Home / Opinion / Tomë Gashi Reagon Ndaj Hashim Thaçit: Edhe Po T’i Ketë 77 Gjykatës Në Kushtetuese, Dekreti I Presidentit Duhet Të Shpallet Antikushtetues

Tomë Gashi Reagon Ndaj Hashim Thaçit: Edhe Po T’i Ketë 77 Gjykatës Në Kushtetuese, Dekreti I Presidentit Duhet Të Shpallet Antikushtetues

MË: 23 MAJ 2020

Hashim Thaçi dhe Tomë Gashi

Edhe pak ditë kanë mbetur deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit për formimin e Qeverisë së re.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ai do të japë dorëheqje, nëse një gjë të tillë ia kërkon Gjykata Kushtetuese.

E së fundmi ka pasur lajme se janë shtatë gjyqtarë të Kushtetueses, në favor të dekretit të presidentit, madje pati dhe reagime të shumta se si po dihet vendimi përfundimtar, pa u publikuar ende nga vet Gjykata.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjykata duhet ta shpallë antikushtetues dekretin e Thaçit, pa marrë parasysh përkrahjes nga gjyqtarët.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet ta shpallë antikushtetues dekretin e Thaçit. Nuk ka gjykata alternativë tjetër sepse dispozitat e Kushtetutës janë shumë të qarta dhe nuk lejojnë manipulime, pa marrë parasysh a i ka 7 gjykatës të vet Thaçi. Po t’i ketë kushtimisht edhe 77 gjykatës të tij, vendimi i gjykatës duhet të jetë në favor të dispozitave të padiskutueshme të Kushtetutës”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje sepse kështu e thotë Kushtetuta dhe jo pse e kërkon VV apo Albin Kurti.

“Dhe jo që anulimin e dekretit po e kërkon Vetëvendosje, qeveria dhe vet Kryeministri Albin Kurti por se ashtu është e paraparë me Kushtetutë, që vendi duhet të shkojë në zgjedhje sepse nëse vendoset ndryshe ku logjika e zgjedhjeve, pse ne dalim në zgjedhje nëse qeverinë po mund ta formojë edhe partia e 4 edhe e 7 edhe e 2 edhe secila që i teket presidentit të ia japë mandatin. Në situata të tilla, presidenti do të dukej si mbret apo diktator e jo si një post ceremonial që paraqet unitetin e popullit”, ka vlerësuar avokati.

Më tej, ai thotë se dekreti duhet anuluar dhe Thaçi nuk do të japë dorëheqje, sepse këtë nuk do ta kërkojë Gjykata, por e gjithë kjo nga ai është manipulim, që të duket më i sigurt në dekretin e tij.

“Normalisht Gjykata Kushtetuese do ta anulojë dekretin e Thaçit si antikushtetues sepse kjo është çështje. Normal që LVV është në të drejtën ligjore dhe kushtetuese të kërkojë zgjedhje sepse kështu e thotë Kushtetuta dhe normal që Thaçi nuk do të jep dorëheqje. Sepse këtë nuk do ta kërkojë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e saj, sepse kjo nuk është tema por është manipulim i Thaçit servuar opinionit dhe qytetarëve të Kosovës, që të duket kinse është aq i sigurt në dekretin e tij”, ka theksuar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Avokati vlerëson se presidenti ka luajtur me qytetarët, derisa e ka shpallur dekretin 5 minuta para përfundimit të orarit të administratës së Kuvendit dhe duke e ditur që Gjykata nuk punon me 1 maj.

“Thaçi ka luajtur me qytetarët e Kosovës duke dërguar në parlament dekretin e tij antikushtetues në 5 minuta pa përfunduar orari i punës së administratës së Kuvendit të Kosovës. Se nuk e ka ditur që gjykata do të punojë edhe për 1 maj në një situatë që ai se ka pritur, kinse nga ata 7 apo 77 gjyqtarët e tij”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, dekreti do të anulohet sepse e thotë Kushtetuta dhe gjyqtarët nuk mund ta ndryshojnë atë, pavarësisht kush i kërkon favore.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta anulojë dekretin e Thaçit sepse kështu thotë Kushtetuta e Kosovës dhe ka vendosur kjo gjykatë në situatë të njëjtë në 2014 ndërsa Kushtetuta është e njëjtë, asgjë nuk ka ndryshuar. Gjyqtarët nuk mund ta ndryshojnë Kushtetutën për hatër të askujt, pa marrë parasysh se si e ka emrin ai që kërkon favore dhe pa marrë parasysh si e ka emrin apo funksionin kërkuesi i favoreve jo kushtetuese. Gjyqtarët nuk duhet të jenë servil se nuk janë aty për fontanë dëshirash”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

About admin

x

Check Also

Heidegger: Veç një Zot mund t‘na shpëtojë

May 27, 2020 Më 23 shtator të vitit 1966, Rudolf Austein dhe ...