Home / Opinion / E kaluara e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese!

E kaluara e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese!

Gjykata Kushtetuese për të disatën herë do të tregohet vendimtare për fatet politike të vendit, pasi që këtë herë do të vendosë nëse do t’i hapë rrugë formimit të qeverisë Hoti, apo ta aprovojë kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e gjetur jo-kushtetues dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar për kryeministër Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri tani ka marrë vendime të mëdha që kanë rezultuar me dorëheqjen e dy presidentëve të vendit, teksa ka gjetur në kundërshtim me Kushtetutën marrëveshje ndërkombëtare si marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në vazhdimësi është parë si çelësi i ngërçeve politike në vend, duke përfshirë edhe vendimin e vitit 2014 me të cilin kjo Gjykatë vendosi standardin që mbron fituesin relativ të zgjedhjeve dhe i jep atij të drejtën që i pari të provojë formimin e qeverisë.

 

Këtë herë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të vendosë për situatën e krijuar pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të datës 25 mars 2020.

Ky mocion i iniciuar nga vet partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjeti mbështetjen e më shumë se 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas rrëzimit të Qeverisë, Presidenti i vendit duke pretenduar të zgjidhjen nga situata e krijuar, disa herë dërgoi letra në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke kërkuar emrin e mandatarit të ri të Qeverisë ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje përgjigja ishte se prioritet është menaxhimi i pandemisë por assesi nuk refuzuan mandatin, ndërsa gjithashtu kërkuan edhe sqarime nga Presidenti Thaçi mbi bazën kushtetuese juridike të letrës së tij duke kërkuar thirrjen precize në cilin paragraf të nenit 95 është thirrur.

Pas, kësaj, më datë 22 prill, Presidenti Thaçi mbajti takimin me përfaqësuesit e partive politike, ku me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë u deklaruan se janë për formimin e një qeverie të re dhe jo për zgjedhje, kjo edhe për shkak të gjendjes emergjente të pandemisë.

Pas, kësaj, më 30 prill, Thaçi dekretoi Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re LDK-AAK-NISMA, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje iu drejtua Gjykatës Kushtetuese e cila dy ditë më pas pezulloi dekretin e Thaçit deri në vendosjen meritore të rastit.

Në ndërkohë, veç ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për datën 2 maj 2020.

Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosjes janë se Thaçi nuk ka mundur ta konsiderojë si refuzim përgjigjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu nuk ka mundur të përcaktojë afat brenda të cilit duhet të përgjigjet Lëvizja Vetëvendosje, e po ashtu, ka tejkaluar autorizimet dhe përgjegjësitë e tij duke marrë iniciativën për formimin e qeverisë së re, pasi që sipas tyre, votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka për pasojë shpërbërjen e Kuvendit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja.

Po ashtu, duke u referuar edhe në aktgjykimin e vitit 2014, tani Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që Gjykata Kushtetuese  të gjejë në kundërshtim me Kushtetutën dekretin e Presidentit Thaçi për t’i dhënë të drejtën e formimit të Qeverisë, Avdullah Hotit.

Në anën tjetër, është pretendimi i Presidentit Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që pretendojnë se Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar të drejtën e formimit të Qeverisë duke i dhënë të drejtën kështu partisë me rezultatin e dytë në zgjedhje, ta formojë Qeverinë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është autoriteti më i lartë dhe i fundit i  cili bën interpretimin e Kushtetutës dhe përputhjen e ligjeve me të. Kjo gjykatë është kritikuar në të kaluarën për ndikime politike.

E themeluar në vitin 2009, Kushtetuesja përbëhet prej nëntë gjyqtarëve të cilët sipas Kushtetutës duhet të jenë profesionalë dhe juristë të shquar me personalitet dhe moral të lartë.

Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

 

Gjyqtarët e Kushtetueses mund të shkarkohen nga Presidenti i Kosovës me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkarkim ky i cili mund të bëhet vetëm nëse vërtetohet se të njëjtit kanë kryer krime të rënda dhe mospërfillje të rëndë të detyrave, ndërsa ata gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga detyra për vendimet e marra si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

 

Kush janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese?

Arta Rama-Hajrizi, Kryetare e Gjykatës 

 

Rrugëtimin e saj në fushën e drejtësisë, Arta Rama-Hajrizi e ka nisur në Universitetin e Prishtinës ku ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Juridik, për të vazhduar më pas studimet master, e përzgjedhur si bursiste në programin Rob Broun, në Universitetin Amerikan në Uashington DC në programin për drejtësi dhe qeverisje.

 

Aktualisht Arta Rama-Hajrizi është duke i vijuar studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës.

Më 21 maj 2015, në kohën kur vendi qeverisej nga koalicioni LDK&PDK, ajo u emërua kryetare e Gjykatës Kushtetuese, pozitë në të cilën u rizgjodh edhe për një mandat të dytë në maj të 2018-ës.

Para se të vinte në krye të Gjykatës Kushtetuese, Rama-Hajrizi gjatë viteve 2007-2008, kishte qenë pjesë e ekipit të ekspertëve në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

 

Gjatë viteve 2008-2012, në kohën kur Kosova qeverisej nga Hashim Thaci, gjyqtarja Rama-Hajrizi kishte shërbyer si Konsulle e parë e Përgjithshme dhe themeluese e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork.

 

Kurse në periudhën 2014 dhe 2018, ajo ishte zëvendës-përfaqësuese e Republikës së Kosovës në Komisionin e Venecias.

Rama-Hajrizi, para se të emërohej në pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese ka qenë këshilltare ligjore në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës nëpërmjet financimit nga USAID si dhe qysh prej vitit 2002 asistente/ligjëruese e së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ajo është asistente e ish deputetit të PDK-së, prof. Arsim Bajrami, i cili më parë ka qenë edhe Ministër i Arsimit.
Pozita e saj në Fakultetin Juridik është pezulluar që nga viti 2016, pas emërimit të saj në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2019, e para e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se posedon një banesë 85 metra katrorë në vlerë të 90 mijë eurove. Ndërsa si pasuri të përbashkët ka deklaruar një tokë me sipërfaqe 1.50 hektarë në vlerë prej 50 mijë eurove për të cilën ka deklaruar se është pasuri familjare e trashëguar. Si pasuri të përbashkët, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar edhe një shtëpi në sipërfaqe prej 150 metrave katrorë, e cila kap vlerën e 70 mijë eurove.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, në formularin për deklarimin e pasurisë, ka deklaruar se bashkëshorti i saj Orhan Hajrizi posedon aksione me vlerë në një shoqëri komerciale të quajtur Stars Nation, LL.C..

Para të gatshme të mbajtura në bankë, në emër të saj, bashkëshortit dhe fëmijëve, kryetarja e Kushtetueses, ka deklaruar shumën e parave prej 23,852.33 eurove.

Si të hyrat vjetore nga paga, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar shumën prej 41,808.13 euro.

 

Kurse nga mëditjet, ajo ka deklaruar se ka përfituar të hyra vjetore në shumë prej 2,455 eurove.

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese është e martuar me, Orhan Hajrizin i cili aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pozitë në të cilën është emëruar në vitin 2017. I njëjti më herët ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku ka mbajtur postin e Udhëheqësit të Divizionit për Komunikim Publik.

Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, rezulton se bashkëshorti i saj deri në vitin 2015 kishte qenë duke punuar në mediumin “Klan Kosova”, ndërsa disa muaj pasi që ajo ishte emëruar në krye të Gjykatës Kushtetuese, bashkëshorti i saj Orhan Hajrizi në qershor te vitit 2015  ishte punësuar në Ministrinë e Drejtësisë në kohën kur në krye të kësaj ministrie kishte qenë Hajredin Kuçi .

Orhan Hajrizi në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, të hyra nga paga vjetore ka deklaruar shumën prej 7,344 eurove. Ndërsa nga mëditjet ka deklaruar se ka përfituar shumën prej 2,614 eurove. Ai po ashtu ka deklaruar se ka një kredi prej 5 mijë eurove, detyrim ndaj bankës, kredi të cilën ka deklaruar që e ka marrë për studime.

 

Safet Hoxha 

 

Është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në gusht të  vitit 2018 në kohën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN.

Para kësaj pozite Hoxha ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës.

Safet Hoxha në të kaluarën ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai sa ishte në krye të prokurimeve ishte parë duke marrë pjesë në një tubim politik të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përpos që merrte pjesë në tubime politike Gjyqtari Hoxha kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së.

Asokohe Hoxha pati thënë për Gazetës Jeta në Kosovë se ligjërisht nuk e ka të ndaluar që të jetë pjesë e strukturës së një subjekti politik. Para se të kandidonte për të qenë pjesë e kryesisë së PDK-së, Hoxha ka qenë edhe asamblist i PDK-së,  në Komunën e Suharekës.

Kundër dekretimit të tij si gjyqtar në Gjykatën kishin dalë organizata të ndryshme nga shoqëria civile. Ato i kishin kërkuar Presidentit Hashim Thaçi që të mos e emëronte Safet Hoxhën, në pozitën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kundër emërimit të Safet Hoxhës kishte reaguar edhe organizata “Çohu”, duke bërë thirrje për mos-dekretim të tij.

Gjyqtari Safet Hoxha ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi, dy banesa gasonjerka, oborr, një hektar mal dhe 60 ari, arë.

Vlerën e gjithë kësaj pasurie Gjyqtari Hoxha e ka deklaruar zero (0), ndërsa 48 mijë euro e ka deklaruar shumën e dy garsonjerkave. Gjyqtari Hoxha ka deklaruar se mban 15,800 euro para të gatshme në banka.

 

Radomir Laban 

 

Është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në gusht të vitit 2018 në kohën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN.

Para emërimit të tij si gjyqtar, gjatë periudhës 2011 – 2018, Laban ka punuar si Këshilltar i lartë juridik në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ndërsa në periudhën 2009 – 2011, gjyqtari Laban ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm i avokimit për mbrojtjen e të drejtave të individëve.

Sipas raportimeve nga mediat, Radomir Leban nga 28 nëntori i vitit 2006, deri me 3 prill 2009 ka qëndruar në paraburgim si pjesë e procesi gjyqësor në rastin e njohur si “Mafia e Doganës“ në Serbi.

Gjykatësi Laban ishte gjetur fajtor për marrje të ryshfetit gjatë kohës sa kishte qenë punonjës në administratën doganore në Serbi. Për këto vepra, Laban ishte dënuar me gjashtë vjet burgim dhe të njëjtit i është ndaluar ushtrimi i profesionit për 10 vjet.

Pas dënimit, Radomir Laban nuk i ishte përgjigjur ftesës për vuajtje të dënimit me ç’rast Gjykata në vitin 2013 kishte lëshuar urdhër arrest për të.

Pas urdhër arrestit në shkurt të vitit 2014, Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar gjykatën në Kralevë, që Beogradi ka dhënë pëlqimin që Interpol të lëshojë një urdhër arrest ndërkombëtar për të.

Misioni i EULEX në vitin 2018 kishte thënë se kanë pranuar një kërkesë nga autoritetet serbe në nëntor të vitit 2017 për arrestimin e Radomir Laban.

EULEX kishin thënë se në bazë të mandatit që e kanë, është e pamundur të ndërmerren veprime të tilla për arrestimin e Radomir Laban.

Pas votimit të Radomir Labanit nga Kuvendi, kishte reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti i kishte kërkuar Presidentit Thaçi, që të mos e dekretonte atë në pozitën e Gjyqtarit Kushtetues.

Kërkesë të ngjashme me atë të Lëvizjes Vetëvendosje kishte edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ky Këshill ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të mos e dekretojë Radomir Labanin, si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqtari Radomir Laban ka deklaruar pasuri në vlerë prej 275 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka tokë bujqësore në vlerë prej 120 mijë euro.

 

Bajram Latifi 

 

Është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në gusht të  vitit 2018 në kohën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN.

Në vitet 2003 – 2004 dhe 2006-2008, Latifi ishte emëruar anëtar i komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë periudhës 2008-2018 për tre mandate radhazi i njëjti kishte shërbyer si anëtar i KQZ-së, pas emërimeve nga Presidenti.

Përpos angazhimit si anëtar i KQZ-së, Gjyqtari Latifi gjatë viteve 2008-2010 ka punuar Këshilltar politik për çështjet ligjore i ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcillar nga partia KDTP.

Gjyqtari Bajram Latifi kishte përfaqësuar partinë VAKAT për tre mandate të tjera të njëpasnjëshme në KQZ.

Bajram Latifi ishte propozuar si kandidat për Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetja e koalicionit VAKAT, Duda Balje.

VAKAT në atë kohë ishte në koalicion me PDK dhe AAK, dhe kishte një ministri me Rasim Demirin si ministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Bajram Latifi është votuar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga komunitetet jo shumicë (boshnjak) dhe  është zgjedhur me 58 vota nga deputetë e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kohës 2008  – 2010  ka punuar Këshilltar politik për çështjet ligjore të ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ministër ishte Mahir Yagcillar nga partia KDTP, që përfaqëson komunitetin turk në Kosovë.

Latifi ka qenë pjesë e Komisionit Kushtetues për hartimin e draftit të parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Madje Latifi kishte votuar kundër ndalimit të posterëve të formatit B2, gjatë kohës sa ishte anëtar i partisë VAKAT, në KQZ.

https://kallxo.com/gjate/ndalimi-i-postereve-shkakton-pakenaqesi-1/

Gjyqtari Bajram Latifi ka deklaruar se ka pasuri në vlerë prej 190 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka një kat të shtëpisë në vlerë 46 mijë euro, livadhe dhe fusha në vlerë 120 mijë euro, 25 mijë euro para në bankë dhe një veturë në vlerë prej 5 mijë euro.

Gresa Caka-Nimani  

Është Gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese që nga 30 dhjetori i vitit 2015. Ajo u zgjodh në këtë pozitë në kohën e qeverisjes së koalicionit PDK-LDK.

Në këtë pozitë Nimani do të angazhohet deri me 30 dhjetor të vitit 2024. Ajo është motra e ministrit të jashtëm në detyrë në Shqipëri, Gent Cakaj, që u kritikua në Kosovë e Shqipëri për shkak të  përkrahjes që i dha vijës politike së Hashim Thaçit që favorizon korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Që nga marrja e detyrës si Gjyqtare, Cakaj Nimani ka dalë disa herë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Mendimi më relevant mospajtues ishte ai i vitit 2019 në rastin që kishte ngritur Presidenti Thaçi. Presidenti Hashim Thaçi kishte kërkuar një interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me ratifikimin e letrave të shkëmbimit mes tij dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së.

Ai kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të sqaronte se kur konsiderohen të ratifikuara letër këmbimet, në momentin e nënshkrimit nga Presidenti apo pas votimit në Kuvend.

Në këtë mënyrë në rast se kërkesa e tij do të pranohej dhe do t’i jepej e drejtë, ai do të përfitonte më shumë fuqi në aspektin ndërkombëtar.

Gresa Caka kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta pranonte kërkesën e Presidentit të vendit, mirëpo kërkesa e saj ishte refuzuar nga anëtarët e tjerë të kësaj Gjykate.

Kërkesa e Presidentit ishte shpallur e papranueshme nga shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me arsyen se ai nuk e ka mbështetur kërkesën e tij mjaftueshëm.

Ndryshe nga vendimi i Kushtetueses, gjyqtarja Gresa Cakaj Nimani kishte kërkuar që kjo çështje të pranohej dhe të vendosej në mënyrë meritore.

Në vitin 2017, Gjyqtarja Cakaj Nimani kishte dalë kundër vendimit të Kushtetueses për rritje të pagave të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi e qeverisë Haradinaj me të cilin ishin rritur rrogat e kabinetit qeveritar e bashkë me to edhe rrogat e sistemit gjyqësor, prokurorial dhe rrogat e gjyqtarëve kushtetues ishte cilësuar në përputhje me Kushtetutën nga Gjykata më e lartë në vend.

Kundër këtij vendimi kishin dalë dy anëtarë, njëra nga të cilët është Gjyqtarja Gresa Cakaj Nimani.

Ajo bashkë me gjyqtarin Almiro Rodrigues e kishin konsideruar anti-kushtetues, vendimin në fjalë për dallim nga gjyqtarët e tjerë të cilët e kishin vlerësuar në përputhje me Kushtetutën.

Kundër kishte dalë edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërimin e Enver Pecit si Kryetar në Gjykatën Supreme.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur si të pranueshme për trajtim çështjen e ngritur nga kandidatja për kryetare të Gjykatës Supreme Valdete Dakaj njëkohësisht e kishte pezulluar emërimin e Enver Pecit si kryetar i Supremes.

Ndaj këtij vendimi, gjyqtarja Gresa Cakaj Nimani kishte dhënë mendim mospajtues pasi që sipas saj çështja e ngritur nga Valdete Dakaj nuk do të duhej të pranohej për trajtim fare pasi nuk ishin shtjerrë të gjitha mjetet juridike.

Gjyqtarja Kushtetuese, Gresa Cakaj Nimani ka deklaruar pasuri në vlerë prej 338 mijë euro.

Cakaj Nimani ka deklaruar se ka një shtëpi në lagjen “Marigona Residence” në Prishtinë. Vlera e deklaruar e kësaj shtëpie është 221 mijë euro. Përpos shtëpisë, gjyqtarja ka deklaruar se ka në pronësi edhe një banesë vlera e së cilës është 70 mijë euro.

Ajo ka deklaruar se ka në pronësi edhe një veturë “Passat”, në vlerë 20 mijë euro si dhe mbi 27 mijë euro para të gatshme në bankë.

Cakaj Nimani ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin i cili i punon në ambasadën amerikane kanë borxhe (Kredi) mbi 84 mijë euro në banka, ndërsa të hyra vjetore mbi 60 mijë euro.

Remzije Istrefi-Peci 

Është zgjedhur gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në gusht të  vitit 2018 në kohën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN.

Ajo është gjyqtare doktorante në Fushën e Drejtësisë Tranzicionale në Graz të Austrisë. Istrefi  është profesoreshë-asistente në Fakultetin Juridik që nga viti 2012.

Gjatë viteve 2005 – 2009 ajo ka punuar temën e doktoratës: “Përgjegjësia e Organizatave Ndërkombëtare për shkeljen e të Drejtave të Njeriut- Rasti i Kosovës”, nën  mbikëqyrjen e Prof. dr. Blerim Reka, tani Ministër i Integrimeve Evropiane.

Gjyqtarja Istrefi-Peci ka publikuar disa artikuj në revista të njohura shkencore dhe ka kontribuar edhe në disa libra që janë botuar në Kosovë dhe jashtë vendit.

Më parë Istrefi ka punuar si Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE-së, në Kosovë, dhe ka shërbyer si këshilltare në institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare duke përfshirë UNDP-në, ECMI-n, KJI-në dhe KIPA-n. Që nga viti 2011, Istrefi është arbitre pranë Odës Amerikane të Tregtisë.

Gjyqtarja Kushtetuese Remzije Istrefi ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 450 mijë euro.

Istrefi ka deklaruar se posedon dy banesa dhe një tokë në vlerë 290 mijë euro si dhe një veturë në vlerë 17 mijë euro. Gjyqtarja ka deklaruar se bashkë me familjen ka 150 mijë euro para të gatshme në banka

Bekim Sejdiu 

Shërben si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës qysh prej prillit të vitit 2015. Ai u zgjodh në këtë pozitë në kohën e qeverisjes së koalicionit PDK-LDK.

Para se të emërohej gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu shërbeu si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni.

Sejdiu para se të ndante drejtësi, ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë përgjatë viteve 2008-2012, në kohën kur ministër ishte Skender Hyseni si dhe Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork  në periudhën kohore 2012-2014.

Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1999, ndërsa më pas i ka përfunduar dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Universitetin e Bilkentit në vitin 2005, si dhe në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës.

Gjyqtari Sejdiu ka doktoruar në fushën studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe të Studimeve Evropiane – Nova Univerza, në Slloveni.

Bashkëshortja e gjyqtarit Sejdiu është mësuese në një nga shkollat e kryeqytetit.

Gjyqtari Sejdiu njihet si gjyqtari i cili shpesh nuk u pajtua me vendimet e kolegëve të tij gjyqtar.

Ai ishte kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli si jo kushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë “.

Saktësisht Sejdiu nuk është pajtuar me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë i 12 prillit 2020, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë” nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas Gjyqtarit Sejdiu vendimi i gjykatës Kushtetuese nuk ishte shqyrtuar nga prizmi i detyrimeve të shtetit në raport me të drejtën për jetë të qytetarëve. Ai nuk është pajtuar as me qasjen të cilën e ka ndjekur gjykata në interpretimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me nenet e ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse

Gjyqtari Sejdiu, mendim mospajtues ka shprehur edhe në rastin e Valdete Dakës e cila i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me emërimin e Enver Pecit si kryetar i Gjykatës Supreme.

Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar si kundërkushtetues procesin e përzgjedhjes së Enver Pecit si Kryetar i Gjykatës Supreme. Gjykata kishte konstatuar se me rastin e përzgjedhjes së Enver Pecit si kryetar ishte shkelur e drejta për gjykim te drejte dhe te paanshëm.

Me këtë vendim nuk ishin pajtuar gjyqtarët Bekim Sejdiu dhe Altay Suroy. Sipas tyre një kërkesë e tillë nuk do të duhej të trajtohej fare nga Gjykata Kushtetuese për shkak se sipas tyre parashtruesja e kërkesës nuk i kishte shtjerrë të gjitha mjetet juridike.

Sipas dy gjyqtarëve në fjalë, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i votuar nga shumica e gjyqtarëve nuk ka arritur të argumentojë se KGJK-ja, me veprime arbitrare apo të padrejta, i ka cenuar parashtrueses të drejtat përkatëse kushtetuese, prandaj të njëjtit kishin qenë kundër këtij vendimi.

Mendim mospajtues Sejdiu kishte shprehur edhe në raport me vendimin e kolegëve të tij, në lidhje me vendimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015 kishte konstatuar se elementet kryesore të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk kanë qenë në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata ndonëse kishte konstatuar se parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës, kishte dhënë aprovimin për të vazhduar me themelimin e Asociacionit.

Sipas gjyqtarit Sejdiu, vendimi i kolegëve të tij nuk e parandalon vazhdimin e kundër-kushtetutshmërisë së parimeve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Kushtetutës së Kosovës.

Në këtë rast, sipas Sejdiut, për zbatimin e plotë të parimeve kundërkushtetuese të Asociacionit ose do të duhej të ndryshohej Kushtetuta ose do të duhej të riformuloheshin parimet e Asociacionit.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, gjyqtari Bekim Sejdiu ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme në vlerë të 555 mijë eurove. Këtë pasuri ai ka deklaruar se e ka të trashëguar dhe që është në pronësi familjare, në mes të tij dhe familjarëve të tij.

Të hyra nga paga vjetore si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka deklaruar shumën prej 37,991 euro. Kurse si mëditje ka deklaruar se ka përfituar shumën prej 324 eurove.

Pagë për angazhim si mësimdhënës, gjyqtari Sejdiu ka deklaruar shumën prej 2,287.52 euro.

Përpos kësaj, Sejdiu në formularin e deklarimit të pasurisë ka thënë se ka edhe borxhe. Ai ka deklaruar se në njërën nga bankat, ka kredi në vlerë të përgjithshme prej 100 mijë eurove, si dhe ka deklaruar si huamarrje edhe shumën prej 11 mijë eurove, të cilën ka thënë se e ka huazuar nga një familjar.

 

Nexhmi Rexhepi 

 

Është zgjedhur gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës në gusht të vitit 2018 në kohën kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN.

Në vitin 2001 i ka mbaruar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, e më pas studimet master i ka vijuar në Universitetin e Sarajevës dhe Bolonjës, në fushën e të drejtave të njeriut, ndërsa aktualisht është duke i vijuar studimet e doktoratës.

Pas studimeve, gjyqtari Rexhepi karrierën profesionale e kishte filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për të vazhduar më pas si mësimdhënës në Departamentin e Shkencave Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Gjyqtari Rexhepi ishte anëtar i ekipit përfaqësues të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, po ashtu edhe ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni në kohën e qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së.

Më 9 gusht 2018, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi disa prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mesin e tyre edhe gjyqtarin Nexhmi Rexhepi. Gjyqtari Rexhepi së bashku me gjyqtarët e tjerë janë emëruar në këtë pozitë në afat prej 9 viteve pa të drejtë riemërimi.

Gjyqtarit Rexhepi, aktualisht i kanë mbetur edhe 7 vite deri në përfundim të mandatit të tij.

Si pasuri të paluajtshme gjyqtari Rexhepi ka deklaruar pasurinë në vlerë prej 265 mijë eurove. Një shtëpi me sipërfaqe prej 200 metrave katrorë, me vlerë 65 mijë euro dhe një shtëpi tjetër me sipërfaqe prej 660 metra katrorë që kap vlerën 200 mijë euro, pasuri për të cilën ka deklaruar se e ka në emër të përbashkët me familjarët. Si pasuri të luajtshme gjyqtari ka deklaruar edhe një veturë e cila kap vlerën e 22 mijë eurove.

Para të gatshme të mbajtura në bankë, gjyqtari Rexhepi ka deklaruar shumën prej 4,120 eurove, para këto të cilat janë në zotësi të tij, bashkëshortes dhe fëmijëve. Ndërsa të ardhura vjetore nga paga dhe shtesat, gjyqtari ka deklaruar shumën prej 38,824 eurove. Kurse për bashkëshorten e tij ka deklaruar se të hyrat e saj vjetore janë 2,604 euro.

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi 

U emërua gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015 në kohën kur Kosova qeverisjes nga koaliconi PDK-LDK.

Gjyqtarja ka studiuar për doktoraturë në Institutin për të Drejtën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin Karl Franzens në Austri.

Përpara se të emërohej gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar në tri fusha: në lëmin e të drejtave të njeriut, në hartimin dhe në komentimin e ligjeve, si dhe në barazi gjinore.

Gërxhaliu-Krasniqi prej vitit 2003, e ka kryesuar Bordin e “Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe për Parandalimin e Trafikimit”.

Gjyqtarja ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik , Departamentin e Pedagogjisë Sociale si dhe në Kolegjin FAMA – në lëndën Krimi i Organizuar, si dhe në lëndët: E Drejta Kushtetuese, Të Drejtat e Njeriut, Sistemi Qeverisës në Kosovë dhe Integrime Evropiane.

Gjyqtarja Selvete Gërxhaliu-Krasniqi para se të emërohej si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese kishte qenë pjesë e LDK-së. Në zgjedhjet e vitit 2014 kishte kandiduar për deputete të Lidhjes Demokratike të Kosovës, megjithëse ajo nuk kishte arritur të mbledhë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur si deputete e legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me të kaluarën e saj politike, Gërxhaliu-Krasniqi ishte shprehur se fakti që ka konkurruar për deputete në listën e një partie politike nuk përbën asnjë problem.

“Sa i përket aspektit të ndikimit politik, në votimin në Parlament kërkohen 2/3 e votave të deputetëve, dhe nëse spektri i gjerë politik i cili është mjaft heterogjen të voton, automatikisht je jashtë çdo ndikimi politik”, kishte thënë ajo, para emërimit si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ndonëse tashmë gjyqtarja nuk kishe arritur të zgjedhej deputete e Kuvendit të Kosovës, fat më të mirë kishe pasur bashkëshorti i saj.

Agim Krasniqi ka ushtruar funksionin e deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për periudhën kohore 2010-2014.

Aktualisht bashkëshorti i gjyqtares është zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në pozitën e këshilltarit.

Gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi ishte zgjedhur gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese në nëntor të vitit 2015, me ç ‘rast ka grumbulluar votat e 66 deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Përzgjedhjen e saj si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese e kishin përkrahur deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndërsa e kishin kundërshtuar ata të Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të anshmërisë së saj politike.

Kundërshtime kishte pasur edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), të cilët i kishin kërkuar ish-presidentes Atifete Jahjaga që e njëjta të mos e dekretonte Gërxhaliu-Krasniqin si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese pasi kishin konsideruar se kishte një të kaluar politike që bie ndesh me rolin e saj si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.

Si pasuri të paluajtshme gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi ka deklaruar prona që kapin vlerën e 374,100 eurove. Në këtë shumë përfshihen prona si: një pllac, dy troje dhe një banesë me parking për të cilat gjyqtarja ka deklaruar se janë në emër të saj.

Ndërsa si pasuri të përbashkët të bashkëshortit të saj me familjar, pasuri familjare e trashëguar, gjyqtarja ka deklaruar një shtëpi, një banesë, një tokë bujqësore dhe një garazh. Si para të gatshme të kursyera në bankë, gjyqtarja ka deklaruar shumën prej 15,278.57 euro.

Përpos parave të kursyera në bankë, gjyqtarja ka edhe detyrime financiare. E njëjta ka deklaruar se ka një kredi në shumë prej 105 mijë eurove. Të hyra nga paga vjetore Gërxhaliu-Krasniqi ka deklaruar shumën e parave prej 37,905 eurove ndërsa nga mëditjet ka thënë se ka përfituar shumën prej 711 eurove. Të hyrat vjetore të bashkëshortit të saj, gjyqtarja ka deklaruar se janë 3,172 eurove.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me pretendimet dhe kundërshtimet e ngritura në lidhje me gjyqtarët në të kaluarën dhe ka pranuar vetëm këtë përgjigje:

“Gjykata Kushtetuese është duke punuar intensivisht në procedimin dhe shqyrtimin e lëndëve, e posaçërisht të rasteve me prioritet. Biografitë e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë të publikuara dhe janë të qasshme në ueb-faqen e Gjykatës (shih linkun: https://gjk-ks.org/gjykata-kushtetuese/perberja/gjyqtaret/). Ndër të tjera, biografitë përmbajnë edhe përvojën profesionale e akademike të gjyqtarëve, të cilat si të tilla janë prezantuar edhe para votimit të secilit prej tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses

 

Përmbledhja e biografisë është kryer nga ekipi i zyres ligjore të Kallxo.com në përbërje të: Labinot Leposhtica, Kastriot Berisha, Blerta Ibërdemaj, Marcel Lekaj, Bahrie Sadiku, Tringa Rruka, Virtyte Gërvalla, Erolinda Uka, Fitim Limani, Ermonda Zogjani & Adelina Idrizi

 

About admin

x

Check Also

Heidegger: Veç një Zot mund t‘na shpëtojë

May 27, 2020 Më 23 shtator të vitit 1966, Rudolf Austein dhe ...