Home / Lajme / Bashkohet e gjithë opozita amerikane kundër Donald Trump

Bashkohet e gjithë opozita amerikane kundër Donald Trump

  

Opozita ndaj Presidentit Trump ka konsoliduar mbështetjen e Partisë Demokrate për Joe Biden, kandidatin e supozuar të asaj partie në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Megjithatë, korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Paden njofton se presioni nga radhët e progresistëve për programe më të zgjeruara të ndihmës qeveritare, kryesisht tani gjatë pandemisë së koronavirusit, të gërshetuara me shqetësimet mbi pretendimet për sulmet seksuale, dhe një sfidë nga një kandidat i tretë, kërcënojnë të çajnë këtë mbështetje të unifikuar.

Ndërsa shprehu mbështetjen për ish nënpresidentin Joe Biden për president, senatori Bernie Sanders nga Vermonti, një rival kryesor progresiv për nominimin e Partisë Demokrate, e bëri të qartë se partia duhet të bashkohet për të mundur Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

“Të sigurohemi që ne mundim dikë, për të cilin besoj dhe po flas në emrin tim, është presidenti më i rrezikshëm në historinë moderne të këtij vendi.”

Megjithatë, udhëheqës progresivë si ligjvënësja Alexandria Ocasio-Cortez mbeten të ndarë lidhur me kundërshtimin e Biden ndaj propozimit të Sanders për kujdesin shëndetësor të financuar nga qeveria dhe ndihma të tjera për sektorin e punës. Alexandria Ocasio-Cortez është ligjvënëse demokrate nga Nju Jorku.

“Ajo që dua të shoh në rastin më të dobët është një plan që do të ndihmojë zgjerimin e kujdesit shëndetësor për të rinjtë.”

Pandemia që ka pushtuar spitalet, duke detyruar mbylljen e gjerë të bizneseve dhe duke lënë miliona të papunë, ka mjegulluar dallimet e politikave mes republikanëve, tradicionalisht të dhënë pas biznesit dhe demokratëve që mbështesin punësimin. Të dy palët janë bashkuar në mbështetje të stimulit trilona dollarësh për bizneset dhe asistencës për të papunët.

Analistët thonë se politika e qendrës po kalon majtas gjatë kësaj krize dhe se Biden mund ë ketë nevojë të përqafojë politika më progresiste për të ruajtur një mbështetje të unifikuar. Mark Schmitt është analist politik me fondacionin New America.

“Ai duhet të tregojë se e pranon se qëndrimi politik i vendit ka ndryshuar, se Partia Demokrate ka lëvizur në të majtë, ka interes real në zgjidhje progresive më ambicioze.”

Një akuzë për sulm seksual kundër Biden mund të shkaktojë ndarje brenda partisë. Biden e ka dënuar fuqishëm akuzën nga ish

punonjësja e Senatit Tara Reade, e cila ka thënë se Biden e sulmoi atë në vitet 1990. Kritikët thonë se mospërputhjet në akuzat e Reade e dobësojnë akuzën e saj, ndërsa kolegët e Biden kanë shprehur mbështetjen për të. Moe Vela ka qenë këshilltar i Zëvendës Presidentit Joe Biden.

“E njoh personalisht Joe Biden. E konsideroj mik. Ai është njeri me karakter dhe integritet maksimal. Pohimet dhe akuzat e saj të rreme bien ndesh me atë që përfaqëson Joe Biden.”

Por mbështetësit e lëvizjes #Metoo shqetësohen se hedhja poshtë e akuzave kundër Biden bie ndesh me mesazhin e saj që gratë që pretendojnë për ngacmime seksuale duhet të besohen. Po ashtu i vë demokratët përballë akuzave për hipokrizi, pasi ata dënuan fuqishëm akuzat e pretenduara në të kaluarën kundër Trump dhe anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kanvanaugh.

Ekziston gjithashtu shqetësimi se një kandidat i tretë, Justin Amash, një kongresmen republikan nga Miçigani, i cili kandidon për emërimin e Partisë Libertariane, mund të tërheqë disa të moderuar nga Biden, duke e dobësuar atë në shtetet e lëkundura që ai duhet të fitojë për të mundur Presidentin Trump.

Analistët parashikojnë se Presidenti Trump ka të ngjarë të kërkojë të mbjellë ndasi mes demokratëve për të fituar një mandat të dytë ndërsa vendi po kalon një krizë shëndetësore dhe rënie të thellë ekonomike.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...