Home / Lajme / Kush janë “Bosët” që nuk japin llogari për fondet milionëshe të mërgatës ?!

Kush janë “Bosët” që nuk japin llogari për fondet milionëshe të mërgatës ?!

 

Shkruan: Profesor Fahri Mahalla, Lozanë *

Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, pos që u bënë zotër të fondeve të mërgatës, duke i ndalë financimin edhe kryetarit Ibrahim Rugova në rrugëtimet e tij të lobimit për lirinë e Kosovës, as pas lufte nuk i bënë asnjëherë transparente mjetet e fondeve, siç nuk dhanë llogari as për atë se ku përfundoi dokumentacioni i qeverisë në ekzil.- Pse Isa Mustafa varrosi kontributin e veprimtarëve të LDK-së ?!

Kosova mbijetoi nën okupimin serb, fal popullit liridashës dhe veprimtarëve të LDK-së, përfshi këtu edhe veprimtarët e LDK-së në Diasporë. Falë vullnetit të fortë arritëm të mbijetojmë dhe të çlirohemi nga okupatori serb. Kosova funksionoi si shtet falë LDK-së, në krye me Dr.Ibrahim Rugovën, falë bashkëpunëtorëve të tij që ishin të përgatitur mirë në të gjitha nivelet, si ishte Fehmi Agani, Mark Krasniqi dhe qindra intelektualë te tjerë, që u kyçën për ta dhënë kontributin e tyre.

Veprimtarët e LDK-së në diasporë e themeluan fondin shtetëror të Republikës së Kosovës, i quajtur Fondi i 3%-shit. Në dhjetor të vitit 1991 LDK-ja të gjitha mjetet që i kishte në konton e saj, i derdhi në fondin shtetëror të Republikës së Kosovës, i cili udhëhiqej nga qeveria gjegjësisht ministri i financave Isa Mustafa. Me kohën Bukoshi dhe Mustafa u bënë zotër të Fondit, këta dy kanë bërë çka kanë dashtë me Fondin, këta i ndalën financimin kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe e penguan atë që të lëviz jashtë Kosovës, për të lobuar për lirinë e Kosovës, këta të dy e lanë Ibrahim Rugovën rrugëve të Evropës.

Si e obliguan dy bosët, Rugovën të shkojë vet të nënshkruajë në postë!

Ibrahim Rugova ishte nisur për në Gjermani me stafin e tij për të lobue për Kosovën, kishin mbet pa financa (pa para) në Gjermani. Ata i kërkuan para këtyre dy bosëve të fondit, këta i thanë po një shumë minimale prej 10,000 DM dhe e kanë detyrua Presidentin Rugova me shkua në POSTE me nënshkrua për t’i marrë 10,000 DM. Ka mund me shkua dikush tjetër nga delegacioni me i marrë ato para, por  qëllimi ishte me i tregua Rugovës se na jemi ata që komandojmë me Fondin.

Për këtë rast isha i njoftuar më parë, pastaj këtë e vërtetova në Cran Montana në Zvicër, duke biseduar me Adnan Merovcin, dhe ky ma konfirmoi këtë.

Qysh atëherë i thashë Adnanit se nëse merret iniciativa për t’i shkarkua këta dy bosa të fondit, do ta keni përkrahjen e veprimtarëve të fondit, sepse të gjithë janë të LDK-së, ai tha ka pas një propozim të tillë, por përgjigjja e Presidentit Ibrahim Rugovës ishte kjo: Edhe nëse vuajmë si gjarpri nën gurë kurrë nuk do ta shkarkoj qeverinë e parë të Republikës së Kosovës…

Këta dy bosët edhe disa të tjerë i injoruan totalisht veprimtarët e LDK-së i  injoruan edhe veprimtarët e Fondit shtetëror të 3%-shit. Po e ceki një rast. Organizonim tubime me bashkatdhetar rregullisht për të mirën e fondit dhe të Kosovës, me qëllim që fondit të ketë sa më shumë mjete, sidomos kurë filloi lufta në Drenicë. Asokohe u shpall aksioni “Ndihmë për Drenicën“. Më vonë filluam edhe aksionin “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës“, për ta financua luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 Bukoshi, para se me veprimtarët e Fondit, ulet me udhëheqësit e LPK-së !

Tubimin e parë e mbajtëm në Friburg të Zvicrës, salla ishte shumë e madhe por nuk i zuri bashkatdhetarët, dhe na u deshtë t’i mbajmë dy tubime njërin mbas tjetrit, në tubim ishin edhe bosët e Fondit shtetëror… Mirëpo në tubim ishin infiltrua disa anëtarë të LPK-së që u përpoqën të na e prishin tubimin, por nuk i ia dolën. Thjeshtë ishte e pamundur, sepse ishim të organizuar mirë dhe të motivuar shumë për ta ndihmuar vendin. Mbasi i përfunduam të dy tubimet, Bujar Bukoshi brenda për brenda objektit, ku ishte salla, në restorant ishte ulur në një tavolinë dhe po bisedonte me disa udhëheqës të LPK-së, me ata që anëtarët e tyre tentuan të na e prishin tubimin. Kjo ishte një befasi, për ne veprimtarët e Fondit të  3%. Bujar Bukoshi  në vend se të ulej me ne veprimtarët e Fondit, ai ulej me ata që tentuan të na e prishin tubimin, të gjithë u befasuam me këtë gjest.

 Në Zvicër: “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës”- 24’015’500 Sfr.

Aksionin Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës, e ndërmorëm për ta financuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për ta çliruar Kosovën nga okupatori serb. Aksioni shkonte shumë mirë; për dy muaj në nivel të Zvicrës u grumbulluan 24’015’500 (njëzet e katër milionë e 15 mijë e 500) franga zvicerane. Bashkatdhetarët që i kanë dhënë parat i kanë marrë Bonat përkatës. Në fillim parat i dërgonim në Dardania Bank në Tiranë përmes Bankës UBS, edhe përmes bankave tjera të Zvicrës. Por me të kuptuar shteti serb se paratë po shkojnë në bankën Dardania në Tiranë përmes bankave Zvicerane, ushtroi presion mbi institucionet e Zvicrës, që të ndërpritet dërgesa e parave përmes bankave. Ndalesa na shkaktoi probleme serioze, sepse u detyruam që parat t’i dërgojmë në Dardania Bank, përmes veprimtarëve të Fondit. Ata shkonin me aeroplan në Tiranë dhe i dërzonin parat në Bankën Dardania.

Faksimil i mjeteve të mbledhura në Zvicër në emër të aksionit “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës” , sipas kantoneve veç e veç

Mërgimtarët investonin me vullnet e kënaqësi për shtetin dhe UÇK-në

Fondi i 3% ishte fond shtetëror i Republikës së Kosovës, në këtë Fond paguanin rregullisht shqiptarët e ndërgjegjshëm, e paguanin me kënaqësi, sepse investonin për shtetin e tyre. Ata paguanin me vetëdëshirë, sepse ne veprimtarët e Fondit nuk kishim mekanizëm për t’i detyruar ata të paguajnë, se pse ne ishim në shtet të huaj, dhe duhej t’i respektonim ligjet e shtetit ku jetonim.

Në fillim ne, organet udhëheqëse të Fondit të 3%-shit në Zvicër, merrnim nga ministria e financave raportin se kush e ka pagua 3%, mbasi që i kishim emrat e bashkatdhetarëve dhe adresat, kështu që e dinim se kush ka pagua edhe kush nuk e kishte përmbushur detyrimin kushtetues.

Veprimtarët e Fondit vepronin në baza vullnetare. Ata pasi mbaronin punën e përditshme, nga e cila jetonin. dhe i mbanin familjet në Zvicër e në Kosovë, në mbrëmje shkonin për t’i vizituar bashkatdhetarët në banesat e tyre, për t’i bindur ata që ta paguajnë 3%-shin, dhe që t’i mbështesin aksionet specifike, për ta financuar shtetin e Kosovës që ishte nën okupimin serb, dhe për ta financuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Të hyrat e fondit nuk i bënim publike, për arsye që dihen. Siç e thash, në fillim, Ministria e financave na e dërgonte raportin rregullisht, dikur herë e dërgonte herë se dërgonte, dikur e ndërpreu këtë praktikë…

Ndihmat e mërgimtarëve përmes fondeve dhe aksioneve për UÇK-në 

10 milionë sfr. “Ndihma për Drenicën“, që nuk u bën transparente!

Mjetet e grumbulluara nga aksioni ndihmat për Drenicën, janë Paguar në konton e Fondit shtetëror të 3%, duke shënuar në çeçe “Ndihma për Drenicën“, u mblodhën afër 10’000’000 FRCH. Shtrohet pyetja a kanë shkua ato para në Drenicë? mendoj se për këtë duhet të përgjigjen Bujar Bukoshi  dhe Isa Mustafa.

Për aksionin “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës“, më emëruan mua kryetar në nivel të Zvicrës, ndërsa nënkryetarë Arif Baftiun dhe Tomë Berishën. Gani Hoxha kryetar i Fondit të 3%  ishte krah për krah me ne. Veprimtarët e fondit ishin të kyçur në të gjitha nivelet lokale dhe kantonale. Strukturat e fondit të 3%, ishin kryesisht anëtarë të LDK-së, mbi 1500 veprimtarë të angazhuar natë e ditë. Me ne ishin edhe anëtarët e partisë Demokristiane që udhëhiqej nga Akademiku i ndjerë Mark Krasniqi.

Profesor Fahri Mahalla me Presidentin Rugova gjatë një vizite në Gjenevë

Anëtarët e fondit u përballen me shumë rreziqe gjatë dërgimit të mjeteve

Kjo ishte një punë me rrezik për njerëzit që merrnin përgjegjësinë të kenë më vete me qindra mijëra franga. Ata mund të sulmoheshin nga tipa të ndryshëm për t’ua marrë të hollat… Ata detyroheshin që të hollat t’i mbajnë edhe në friz, nga droja se mund t’u digjej banesa e me të edhe paratë e njerëzve që përpiqeshin me zemër ta ndihmojnë shtetndërtimin e Kosovës. Të gjithë bashkë, veprimtarët e Fondit dhe donatorët e shumtë meritojnë respekt të posaçëm për mundin dhe sakrificat e tyre.

Me të përfunduar Aksioni, ne, Komisioni i Zvicrës jemi takuar me Komisionin shtetëror të qeverisë së Republikës së Kosovës. E kemi bërë bilancin dhe e kemi nënshkruar Raportin. çdo gjë përputhej. Bonat e mbetur i asgjësuam, i dogjëm.

Ish- ministri Mustafa mosmirënjohës ndaj miliona frangave në Zvicër !

Ja edhe pak fjalë rreth raportit përfundimtar të Fondit të 3% dhe të dy aksioneve i hartuar dhe i dorëzuar nga ministri i financave Isa Mustafa dhe nga kryeministri Bujar Bukoshi.

Mbasi që përfundoi aksioni, Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës, një rast u takuam me Isa Mustafën po bisedonim rreth aksionit, po i them se aksioni Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës shkoi mirë, u grumbulluan 24 milionë e 15 mijë e 500 franga zvicerane, Isa Mustafa më thotë: “Neve një shtet i vetëm na i ka dhënë aq të holla sa keni mbledhur ju në Zvicër…” !

Për shkak të transparencë- le të formohet një komision shtetëror

Kur e kam lexuar Raportin përfundimtar që Isa Mustafa e ka dhënë para Kuvendit, në fillim të vitit 2000, u befasova se si është e mundur që një shumë aq kolosale të mos figurojë aty… Nëse nuk duhet me u ditë emrat e atyre shteteve, le të formohet një komision shtetëror, që te dihen shumat që na janë dhënë por edhe të dihet se ku janë shpenzua ato para. Mundë të ketë edhe firma të mëdha që kanë dhënë para, e që nuk janë të deklaruar për arsye të ndryshme, edhe këto firma le të mbeten sekrete, por shuma e parave duhet të dihet.

 Prokuroria të hetojë lidhur me fondet e mërgatës

Konsideroj se me këtë çështje do të duhej të merrej kaherë Prokuroria por jo vetëm me Fondin e 3% por edhe me Fondin Vendlindja Thërret, sepse edhe ata kanë grumbullua para për Kosovën, të zbulohen të gjithë ata që kanë mbledhë para për Kosovën, sepse i bëhet nder çdonjërit që i kanë dhënë paratë dhe të dihet kontributi i tyre…

Një kopje të Raportit përfundimtar të të hyrave dhe të daljeve, të Fondin të 3%, e kam edhe unë, dhe më sa kuptoj, raporti është shumë i paqartë dhe ka pështjellime, që as dreqi nuk mundet mi i ra në fije. Këtë Raport mund ta analizojë saktësisht vetëm një komision i përbërë prej  ekspertësh të financave. Më sa di, pas luftës ishte themeluar një komisioni në Kosovë dhe pasi e ka shqyrtua Raportin, thuhet se nuk e kanë pranuar, sepse si i tillë është  i papranishëm.

Çështja e Fondit të 3%-shit nuk mund të jetë  kapitull i mbyllur!.

Para shumë vitesh publikisht e kam kontestuar këtë raport në gazetën Bota Sot. Ishte koha kur Bujar Bukoshi në një polemikë me disa persona deklaroi se “…çështja e Fondit të 3%-shit është kapitull i mbyllur“!.

Në atë reagim publik unë pata kërkuar këtë që kërkoi edhe sot, ashtu si edhe shumë bashkatdhetarë e kontribuues të Fondit: Bujar Bukoshi e Isa Mustafa, duhet të tregojnë saktësisht se ku dhe si i kanë shpenzuar parat e Fondit të 3%, ndihmat që janë dhënë për Drenicën si mjetet e grumbulluara gjatë aksionit “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës“. Pra duhet të sqarojnë me emër dhe mbiemër se kujt dhe sa i kanë dhënë të holla, ndërsa ata që i kanë marrë duhet të japin raport se ku i kanë shpenzuar ato.

Paratë e Aksionit “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës“, janë derdhur në Dardania bank në Tiranë. Krejt dokumentacionin për e kam të plotë. Shumat veç e veç janë të shënuara për secilin kanton, në nivel të Zvicrës. Për çdo kanton veç e veç ekzistojnë raportet e nënshkruara nga të dy komisionet, nga ai në nivel të Zvicrës dhe nga ai në nivel kantoni.

Siç e thash në pjesën e parë të këtij shkrimi në fund të Aksionit, Komisioni i Qeverisë dhe Komisioni në nivel të Zvicrës e kanë bërë barazimin dhe e kanë nënshkruar Raportin.

Ç ‘kuptim kanë: milionat për X apo Y zonat e luftës ?!  

Ndërkaq në Raportin Përfundimtar (1991 – shtator 1999) të Isa Mustafës të janarit të vitit 2000, për Fondin e 3% dhe të dy aksioneve të lartpërmendura nuk ka të dhëna me fakte, veçse një përshkrim formal se X apo Y Zonës së luftës i janë dhënë kaq qindra mijëra apo aq miliona marka gjermane.

Pra mungon ajo që është esenciale për një Raport serioz kujt dhe sa të holla i janë dhënë. Që të dihet se çka ndodhur dhe si janë shpenzuar ato të holla. Prandaj në mungesë të këtyre saktësimeve është e domosdoshme që Prokuroria të merret me këto punë dhe t’i gjejë shkaqet pse Isa Mustafa po e fshehë të vërtetën? A është i kërcënuar apo çka është në pyetje.

Ku ngelën me dhjetëra kamionë ushtarak për frontin e luftës?!

Ne, veprimtarët Fondit të 3% ishim logjistika e luftës, ne i dërguan me dhjetëra kamionë ushtarakë, dërguan me dhjetëra Picgauera, nga Zvicra, i dërgim të mbushur  me ndihma, pajisje ushtarake dhe armatim të përziera me ndihma, dërguam barna, dërguam aparate mjekësorë, dërguam veshmbathje ushtarake, këpucë ushtarake të llojeve të ndryshme, gjithë herë duke i përzier me ndihma. Kamionët i kanë vozitur veprimtarët e LDK-së nga Lozana e  Zvicrës, përmes Italisë deri Shqipëri e pastaj deri në frontin e Luftës. Dëshmi janë fotot sepse ato flasin më shumë se 1000 fjalë. Në foto shihen kamionët ushtarak të radhitur duke shkuar për në Shqipëri, kjo është vetëm një turrë e dërguar, ka edhe shumë e shumë kamion të tjerë që janë dërguar nga Zvicra.

Një dëshmi e thjeshtë e vozitësve të këtyre kamionëve të luftës do të tregonte se çka kanë përjetuar ata njerëz në përpjekjet e tyre të sinqerta për ta ndihmuar Luftën

Mbi 1500 veta  në Zvicër për grumbullimin e fondeve

Mbasi që përfundoi lufta, subjektet politike filluan me përpilimin e listave për veteranë, secila parti politike aplikonte për veprimtarët e vetë, aplikonin sipas kategorive, në radhë të parë gjithherë janë dëshmorët e kombit ata që kishin dhënë jetën në frontin e luftës, invalidët t luftës, logjistika e kështu me radhë.

Në këtë funksion, ne veprimtarët e Fondit të 3%-shit, kryesia qendrore në nivel të Zvicrës u takuam dhe vendosëm të aplikojmë si pjesë e logjistikës, që financoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse e kishim kryer detyrën dhe e meritonim.

Në bëmë një listë dhe përfshimë veprimtarët e të gjitha kantoneve dhe u përpoqëm që numri të mos jetë i madh ani se ata që ishin të përshirë në këto struktura ishte mbi 1500 veta. Ne nuk mendonim në të ardhura etj. Thjeshtë mendonim se do të mjaftonte nga një mirënjohje, në shenjë respekti për kontributin e dhënë për dhjetë vjet rresht, në funksion të çlirimit të Kosovës.

Gani Hoxha e mori përsipër të bisedonte me Isa Mustafën, pasi që kishin biseduar edhe më parë për këtë çështje. Madje vetë Isa i kishte thënë për ti dërgua emrat e VEPRIMTARVE të Fondit të 3%-shit. Po e përsëris ne nuk kërkonim status veteranësh por si pjesë e logjistikës dhe si financues të luftës për liri.

Pse Isa Mustafa varrosi kontributin e veprimtarëve të LDK-së ?!

Ne emrat i dërguam por përgjigje nuk morëm asnjëherë, sigurisht ajo listë me emra të veprimtarëve të devotshëm ka përfundua në koshin e plehrave. A nuk është kjo varrosje e kontributit të veprimtarëve të LDK-së? Isa Mustafa me shokë në këtë mënyrë e ka varrosë edhe kontributin madhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne veprimtarët e Fondit të 3%-shit, ishim anëtarë dhe udhëheqës të LDK-së në të gjitha nivelet e saj në Zvicër. Ne kurrë nuk kemi menduar me aplikua për me marrë rroga si veteranë. Për neve do të mjaftonte një Mirënjohje, për të gjithë veprimtarët e Fondit të 3%-shit. Një mirënjohje që nuk do të kushtonte më shumë se një euro!

(Shihni në vijim faksimilin e pagesave që i janë bërë UÇK-së me të hollat e Fondit të Republikës së Kosovës)

Isa Mustafa dhe stafi i tij duhet  të tregojë publikisht pse e varrosi kontributin e veprimtarëve të Fondit të 3%-shit, sepse nga ky fond ka mbijetuar arsimi shqip në Kosovë, janë vënë themelet e shtetit të Kosovës, është financuar gjithë aktiviteti diplomatik dhe informues i Kosovës në kohët më të vështira, është financuar lufta çlirimtare… Nga të ardhurat e këtij Fondi ka jetuar edhe vetë ai, Isa Mustafa dhe familja e tij.

Mohimi i gjithë atij aktiviteti jetik për Kosovën dhe lirinë e saj nuk bëhet pa një qëllim, pa një prapaskenë politike. Si është e mundur që një mohues i aktivitetit kombëtar e shtetformues të LDK-së me emrin Isa Mustafa sot të gjendet në ballë të saj?!

Shtrohet pyetje vallë a s’ka LDK-ja kuadro me zëvendësua këtë njeri? Unë besoj se ka shumë, është një gjeneratë e re grash dhe burrash shumë më të përgatitur dhe shumë ma vullnetmirë se Isa Mustafa për ta udhëhequr e LDK-së dhe për ta nxjerrë vendin nga këneta ku e ka hedhur Kosovën Hashim Thaçi me ndihmën e atyre që e kanë uzurpua LDK-në.

Isa Mustafa e ka për detyrë të tregojë se ku përfundoi dokumentacioni i qeverisë në ekzil

Atë që e bënte dikur bashkë me Bujar Bukoshin, tani Isa Mustafa po e vazhdon me disa politikanë pa kurriz e primitivë. Isa Mustafa e ka për detyrë t’u tregojë qytetarëve të Kosovës se ku përfundoi dokumentacioni i qeverisë së Kosovës në ekzil, sidomos dokumentacioni i Fondit të 3%-shit. Qeveria e Kosovës ishte e vendosur në një shtëpi në Bon, aty kishte kushtet për punë normale. Si është e mundur që gjithë ai dokumentacion të humbë pa shenjë e pa nishan? Mos është bërë qëllimisht për t’u fshehur gjurmët…?

Unë çuditem se si është e mundur që Isa Mustafa të thirret sot në Ibrahim Rugovën, kur të gjithë e dimë se ky dhe Bukoshi ia ndalën financimin e aktiviteteve të tij për ndërtimin e shtetit të Kosovës?

Ibrahim Rugova nuk ishte një njeri hakmarrës, por Burrë Shteti, i cili përpiqej t’i bëjë bllok shqiptarët kundër Serbisë. Pavarësisht se çka mendon njëri ose tjetri. Ai na mësoi të identifikohemi si shqiptarë dhe te gjejmë te njëri tjetri atë që na bashkon e jo ato që na ndajnë.

Dr.Ibrahim Rugova e përfundoi karrierën e tij me nder, si njeri me virtyte të  larta njerëzore, si politikan na krijoi e na la miq shpëtimtar, si SHBA-të që na ndihmuan t’i shpëtojmë gjenocidit serb.

Isa Mustafa e ka kthyer partinë në një instrument të Hashim Thaçit

Ndërsa sot LDK-ja e Ibrahim Rugovës është e përçarë si mos ma keq, Isa Isa Mustafa e ka kthyer partinë më të madhe që kanë pasur shqiptarët ndonjëherë në një instrument të Hashim Thaçit Mustafa e ka kthyer partinë më të madhe që kanë pasur shqiptarët ndonjëherë në një instrument të Hashim Thaçit. Është koha e fundit që veprimtarët e shumtë të LDK-së të ngrenë zërin e tyre dhe t’i thonë këtij bukëshkelësi dhe hipokritëve që e rrethojnë se LDK nuk është qyrk për t’i mbuluar krimet e Hashim Thaçit, e as për patericë për ta mbajtur atë në pushtet. LDK ka nevojë për reformim dhe pastrim nga ata që vazhduan dhe vazhdojnë të varrosin kontributin e veprimtarëve të LDK-së, veçmas të atyre në mërgatë që aq shumë kontribuuan në të gjitha fazat për lirinë, pavarësinë e Kosovës dhe mbijetesën e popullit të saj deri më sot.

Lozanë, 28 maj 2020

*Profesor Fahri Mahalla i lindur në Ferizaj 5 10 1954, i njohur si sportist elitar, që jeton e vepron në Lozanë të Zvicrës, në politikë vazhdimisht ka qenë pjesë e LDK-së, duke bartë edhe me disa funksione të rëndësishme në këtë parti :

Kryetar i këshillit nismëtar për themelimin e nëndegës së LDK-së në Lozanë. Kryetar i nëndegës së Lozanë; Nënkryetar i kryesisë qendrore për fondin e 3% në nivel të Zvicrën; Koordinator në disa kantone i fondin të 3%.; Kryetar i në udhëheqjen e aksionit Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës, ndërsa në sferën kulturore sportive: Bashkëthemelues, koordinator i Shoqatës Kulturore Sportive “Dardania” në Lozanë; Themelues i klubit të karatesë Dardani në Lozanë.  Dhe Bashkëthemelues i Shoqatës Humanitare “ Ferizaji” me seli në Lozanë.

About admin

x

Check Also

Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

12/09/2020 Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ...