Home / Opinion / PA LISTA TË HAPURA NUK KA DEMOKRACI DHE SHTET LIGJOR

PA LISTA TË HAPURA NUK KA DEMOKRACI DHE SHTET LIGJOR

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Kriminelëve që nuk dinë të skuqen duhet t’u injorohen fletëvotimet, listat dhe fytyrat e tyre të nxira.

Pushteti në Maqedoninë Veriore, në emër të demokracisë dhe tranzicionit, tri dekada me radhë, përmes propagandës së fuqishme të medieve nën kontrollin e tij, megafonave të paguar dhe argatëve në terren, kryesisht mbeturina të ish-regjimit komunist, arriti që t’ua mbushë mendjen qytetarëve të vendit se:

-privatizimi kriminal i fabrikave dhe ndërmarrjeve, pronë e qytetarëve, shoqërisë dhe e shtetit, kinse është vlerë demokratike dhe vepër atdhetare në të dobi të qytetarëve dhe të shtetit;

– vjedhja e madhe e parave të buxheteve, të kredive dhe ndihmave nga jashtë, kinse është vlerë demokratike dhe vepër atdhetare;

– rikthimi i pushtetit në duart e fundërrinave të ish-regjimit komunist dhe argatëve të shërbimeve sekrete ish-jugosllave, kinse është vlerë demokratike dhe vepër atdhetare;

– krijimi, forcimi dhe ngritja në pushtet e individëve, grupeve dhe bandave kriminale, me dosje të trasha krimesh në organet e ndjekjes dhe gjykatat e vendit dhe jashtë vendit, kinse është vlerë demokratike dhe vepër atdhetare;

– llumi i ish-agjenturave të fshehta, kryerësit e krimeve të rënda dhe të gjenocidit të pandëshkuar mbi shqiptarët nga ish-regjimi komunist jugosllav, kinse janë vlera të demokracisë dhe vepra të dobishme për qytetarët dhe shtetin;

– rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare, përmes disa rezolutave për dënimin e krimeve të komunizmit që vlejnë për të gjitha shtetet e ish-bllokut socialist, kinse nuk vlejnë për vendin tonë, sepse këtu duhet edhe më tej të shtypen dhe masakrohen shqiptarët nga pushteti dhe mercenarët në shërbim të tij;

– se shqiptarët para se t’i zgjidhin problemet e shtresuara, të trashëguara nga e kaluara nën okupime të gjata dhe sundime të huaja, kinse nuk paskan nevojë të përkushtohen dhe luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre kombëtare të shkelura e nëpërkëmbura, sepse në radhë të parë u paska munguar e drejta e besimit dhe praktikimit të fesë, prandaj u dashka të jenë besimtarë të devotshëm, të përkushtuar kryesisht për botën tjetër, jo edhe për këtë botë, e cila u paska takuar vetëm “të tjerëve”, pushtuesve dhe sunduesve, sipas këtyre besimtarëve të rrejshëm, të cilët asgjë nuk kanë të përbashkët me vlerat njerëzore, humanizmin, besimet fetare, librat e shenjtë dhe Zotin, krijuesin e plotfuqishëm të botës dhe njerëzimit, por punojnë e propagandojnë për përfitime materiale dhe interesa personale, duke u shërbyer agjenturave dhe interesave të huaja;

– me këto vlera të rrejshme të demokracisë dhe “vepra të mëdha patriotike”, politike e fetare, ka kohë që janë mashtruar shumica e qytetarëve vendës, kinse janë në dobinë e tyre dhe të shtetit.

Përderisa vazhdojnë edhe më tej forca politike të këtij profili të demokracisë, që u shiten qytetarëve dhe votuese edhe përmes fushatës për zgjedhjet parlamentare të radhës, të 15 korrikut të këtij viti, vlerat e mirëfillta të demokracisë, humanizmi dhe parimet morale, shteti ligjor, liritë dhe të drejtat e qytetarëve do të mbeten edhe më tej ëndërr e largët për qytetarët e këtij shteti, sidomos për shqiptarët, të cilët çdo ditë e më tepër këtë shtet nuk e ndjejnë për të vetin dhe largohen nga vendlindja si të përvëluar, i braktisin trojet e veta etnike sikur të ishte një vend i mallkuar, që është i destinuar të shndërrohet në shkretëtirë dhe kaos, ku veten e ndjejnë mirë vetëm bandat kriminale, të cilat e përdorin vendin si pikë karburanti për makinerinë e tyre vrasëse, si laborator dhe fabrikë drogash helmuese për shkatërrimin e njerëzimit, vetëm për pasurimin e disa bandave kriminale vendëse, në shërbim të nëntokës dhe krimin ndërkombëtar.

Këto banda, nëse për interesa të veta i toleron pushteti dhe organet e drejtësisë, ndërsa kriminelët nuk dinë të skuqen, mund të ndalen vetëm duke ua injoruar fletëvotimet, listat dhe fytyrat e tyre të nxira, sepse përvoja e derisotme na ka mësuar mjaftueshëm, që këta mund të jenë gjithçka përveçse përfaqësues të interesave të qytetarëve dhe të shtetit.

 

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...