Home / Të ndryshme / Trathëtorëtë – Nga Naim Frashëri

Trathëtorëtë – Nga Naim Frashëri

Shokë, kemi ne mest tënë

Shum’ armik’ e trathëtorë!

Popo! mos u qoftë thënë!

Veç që s’kanë gjë në dorë.

Harruanë mëmëdhenë

Dh’ e lanë kombinë tënë

E një tjatërë na gjenë!

Popo! mos u qofte thënë!

Lanë zonjën e lëvduar

E zunë një kurvë shtrigë,

Të ndyr’ e të mallëkuar,

Të fëlliqur e të ligë.

Lanë mëmën të xhveshur

Dhe mundohenë për botë,

Pa dhe bota duke qeshur

U thotë: mundohi kotë!

Qysh u bënë Efialtë

E nuk e njohin të mirën,

Uthullën pandehin mjaltë

Edhe dritë errësirën!

Buk’ e mëmëdheut zëntë

Tradhëtorët e pabesë!

Dhe Zoti dërrmën u dhëntë,

Kurrë mos paçinë pjesë!

Miqt’ armiq i kanë bërë,

Armikëtë miq i zunë,

Qysh janë fyell të tërë!

Ç’është kjo e madhe punë!

Fajn’ e math kur do ta njohin

Njerëzit e mallëkuar?

Dritënë pse nuk e shohin,

Apo janë të verbuar?

Janë së gjithash të marrë

Dhe të liq me të vërtetë,

Mëmëdheut bëjnë varrë,

Po do të bienë vetë,

Se mbretëron e vërteta,

S’del kurrë gënjeshtr’ e shkretë

T’ish ashtu, qe prishur jeta,

S’kish mbetur gjë e vërtetë.

Ata turpinë fitojnë,

Nderr’ e tyre posht’ e hedhin

Dhe armikëtë gëzojnë

E në errësirët bredhin.

Nuk është kurrë haruar

Dh’e mira dh’e lig’ e shkretë,

Të gjitha janë paguar,

S’ka mbeturë gjë në jetë.

Lerini, pa do ta gjëjnë,

Të vërtetën do ta njohin,

Se tani s’e dinë ç’bëjnë,

Janë të verbër e s’shohin.

O, popo ç’turp kanë marrë!

Janë bërë trathëtorë

Dhe s’janë më shqipëtarë,

Se nga kombi hoqnë dorë.

Me të huajnë u bënë,

Me armikn’ e Shqipërisë,

S’duanë gjuhënë tënë

Armikët’ e Perëndisë!

Ndjej, o Zot, se nukë dinë

Se ç’bëjnë, janë mahnitur,

Rrahin të prishin shtëpinë

Pun’ e lig’ edh’ e mërzitur.

Të gjorët janë në gjumë,

Të vërtetënë s’e dinë,

Do të mundohenë shumë,

Pasdaj mënttë do t’u vinë.

Vëllazërin’ e harrojnë

Dhe kombin e mëmëdhenë,

Dhe armikëtë dëgjojnë

Edhe s’dinë se ku venë.

Hiqni dorë, hiqni dorë!

Mblithni mëntt’ e tupërohi,

Mos u bëni trathëtorë,

Se pasdaj do të pendohi!

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...