Home / Opinion / Sot në Kosovë u votua qeveria e kapitulimit!

Sot në Kosovë u votua qeveria e kapitulimit!

 

Sot me 61 vota, përfshirë edhe ato të Listës Serbe, nga të cilat do varet çdo vendim e ligj, se a do jetë në interes të Republikës së Kosovës, shtetndëtimit të saj dhe rezultatit të dialogut me Serbinë, u votua Qeveria Hoti. E tërë ajo që po zihej në skenën politike gjysëm të fshehtë në Kosovë, mes PDK-së dhe LDK-së, sot tërësisht doli në shesh. Edhe pse Partia e zotit Vejseli, nuk e votoi Qeverinë e re, madje në diskutimin e vet, nga pozita e shefit të grupit të deputetëve të kësaj partie, nuk e kurseu nga kritika edhe LDK-në, nuk mundi të përmbahet nga gëzimi se u realizua plani i shefit të tij, presidentit të shtetit, zotit Thaçi, i cili përmes vendimit të Gjykatës kushtetuese e mandatoi Abdullah Hotin për formimin e Qeverisë së re, që nuk do jetë pengesë për dialogun me Sërbinë, sipas apetiteve të saj. Këto manipulime politike të kësaj partie, që gjatë kohë qëndroi në Qeveri, herë si udhëheqëse e herë si aleate qeverisëse, këtë rol dyftyrësh e luajti edhe në rastin e mosbesimit të Qeverisë Kurti, kur votoi për rrëzimin e saj dhe u vendosi të qëndrojë në opozitë.

Liderët e partive të cilët iu bashkangjitën këtij koalicioni, që për herë të parë formohet pa partinë fituese, edhe pse nuk do mbajnë funksione ministrash apo zëvendësministrash, janë të kënaqur sepse ata i zgjodhën të preferuarit e tyre në poste të larta, nga të cilët do shpërblehen, pas çdo tenderi, që do e fitojnë në mënyrë tani më të njohur të kurdisjes paraprake. Paraqitjet e udhëheqësve të grupeve parlamentare, për ta arsyetuar këtë akt të turpit para syve të votuesve, që synonin ndryshime, sërish iu sulën Albin Kurtit, me etiketimet më çnjerëzore, madje duke e paraqitur si antiamerikanin më të rrezikshëm në botë, duke mos e përmendur fare taksën qind për qind për mallrat sërbe, të cilën vetëm e trashëgoi nga Qeveria Haradinaj.

Ashtu si çdoherë, edhe sot në Kuvendin e Kosovës, u fol zi e më zi për Kurtin, Qeverinë që e udhëhoqi dhe për qëndrimet, gjoja lojale të tij ndaj Sërbisë, politikë kjo që bie ndesh me vet deklaratat e tyre se Qeveria që vjen, menjëherë do e pezullojë reciprocitetin ndaj Sërbisë. Këto ditë u shkua aq larg në kërkim të njollosjes së figurës së këtij lideri të mirëfilltë, sa që nuk hezituan ta quajnë marksistin më të madh të shekullit, që punuaka për interesat strategjike të Sërbisë dhe Rusisë. A nuk është qesharake, kur një etiketim i tillë vjen nga vet të ashtuquajturit marksist leninist, që brenda natës po shndërrohen në demokratë, vetëm pse këtë transformim e lyp nevoja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, për interesa tani më të njohura edhe nga fëmijët e djepit.

Më kot e kanë të gjithë ata që mundohen ta njollosin figurën e pastër si loti të Albinit. A me të vërtetë mendojnë ata se shqiptarët u besojnë gjithë këtyre intrigave dhe të pavërtetave se Albini qenka antishqiptar, pro serb e pro rus? Vetëm pak ndërgjegje njerëzore duhet të këtë njeriu normal, për ta besuar se deklaratat e tij nga oborri i burgjeve të serbisë millosheviqiane, nuk dolën nga goja e një bashkëpunëtori të Sërbisë por nga një shqiptar i vërtetë që syri ,,pët”s’i bëri ku tha se nuk e njeh drejtësinë e një shteti fashist. Nëse dikush e njollos dhe mundohet ta poshtërojë Albin Kurtin, në mënyrën më çnjerëzore, madje të vetëdishëm se në të vërtetë ai nuk është i tillë, e ka kot dhe nuk do arrijë sukses në realizimin e planeve ugurzeza, për ta mposhtur ate politikisht. Qëndrimin ndaj Serbisë dhe gjoja lojalitetin e tij kundrejt politikës aktuale serbe, që ende e bëjnë njerëzit e Millosheviqit, e vërtetoi kushedi për të satën herë vet Vuçiqi, kur u trishtua me fitoren dhe Qeverinë Kurti, ashtu siç u gëzua edhe sot, kur u zgjodh Qeveria e re, të cilën e konsideron kafshatë të lehtë për dialogun.

Qeveria Kurti më partnerin e koalicionit, LDK-në, që i futi thik pas shpine vetëm pas 50 ditësh, bashkëqeverisjeje të vetëdishëm se nuk e kishin hallin e as kapacitetin të përballen me korrupcionin, pjesë e të cilit kishin qënë gjatë kohë në qeveritë e mëparshme, në mënyrë të dinjitetshme e nisi realizimin e programit parazgjedhor. Zbulimi për aq kohë të shkurtër qeverisjeje, i korrupsionit, me gjithë ato ndërkëmbëza, dhe fillimi i pastrimit të krimit të organizuar që i synonte edhe peshqit e mëdhenj, i trishtoi politikanët e pangopur, prandaj edhe u mobilizuan për t’ u bërë së bashku, madje duke e bërë Listën Srbska faktorin kyç në politikbërjen e Shtetit të Kosovës.

Në seancën e sotme, kur përfaqësuesit e të gjitha partive pretendente për Qeverinë e re, e përshëndetën programin politik e ekonomik dhe gatishmërinë për ta votuar ate, vetëm Lista Srbska, u përmbajt nga diskutimi, përveç një fjalie se do e votojë ate. Kjo heshtje e tyre i bëri kurreshtarë shumë gazetarë, për të ditur diçka më tepër për mendimin politik dhe qëndrimin e tyre për sa i përket dialogut me Sërbinë. Autoritetet nuk ishin të gatshëm ta zbardhin qëndrimin politik të deputetëve sërbë pa votën e të cilëve, zhvillimet politike në Kuvendin e e Kosovës nuk mund të lëvizin nga pika zero.

Mungesa e Vjosa Osmanit në ulësen e Kryeparlamentarit, për LDK-në, ishte sinjali i parë më serioz se në atë parti në një ardhme jo të largët do ndodhin çarjet e aqpritura. Sipas të gjitha gjasave kjo shumicë parlamentare edhe ashtu e brishtë, nuk mund të ketë jetë të gjatë, prandaj edhe Qeveria e votuar sot, si duket, do e ketë vështirë
t’a mbijetojë mandatin 100 ditësh, në ndërkohë që Vetëvendosja e cila dita ditës po forcohet, bashkë me rejtingun në rritje të Albinit dhe Vjosës, pas zgjedhjeve, që nuk do vonojnë, do kthehen me Qeverinë Kurti 2.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...