Home / Lajme / Akademik Mehmeti:Po vjen, po vjen Vetëvendosje në Maqedoni!

Akademik Mehmeti:Po vjen, po vjen Vetëvendosje në Maqedoni!

LËVIZJA VETËVENDOSJE NË MAQEDONINË VERIORE

Para dy ditëve u bë publike edhe nga vetë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë se, ajo do ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në Maqedoninë Veriore, siç ka vepruar më herët në Tiranë dhe siç parashikon në të ardhmen të shtrihet edhe në viset tjera shqiptare dhe në Mërgatë.

Ky nuk përbën një lajm të ri për opinionin vendës në Maqedoninë Veriore, sepse krerët e kësaj Lëvizje kanë operuar në terren edhe më herët, sidomos në përpjekjet për unifikimin e faktorit politik shqiptar vendës (2016), në fushatat parazgjedhore të disa partive politike dhe në zgjedhjet e fundit presidenciale (2019), në mbështetje të kandidatit shqiptar për kryetar shteti në Maqedoninë Veriore.

Askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë këtë nismë, as ta pengojë lindjen e ndonjë fryme të re politike në amullinë prej disa dekadave në lëvizjen politike të shqiptarëve në këtë shtet. Kjo e drejtë demokratike e garantuar edhe me ligj nuk duhet t’u pengojë qytetarëve shqiptarë dhe as partive politike ekzistuese të tyre, por gjithsesi duhet të analizohet dhe diskutohet ana e saj e dobisë së mundshme, apo e dëmeve që mund t’i sjell ky veprim politik në një situatë tejet të turbullt ku ndodhen aktualisht shqiptarët në nivel të përgjithshëm kombëtar.

Në një ambient politikisht të degjeneruar për tri dekada me radhë, të kontaminuar nga propagandat e huaja me ideologji jokombëtare, politike e fetare, me një klasë politike të korruptuar dhe komprometuar dhe një klasë intelektuale pa formim të duhur kombëtar, me përplasje të fuqishme interesash mes shumë partive politike ekzistuese, jo për koncepte dhe interesa kombëtare por për pjesëmarrje në pushtet, kjo frymë politike që synohet sot është e vonuar së paku për dy dekada, ndërsa krahu i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë Veriore mund të shndërrohet lehtë në forcë politike joproduktive, ta humb kuptimin thelbësor të programit dhe filozofisë së saj të veprimit, duke u shndërruar nga një Lëvizje për Vetëvendosje në një Lëvizje për Vetëqeverisje dhe Vetëshkatërrim, e kontrolluar nga rrjetet neo-komuniste dhe neo-otomane vendëse, të cilat kanë marrë hov gjatë viteve të fundit, me përkrahje të fuqishme financiare nga jashtë dhe medie të kontrolluara prej tyre, në tërë hapësirën etnike shqiptare dhe sidomos në Maqedoninë Veriore.

Aktualisht, shqiptarët kanë nevojë më tepër se kurrë për njësimin e faktorit politik në tërë hapësirën etnike. Forcat politike aktuale, me lëvizje, parti e grupime të tjera, në tërë hapësirën shqiptare, gati me asgjë nuk dallohen mes tyre për nga orientimet ideologjike dhe qasjet ndaj çështjes kombëtare shqiptare në rajon dhe në pjesët e saj, si çështje tanimë të ndara, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Mali i Zi, si dhe format tjera të lëvizjeve të zbehta politike e kombëtare në Çamëri apo në Sanxhak (Krahina e Rrasës).

Çështja më e rëndësishme në këtë periudhë mbetet forcimi i bashkëpunimit institucional në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal (Ballkani Perëndimor, Karta e Adriatikut etj.) ndërsa nxitëse dhe paravajtëse të këtij bashkëpunimi duhet të jenë forcat politike progresive në shtetet përkatëse, madje edhe në nivele të pushteteve vendore, për t’i dhënë kahe dhe frymë kombëtare këtij bashkëpunimi, jo të veprohet në kahe të kundërt të këtij procesi, me shtrirjen e aktiviteteve, programeve dhe ambicieve të partive dhe lëvizjeve politike të veçanta, të importuara nga një hapësirë shtetërore dhe etnike në tjetrën (ndikime të jashtme, jo autoktone), pa u dëshmuar së pari në terrenin e tyre bazë dhe pa ndërtuar mekanizma të bashkëpunimit institucional, funksional dhe të dobishëm, mes qeverive dhe institucioneve, të shteteve shqiptare dhe shteteve të tjera ku shqiptarët janë pjesë e pushteteve (jokombëtare), si dhe në kuadër të proceseve integruese globale. Jo pse kështu dëshirojnë shumica e shqiptarëve, por pse kjo u imponohet nga vonesa e përhershme e shqiptarëve në kapjen e hapave të nevojshëm në rrjedhën e proceseve për ndryshime vendimtare.

(13.VI.2020)

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...