Esat Pashë Toptani nuk ua shiti Shkodrën malazezëve – Gazeta Impakt

Esat Pashë Toptani

Ditëve të fundit kemi parë disa paraqitje në lidhje me Esat Pashë Toptanin. Është lajmëruar një tendencë që mëton ta vendosë këtë njeri në një paragon që qëndron në mes kampit të tradhëtarëve dhe heronjëve. Tendenca lëvizë në drejtim të shtyrjes së tij për të rënë në kampin e heronjëve. Kjo bëhet me dyshimin se ajo që është thënë deri sot për të mund të mos jetë e vertetë. Helbete, mos kemi gabuar me të kur e kemi vlerësuar deri tash.

Problemi me Esat Pashën është ambicja e tij politike e tejtheksuar dhe mungesa e vetëdijes kombëtare. Ambicja e bëri oportunist të paskrupullt dhe pasi që kishte mentalitet mesjetar, në fazën e zhvillimit të nacionalizmit dhe themelimit të shtetit shqiptar, u bë pengesë serioze. Ai ishte aq i zhdërvjelltë sa që ishte prezent, si faktor primar, në të gjitha ngjarjet kryesore të historisë shqiptare të kohës së tij. Nuk mund të përjashtohej për shumë arsye dhe do të punonte për interesa personale duke bashkëpunuar me secilin pa marrë parasyshë nëse veprimi ishte kundër interesit kombëtar.

Esat Pasha ua dorëzoi malazezëve qytetin kryesor të Shqipërisë, Shkodrën; E pengoi procesin e krijimit të shtetit shqiptar duke e kundërshtuar qeverinë e Ismail Qemalit dhe atë të princ Wiedit; Iu bashkua ushtrisë serbe për ta ndihmuar që të kalonte nëpër Shqipëri për të shkuar në Korfuz; e ndihmoi shpëtimin e kësaj ushtrie duke mos e pasur parasyshë që kjo kishte kryer gjenocid ndaj shqiptarëve dhe këtë qëndrim e kishte ende; Bëri marrëveshje me Serbinë së cilës i jepte territor shqiptar aq sa do të dëshironte ajo kurse pjesa e mbetur do të ishte vazale e saj; Greqisë ia dha jugun; Veproi kundër Austro-Hungarisë e cila ishte merituesja kryesore e formimit të shtetit shqiptar; Hyri në shërbim të Italisë dhe fuqive tjera për t’i zbatuar programet e tyre për ndarjen e Shqipërisë; etj.. etj.

Tashti, si quhen njerëzit që punojnë kundër interesave të shtetit të tyre e në dobi të shtetit që ka qëndrim armiqësor? Cili është definicioni për këta njerëz? Cila fjalë pos asaj tradhëti – tradhëtar, e mbulon veprimin dhe personalitetin e Esat Pashë Toptanit?

Esat Pasha u varros në mesin e atyre, të cilët kishin vrarë e masakruar qindra mijëra vellëzër apo bashkatdhetarë të tij. Prandaj, ai e meriton plotësisht këtë varr.

Në foto shihet varri i Esat Pashës, të cilit i vendos lule Aleksandar Vulin, ish ministër i Serbisë për çështje sociale dhe për Kosovën.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/