Home / Opinion / Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve

Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve

May 31, 2020

Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve

 

Nga Moikom Zeqo

Parlamenti Europian në Strasburg është një sfidë serioze ndaj utopive që kanë mrekulluar njerëzimin, po dhe që e kanë dëshpëruar barbarisht.

Ksenofobët e vjetër dhe të rinj, asketët e vetmuar, por të ditur, që e personalizojnë tërë universin vetëm brenda trupit të tyre, (duke e vetëkastiguar trupin ata të marrë ndëshkojnë vetë universin) dualistët kalorës të Mesjetës, që nuk kanë pranuar asnjë kompromis mes tyre, përveç vdekjes, doktrina e dështuar e bipolarizmin ideologjik të shekullit XX, tallësit e pashpirt të esperantos, polemistët dhe pamfletistët gjenialë dhe sanguinë, që vërtetojnë segregacionin e individëve, kombeve, shteteve, racave të ndryshme, të armiqësisë astrologjike të yjve, kometave, kuajve, jaguarëve, luleve dhe kontinenteve, filozofët e feminizmit, krejt të papajtueshëm me filozofët e epërsisë mashkullore të mitizuar, (homoseksualizmi dhe lezbizmi sipas tyre janë absolutisht më të rëndësishëm dhe natyrorë se ndërseksualizmi, se marrëdhëniet midis sekseve të kundërt janë një blasfemi tragjike – shënimi im M.Z.) etj. etj. e urrejnë për vdekje me heroizëm mallëngjyes e mospërfillje idenë dhe realitetin e Parlamentit Europian.

Po Parlamenti Europian megjithatë merr frymë, fiton autoritet të padiskutueshëm botëror, mbijeton, sendërton shpresat, është kthyer në një kryetempull panteonik, juridik.

Parlamenti Europian është shprehje ekzistenciale e Rendit të Ri të Njerëzimit.

Parlamenti Europian ka flamurin e vet, siç ka dhe tërë flamujt e kombeve që e përbëjnë.

Burrat vizionarë të shteteve, politikanë me ideale të humanizmit e kanë të qartë se mekanizmi ndërkombëtar nuk është aspak si sistemi i sferave të Ptolemeut, dijetar aleksandrin i shekullit II të erës sonë, ku secila sferë rrotullohet vetëm për hesap të vet.

Në të vërtetë Aristoteli, mendimtari i habitshëm dhe më i madh i lashtësisë, teoricieni i pakundërshtueshëm i kulturës politike të qytetit-polis, ndonëse nuk shprehet se tërë bota është një qytet i madh dhe i vetëm, por një tërësi qytetesh të veçanta (ruralistët, ithtarët këmbëngulës të Zhak Zhak Rusoit kanë vënë në dukje me dashakeqësi, po jo dhe pa mprehtësi se Aristoteli është qytetarocentrik dhe nënvleftësues i padenjë i fshatit dhe ideve maoiste – shënimi im M.Z.), duke shkruar 112 kushtetutat e qyteteve polis në kohën e vet, duke përfshirë dhe kushtetutën e Dyrrahut tonë në shekullin IV para erës sonë, i ka bërë ato të ngjashme, thuajse si shumëfishim i një kushtetute të vetme universale.

Tërthorazi Aristoteli akuzohet si projektues i Parlamentit Europian, ndonëse duke qenë ballkanas, nuk e parashikoi këtë gjë për ballkanasit, që vërtet në antikitet qenë qytetarët e parë, porse sot, për një mister dhe pakuptimësi hyjnore të historisë janë ende qytetarët e vonuar të Europës Moderne.

Strasburgu është bërë një simbol i madh i ngritur mbi polemikat e stuhishme të masmedias.

Po emri shpresëndjellës e krenar i Strasburgut bije ndesh dhe është në kontradiktë me semantikat e kobshme të luftës, që përhapen nga Sarajeva.

Katastrofa e pabesueshme në Bosnjë Hercegovinë e ka sfiduar Parlamentin Europian.

Analistët politikë, gazetarët kureshtarë dhe vetëmohues, cinikët dhe kartezianët, akademikët dhe parodistët, astrologët dhe futurologët, poetët dhe gjeneralët etj. etj., kanë turbulluar opinionin publik europian dhe botëror me dyshime, për një lloj fataliteti mynihas dhe nëse besohet akoma dhe sot teoria ciklike e historisë së Xhambatisto Vikos, (që shkrimtari enigmatik Horhe Luis Borhes me një mendjelehtësi gjeniale e ktheu në kult, gjë që i ka ngatërruar kritikët dhe estetët, që kanë shkruar për tregimet e tij fantastike me mbishtresa filozofike të stilit barok – shënimi im M.Z.), mund të artikulohet fakti i pamohueshëm se pikërisht Sarajeva, që lidhet me Luftën e Parë Botërore mund të bëhet shkas për Luftën e Tretë Botërore.

Këto profeci aspak gazmore kanë bërë, që shumëkush të luajë rolin e lakmueshëm të Kasandrës.

Shkrimtarët dhe intelektualët janë të tillë pikërisht se nuk mund të jenë indiferentë.

Edhe ezoterikët më të vendosur, edhe ata që e stigmatizojnë politikën dhe për fatalitet merren prap me politikë (ekstremet takohen) nuk mund të pajtohen me luftën absurde në BH (Bosnjë-Hercegovinë).

Kretenizmi parlamentar i politikanëve është gjithsesi i pashmangshëm dhe i kuptueshëm si sëmundje profesionale kudo në botë, ndaj shkrimtarët nuk duan të heqin dorë nga përgjegjësia e tyre e cila në thelb është më universale.

Përse të mos kenë dhe shkrimtarët Parlamentin e tyre?

Kjo ishte kryefjala dhe sinjali SOS i Apelit të Shkrimtarëve të botuar para ca kohësh në revistën e njohur franceze “Lignes”.

Atë e kanë nënshkruar shkrimtarët dhe intelektualët më në zë të Europës, nobelistë dhe kandidatë për të tëra çmimet më të larta letrare të botës për të sensibilizuar opinionin publik për atë mënxyrë që po ndodh në B.H.

Shkrimtari dhe publicisti Juan Gojtisolo, autori i “Letra nga Sarajeva”, që ka shpalosur para syve të të gjithë Apokalipsin e B.H. ka treguar dhe argumentuar arsyen supreme pse një nismë e tillë e shkrimtarëve dhe intelektualëve është krejt e domosdoshme.

“Personalisht më vjen shumë keq që kur është fjala për ish Jugosllavinë ku pati një Malro të ri, një Oruell, një Dos Pasos, apo një Heminguej, të cilët ngritën zërin e protestës në kohën e luftës spanjolle. Presioni i intelektualëve mbi komunitetin ndërkombëtar, i organizuar dhe i sinkronizuar, ka mundur, jam i bindur, të ndërronte rrjedhën e ngjarjeve në B.H.

Mbasi nacionalizmi dhe fanatizmi i të gjithë ngjyrave edhe më tej po i kanoset komunitetit botëror jam i bindur se Parlamenti i intelektualëve në të ardhmen do të ketë mundësi të jetë një instrument efikas i aksionit kolektiv”, ka shkruar Gojtisolo.

Ideja për një organizatë ndërkombëtare që të bashkonte intelektualët dhe në radhë të parë shkrimtarët nuk është e frymëzuar vetëm nga ngjarjet e llahtarshme në B.H.

Nga fillimi i viteve ’60 shkrimtari Morice Blanchot ka formuluar domosdoshmërinë për një organizatë të ngjashme:

“Ne i përkasim, i shkruante ai shkrimtarit Vitorini, kohës së “fundit të filozofisë”, që, si çdo fund, mund të shtrihet në një periudhë mjaft të gjatë historike dhe që na obligon të ndërmarrim aksione radikale të reja”.

Morice Blanckot sëbashku me Roland Bartin, Mishel Leirisin dhe Robert Antelmon përgatiti dhe botoi në “Reveu internationale” një projekt sintetik dhe programor, që kërkonte nga intelektualët që bashkërisht e pa ndrojtje e stërhollime të merrnin mbi vete përgjegjësinë për atë që ndodh rreth tyre, njësoj sikur ndodh brenda tyre.

Internacionalja e Intelektualëve evokon kështu xhestet trimërore të së kaluarës bërë nga raca heretike e tyre, si artikulli fundamental “Akuzoj” i shkrimtarit Emil Zola, për dënimin e gabuar të Drajfusit, denoncimi i Anri Barbysit për shkatërrimet e luftës, protesta e Brehtit, Ainshtajnit, pavarësinë intelektuale të Pastërnakut, Bulgakovit, Kunderës dhe filozofit Patoçka, utopitë negative të Xhorxh Ourellit dhe të Aldous Hyxley kundër totalitarizmit politik dhe teknologjik etj. etj.

Ideja e angazhimit të intelektualëve, bashkarisht u bë konkrete para ca kohësh me botimin e librit “Për Salman Ruzhdiun”, u 100 shkrimtarë, intelektualë arabë e myslimanë (nga të cilët shumica e kanë nënshkruar edhe Apelin te revista “Lignes”), ku u shprehën publikisht për heqjen e “Fatvas”, domethënë, dënimit absurd me vdekje të Salma Ruzhdisë dhe për lirinë e pakushtëzuar krijuese.

Parlamenti i Intelektualëve, nëse kjo ide do të realizohet, do të ishte një institucion njerëzor dhe kulturor për sigurinë fizike dhe lirinë juridike të shkrimtarëve etj., që janë të rrezikuar kudo në botë, të burgosur, të keqtrajtuar prej shkrimeve dhe librave, për të denoncuar, ndalimet e censurat gjithnjë e më të mëdha ndaj fjalës së shkruar.

Ky Parlament do të luftonte kundër markentilizmit të neveritshëm të letërsisë dhe kulturës mediokre që është bërë një kërcënim si sëmundje infektive, favorizuar nga shtëpitë botuese, që kanë afinitete për fitimet e shpejta, do të protestonte kundër honorareve të vogla dhe të drejtave të shkelura të autorëve etj.

Me qindra shkrimtarë janë deputetë në parlamentet e botës, po a do të krijojnë një ditë dhe ata parlamentin e tyre të veçantë?

Disa shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë megjithëse janë dhe deputetë, po edhe të tjerët, nuk dinë me sa duket asgjë për këtë Apel.

Njëri prej tyre bile dhe erudit, ndonëse i urren shkrimet në gazetat e pavarura (ma tha në një bisedë intime plot me aluzione kërcënuese dhe partenaliste) se B.H. dhe Sarajeva ishin diku në Azinë e Vogël dhe tërë muslimanët që po vriten atje janë sjellë me avionë dhe në mënyrë të fshehtë nga fundamentalistë arabë dhe sheikët poliglotë të petrodollarit.

Një skeptik akoma më i mençur që sapo ka botuar intervistat e parë e që pretendon një rol meteorik në jetën e ardhshme politike më tha një shaka serioze se shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë me gene të pastra toskësh dhe gegësh duhet ta shpërbëjnë gjuhën e përbashkët letrare si një kufizim kriminal të lirisë dhe meqenëse as çështja kombëtare nuk mund t’i bashkojë se kjo është një utopi moniste aq më shumë kanë arsye të palëkundshme për të mos u indoktrinuar në çështjet ndërkombëtare.

Nuk është aspak habi që ky mendim të jetë plotësisht i vërtetë ngaqë rrezaton një pragmatizëm të padyshimtë!(Durrës 27 prill 1994)

 

 

E PABESUESHMJA E INTELEKTUALËVE

Më 27 prill të  vitit 1994 botova në ZP esenë “Parlamenti ndërkombëtar i intelektualëve”.

Kjo nismë, e intelektualëve, e para e këtij lloji në historinë e Europës dhe të njerëzimit u sfidua nga një skepticizëm, i denjë për mediokritetin antiintelektual, duke u parodizuar si “i pabesueshëm”, “utopi e romantikë e vonuar”.

Ikonografia e politikanëve, e plotfuqishme nga magjitë dhe truket e neveritshme dhe të dyshimta të masmedias, është paraqitur dhe paraqitet si e vetmja alternativë e pronësisë së problemeve të jetës dhe politikës, si një teologji e stërvjetër dhe e re e autoritetit urdhërues dhe kompetent.

Kulti i rëndë i statistëve, i presidentëve, i ministrave, i diplomatëve, dhe gjeneralëve etj. i ka mënjanuar intelektualët, shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj, e ka kthyer inteligjencën europiane dhe në përgjithësi në një tautologji të tregut të lirë dhe të politikanizmit absurd.

Po intelektualët, ende të panënshtruar nga “taudium vitae” (“neveritja e jetës”) i sfiduan sfidat, arritën të pabesueshmen: domethënë organizuan pikërisht në Strasburg “Parlamentin ndërkombëtar të intelektualëve”.

Sipas gazetës “Lë mond” nismëtarët shpallën në Paris, para ca kohësh, realitetin e një aksioni kolektiv intelektual, të këtij parlamenti unikal në historinë e botës.

Këta guximtarë vizionarë janë Zhak Derrida, Karlo Fuentes, Pjerr Burdie, Eduard Glissani, Toni Morrisoni, Breyten Breytenbah si dhe i famshmi dhe i dënuari me vdekje Salman Ruzhdie.

Përshëndetje dhe nderim, përkrahje të pakufishme këtyre intelektualëve kolosë, nga më të mëdhenjtë e shekullit XX!

Më 28 shtator deri në 2 tetor 1994 në Lisbonë do të bëhet seanca e parë plenare e Parlamentit ndërkombëtar të intelektualëve.

President i parë i këtij Parlamenti është zgjedhur paraprakisht pikërisht Salman Ruzhdie.

Ruzhdie ka botuar një Deklaratë, të konceptuar si një apel publik për të gjithë.

Në të në substancë thuhet, se shkrimtarët dhe intelektualët janë qytetarë të botës, të të gjitha vendeve pa përjashtim, shtetas dhe banorë heretikë të Mbretërisë së Fantazisë, të Vendit gjysëm të harruar të Kujtesës, të Shteteve të Bashkuara të shpirtrave, të trazuar dhe të qetë e stoikë, të kombeve qiellorë të djallëzuar e të çuditshëm të dëshirave, janë populli i madh dhe i pazëvendësueshëm i Republikës Botërore të Fjalës.

Arti është i plotfuqishëm, po shpesh artistët janë të pambrojtur.

Poezitë e Ovidit mbijetuan dhe tejkaluan shekujt, po jeta fizike e Ovidit u shkatërrua pa mëshirë nga perandori August i Romës.

Fjala e Mandelshtajmit sot ka rilindur, po vetë poeti u vra dhe nuk i dihet ende varri.

Letërsia dhe arti i kundërvihet despotizmit, e injorojnë autoritetin e tij etatist, shpallin pavarësinë e tyre nga politikat e shtypjes dhe dehumanizmit etj. etj.

Intelektualët e ndërgjegjshëm shprehen kështu kundër politikokracisë.

Të mos harrojmë vërejtjen e hidhur po të vërtetë të filozofit ndër më të mëdhenjtë e fundit të këtij shekulli Karl Poperit, se sot në skenën politike është zotërues sindromi i mungesës së liderizmit, dmth mungojnë liderët e shquar politikë si De Goli dhe Çurçilli, kemi politikanë të rutinës, të radhës, pale të mendosh për liderët ballkanikë, tërë komplekse dhe mungesa intelektuale të dukshme, disa prej tyre nuk mund të fshihen dhe të maskohen dot me autoritarizëm primitiv dhe patriarkal të kobshëm dhe njëkohësisht grotesk.

Mendimi i mrekullueshëm i Rexhep Qoses se partitë, siç e provon jeta, dhe degradojnë, prandaj duhen oponencat heretike të intelektualëve të shquar për të dimensionuar vizionet e vërteta të politikave humane dhe jo vetëm ekonomike është në unision të thellë dhe të domosdoshëm me krijimin e parlamentit të mësipërm.

Duke biseduar me Dritëro Agollin në kafen e Kuvendit  për idenë e madhe të Parlamentit ndërkombëtar të intelektualëve e pyeta se kush nga intelektualët shqiptarë e meriton më tepër të përfaqësohet në të, Dritëroi m’u përgjigj thjesht:

– Rexhep Qosja!

Xhevat Lloshi, kur i njoftova se nënpresidenti i Parlamentit ndërkombëtar të intelektualëve ishte Zhak Derrida u entuziazmua. Kishim biseduar bashkë shumë herë për Derridën, për analizat e tij të mrekullueshme për Malermenë, Hajdegerin, Marksin, për kritikat që ai i bën sistemit të quajtur “llogjikoncentrizëm”, për të treguar kontradiktat konceptuale të metodave dhe lëvizjet e reja të mendimit bashkëkohor. Xhevati shfaqi mendimin të shkruante një skicë për Zhak Derridan, për të njohur publiku dhe kultura shqiptare një nga intelektualët më të mëdhenj dhe interesantë të kohës sonë.(Tiranë, 4 maj 1994)

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...