Sokol Dobrunen (Drejtor i drejtorisë Juridike),
9. Rexhep Selimin (Inspektori I SHP),
10. Fatmir Limaj (Shef i Policise Ushtarake i UCK),
11. Idris Hyseni (Shef i Logjistikes),
12. Adem Grabovci (Shef financiar),
13. Bardhyl Tahiri (erdhi me mua, dhe u emërua Shef i Xhenos);
një djalë nga Reçaku me mbiemër Syla (Shef i Ndërlidhjes),
14. Mensur Kasumi (Shef I Kundërzbulimit).
15. Ekrem Rexha (Drini), anëtar SHP, i cili kishte qene komandant i Zones II Operative “Pashtriku” dhe u zëvendësua nga Tahir Sinani.
16. Ramë Buja, anëtar
17. Hajdin Abazi, alias Lum Haxhia (ga fundi i muajit mars erdhi ne SHP edhe, i cili u ngarkua me detyrën e zëdhënësit të SHP derisa shkoi në Shqipëri me Bislim Zyrapin për Operacionin “Shigjeta”;
18. Durak Zyrapi (Shef i Shendetesise).
19. Mustafa Gashi, Shkrues, Evidencier dhe shef i Arkivit;
20. Shqipe Ahmeti, kompjuteriste
21. Ahmet Qeriqi – Drejtor i Radio “Kosova e lirë”;
22. Berat Luzha – drejtor i Agjencisë Kosovapress.Thuhej se edhe komandantet e zonave ishin anëtarë të SHP, por unë nuk i pash ndonjëherë në SHP. Unë kam komunikuar me ta, por duke u dhënë udhëzime apo urdhra. Vet nuk kam diskutuar me ta për ndonjë vendim që kemi marrë. Nëse e ka bërë Bislim Zyrapi, atë e di Bislimi. Unë i pash kur erdhën në bisedimet me Xheksonin, 18-20 qershor 1999, për demilitarizimin e UÇK, ku unë u caktova të mbaja protokollin dhe të bëja zëdhënësin e SHP. Në këtë datë rierdhi në SHP Hashimi, i cili në 10 maj kishte ikur përsëri në Evropë, bashkë me Jakup Krasniqin, i cili kish ngelur në Tiranë prej 19 marsit 1999 deri në mbarim të luftës.
Mundet të ketë qenë edhe dikush tjetër, por unë këta mbaj mend.”

Po me imponim të DGSE-së, në Rambuje Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi u morën vesh për krijim të “qeverisë së përkohshme”, me kryeministër Hashim Thaçin. LDK asnjëherë nuk caktoi ministra për atë qeveri, prandaj mbeti vetëm një simulim bastard, të cilën OKB-ja e toleroi vetëm disa muaj.

Me 20 qershor 1999 Hashim Thaçi firmosi zhbërjen e UÇK-së…

Fatkeqësisht Hashim Thaçi e mori seriozisht Zyrën e Prokurorit të Specializuar, se do t’i ngrittë akt-akuzë, prandaj ekstra u imponua president i Kosovës, me shpresë se do ta anashkalonte padinë. Por ndodhi ajo që nuk e prisnim Hashim Thaçi dhe askush nga në optimistët naivë. Aktaakuza që është bërë është një goditje e rëndë për Kosovës, sepse qysh pardje (me 24 qershor) po përhapen lajme se presidenti i Kosovës është akuzuar si kriminel lufte për t’u gjykuar në Den Hagë…

Konstruktive është të mos protestojmë. Përkundrazi, të kontribuojmë që të shqyrtohen sa më shpejt shpifjet e Serbisë dhe serbofilëve përkrahës, që Shteti i Kosovës të shkakrkohet nga kjo barrë e rëndë, komprometuese.

Edhe njëherë: nga kjo paraqitje rezulton se ata që e mbrojnë Hashim Thaçin, komprometojnë UÇK-në dhe Kosovën!

[Më falni, nuk po kam kohë e vullnet të shkruaj më shkurt e më shqip, as t’ia jap dikujt për korrigjim drejtshkrimor. Mirëpres sidomos bashkëveprimtarët, që të më ndihmojnë në korrigjim të ndonjë pasaktësie dhe me plotësim të informacionit, por sidomos me kritika objektive e konstruktive.]

 

***
Në foto me shefin e DGSE-së franceze, Danjaen ARNAUD, Hashim Thaçin e Bilall Sherifin (në samitin për Kosovën në këln, qershor 1999).