Home / Opinion / NJË GJË ËSHTË E QARTË: DEKRETI I THAÇIT ËSHTË I PALIGJSHËM

NJË GJË ËSHTË E QARTË: DEKRETI I THAÇIT ËSHTË I PALIGJSHËM

Nga Andrea Lorenzo Capussela

Sikur Vetëvendosje të mos e ofronte një emër pas një paralajmërimi të presidentit, atëherë Thaçi qartazi do të ishte kompetent që ta emëronte këdo që të dëshironte. Por pa paralajmërim dhe pa një afat konkret, dekreti është i paligjshëm. Thaçi nuk mund të vendosë arbitrarisht krye më vete dhe pa njoftim paraprak se afati ka skaduar. Kjo është në kundërshtim me tekstin e Kushtetutës, si dhe në kundërshtim me parimin e besnikërisë së bashkëpunimit. Sikur Gjykata të vendoste në të kundërtën, do ta shkelte ligjin. Është kaq e thjeshtë

Debati rreth ligjshmërisë së dekretit, me anë të së cilit presidenti Hashim Thaçi e emëroi Avdullah Hotin si të nominuar për kryeministër është i nxehtë.

Gjykata Kushtetuese së shpejti do ta nxjerrë vendimin e saj. Dhe ka pretendime të dyanshme për ndërhyrje në vendimin e Gjykatës. Andaj mund të jetë e dobishme që të qartësohet një gjë: ky dekret është qartazi i paligjshëm.

Rrëfimi filloi kur Thaçi i kërkoi Vetëvendosjes së Albin Kurtit që ta nominojë një kryeministër, nën nenin 95 të Kushtetutës. Ajo u përgjigj se zgjedhjet e parakohshme, kur virusi ta lejojë një gjë të tillë, janë zgjidhja e vetme politikisht legjitime dhe kushtetuese.

Vetëvendosje e Kurtit nuk refuzoi që ta nominojë një kryeministër, sidoqoftë edhe shprehimisht e ruajti të drejtën e saj për ta bërë një gjë të tillë.

Për më tepër, kërkoi shpjegim se pse Thaçi planifikonte ta emëronte një qeveri të re në vend se ta shkarkonte Parlamentin (menjëherë pasi që këtë gjë do ta lejonte pandemia), në përputhje me precedentët e së kaluarës.

Janë shkëmbyer letra të tjera, të cilat nuk ndryshuan gjë.

Thaçi nuk ofroi ndonjë shpjegim, ndërsa Vetëvendosje e Kurtit përsëriti se e ruan të drejtën e saj për ta nominuar një kryeministër, kur çështja preliminare (zgjedhjet e reja dhe qeveria e re) të zgjidhej.

Dhjetëra ditë pas letrës së parë, Thaçi tha se do ta emëronte dikë tjetër, për shkak se Vetëvendosje e Kurtit kishte pritur tepër gjatë për t’ia dërguar emrin e të nominuarit. U konsultua me partitë e tjera, e zgjodhi një të nominuar, dhe, duke vepruar si një nxënës që duhet ta fshehë një veprim të keq nga mësuesi, e lëshoi dekretin e tij në ditën e fundit të punës, para votimit të projektuar të Qeverisë së re.

Hileja nuk funksionoi, pasi që Gjykata Kushtetuese prapëseprapë e pranoi sfidën e Vetëvendosjes kundër dekretit dhe më pas e pezulloi atë.

Ky ishte një vendim shumë i ndjeshëm, i cili e kurseu Kosovën nga rreziku i të pasurit – gjatë pandemisë dhe krizës më të rëndë të Evropës që prej 1939-s – dy qeveri njëherësh, secila që pretendon për legjitimitet dhe me akëcilën që e akuzon tjetrën se është uzurpuese. Por pikërisht për shkak të peshës së rëndë të këtij rreziku, është e pamundur që prej këtij vendimi të nxirret ndonjë indikacion për sa i përket qëndrimit të Gjykatës lidhur me legjitimitetin e këtij dekreti. E gjitha që mund të thuhet është se dekreti qartazi nuk është i ligjshëm (po të ishte i tillë, gjykata nuk do ta kishte pezulluar).

Prandaj dhe paqartësia rreth vendimit të saj, akuzat për ndërhyrje dhe madje kërcënimet e adresuara së fundmi nga grupet e rebeluara më parë të panjohura (të cilat duket të jenë formuar për qëllimin e vetëm që t’i shtojnë dhunë dhe frikësim debatit, sipas të gjitha gjasave, me kërkesën e dikujt që i druan humbjes së rastit).
Janë dy aspektet e çështjes së legalitetit të dekretit. E para, nëse Kuvendi duhet domosdo të shpërbëhet, siç pretendon Vetëvendosje, apo mund të emërohet një qeveri e re, siç thotë Thaçi. E dyta, si të emërohet ajo.

Për sa i përket çështjes së parë mendoj se Thaçi ka të drejtë. Kushtetuta thotë se pas një mocioni të mosbesimit presidenti “mund” ta shpërbëjë Parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të reja. Kjo nënkupton se presidenti mund të zgjedhë që të mos e shpërbëjë atë, dhe të mundohet ta formojë, në vend të kësaj, një qeveri të re.

Po, siç pretendon Vetëvendosje, precedentët janë në favor të shpërbërjes.

Megjithëkëtë, nuk është vetëm teksti i Kushtetutës ai që sugjeron se presidenti është i lirë që të zgjedhë, por edhe fakti se Kosova është një demokraci parlamentare. Njerëzit e zgjedhin një parlament, i cili e zgjedh një ekzekutiv.

Andaj, për aq kohë sa parlamenti është në gjendje që ta emërojë një ekzekutiv, nuk ka nevojë që të shkarkohet.

Me gjithë këta precedentë, megjithatë, dikush mund të thotë se ky i Thaçit jo vetëm që është një vendim legjitim, por edhe se është më kushtetutshmërisht korrekti. Ngase me shpërbërjen e Parlamentit presidenti do ta mbivendoste vullnetin e tij para atij të Parlamentit dhe do ta dëmtonte po ashtu parimin se, rëndom, mandatet e Parlamentit duhet të shkojnë deri në afatin e plotë katërvjeçar.

Për sa i përket çështjes së dytë, Thaçi e ka qartazi gabim. Nuk jam ekspert i së drejtës kushtetuese të Kosovës: ama kjo gjë është verbërisht e qartë.

Arsyet janë katër. E para, nuk ekziston ndonjë afat kohor që Vetëvendosje ta nominojë një kryeministër. E dyta, Vetëvendosje e Kurtit e ka ruajtur shprehimisht të drejtën e saj për ta bërë këtë gjë. E treta, Thaçi kurrë nuk ia dha Vetëvendosjes së Kurtit shpjegimet e kërkuara (lidhur me aspektin e parë). E katërta, ekziston një parim i nënkuptuar i bashkëpunimit midis fuqive kushtetuese.

Ky parim i kërkon Thaçit që ose ta ofrojë një shpjegim, ose ta caktojë tekefundit një afat kohor për Vetëvendosjen (pak a shumë sikur të thoshte: “Dëgjo, kam vendosur ta emëroj një qeveri të re: Unë mund ta bëj këtë dhe nuk kam shpjegime për të dhënë; Tanimë t’i dërgova katër letra: nëse nuk ma dërgon emrin brenda pesë ditësh, do të konsideroj se je tërhequr nga e drejta për ta emëruar një kryeministër”).

Sikur Vetëvendosje të mos e ofronte një emër pas një paralajmërimi të tillë, atëherë Thaçi qartazi do të ishte kompetent që ta emëronte këdo që të dëshironte. Por, pa paralajmërim dhe pa një afat konkret, dekreti është i paligjshëm. Thaçi nuk mund të vendosë arbitrarisht krye më vete dhe pa njoftim paraprak se afati ka skaduar.

Kjo është në kundërshtim me tekstin e Kushtetutës, si dhe në kundërshtim me parimin e besnikërisë së bashkëpunimit.

Sikur gjykata të vendoste në të kundërtën, do ta shkelte ligjin. Është kaq e thjeshtë.

About admin

x

Check Also

Heidegger: Veç një Zot mund t‘na shpëtojë

May 27, 2020 Më 23 shtator të vitit 1966, Rudolf Austein dhe ...