Home / Intervista / Ekskluzive/ Intervistë me Prof. Servet Pëllumbin: Mbi dështimin e kapitalizmit, manipulimin masiv dhe populizmin që po gërryen standardet morale

Ekskluzive/ Intervistë me Prof. Servet Pëllumbin: Mbi dështimin e kapitalizmit, manipulimin masiv dhe populizmin që po gërryen standardet morale

Qershor-2, 2020

Ekskluzive/ Intervistë me Prof. Servet Pëllumbin: Mbi dështimin e kapitalizmit, manipulimin masiv dhe populizmin që po gërryen standardet morale

 

Profesor Servet Pëllumbi, ish-Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe një nga figurat emblematike të së majtës shqiptare, thyen heshtjen! Para disa ditësh piva një kafe me Prof. Pëllumbin dhe i mbusha mendjen për këtë intervistë ekskluzive në DITA. Kam vendosur që të mos flas për gazetat e përditshme, hedh mendime në letra dhe bëj libra, më tha Profesori, duke më zbuluar një “sekret”: Jam në mbarim të një libri që e kam titulluar “Midis realitetit dhe imagjinatës”- më tha. Po mirë, o Profesor, i thashë, pse mos ta inkuadrojmë edhe këtë intervistë brenda këtij libri? Nuk e ke keq, m’u përgjigj, por dua të mbetemi korrekt me pyetjet dhe përgjigjet. Ia premtova këtë.

Një nga ithtarët më të flaktë të së majtës shqiptare dhe, njëherësh një nga kontestuesit më të mençur të saj, Servet Pëllumbi mendon filozofikisht përtej së tashmes. Midis rreshtave lexohen shumë nga idetë e tij. Nuk e mohoj se kjo është një ndër intervistat më të vështira që kam bërë.

Biseda e asaj mbrëmjeje nuk ishte aq e lehtë. Pavarësisht se u përfshinë tema të ditës, sikurse ishte problemi i reformës zgjedhore, zgjedhjeve të vitit 2021, protestat për teatrin etj., Profesori e zgjeroi mendimin e tij në disa çështje që duken se i përkasin një elite intelektuale, por në të vërtetë janë tejet të qenësishme për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Unë e pyes drejtpërdrejt se a mund të ndodhë ndonjë ‘Revolucion” që të përmbysë këtë realitet dëshpërues, Prof. Pëllumbi më përgjigjet troç: “Realisht, bota vazhdon të jetë shumë e dhunshme. Prandaj, tipar kryesor i “botës së re” pritet të jetë mbijetesa, siguria dhe aftësia për t’iu përgjigjur sfidave ekstremiste. Mirëpo, sot për sot, kjo vazhdon të jetë e natyrës“çështje e shtruar për zgjidhje”, pra dhe sfida më e madhe që shtrohet para mendimit shkencor, filozofik, politik dhe etik.”

E pyeta Profesorin pse një revolucion i dhunshëm është i pashmangshëm përballë këtij realiteti të trishtueshëm jo vetëm në Shqipëri, dhe ai m’u përgjigj me gjakftohtësinë më të madhe, që duket e kishte bluar gjatë në mendje: Përballë pabarazive të thella sociale; kur po shpërbëhet klasa e mesme dhe populizmi po gërryen standardet morale; kur rreziqet globale dhe praktikat e konkurencës, të “inovacionit për inovacion”, destabilizimi politik i shoqërisë mund të bëhet fatal…

Pra nuk do të kemi revolucioni si ai i 1917-s! Por si do të ndryshohet kjo situatë tejet dëshpëruese?

Lexoni në vijim intervistën e plotë.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor, thuhet se në botën e sotme, ata që bëhen liderë në fushën e teknologjisë bashkëkohore, bëhen edhe sundues të botës. A mund të jetë vërtet kaq sfidues determinizmi teknologjik 

– Që në fillim do të desha të nënvizoja, se në botën e sotme nuk ka shumë vend për optimizëm. Ajo vazhdon të jetë jo më pak e ndarë dhe e përçarë në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë dhe konfrontimin e atëhershëm të sistemeve të kundërta; globalizimi apo përqëndrimi ekonomik dhe rivaliteti gjeopolitik janë bërë një fakt i pandashëm; kërcënimi bërthamor është vënë përsëri në rend të ditës për “rojtarët e fuqisë”; kiberterroristët, të pajisur me mjete të teknologjisë moderne, mund gjenden kudo dhe të kërcënojnë me shkatërrim gjithçka; ngrohja e mëtejshme globale mund të çojë në pasoja katastrofike për njerëzimin, deri dhe në shndërrimin e planetit tonë në një shkretëtirë të ngjashme me atë të planetit Mars.

Projekti i “shoqërisë së hapur” i Karl Poperit, (i mbrojtur nga Fondacioni Soros) po dështon si rezultat i kapitalizmit global “i pa rregulluaeshëm”. Gjithsesi mbetet e paqartë, pse miliarderi e filantropi George Soros, mbrojtës i “shoqërisë së hapur”, etiketohet dhe luftohet gjithandej si përfaqësues i së majtës! Ndërkaq, prej “kritikëve” dëgjohen thirrjet: “Oligarkë të të gjitha vendeve, bashkohuni”! Kupohet, aspak për të shpëtuar botën nga rreziqet globale, por thjeshtë e vetëm për ta sunduar atë!

Pyes: a ka vend për eufori, apo për të besuar tek një “verë shifrore” që ndryshon rrënjësisht “dimrin” e jetëve tona? Nëse ekziston një mundësi e tillë, a jemi ne gati për këto ndryshime? Them, se vetëm duke mbajtur parasysh “një sfond” të tillë, që s’ka të bëjë me “shkatërrimin krijues” të J. Shumpeterit, mund të gjykohet me realizëm për shkallën e ndikimit të determinizmit teknologjik në të ardhmen e njerëzimit, pra dhe për të evituar“dimrin shifror”, d.m.th. epokën e “totalitarizmit digjital” (term i Jaron Lanier, në librin “You Are not a Gadget”), që ngatërron idenditetin kibernetik me atë real, idenditetin e individit me anonimatin dhe vë hegjemoninë e intelektit artificial mbi arsyen njerëzore.

– Po globalizmi a nuk është një stad i ri që mund ta shpëtojë botën duke pasur edhe përforcimin e teknologjisë shifrore, apo digjitale?

– Propaganda vazhdon të përhapë lloj-lloj mitesh, se kapitalizmi liberal ka qënë i sukseshëm nga që i ka shërbyer lirisë”! I tillë do të jetë “edhe globalizmi”! Por në të vërtetë kapitalizmi liberal “humbi në fushën e vet”, së pari, se humbi njeriun dhe humanizmin e dikurshëm të iluministëve; së dyti, se kapitalizmi global i sotëm e vuri theksin tek korruptimi i sistemit, që drejtimin ta ketë kapitali financiar dhe jo politika dhe politikanët. Për pasojë, filloi të bjerë me shpejtësi cilësia e elitave drejtuese politike dhe globalizmi nuk po sjell as paqe dhe as më shumë siguri e stabilitet. Egërsia e akumulimit fillestar të kapitalit doli përsëri në skenë. U zhvlerësuan kështu edhe mitet euforike mbi kapitalizmin liberal global si “fundi i historisë”!

Ndërkaq, njeriu i sotëm duket sikur e fetishizon dhe zvarritet pas teknologjisë digjitale, ia dorëzon veten një bote të panjohur e artificiale, që dikton rregullat e lojës, zbeh imagjinatën dhe subjektivitetin njerëzor. Njeriu i sotëm, madje as që mund t’i imagjnojë ndryshimet substanciale që pritet të sjellë e “ardhmja shifrore” të papara gjatë gjithë historisë së deritanishme. Prandaj, ka arsye të mjaftueshme për të thënë, se në botën shifrore (kuantike), asnjë person, asnjë biznes dhe asnjë shtet nuk mund të ndihen të sigurtë! Sepse dinë shumë – kuptojnë pak!

– Atëhere pritet një spirale e re revolucionesh me dhunë sipas Manifestit komunist të Marksit, apo do të mjaftonte rritja e ritmeve të zhvillimit të Intelektit artificial për t’u hapur rrugën mundësive që sot duken utopike?    

– Pyetje me vend për të mos shkarë nga ekstremi në ekstrem, që dëshmon se dituria e paplotë apo e mangët, është po aq e rrezikshme sa edhe padituria! Ndërkaq, është fakt, që në një formë a në një tjetër, të gjithëve na duhen përforcimet e teknologjisë së informacionit, që rritin aftësitë tona perceptuese, njohëse dhe vepruese. E, megjithatë, forca bazë dhe e pazëvendësueshme duhet të mbetet njeriu, bota e tij, imagjinata krijuese dhe synimi i tij për vetrealizim. Ndërkohëedhe kërkimi njerëzor për të kuptuar të vërtetën dhe për të gjetur drejtësi, nuk mund e nuk duhet të shpallet i dështuar.

Nga ky këndvështrim, duhen kuptuar e trajtuar edhe konceptet botë shifrore, shoqëri shifrore, qeverisje shifrore, njeri shifror, që sintetizojnë në një të vetëm realitetin fizik me atë virtual. Kurse spiralja e re e revolucioneve me dhunë nuk mund të jetë një alternative dobiprurëse në kushtet e globalizmit dhe të rreziqeve që vijnë nga armët e shkatërrimit në masë, që teknologjia vazhdon t’i përsosë me shpejtësi. Veçse, edhe mohimi i rreziqeve që e kthejnë botën prapa, nuk mund të quhet zgjidhje, qoftë dhe vetëm për faktin që koha nuk mund të riciklohet. Gjithsesi, heshtja rreth çështjeve të tilla kurrsesi nuk duhet parë si neutralitet!

– A dikton kjo krijimin e hapësirave për një edicion të ri  teorive dhe koncepteve për konvergjencë, për zbutje të dallimeve e pabarazive përmes dialogut dhe ndarjes së sferave të influences?

– Natyrisht, do të ishte hap “në drejtimin e duhur”. Por realisht po ndodh e kundërta në dinamikën globale. “Loja e fuqisë” sot vlerësohet shumë më e rëndësishme nga rregullat e lojës demokratike dhe mbrojtja e mirëqenies së konsumatorit. Prandaj, e ritheksoj, ka ndryshuar ndjeshëm qëndrimi i elitave në vartësi të triumfit të kapitalit financiar mbi atë industrial, që deformon ekonominë në interes të atyre që i shërbejnë kapitalit fiktiv. Bankat qëndrore detyrohen të emetojnë në mënyrë të pa kontrolluar valuta dhe të rritin totalin e rezervave valutore. Parazitizmi fillon të bëhet tipari kryesor i kapitalizmit global! Dhe, në këtë rast, natyrisht, nuk kemi të bëjmë thjesht me determinizëm teknologjik!

 – Ndryshimet janë kështu përkeqësuese?

-Fatkeqësisht po. Më parë kapitalizmi përfaqësonte një sistem që synonte marrjen e mbivlerës dhe akumulimin e kapitalit, por që në rrugën e zhvillimit të vet demonstroi potenciale reformuese në funksion të zbutjes së konflikteve sociale dhe të rritjes së mirëqenies, sidomos për shtresat e mesme. Në fazën e sotme të financializmit, kapitalizmi është shndërruar, e ritheksoj, në një sistem parazitar, sepse fitimi realizohet jo si rezultat i riprodhimit, por nga shtypja e parave dhe ndarja nëpër bankat me struktura investimesh. Kjo është bërë sot pikë kthese për “edicione” të reja të krizave globale, që zëvendësojnë njëra-tjetrën, pa “respektuar” karakterin ciklik të krizave të dikurshme. Po i referohem një fakti kuptimplotë: në vitin 2008 masa globale e parave u rrit në 40 trilion dollarë. Dukuri të tilla u vunë kryqin proceseve të zhvillimit progresiv të njerëzimit që pritej të vinte si rezultat i shpalosjes së Revolucionit tekniko-shkencor.

-Po ju pyes përsëri, Profesor, a njihet kjo sfidë kaq shqetësuese e antidemokratike dhe a ka reagime adekuate të mendimit intelektual botëror?

– Ka, pa dyshim, veçse nuk po gjen vlerësimin e duhur nga elitat drejtuese, për pasojë duket pa rrugëdalje, sepse politika e konkurencës, sidomos për të mbrojtur avantazhet teknologjike, ashpërsohet me ritme të shpejta. Kurse, politikat shtetërore zvarriten për t’iu përshtatur tregjeve financiare. Kjo, jo vetëm rrënon shtetet demokratike, por sjell edhe rënie, deri drastike të zhvillimit ekonomik. Kështu, sipas Raportit të Klubit të Romës për vitin 2017, rritja e ekonomisë globale dhe ritmet e efektivitetit kanë ardhur duke rënë 50 vjetët e fundit. Pra, nuk ka pasur ndonjë revolucion të tretë prodhues, siç pretendohej. Kurse “Revolucioni i katërt industrial” del që të jetë thjesht e vetëm një përpjekje për të ringjallur Revolucionin tekniko-shkencor të viteve 70-80 të shekullit XX.

Natyrisht, procese të tilla nuk mund të jenë një “terren i përshtatshëm” për ekzistencën dhe funksionimin e demokracisë. Përkundrazi, krijon një supershoqëri korporatash transnacionale, që kontrollojnë gjithçka. Njerëzit xhvishen nga prona dhe ideja e pronës, kurse ata që zotërojnë gjithçka, askush nuk mund t’i ndalojë të kapin shtetin dhe vetëdijen e njerëzve. Madje, e quajnë “rrugëzgjidhje” për njerëzit në nevojë shndërrimin e problemeve në spektakël dhe argëtimet në mallin më fitimprurës. Në këtë funksion stimulohen dhe u bëhet rreklamë marramendëse “yjeve” të muzikës, të sportit, të modës të kinematografisë etj.

Ndërkaq, demokracia realisht po merr rolin e fasadës së spektakleve dhe po tkurret në përmasa të frikshme nga “pushteti i pakufizuar i televizionit, rrjeteve sociale, lumi i “fake neës”. Thuhet se të gjitha këto janë forma të “dialogut me shoqërinë”, por në të vërtetë nuk mund të jenë as njëra dhe as tjetra, sepse edhe këto janë shndërruar në spektakël e frymë spektakli! Manipulim masiv dhe i rrezikshëm i vetëdijes së njerëzve, që fateqësisht dinë pak për botën, kurse me ritmet e ndryshimeve të sotme, do të dinë gjithnjë dhe më pak.

 

– Por, a mund të përcaktohen rregulla kufizuese nga Institucionet Ndërkombëtare që zhvillime të tilla të frenohen, apo të zbuten me përdorimin e intelektit artificial?

– Asgjë nuk mund e nuk duhet absolutizuar. Sot më shpesh flitet për atë që intelekti artificial, duke qënë produkt i matematikës, nuk është i aftë që të na ndihmojë për zgjidhjen e detyrave dinamike e kontradiktore, sepse matematika “punon” vetëm me sisteme sasiore jo- kontradiktore. Realisht, kështu ndodh sa herë që bëhet fjalë për kalim nga ndryshimet sasiore në ato cilësore. Madje, mund të thuhet se një kufizim i tillë nuk mund të kapërxehet plotësisht as në të ardhmen. Prandaj, dhe ndjesia e të qenit “banor WWW-je” nuk është as e lehtë dhe as aq argëtuese, siç mendohet shpesh. Vërtet, mund ta kini parë artisten robot me emrin AI-DA që pikturon dhe që “çeli” ekspozitën e parë “vetjake”, por nuk ka si të mos jetë shumë larg nga piktorët –njerëz!

Megjithatë, është fakt që 75-80% e detyrave që shtrohen në jetën e përditshme janë të natyrës praktike, rutinore që plotësohen, si të thuash, “vetvetiu” apo në mënyrë instinktive, prandaj brenda mundësive që ofron interneti, njeriu mund t’i zgjidhë shumë më lehtë të gjitha këto detyra. Mjafton që të jenë të përcaktuara kushtet dhe kufijtë e parametrave bazë. Demonstrimin më të mirë e shohim tek ekonomia e kreditimit, blerja e lloj-lloj produkteve dhe shërbimeve online etj. Veçse, kjo e zhvesh disi njeriun nga mundësia e kontrollit të cilësisë dhe nga aftësia zgjedhjes reale, duke e zhytur në njëanshmëri, që mund të jenë: naivitet, paaftësi, apo dhe mashtrim i qëllimshëm. Intelekti artificial vetëm mund të “tallet” me ata që e shohin “si magjistar”, apo si shans që me shtimin e riskut rriten fitimet!

            -Po e përsëris pyetjen në një formë tjetër. Le të pranojmë që kapitalizmi klasik, duke u bërë global, i shteri resurset e ekzistencës së vet duke u shndërruar në “fushë lufte” midis teknoekonomisë dhe asaj financiare, algoritmike: Çfarë mund ta shpëtojë njerëzimin?

– Pyetje aspak e lehtë për të dhënë përgjigje shteruese, Xhevdet. Është fakt i pa kundërshtueshëm që njerëzimi po shkon drejt një bote të re, por që shoqërohet me rreziqe globale në rritje. Realisht, bota vazhdon të jetë shumë e dhunshme. Prandaj, tipar kryesor i “botës së re” pritet të jetë mbijetesa, siguria dhe aftësia për t’iu përgjigjur sfidave ekstremiste. Mirëpo, sot për sot, kjo vazhdon të jetë e natyrës“çështjee shtruar për zgjidhje”, pra dhe sfida më e madhe që shtrohet para mendimit shkencor, filozofik, politik dhe etik.

– A mund të jetë kapitalizmi i stadit të tanishëm një zgjidhje e pranueshme?

-Studiuesit më në zë, ose nuk e pranojnë një mundësi të tillë, ose e shohin me shumë skepticizëm. Arsyeja është e thjeshtë në dukje: kapitalizmi i sotëm i ka “humbur” kritikët e vet, që i siguruan me dekada funksionimin normal dhe reformimin e tij në proces, njëherësh edhe konkurrencën domethënëse për të mos lejuar që një grusht oligarkësh të përqëndrojnë pushtetin ekonomik dhe ndikimin politik në shkallë rajonale dhe globale. Ndërkaq, teknologjia e informacionit dhe firmat që udhëheqin internetin, kanë mundësi të sofistikuara për të siguruar që konkurruesit të mos futen dot në platformat e tyre. Përvoja e pas krizës së vitit 2008 tregoi se mungesa e konkurrencës e bëri të pamundur ribalancimin mes tregjeve dhe shtetit përmes reformave nga lart-poshtë dhe politikave nga poshtë-lart. Korporatat, nga ana e tyre, i kanë rrugët e hapura për tek “hambari” i të dhënave të firmave të mesme e të vogla, madje deri dhe te ato personale.

-Po vetëdija shoqërore a ka arritur të rrokë “seriozitetin”e sfidave dhe rreziqeve të tilla?

– Fatkeqësisht, në vetëdijën e njerëzve, si rregull, sfida të tilla thuajse nuk llogariten, madje u duket se nuk ekzistojnë fare dhe se teknologjia është “neutrale”, e pafajshme! Në të vërtetë, informacioni kontrollohet në mënyrë sistematike e agresive nga forca që kanë në dorë të “shuajnë” një lloj informacioni dhe të “ndezin” një tjetër që u intereson. Këto algoritma, si rregull, janë të panjohura, misterioze, mbi to nuk ndikon dot, sepse “sinjali”, duke qenë në interesin e “dikujt”, shndërrohet në monopol dhe vihet në vartësi të “pultit komandues”. Kurse programistët janë thjesht njerëz që mendojnë në mënyrë algoritmike, pra të zhytur në modele matematike, shpesh pa ditur se në favor të kujt shkon puna e tyre. Vendin e demokracisë, si pa e kuptuar, e zë kështu autoritarizmi korporatist.

Në këtë mënyrë bëhen tepër shqetësuese edhe pasojat sociale, që lidhen, së pari, me shkatërrimin e çdo lloj sektori të bazuar në paradigma tradicionale, pra dhe me zhdukjen e shumë profesioneve; Së dyti, roli i shtetit në procesin e këmbimit të vlerave pakësohet, ulet po ashtu roli i instituteve tradicionale dhe politike që përcaktojnë jetën social-politike të qytetarëve, pa ditur ende se me çfarë duhen zëvendësuar; Së treti, krimi kibernetik, i vështirë për t’u zbuluar e luftuar, merr përmasa të frikshme; Së katërti, rritet mundësia e kontrollit dhe manipulimit të mendjes dhe sjelljes së njerëzve, gjë që e bën urgjente çështjen e sigurisë kibernetike dhe përgatitjen e specialistëve, pra të “luftëtarëve” kundër keqpërdorimeve të sofistikuara të teknologjisë dixhitale.

Ndryshe, pasiguria kibernetike shndërrohet në “bekim të diktaturës” (term i shkrimtarit i O. Haksli), shoqëruar me mënjanimin e qytetarit, nga drejtimi i shoqërisë dhe nga çështjet shtetërore. Pra, teknologjia kibernetike nuk e ngushton, por e thellon pabarazinë sociale dhe politike. Kurse problemet midis nesh dhe teknologjisë ndërlikohen edhe më shumë…!

– Po si do të çlirohet potenciali krijues në kushtet të tilla? A nuk fshihet këtu një dorëzim pa kushte për t’i lënë korporatat në“qejfin e vet”, për të zbatuar filozofinë e “moskundërshtimit të së keqes”?

– Edhe kjo është një çështje që mbetet e hapur për brezat e rinj të së ardhmes. Të hapura mbeten edhe çështjet e çlirimit të potencialit krijues dhe të rritjes së mundësive të individit për vetërealizim të gjithanshëm, pa të cilin nuk mund të ketë liri të vërtetë. Prandaj, detyrimisht gjithçka duhet nisur nga zgjidhja e dy detyrave sociale urgjente: Së pari, nga çrrënjosja e varfërisë dhe vendosja e drejtësisë, sepse pa drejtësi nuk do të ketë lëvizje përpara; dhe, së dyti, nga shpëtimi i njerëzve prej vartësisë totale nga rrjetet sociale, që edhe e çlirojnë, por njëherësh edhe mund ta skllavërojnë duke e manipuluar, duke e bërë “sehirxhi” dhe asocial. Për arritjen e një objektivi të tillë demokracia duhet konceptuar edhe si një mënyrë personale e jetës, si liri dhe përpjekje për vetëplotësim, vetërealizim.

Madje, mund të thuhet se në këtë luftë, morale në thelbin e vet, më rëndë plagoset ai që qëndron mënjanë nga ai që përfshihet në të. Në këtë kuptim e ardhmja pritet të jetë frymëzim dhe sfidë njëherësh, që mund të arrihet vetëm mbi bazën e paradigmës demokratike të zhvillimit të shoqërisë.

– Po a mund të flitet për ndonjë tip tjetër demokracie, përpos asaj liberale?

– Vështirë të përgjigjesh në këtë pyetje, në se nuk çlirohemi nga kuptimet sempliste e të njëanshme të demokracisë, të cilat shpesh janë dominuese. Kështu, ndodh që koncepti “demokraci” të përdoret vetëm për të theksuar shfaqjen e vullnetit të shumicës. Demokracia është pushtet i shumicës. Ndërkaq, me evoluimin e shoqërisë një kuptim i tillë i demokracisë rezulton i pa mjaftueshëm, apo i paplotë, sepse jo më pak kushtetuese është edhe mbrojtja e interesave të pakicave (politike, etnike, fetare, seksuale etj.). Më tej, ndarja e pushteteve, gjyqësori i pavarur, media e pavarur, janë komponentë thelbësorë të demokracisë. Po kështu ndodh që demokracia dhe funksionimi i shtetit demokratik të reduktohen, bie fjala, vetëm me numërimin e ndershëm të votave, shoqëruar shpesh me deklarime të tipit: “kush ka shumicën mund të bëjë ç’të dojë”! Të gjitha këto flasin për pamjaftueshmëri të demokracisë liberale.

– Po “dora e padukshme”e A. Smithit, që rregullon vetë gjithçka si me magji dhe që qëndron në themelet e filozofisë politike të liberalizmit, a i ruan vlerat e veta, apo edhe kjo e “hëngri kohën e vet”?

– Po e them copë: Kjo ka rënë me kohë dhe sot i përngjet një përralle të bukur që fillon me “Na ishte një herë…”! Madje, kjo ka filluar të tregohet edhe në vendet e origjinës së “dorës së pa dukshme”. Sot ajo nuk rregullon gati asgjë, prandaj kërkohet ndërhyrja e shtetit, por pa e tepruar. Pra, çështja shtrohet vetëm për të gjetur nivelin optimal të kësaj ndërhyrjeje. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për institucionet politike të pavarura nga roli dhe personaliteti i lidershipit. Kudo institucionet e demokracisë ndodhen para imperativit të reformimit deri dhe rrënjësisht.

Tek e fundit, modeli perëndimor, deri sot i idealizuar, ka ç’të mësojë nga “modeli i tigrave” të Azisë që kanë arritur të harmonizojnë më mirë rritjen e rolit të shtetit me interesat e qytetarëve, pa hequr dorë nga arritjet dhe vlerat e instituteve të njohura të demokracisë liberale. Gjithsesi, është fakt që me mite të së kaluarës është shumë e vështirë të jetohet dhe të punohet në epokën e sotme, qoftë dhe vetëm nga që mijëvjeçari i tretë po “bashkëjeton” me një krizë gati permanente. Kjo epokë, e ritheksoj, ka nevojë për pyetje dhe jo për profetë të rinj!

Për sfida të tilla kërkohet, më shumë qytetari dhe më pak politikë, që njerëzit të guxojnë të kenë ide të reja dhe vizion filozofik që e sheh të shkuarën me sytë nga e ardhmja, kurse strategjinë e zhvillimit jo si plan, por si koncept, si ide, si parime dhe aftësi për marrjen e vendimeve që dikton koha.

– Po çfarë lloj shoqërie ka për të qënë kjo dhe ç’emër mund t’i vihet, o profesor?

– Një shoqëri e tillë, objektivisht e mundshme, që rrezaton liri, siguri, paqe dhe stabilitet, mund ta emërtoni si të doni, mjafton që të jetë në përputhje me vlerat substanciale që kërkon e ardhmja më e sigurtë për njerëzimin këtu në planetin tonë. Unë do ta quaja thjesht Etikokraci, më hollësisht sundim të etikës në marrëdhëniet njerëzore.

Si për relaks, por dhe për të thënë, se për ç’lloj shoqërie mund e duhet ëndërruar, po i referohem librit të Kewin Spejsit: “Planeti Ka-Peks (2001). Autori ndër të tjera nënvizon dialogun midis një jashtëtokësori, që u shfaq papritur në New York dhe doktorit Xheff Brixhes, që përpiqet ta njohë më mirë “mikun e largët”.

– “Më thoni, ju lutem, se cila është struktura sociale në Planetin tuaj, ç’qeveri keni…?

-“Ne këto nuk na duhen…!”

– “Si, tek ju nuk ka ligje”?

-“Jo, tek ne nuk ka as ligje as gjyqtarë”!

-“Po si e dalloni gënjeshtrën nga e vërteta”?

-“Në Gjithësi të gjithë e dallojnë gënjeshtrën nga e vërteta”!

Thelbi i dialogut, është i thjeshtë për t’u kuptuar: kur secili të arrijë të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta, të mirën nga e keqja, nuk do të duhen as gjyqet as gjyqtarët, madje as politika, as politikanët dhe as qeveritarët…!

Kurse me nivelin e sotëm të shoqërisë, me njerëz “që e dinë ç’është e mira dhe bëjnë keq”(Aristoteli), që gjenden përballë pabarazive të thella sociale; kur po shpërbëhet klasa e mesme dhe populizmi po gërryen standardet morale; kur rreziqet globale dhe praktikat e konkurencës, të “inovacionit për inovacion”, destabilizimi politik i shoqërisë mund të bëhet fatal. Prandaj, njerëzit kanë më tepër nevojë për ligje, për gjyqtarë e qeveritarë të mirë, për “zërin e moralit”, për solidaritet, për mbushje të “hendeqeve ndarës”, për ruajtje të traditave të mira, për shkëmbim të emocioneve me njëri – tjetrin, pra dhe për më shumë dashuri për njëri – tjetrinsepse gjëja më me vlerë në jetë është të jesh i mirë.

Ndërkaq, kjo kërkon domosdoshmërisht që njerëzit të zgjedhin të bëjnë gjënë e duhur për të pasur një “shoqëri të mirë”, ose shoqëri të vlerave të përbashkëta, që e kërkon përballimin e krizave në zgjidhjen e “qetë” të kontradiktave sociale dhe konflikteve midis shteteve, pa shkatërruar të ardhmen e njerëzimit në planetin Tokë! Kjo do ta kthente edhe politikën në një etikë të qëndrueshme dhe shkencore. Ja pse nuk më trishton, nëse dikush konceptet “postglobalizëm”, “Etikokraci” dhe “Shoqëri e mirë”, do t’i quajë utopi të radhës!

About admin

x

Check Also

Intervistë me veprimtarin nga Struga, Lebit Murtishi

  Intervistë me veprimtarin nga Struga, Lebit Murtishi June 23, 2020 Portali ...