Presidenti i vendit, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ka publikuar një video, ku shihet një laborator droge, që thuhet të jetë në Prishtinë.

Thaçi tha se këto pamje “dëshmojnë një prej inkriminimeve të grupit “Kurti” dhe familjes politike të ministres së Drejtësisë”.

“Janë pamje nga laboratori i drogës në Prishtinë, që me anëtarin tjetër të këtij grupi kriminal, Xhelal Sveçlën, ditë më parë u përpoqën t’i zhdukin si fakte inkriminuese nga depoja e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara. Është koha që të përballen me drejtësinë”, theksoi Thaçi.

Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila paralajmëroi padi ndaj Thaçit në gjykatën e Zvicrës.

“President shpifës – dje akuzoi që familja ime ka laborator droge, ndërsa sot thekson familja politike. Sikur herën e parë po ashtu edhe herën e dytë ai ka shpifur me qëllime të pista! Ju njoftoj që lidhur me akuzat e shpifjet e tij familjarët e mi me shtetësi zvicerane janë duke u konsultuar me avokatë për ta paditur Hashim Thaçin, në Gjykatën e Zvicrës”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, ajo i bëri thirrje Policisë së Kosovës që ta demantojë Thaçin.

“Në anën tjetër policia duhet ta demantojë Hashim Thaçin, sepse ata i kanë informacionet e sakta. Le të dalin e të flasin publikisht”, shkroi Haxhiu.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/