Home / Opinion / Qeveria e turpit – Nga Ilir Gjini

Qeveria e turpit – Nga Ilir Gjini

 

Ilir Gjini – Toronto

Nuk kanë kaluar veçse pak ditë që Kuvendi i Kosovës votoi në një kandar farmacie Qeverinë Hoti. Kjo, pasi vetëm me një votë u bë e mundur të arrihej maxhoranca.  Në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës Qeveria e Avdullah Hotit është e para që varet nga Lista Serbe që ka 10 vota në kuvend. Jo më kotë gazeta serbe Alo.rs, shkruante: “Të gjitha vendimet e qeverisë Hoti varen nga Lista Serbe”!

Nën dirigjimin e diplomatit amerikan Grenell, u rrezua Qeveria Kurti (që nuk mundi as të shtrojë në zyra qilimat e kuq të pushtetit), duke krijuar një orkestër të re qeverisëse, ku “violinë e pare” është z. Hoti. Në këtë “orkestër” të çakorduar qeverisëse, që kurrsesi nuk përfaqëson vullnetin e popullit te Kosovës, “telat e harpës” do t’i luajë Lista Serbe që më shumë se “dirigjentin” Grenell, ndjek ritmin e “kompozitorit” Vuçiç në Beograd.

Qeveria Hoti, që ka në përbërjen e saj një amalgamë partish, ka shijen e një “sallate ruse” për Beogradin, por, për shumicën e popullit të Kosovës ka shijen e një çorbe të ndenjur, gati të mykur. Heqja e taksës së reciprocitetit është tashmë hapi i parë i hedhur sipas orientimit të diplomatit Grenrell.

Kosova në udhëkryq

Me lojtarë politikë të dalë boje për shkak të abuzimit me pushtetin, korrupsionin dhe klientelizmin si Thaçi e Mustafa, nën ethet e pandemisë Covid-19 dhe nën presionin e diplomacisë serbe për çnjohje të Kosoves, një erë që fryn nga Beogradi, po e trazon horizontin e saj me re të zeza. Ndërsa “dielli” europian po i lëshon rrezet pjerrtaz. Ka mbetur në trenin e fundit të integrimit për në familjen europiane, megjithëse përdor si monedhë kombëtare euron.

Lojtari Isa Mustafa që vuri fytyrën e pastër të Vjosa Osmanit për të retushuar imazhin e turbullt të LDK-së, tani e flaku atë si kartë pa vlerë duke u kapur me thonj pas pushtetit. Kur panë që lideri i Vetendosjes Kurti bashkë me Vjosa Osmanin po fitonin autoritet të madh në popullin e Kosovës, si dhe po u tregonin diplomatëve të sojit Grenell se para karriges së pushtetit preferonin interesat e kombit, u lëshuan si lukuni brejtësash për të gërryer këmbët e karriges së brishtë kryeministrore të Vetë-vendosjes, që ta zëvendësonin me Ata-vendosin.

Kosova sot është në udhëkryq për shkak të qeverisë uloke të Avdullah Hotit që mund të kapë autobuzin rrangallë të  linjës  për në Beograd, por kurrsesi trenin e shpejtë të Europës. Shto në këtë situatë të trazuar edhe fuqizimin e lobit serb, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Albin Kurti, lideri të ardhmes europiane të Kosovës

Albin Kurti qëndroi vetëm 50-ditë Kryeministër, por kostumi i tij prej shtetari si dhe qëndrimi dinjitoz para ndërkombëtareve, shfaqi në sytë e popullit të Kosovës një imazh krejt ndryshe nga pushtetarët e mëparshëm. Energjia e z. Kurti në përballimin e pandemisë shoqëruar me masat ekonomike për të ndihmuar bizneset, ishin ku e ku më efikase se sa në atdheun mëmë, ku qeveris Rama. Kundërshtarët e vet politikë si Mustafa, Thaçi e Haradinaj i thyen Albin Kurtit karrigen e kryeministrit po pa dashur i ngritën në sytë e elktoratit të Kosovës një pidestal nga ku në zgjedhjet e ardhëshme, do ketë një rezultat shumë më bindës se zgjedhjet e Tetorit të 2019-tës.

130 vite më parë, Fuqitë e Mëdha i dhanë krahinat shqiptare të Grudës e Hotit, Malit të Zi. A mos vallë sot kanë zgjedhur qeverinë e z. Hoti për të copëtuar sërish Kosovën, duke shkëmbyer territore shqiptare me Serbinë? Heronjtë e mbrojtjes së Kosovës si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Shote e Azem Galica sot kanë lënë pasardhësit e tyre te Vjosa Osmani e Albin Kurti.

Hot e Grudë na janë betue

Vin’ n’Shkodër me qa dert’

Pa gjak malet mos me i lshue

Jena nis me u ba milet.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...