Një hulumtim i vitit të kaluar ka bërë që Agjencioni Kundër Korrupsion ta dërgoj në Polici dosjen ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

Pas raportimit nga KALLXO.com, Agjencia Kundër Korrupsionit e ka dërguar për hetime në Policinë e Kosovës, ish-deputetin Milaim Zeka nën dyshimet për mos deklarim të pasurisë.

KALLXO.com, ka kërkuar informacione nga Agjencia Kundër Korrupsion në lidhje me çështjen e deputetit Zeka.

AKK e ka deklaruar se ka zhvilluar një kontrollë të plotë ndaj ish-deputetit Milaim Zeka, dhe se pas kontrollit rasti i tij është dërguar për hetime në Polici.

“AKK ka filluar kontrollin e plotë për të vërtetuar deklarimin e pasurisë së zyrtarit të lartë të përmendur për dyshimet e raportuara kështu që AKK e ka proceduar në Policinë e Kosovës rastin për vazhdimin e hetimeve të mëtejme”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka në deklarimin e pasurisë në vitin 2019, kishte deklaruar se posedon 6 banesa, një shtëpi dhe 10 hektarë tokë në pronësi të përbashkët, në emër të tij dhe të fëmijëve.

Për dallim me deklarimin e vitit 2018, Zeka kishte deklaruar një banesë më shumë në vitin 2019, të cilën sipas të dhënave të publikuara e kishte blerë në vitin 2013.

Këtë banesë Zeka ka qenë i detyruar ta deklaroj edhe në vitet paraprake gjatë kohës sa ka qenë deputet i Kuvendit.

Banesa në fjalë, ka 100 metra katrorë dhe ka vlerën e 120 mijë eurove.

Milaim Zeka e kishte pranuar se kjo banesë ishte blerë në vitin 2013 dhe e kishte arsyetuar mos deklarimin e kësaj pasurie.

“Ajo banesë është blerë në 2013. Nuk e kam deklaruar sepse nuk është pasuri e imja, hala se kam qit mbi veten. E këtë vit e kam qit sepse kur jam konsultuar me personin i cili më ka mësuar se qysh me deklaru, më ka thanë që pa marrë parasysh, qite mi vete, ma mirë është me qit. Kryesorja është që kontrata është nënshkruar më 2013, për qeta”, kishte thënë Zeka për KALLXO.com

/MekuliPress/