Home / Opinion / VULLNETI I POPULLIT, PUSHTETI DHE “ALEATËT”.​

VULLNETI I POPULLIT, PUSHTETI DHE “ALEATËT”.​

OPINIONISTI I “EPOKA E RE” ISA FERIZAJ, SHPALLET “QYTETAR NDERI” I ...
Shkruan: Isa FERIZAJ​
Në sistemin kapitalist, sa herë flitet për vullnetin e popullit, aq herë nënkuptohet shkelja e atij vullneti. Fakti kryefakt i këtij realiteti mashtrues është dokumenti themeltar i shtetit kapitalist – Kushtetuta. Ky dokument, kryedokument, hartohet përmes një zhurme të madhe politike, shoqëruar me njëfarë soj pseudosakrifice në ‘qendresë’ të njërës palë borgjeze ndaj palës tjeter po borgjeze, për gjoja mbrojtjen me themel të lirive dhe të të drejtave të njeriut; për mbrojtjen gjoja të shtetit dhe të sovranitetit; për gjoja mbrojtjen e Mëvetësisë dhe të lirisë. ​
‘Kushtetuta’ borgjeze hartohet e shkruhet, thellësisht në mbrojtje të të pambrojtshmëve, shtypësve të lirisë e të të drejtave njerëzore të njeriut dhe, menjëherë sillet para procesit manipulative të votimit, gjoja popullor, për t’u votuar si pranim gjithëpopullor. ​
Ky soj kryedokumenti, është me këtë peshë, vetem për pakicën e popullsisë, që sundon, që shtyp e shfrytëzon shumicën e popullit; që vjedh e grabit gjithë pasuritë kombëtare, duke i pronësuar për vete ato, grupet kriminale të politikës, por edhe ata, pranë politikës. Kushtetuta e një vendi, në këtë sistem, nga një dokument që duhej të peshonte aq rëndë sa që s’do të mund t’ia luanin asnjë shkronjë nga vendi, kushdoqoftë, të paktën për disa dekada në vijimësi, kthehet në një ‘leter’ pa vlerë, në një leter që e merr edhe era më e lehtë dhe e hedh edhe në plehra. Kjo dukuri është më se e zakonshme, më se e dukshme dhe, mëse e prekshme në këtë sistem antivlerash njerëzore e të gjithfarëllojshme. Sapo iu cenohen interesat popitike dhe ekonomike, pushtetore e sunduese, grushti i vogël sundues në bashkëpunim me grushtin tjetër si vëlla, në opozitë, mblidhen kokë më kokë, a thua se kurrë s’kishin qënë të ndarë, ashtu siç paraqiten e shiten në sytë e njerëzve të thjeshte, por edhe të militantëve të tyre dhe, fshehurazi nga populli, brenda kulisave të errëta rrafshojnë ‘majat’ që ‘s’i lënë’ të takohen, zhdukin hendeqet që ‘i ndajnë’, prajnë ‘luftrat’ midis tyre dhe, si çakenjtë e uritur i versulen kalasë së Kushtetutës për t’ia ‘rikonstruktuar’ bedenat, pasi verejnë se u janë bërë pengesë; fillojnë operacionet nga ‘mjekët’ hardallë të legjislacionit mbi këtë kryedokument për t’ia vrarë nervin jetik që i jep asaj formë e përmbajtje; sulen sorrat e laraskat politike mbi të, gjoja për t’i bërë ‘operacione’ estetike asaj dhe, ia vrasin nuret e bukurisë e të vertetësisë; versulen mbi të krimbnajat e gjirizeve politike, gjoja për ta bërë edhe ‘më të shkriftë’ e më të kuptueshme atë dhe, e tretin pa e kallur në dhѐ. ​
‘Serioziteti’ i klasës borgjeze shqiptare andej e këndej Drinit, ndaj kushtetutës së vendit të vet duket fort qartë, atëherë kur këtë kryedokument ua lëshojnë në duar gjoja ‘aleatëve’ të tyre nderkombëtarë, për ta interpretuar, ndryshuar, katranosur, çngjyrosur, shëmtuar, thartuar, përbaltur e dhunuar, sipas qejfit e oreksit të tyre, që s’kanë asnjë lidhje me qejfin e, as oreksin e shqiptarëve të thjeshtë, shumicë kombëtare, ose popullore. ​
Në fakt, në këso lloj rastesh, faji s’është i ‘aleatëve’, pasi ujku s’ka faj në se ti ia var mëlçitë në qafë dhe i thua që t’i ruaj, por ai i han ato. ‘Ujku’ atë ‘zanat’ ka! ​
Populli, përmes një procesi më se demokratik, në një proces zgjedhor, në Kosovë, me 06 tetor 2019 nxori për të dytën here radhazi si forcën e parë fituese të atyre zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ishte vullneti i popullit dhe, përmes atij vullneti shprehej edhe ëndrra e një populli shumicë, për një ndryshim thelbësor të të bërit shtet e, të të qeverisjes. Populli ashtu shprehu vullnetin që politika e re që doli fituese nga ato zgjedhje, duhej të realizonte shkëputjen përfundimtare nga krimi, kriminelët, hajdutët e vrasësit e demokracisë, shkatërrimtarët e shtetit të ri e të brishtë të Kosovës, me rrënuesit e Republikës së re të Kosovës. ​
Me atë votë populli në Kosovë kerkoi që të rivlerësoheshin përmes fakteve dhe të gjuhës së historisësë së të kaluarës së afërt raportet e marrëdhëniet midis ish pushtuesve xhelatë, çnjerëzor, fashist e antishqiptar serb dhe viktimave të tyre prej një kohe mbi një shekullore, shqiptarëve, autoktonë në trojet e tyre etnike amëtare. Ajo votë për politikën ndryshe, për politikën e re, për politikën me frymë e shpirt kombëtar, ishte edhe votëbesimi i shqiptarëve të Kosovës në jetësimin e natyrshëm të Idealit madhor Kombëtar, Ribashkimin e trojeve e të kombit tonë të ndarë e të copëtuar masakrisht nga baballarët e këtyre ‘aleatëve’ të sotëm europjanë.​
Si rregull e mbështetur edhe në logjikën e shëndoshë, këtë votëbesim askush nuk e ka guximin dhe as fuqinë për ta rrëzuar e, as tjetersuar. Mirëpo, çfarë u parapërgatit nga e tërë politika e vjeter që ka sunduar Kosovën që nga liria e deri në këto zgjedhjet e fundit? Ajo politikë e vjeter, me ata pseudopolitikanët që e kishin shgërryer, zhagitur, dhunuar e përdhunuar, vjedhur e grabitur, Kosovën për më se dy dekada radhazi, a thua se janë vijimësia ‘e re’ e pushtuesit serb, pa pushtetin e dukshëm serb aty, në unison të hapur, por edhe të fshehtë e djallëzor, u muarën vesh me njëri-tjetrin dhe vendosën si një lukuni antikombëtare, si gjithnjë, sipas udhëzimeve të padronit pushtues serb, tani në rethana të reja, të sabotojnë fitoren dhe vullnetin e popullit, fitore kjo që për herë të parë në Kosovë do t’ia vinte kufirin tek thana ish pushtuesit e zaptuesit të trojeve tona amtare. Ajo fitore e populli i damkosi me njollën e hajnisë e të antishqiptarizmit, me humbjen e tyre dhe çuarjen në opozitë edhe të gjithë klasën politike ‘shqiptare’ që ia patën me hile dhe ia vranë pas shpine demokracinë e brishtë Kosovës dhe popullit të saj. ​
Mirëpo, aleati i vjeter i këtij krahu, LDK-ja, mundi të infiltrohej, ndoshta edhe duke ngrënë vjedhurazi vullnetin e popullit nga krahu i LVV, sidomos në procesin e numërimit të votave, por edhe sipas udhëzimeve të nderkombëtarëve për ta minimizuar sa të ishte e mundur fitoren sfiduese të popullit përmes LVV, luajti rolin e vjeter sa lashtësia e njerëzimit, atë të ‘Kalit të Trojës’ në gjoja koalicionin e fitimtarëve, me misionin e paracaktuar nga antishqiptarët, pse jo edhe me gjak ‘shqiptar’, për ta goditur që në ‘djep’ fitoren e popullit, ashtu siç nuk kishte ndodhur në asnjë rast tjeter, as në trojet kombëtare, por as në boten ‘demokratike’ borgjeze. ​
Ky bashkim hajnash e antikombëtarësh ish qeverisës përmes sundimit e antishtetit, ia arriti që, atë që kishte vendosur populli, për ta qeverisur Kosovën, ta rrëzonin vetem brenda 50 ditëve qeverisjeje në koalicionin e detyruar me antikombëtarët e dëshmuar si bashkëpunues të zellshëm e servilë me pushtuesin serb e, me kryesatrapin e tyre, antishqiptarin më të deshmuar, Sllobodan Millosheviçin.​
Që me shpalljen e rezultatit të votimeve të 06 tetorit 2019, në Kosovë, u duk se rezultati teper i ngushtë midis LVV dhe LDK-së, ngjante me një fitore ‘të helmuar’, me një makinacion që të linte një hije të dyshimtë e një shije të hidhur, pasi pabesitë e këtyre të sprovuarëve me pushtet që pas fitores së lirisë, kishin treguar se manipulatorët politik ishin aty brenda, edhe në LDK-në e vendit të dytë, ishin në një kor me të gjithë ‘të humburit’ përmes votës, tashmë të derguar në opozitë, por ‘fitimtarëve’ përmes makinacioneve të shpërdorimit të pushtetit, ligjit e kryeligjit, Kushtetutës së Kosovës, përfitues të hapur edhe të fshehtë të ndihmës së padronëve serb, por edhe të mbështetjeve të maskuara nga disa ‘aleatë’ të Kosovës, por dukshëm edhe proserb. (!!) Populli i thjeshtë u habit se si në krahun e PANHAJNISË së deridjeshme, u radhitën edhe segmente të veçanta të politikës amerikane. (!) U duk qartë se politika e re, si tek LVV, por edhe tek një berthamë shprese reformatore brenda LDK-së, nuk po pëlqehej çuditërisht as nga nderkombëtarët. Kështu, falë edhe atij qendrimi nxitës të ‘aleatëve’ nderkombëtarë për të ndëshkuar frymën e re politike të Kosovës, u arrit edhe rrëzimi i qeverisë Kurti, për t’ia dhënë pushtetin në mënyrë antikushtetuese një partie jofituese për të formuar qeveri në koalicion me humbësit e ndëshkuar nga vota e popullit. ​
Që në hapat e parë, reaksioni i vjeter antishqiptar s’mundi që ta fshehë zemerimin për fitoren e LVV, pra për fitoren e shumivës së popullit, ndaj menjëherë nisën t’i vinin nën rrota qeverisë së re, shkopinj e pengesa të paparashikuara e të papërfolura as në marrëveshjet paraprake të formuluar për bashkëqeverisje. Kjo fliste hapur e qartë për një mirëkoordinim përbashkues të të gjithë krahut politik ish qeverisës, të demaskuar edhe ndërkombëtarisht për korrupsion galopant e të pashoq gjatë viteve të qeverisjeve të tyre, radhazi. ​
Një dukuri e tillë, kur nuk respektohet vota e popullit, por ajo i jepet atij me të cilën vetë populli e ka ndeshkuar, flet për një standard jodemokratike, për një shtet ku Kushtetuta është marrë peng nga grupe politike mafioze me frymë antikombëtare, për të shkelur atë sa herë t’u dojë qejfi e interesi i tyre, vetem e vetem për të mbrojtur pushtetin e tyre të paligjshëm. Këto grupe kriminale politike kryejnë kryekrimin e madh e të pashoq, përdorimin e shkallës më të lartë të gjyqësorit përmes ndikimit të tyre aty, në favorin e tyre, antikushtetutshmerisë, pra kundër të drejtës së ligjshme, duke e bërë Kushtetutën e shtetit të Kosovës një leter të pavlerë e aq të lehtë sa edhe puhiza më e lehtë e një ere mund ta marrë e të hedhë në koshin e pavlerësisë historike. Kjo ka ndodhur shpesh herë më parë në Shqipëri, kjo ndodhi së tashmi edhe në Kosovë. ​
Interesat klanore politike hartojnë formalisht ‘Kushtetuta’, pasi ato zhvlerësohen pa pikë vështirësie nga të ahtuquajturat “Marrëveshje” politike midis krahëve të ‘kundërt’ të politikës, sa here t’ua duan interest e tyre meskine e antikombëtare. Kështu lind pyetja e ligjshme: Kujt i duhet një kushtetutë që rrëzohet e shkelet sa herë duan politikanët, përmes ‘marrëveshjeve’ ndërpartiake?! Përse duhet të hartohen e shkruhen Kushtetuta, e, të shpenzohen fonde të tëra për votimin e tyre, kur ato i zhvleftëson farë lehtë një marrëveshje politike ndërpartiake? Ksaja i thuhet së ligjet burojnë nga marrëveshjet dhe, jo nga kushtetuta! Kushtetuta, me sa duket do të përdoret vetem për të ndëshkuar njerëzit e thjeshtë, ata që ngrenë krye kundër padrejtësisë, shkeljes së të drejtave të tyre e shtypjes së lirive të tyre. Rast më skandaloz se ky vendimi i ‘Kushtetueses’ së R.K. me datën 28 maj, nuk ka e, as mund të ketë. Kushdo që i thotë vetes demokrat, kudo në shqiptari, por edhe jashtë saj, nuk duhet të pranojë që për hir të ‘stabilitetit’ të sakrifikohet demokracia. Kush e ushqen këtë ide, hapur nuk e don vendodjen e demokracisë në një vend, pasi ajo vendos edhe stabilitetin e qendrueshmerinë politike. Kush mund ta argumentojë se si mund të ketë stabilitet pa patur së pari demokraci. Nga demokracia lind stabiliteti, sovraniteti, liria e vertetë dhe shteti ligjor, apo i së drejtës. Këtë gjë e dim edhe më i pashkolluari, Këtë përrallë nuk duhet t’ua tregojnë shqiptarëve, as ‘aleatët’ sepse për fat të mirë jemi ndër kombet më të shkolluara të këtij planeti, jo falë sistemit të sotëm. Ka tri dekada në Shqipëri dhe dy dekada në Kosovë që stabiliteti dhe qendrueshmëria politike nuk vendosen. . . ! Kjo don ta jetësojë platformën çubrilloviçjane se shqiptarët nuk mund të formojnë shtet. Këtë situatë e kanë mbajtur gjallë dhe e kanë frymëzuar pikë së pari nderkombëtarët ‘aleatë’t, pasi po të kishin qënë miq të vertetë, me kohë ishte harruar tranzicioni në Shqipëri dhe, Kosova nuk do të binte në kthetrat e atyre që ndertuan korrupsion e antishtet, as nuk do t’I thuhej klasës më të korruptuar politike të Kosovës që të formonte qeveri kundër vullnetit të popullit.​
Kosova, e ndodhur në këto rrethana krejt të përçudnuara, pas një fitorjeje shpresëndjellëse përmes LVV, po zhgënjehet si asnjëherë tjeter edhe tek faktori ndërkombëtar, i cili kishte luajtur e luan rolin e garantit të shtetit të ri të Kosovës së pavarur, në rrethanat e reja të pasluftës së saj çlirimtare. Marrja e përkrahjes prej këtyre ‘aleatëve’ nga ata që deri para zgjedhjeve i kishin demaskuar edhe vetë për keqqeverisje të Kosovës gjatë tërë atyre viteve, për shkallën më të lartë të korrupsionit në qeverisje e, për nepotizëm në formimin e administratës publike e, të asaj diplomatike, ishte sa e çuditshme për politikën e re, por edhe e papritur për popullin fitues. ​
U duk qartë se ajo fitore e popullit, ajo normë e ai standard demokratik zgjedhor në Kosovë, nuk do t’i shkonte fort për shtat, pikë së pari, mikut të hapur të ‘aleatëve’ të Kosovës, Serbisë, ndaj për hatër të mikut të tyre serb, ata duhej të sabotonin e goditnin për vdekje fitoren e popullit, pra të properendimorëve e proamerikanëve më të dalldisur në këtë planet, shqiptarëve. (!) Kjo kartë u kushtëzua me ‘heqjen’ pa asnjë kusht nga qeveria e re, e taksës së transportit të mallrave nga Serbia. (!!) Kësaj i thuhet se shteti është formalisht i yti, por ti, shtet i Kosovës, do të qeverisësh siç ma duan interest e mia! Kësi soji miqësia e ‘aleatëve’ me më të voglin s’vlen asnjë ‘grosh’, përballë interesave e miqësive të vjetra e të reja, me më të madhin. Kështu po luhej e po luhet me dy standarde nga ata që na përbetohen edhe sot, për aleatë e miq të vertetë e besnik të Kosovës e të shqiptarëve. ​
Miqësia jonë e pakushtëzuar deri në marrëzi ndaj cilitdo ‘aleat’ e ka një çmim, atë të përçmimit nga ‘aleatët’ për servilizëm, për paboshtësi kombëtare, për lëpirës e gëlltitës të çdo gjëje që mund t’iu jepen nga ‘aleatët’, duke na parë si të paaftë e të pavetëdijësuar në qellimet, idealet e në veprimet e qendrimet tona me karakter kombëtar. Kjo paraqitje, në fakt e në thelb, nuk përfaqëson kombin shqiptar, por një grup të pamoralshmish politik që kanë uzurpuar shtetin e pushtetin. Zatën edhe kjo formë, iu shkon për shtat edhe më mirë politikave ‘miqësore’ ndaj shqiptarëve të këtyre ‘aleatëve’, që më shumë na duan si të nënshtruarit e tyre, se sa të vendosur e qendrestar të vetëdijësuar në qellimet e veprimet tona me karakter kombëtar e, në raporte të drejta reciprociteti e ndernjerëzore, të formuluara nga pozitat miqësore të verteta e të pakushtëzuara e, as nënshtruese. ​
Pas kësaj katraure që gatuan edhe ndërkombëtarët, pasi po të ishin ‘jashtë lojes’, do ta ndalonin atë, besimi i shqiptarëve duhet të mos vetëshpërdorohet më nga shqiptarët, por të mirëmendohet se kujt i duhet thënë ‘aleat’, apo ‘mik’. Ai që nuk e don vendin , lirinë, kombin, moralin, veten e vlerat e veta, s’ka se si t’i dojë as ‘aleatët. Këtë e dinë fare mirë edhe ndërkombëtarët, ndaj sillen kështu ndaj shqiptarëve në Ballkan. Aleati më i madh e më besnik i shqiptarëve të vertetë e atdhetar është Bashkimi kombëtare, Atdheu e liria!​
Shqiptarët e vertetë, tashmë po provojnë mbi kurrizin e në fatin e fëmijëve të tyre mashtrimet e politikave antipopullore të klasës së korruptuar të kësaj borgjezie thellësisht antikombëtare, ndaj duhet të bashkohen si dikur kundër pushtuesit, sot kundër mashtruesve politik, antipopull e antikombëtar. ​
Demokracia është pushtet i popullit shumicë, ndaj askush nuk duhet t’i sherbejë ‘pushtetit’ të pushtave të shtetit fallso të demokracisë fallso.​
Politika është kalimtare në këte jetë, por populli, kombi e atdheu rrojnë përjetësisht, ndaj duhet t’u sherbejmë vetem këtyre e, jo vrasësve të tyre!​

Tiranë, me 29.05.2020.

About admin

x

Check Also

Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

12/09/2020 Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ...