
26.5.2020
“Personalisht unë si President i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga Presidenti Macron apo kancelarja Mekel, por nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, tha Thaçi në një konferencë për media.
Duke iu referuar rolit të Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell si dhe Përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi tha se duhet bërë diferencimi i partnerëve strategjikë.
Madje presidenti tha se me Lajçak nuk është në kontakt, duke thënë që kryeministri Kurti është ai që mban kontakte me Lajçak dhe Borell.
“Është inkurajues çdo vullnet që tregohet nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim, por të them të drejtën, unë personalisht nuk jam në kontakt me Lajçak, Kurti është në kontakt tash e tre muaj, dhe nuk e di se çka kanë biseduar dhe sa larg kanë shkuar Kurti, Lajçak dhe Borell”, tha tutje Thaçi.
Thaçi tha se beson që SHBA-të janë i vetmi faktor që mund t’i lëvizë gjërat në kuadër të dialogut me Serbinë.
“Unë kam besim të plotë në lidershpin e SHBA-ve se këtë proces do ta dionamizojnë dhe do të përmbyllin suksesshëm siç kanë përmbyllur suksesshëm të gjitha çështjet që kanë qenë të hapura në Ballkanin Perëndimor tash e 3 dekada, pa një rol udhëheqës të SHBA-ve nuk ka faktorë që mund ti lëvizë këto gjëra, në veçanti çështje shumë të rëndësishme delikate dhe të vështira që janë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Në prill të këtij viti Këshilli i BE-së, ka njoftuar se ka emëruar sot Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Lajçak edhe përmes një postimi në “Twitter” e ka përsëritur qëndrimin e tij ndaj korrigjimit të kufijve. “Javën e kaluar kam folur për APA për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo duhet të jetë në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe t’i kontribuojë stabilitetit në rajon. Ideja e korrigjimit të kufijve e bën të kundërtën”, ka shkruar Laçaku.