Home / Lajme / Pse duhet të ndodhin këto trazira politike në Prishtinë e Tiranë, kur e gjithë bota përballet me pandeminë?!

Pse duhet të ndodhin këto trazira politike në Prishtinë e Tiranë, kur e gjithë bota përballet me pandeminë?!

Abdulla Mehmeti

Dorën kriminale nuk e ndal as mortaja, zgjohuni shqiptarë, ditëzeza na ka ardhur te dera! ??

TRASHËGIMIA KULTURORE DHE ARTI, KUJTESA HISTORIKE DHE SHPIRTI SHQIPTAR PO VRITEN NGA BANDAT E POLITIKËS MERCENARE

Në Shkup, fshihen gjurmët e prejardhjes së Shenjtores tonë, Nënë Tereza.

Në Tiranë rrënohet godina e Teatrit Kombëtar nga pushteti dhe nëntoka kriminale.

Në hapësirat tjera etnike shqiptare, varfëri, dhunë, vrasje, pastrim i adresave të banimit, fshirje nga shtetësia, terror, shpërngulje…

Shqiptarë, kudo që jeni, a do ta bëjmë atdheun Shtet të së drejtës, apo do të lejojmë të shuhemi si komb nga bandat mercenare të ngritura në pushtet nga armiqtë tanë historikë?!

Fati i kombit e atdheut nuk durojnë pritje, o sot, o kurrë!

Jo për parti, klane, interesa grupore, rajonale e religjioze, por për kombin e Atdheun tonë, të vetëm që e kemi!

Dergjet Shqipëria nën thundrën e dallkaukëve, mafies dhe narkotrafikantëve, ne heshtim për tri dekada me radhë;

Terrorizohet Kosova nga bandat e partive politike, mediet e pushtetit dhe satelitët e agjenturave të huaja, njëzet vjet me radhë, ne heshtim sikur asgjë nuk ka ndodhur;

Terrorizohen, vriten e shuhen shqiptarët në Maqedoni nga bandat politike, nga llumi i mbetur i ish-agjenturave komuniste dhe nga klanet mafioze, ne heshtim sikur kjo ndodh në një vend të huaj, jo në atdheun tonë!

Shiten, tradhtohen, terrorizohet e shuhen krahina të tëra shqiptare, Çamëria, Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Pazarit të Ri (krahina e Rasës ilire), para syve tanë, dhe ne vazhdojmë të hedhim parulla të rrejshme atdhedashurie me simbol shqiponje krenare me gishtërinj të duarve, jo edhe me zemër dhe veprime konkrete, siç do të kishte vepruar çdo komb i qytetëruar i botës për atdheun e tij!

Hajnat vazhdojnë të bërtasin nëpër medie e tubime: “Kapni hajnat!”, kriminelët më ordinerë bërtasin kundër kriminelëve të tjerë: “Kapni dhe dënoni kriminelët!”, që t’i fshehin gjurmët e veta dhe duart e përlyera me hajni e krime, me djersën dhe gjakun e vëllezërve të tyre!

Përditë e më shumë dëbohet e shpërngulet rinia, ndalohet fjala dhe mendimi i lirë, shtypen, ndalohen e izolohen dijetarët, njerëzit e ndershëm e punëtorë, për ta kriminalizuar shoqërinë deri në themele dhe për ta zhbërë qenien shqiptare më lehtë dhe sa më parë!

Dorën kriminale që nuk e ndal as mortaja, kush duhet ta ndalë, po nuk e ndalëm ne?!

Zgjohuni shqiptarë, ditëzeza na ka ardhur te dera, Atdheu ynë ka ankth e ka zjarrmi!

About admin

x

Check Also

Profesori amerikan: Dialogu me qëllim primar krijimin e Asociacionin vetëm sa i përkeqëson gjërat

Prof. David B. Kanin Lajmi i mirë për të ashtuquajturin dialog të ...