Home / Opinion / Nder dhe moral lypset për të krijuar aleanca Ese politike

Nder dhe moral lypset për të krijuar aleanca Ese politike

          AlbaniaPress.com / ShqiperiaPress.com - AFRIM MORINA: Poezi

 

  Afrimi Morina

 

            Ata që e njohin zhvillimin e civilizimit të shoqërisë dhe kalimin e saj nëpër formacione ekonomike fillimisht dhe atyre politike së fundmi, e dijnë që politika është zanati i dytë i shoqërisë njerëzore. Kjo duket paksa e quditshme, por edhe realiteti i sotëm, tregon se ky është profesioni më i lehtë. Mu për këtë kemi edhe marrjen me politikë të të gjithëve, duke mos ditur se shumë lehtë futen në këtë batak të imoralitetit, e që nuk do të pastrohen kurrë. Kjo e kthen njeriun në komunitetin primitiv, jeta në Tufë, me moralin e asaj kohe, me muskujt e asaj kohe dhe me logjikën e asaj kohe. Çfarë ishte morali i këtij profesioni të dytë, i asaj shoqërie, e shohim edhe sot, por me mjete tjera. Në radhë të parë përmes propagandës. Atë botë nuk kishte propagandë se të gjithë njerëzit e Tufës e njihnin njëri tjetrin dhe nuk kishte nevojë për reklamë. A do të jetonte njeriu i sotëm, me këtë profesion, pa propagandë të çfarë do lloji të jetë? Qoftë të asaj që shpie shoqërinë njerëzore drejtë emancipimit edhe më të madh, qoftë të atyre që janë futur në vallen e moralit të Tufës.

Të pakët janë ata që bëjnë dallim për nga morali, në këtë kohë dhe atë kohë. Ata që e dinë se deri ku mund të shkojnë, nuk lejojnë të bëhen palaqo. Lakmia e të dy kohërave për këtë profesion ishte dhe është në kulmin e saj, sa nuk zgjedhen mjete e forma për plotësimin e apetiteve. Këto apetite, sot e jo dje, bëhen pa ujë në sy. Do të thotë pa pikë turpi, se turpin ia hedhin asaj kohe, e cila e bënte punën e vet, duke mos ditur se çka është e moralshme e çka jo. Këta nuk duan të merren me atë kohë, sepse u del pengesë përpara në zhvillimin e programit e vet, në arritjen e synimeve të veta dhe punë e madhe për gojëkëqinjët që i akuzojnë për të pamoralshëm. E moralshme është të arrihet qëllimi, e si arrihet asnjë kohë nuk e përcakton. Kjo varet vetën nga aftësitë vetanake apo kolektive. Ngjajshëm kanë vepruar edhe njerëzit e kohës kur jetonin në Tufa. I vetmi dallim është se atëherë individi përcaktonte lojën dhe fatin e Tufës. Ka ngjajshmëri edhe sot kjo? Shumë. Mu për këtë kemi marrjen e të gjithëve me politikë. Shumë lehtë është të bësh iso, se fundja përgjegjësia është më e vogël, por edhe fitimi…? Isombajtësit, atbotë shpërbleheshin me të përbuzurën, ndërsa sot me rishtare. Ky ishte dhe është dallimi nga Tufa e njerëzve, me të sotmen. Epo, nuk do mend, dallimi duhet të jetë, sepse, gjatë këtij rrugëtimi nga ajo kohë në këtë kohë, janë vrar e përgjakur të gjitha Tufat, të gjitha feudat, të gjitha perandoritë, të gjitha kombet, të gjitha shtetet. Krahasuar me atë që ka perjetuar civilizimi i shoqërisë, nga Tufa deri sot, shpërblesa është e vogël, për isombajtësit.

Një karakteristikë tjetër e këtyre dy kohërave është lidhja e dy apo më shumë Tufave, për të zgjeruar territor, pra pushtet. Ngjashëm edhe sot. Udhëheqësit e Tufës, atëherë përmes muskujve, në shesh burrërie mateshin ndër vete se kush do të marr përsipër udhëheqjen. Fitimtarit i paranohej dhe menjëherë lajmëtari, përmes borizanit, zjarrit, zërit apo tamtamëve, jepte sinjalin e fituesit të tyre. Sot? Sot kjo bëhet përmes propagandës, mediave të komunikimit, e cila i paraprinë duluftimit për fitore. Kush është më i zëshmi edhe merr përsipër udhëheqjen e Tufës. Ai matet me prijësin e Tufës tjetër, para ekraneve televizive, në sheshe, në rrugë, por jo përmes muskujve. Muskujt sot simbolizohen me paranë. Ai që ka para edhe krijon pushtet. Kur të arrihet ky synim, lakmia i dërgon edhe në krijimin e aleancave, për të pasur pushtet edhe mbi të tjerët. Pra, pushtetin qendror. Këtu ndodh tmerri. Se marrja e pushtetit në Tufë e bashkimi i tyre, ishte domosdoshmëri e kohës. Por edhe sot është. Ama për të lidhur aleanca, lojërat ndryshojnë. Në kohën e Tufës, nuk i lejohej komoditeti për të lidhur aleanca, me atë që kishte prekur nderin e moralin e Kryetarit të Tufës. Ai më mirë do të vdiste se sa do të lejonte nëpërkëmbjen e vetë. Për këtë kishte moral. Nëse i prekej nderi e morali, më mirë do të bënte vetëvrasje, të shkonte në ndonjë shpellë apo të sillej bjeshkëve e luginave për të gjetur qetësimin e shpirtit të vet, se sa të turprohej skjashmërisht duke ndenjur përherë kokëulur. Ndërsa Tufa e ndjente vetën të fyer dhe rrinte kokëulur. Ky ishte morali i kohës. A është edhe sot ky moral? Jo!

Aleancat sot lidhen edhe me Djallin e të birin, për të plotësuar apetitet e veta. E njeriu është i pa ngopshëm në apetite dhe kurrë nuk i dihet se si t’i plotëson. Sepse sa ia plotëson njërën, tjetri apetit e pret te dera. Njeriu nuk ka kohë sot për të pritur në radhë plotësimin e apetiteve, njërën pas tjetrës, por do që të gjitha t’i plotësojë menjëherë. Kjo e bënë për të mos zgjedhur Tufën dhe njeriun e duhur për aleat. Nuk e shikon në i ka prekur në nder e moral, ruajtja e nderit e moralit i takon të kaluarës, pra Tufës, fillimit të bashkëjetesës së njerëzve. Njerëzimi ka kaluar nëpër të gjitha valët e jetës dhe është bindur se nga Tufa duhet marrë ajo që i hynë në punë, moralin, ndërsa duhet çrrënjosë nderin e moralin e udhëheqësit të Tufës. Punë e madhe nëse ia ka shijuar me gisht gjakun e vëllait, mikut, shokut, motrës e të afërmëve të tij. Punë e madhe nëse ka dhunuar vajzën, gruan, nënën, shoqen, kolegën e të afërmit e tij. Punë e madhe nëse ka qenë argat i të tretit, për të mundësuar të jetë në krye të Tufës së vet dhe ta orjentojë gjithë Tufën, që gjithnjë duhet qenë miq të asaj pale. Aleanca të tilla janë të dëmshme, të pamoralshme dhe dëmprurëse, nëpërkëmbjen, humbjen e indentitetit. Kujdes, kjo nuk guxon të ndodhë dhe të krijojë rregulla të reja dhe ata që i përfillin këto nuk i takojnë as kohës së Tufës.

Aleancat të japin forcë dhe para. Ato të japin pushtet e jetë të bujshme. Ai që di të luaj lojën e krijimit të aleancave, ai është shpëtimtari i Tufës dhe ruajtës i moralit të Tufës, edhe nëse preket në nder e moral. Mu për këtë aleancat nuk janë shumë të shëndetshme, sepse ato i bënë secila palë për llogari të vetën dhe posa t’i ipet mundësia menjëherë pasojnë nërskamca. Mu për këtë duhet shikuar mirë për ruajtjen e nderit e moralit. Ata që nuk të kanë prekur kurrë në nder e moral, mund t’i zgjedhësh për partner udhëheqje, në të kundërtën do të përfundosh si ata, pa nder e moral!

Por, më tragjikja është kur lidhen aleanca për interesin e palës së tretë, të yshtur nga kolona e pestë dhe propaganda e verdhë. Në kohën e Tufës kishte diçka të ngjashme dhe mu për këtë kemi shurje Tufash, asimilim të tyre dhe humbjen e gjurmëve të komunikimit që kishin. Ne sot nuk dijmë për shumë gjuhë e simbole hiroglife se cilës Tufë i takonin. Kjo po ndodh edhe sot. Edhe në kohën e aleancave kemi humbje të mëdha të racës tonë. Në radhë të parë humbjen e indentitetit, e të mos flasim për nder e moral. Kur nuk ka identitet, nuk mund të dish në kishte nder e moral.

Rol të madh për krijimin e kësisoj aleancave të yshtur për mbështetjen e interesit të palës së tretë ka individi. Ky individ rreth vetës ka krijuar imazhin e luftëtarit të paepur dhe mundohet të vrasë majtas e djathtas, vetëm për të arritur qëllimin e vet. Ky nuk i takon origjinës së Tufave, sepse përllogaritet si ndërmjetës i Tufave dhe palës së tretë. Pala e tretë është kujdestare për zhbërjen e Tufave, jo vetëm sot, dhe shumë herë ia ka arritur qëllimit. Ky person ndërmjetësues, duke qenë i pafuqishëm për të plasuar idetë e veta, thirret në palën e tretë, të cilën e paraqet si mbrojtës së Tufave, që i llogaritë si të tijat(!) dhe asnjëherë nuk tregon se mbrohet prej tyre, nëse e kryen detyrën me nder. Ky ka sikletin më të madh, sepse është në mes dy zjarreve, dinjitetit dhe shpëtimit. Ka zgjedhur të dytën, se pa dinjitet e moral edhe mund të jetohet. Nuk ka qejf të pësojë sikurse prijësit tëTufës kur i shkelet diniteti dhe morali. Është pajtuar të jetojë pa këto dyja. 

Kur aleancat janë të moralshme, parimore, atëherë nuk mund të futet i treti në lojë. Kjo është dhe duhet të jetë qëllimi i përkushtimit për të bashkuar Tufën me të tjarat dhe për të krijuar qëndrueshmëri të gjatë udhëheqjeje. Për këtë duhet pasur parime. Në radhë të parë, është dinjiteti dhe morali, se nëse lidhesh me të pamoralshmin, diçka humbë nga vetja. Kur lidhesh me të moralshmin të forcohet edhe morali yt. Këtë nuk mund ta shkatrrojë as kolona e pestë, e, as propaganda e verdhë dhe i pamundësohet veprimi i individit për të mbajtur të gjallë parimin e të tretit, që kurrën e kurrës nuk ka qenë me ty.

Kjo luftë në mes individit, për interesin e palës së tretë, nxjerrë nga skena një Tufë tjetër, ku besohet se e ka bazën e mbështjes dhe mundësinë e veprimit. Tufa e tij e dikurshme, heshtazi merr pjesë në zhbërjen e aleancave dhe krijimin e të tjerave, me moral edhe më të ulët. Këta paraqiten me indentit e moral të fuqishëm, por harrojnë se gjatë egzistencës së vet, moralin e lanë rrugës, duke e ditur se me të nuk mund të shkojnë askund. Ata krijuan aleanca, duke mos shikuar nderin e fituar dhe moralin, për të arritur qëllimin e më të fortit. Të përfillej nderi e morali nuk do të kishin pushtet e pasuri. Të përfillej nderi e morali nuk do të kishin ardhëmëri në kreun e Tufës. Të përfillej nderi e morali nuk kishin arritur të krijojnë propagandën e verdhë e kolonën e pestë. Tash dy kolana të pesta, e dy propaganda të verdha, nga të dyja Tufat, janë bashkuar në luftë të përbashkët, për të krijuar hapësirë për palën e tretë, por që janë shumë të kujdesshme në çdo hap që ndërrmarin, sepse në mes kanë individin. Të dyja e dinë se ky individ punon në interesin e palës së tretë, që të dyja e mbështetin me mundësit e tyre, por heshtakët e bëjnë me marifet. Marifeti i tyre është i dukshëm. Vetëm presin se si do të zhvillohet situata dhe në kanë hapësirë për kundërshtim apo kundërvënie, për të marr fuqinë udhëheqëse, duke përdorur nërskamcat. Këta janë më të zgjuar, me finok, më të zhdërvjelltë. Tufa e parë dëshiron të bluajë në dorë, nuk i intereson nëse guri i mullirit është i cakatur. Tufa e dytë e kontrrollon shumë më mirë, sepse përvoja i ka mësuar që të jenë të kujdesshëm dhe kjo është shansi i fundit. Nëse dijnë ta luajnë lojën, dalin fitimtarë. Që të dyja janë për të eleminuar individin, por që të dyja janë për interesin e palës së tretë dhe kjo bënë që individi, dikur i vetmuar, të ketë fuqinë e veprimit.

Në këtë lojë aleancash hyjnë edhe të pandershmit e të pamoralshmit e Tufave tjera. Këta kanë një qëllim, që edhe ato të tregojnë egzistencën e vet dhe le të dali ku të dali. Ata janë të gatshëm të pranojnë rregullat e lojës, çfarëdo që u ofrohet nga individi, duke menduar se në fund të fundit mund t’ia hedhin fajin. Ky është nderi dhe morali i tyre, që qon peshë për numër, por kurrën e kurrës për kthjellësi të mendjes.

Më tragjikja e tragjedive që njeh politika dhe që dallon shumë nga ajo e Tufave, është lidhja e aleancave me Djallin. Ai ka pirë gjak te të gjithë pjestarët e Tufave. Madje edhe ka përzgjedhur gjakun e tyre, të shumtën rinoshët dhe fëmijët. Ai kishte dy qëllime, mos shtimit të Tufave dhe plogështimin e radhëve për t’ia ndalë turin. Ai i ka prekur në nder e moral të gjithë, duke ua bërë varrin për së gjalli. I ka përçmuar skajshmërisht dhe sot paraqitet si sundimtar dhe pa bekimin e tij, nuk mund të bëhet asgjë. Logjika e lidhjes së aleancave me Djallin, e rehabiliton atë dhe i jep mundësinë e mospendesës për bëmat e tij. Individi krenohet për këtë mundësi të zgjidhjes së aleancës në mes Djallit dhe prijësit e Tufave, se kështu po e lyp pala e tretë. Arsyetim se jo mahi! Aleancave të tilla, fillozofia popullore e jona, kur njeriu deshi të bëjë krushqi me gjarprin, e ka sqaruar mirë: “Unë bisht këputur e ti djalë humbur, nuk mund të bëjmë krushqi!” Kjo ka qenë dashtë të jetë edhe në këtë radhë, e jo të krekosen me këtë ujdi.

Duhet thirrur mendjes, nderi dhe morali duhet të mbisundojnë në lidhje të aleancave, nëse doni ta mënjanoni ndikimin e palës së tretë që i jep hapësirë Djallit, që krekoset për të kaluarën e vet, e të sotmen dhe për rritën që ka bërë nëpër epoka, duke pirë gjakun e Tufave. Ajo kurrë nuk e ndjenë vetën fajtore, madje edhe thotë se “nuk e kam arritur qëllimin, se kam të drejtë të pijë gjak njomakësh, në çdo cep të territorit të Tufave. Për këtë kemi mbështetje edhe nga pala e tretë dhe unë i besojë asaj!”

 

Prishtinë, 09.06.2020

 

 

           

 

Afrim Morina
Analist i pavarur

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...