Shkruan: Murat Koci

Si mishi e thoi

Tre përqindëshi! Vendlindja Thërret! Ndihmo LDK-në! Ndihmo Drenicën! Ndihmo luftën! Ndihmo Rugovën! Ndihmo Ramushin! Ndihmo Fatmirin! Ndihmo të sëmurët! Ndihmo studentët ! Ndihmo shkollën! Ndihmo shtetin! Ndihmo familjen! Ndihmo dasmën! Ndihmo mësitninë! Ndihmo synetinë!

Mërgata shqiptare gjithherë e ka pasur dhe e ka mendjen, zemrën e kuletën të hapur për atdheun.

Pos lekun mërgata ka dhënë edhe gjakun për vendlindjen, jo vetëm herën e fundit në Kosovë, Kosovën Lindore e Iliridë por ndihmesa e mërgatës në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me 1912 ishte vendimtare, kujtojmë këtu Ismail Qemailin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Sami Frashërin e shumë të tjerë. Kontributi í mërgatës për liri shkon edhe më thellë në histori.

Skënderbeu u kthye nga mërgimi për të çliruar Shqipërinë.

Për fat të mirë të shqiptarëve mërgata shqiptare është gjithmonë nja tre hapa para vendlindjes në mendësi, shkollim, emancipim demokratik, atdhedashuri e stabilitet ekonomik. Kjo për shkakun e thjeshtë se pjesa dërrmuese e mërgatës është e konsoliduar në vendet më të zhvilluara, më demokratike, më të emancipuara e më të fuqishme të botës. Fal kësaj shqiptarët në mërgatë mësojnë, përjetojnë, shijojnë, shkollohen, punojnë, kontribuojnë, edukohen në një ambient që zgjon e miklon çdo shqisë e ndjenjë të atdhedashurisë, humanizmit, estetikës, moralit e etikës. Kjo ia mundëson mërgatës luksin të përpiqet e luftojë për shtet por jo për pushtet. Përkushtimi për shtet e komb pa interesin e pushtetit e bën këtë punë të çiltër, humane e hyjnore.

Ky qëndrim í mërgatës, ky interesim í mërgatës për atdheun, kjo luftë hakikat e mërgatës për atdhe e shqiptarizëm jo gjithmonë ka hasur në mirëkuptim e respekt në vendlindje. Zakonisht kjo mbështetje e luftë e mërgatës për atdhe injorohet, harrohet, minimizohet e edhe shfrytëzohet nga pushtete të kalbura në autoritarizëm e korrupsion, në injorancë e metafizikë.

Kujtojmë kohën e komunizmit në Shqipëri kur sistemi diktatorial mërgatën e konsideronte edhe më armiqësore së sa Serbinë, Greqinë a cilindo armik tjetër. Shtatë në njëzetekatër e dymbëdhjetë në një Shqipëria ndiqte e përndiqte, luftonte e izolonte, përçante e hasmëronte mërgatën dhe e mbante jashtë Shqipërisë, sa më larg Shqipërisë aq më mirë për diktaturën.

Aq më mirë për pushtetin përkthehet aq më keq për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Të njëjtën gjë bënin edhe Kosova, Serbia, Maqedonia e Mali í Zi të bashkuar nën Jugosllavi kundër mërgatës shqiptare. Në këtë pikë ishin të një mendje revizionizmi jugosllav dhe marksizëm – leninizmi shqiptar.

Ndjenja antimërgatë që ka filluar të shprehet hapur nuk është e sotit, e ka burimin tek antikombëtarizmi í thellë.

Sigurisht që keqqeverisja e sotme në Kosovë e Shqipëri, pushtetet kleptokratike, autoritative, antidemokratike kanë ndihmuar në shumimin e mërgatës dhe zvogëlimin e masës kundërshtuese në atdhe, e asaj mase që bën e ka bërë çudira. Në dy deceniet e fundit Kosovën e kanë lënë pjesa më vitale, më e shkolluar, më e çiltër, më atdhedashëse e shoqërisë. Janë detyruar të ikin mjekë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, profesorë, mësues, ushtarakë, ish luftëtarë të UÇK -së, të rinj e të reja.

Mosdurimi, moskuptimi e mosinteresimi í institucioneve të shtetit të Kosovës ndaj mërgatës vjen si rezultat i autoritarizmit e abuzimit të pashembullt me pushtet në çdo nivel e njësi. Pushtetarë të tillë mërgatën e duan si “ cjapi të kasapi “ si burim të pasurimit të pandershëm të tyre. Ja disa shembuj së si mërgata shfrytëzohet paskrupullsisht, polisa e sigurimeve në kufi, kufizimet në importimin e makinave më të vjetra se dhjetë vjet, pengesat e pagesat korruptive në rastet kur mërgimtarët investojnë në atdhe, pengesat burokratike me rastin e votimeve e tjera.

Sikur kjo nuk u mjaftojë pushtetarëve dhe langaraqëve të tyre por filluan me fyerje, me njollosje, me shpifje ndaj mërgatës duke í quajtur primitivë, të paarsimuar, dembelë, fodullë e lloj lloj epitete tjera negative.

E gjithë kjo shfryrje buron nga frika, nga frika e angazhimit të mërgatës, nga frika e votës së mërgatës, nga frika e humbjes së pushtetit të pamerituar. Valon Syla, Haxhi Nisma e Isa Mustafa janë plotësisht të vetëdijshëm se vota e mërgatës është e pakorruptuar , është e papërlyer, është për të tashmen e të ardhmen e vendit, është për liri e demokraci, është për dinjitet e sovranitet, është për shpresë e për jetë dhe kjo domethënë zbrazje e grazhdit të tyre abuziv. Valoni, Haxhiu e Isa dhe gjithë llumi që u shkon pas janë të vetëdijshëm se angazhimi í mërgatës domethënë fundi í tyre í turpshëm.

Sot mërgata shqiptare numerikisht është me e madhe se asnjëherë më parë , e fuqishme ekonomikisht si kurrë më parë , më e arsimuar dhe më e integruar në vendet respektive se kurrë më parë, kjo për Kosovën e vogël e të lodhur, të rrahur e nëpërkëmbur është mundësi e artë për të ndërruar kahje, për të ndërruar mendësi e pushtet.

Isa Mustafa e Valon Syla e të tjerët si këta akuzojnë mërgatën se nuk njohin mjaftueshëm realitetin në vendlindje për shkak të distancës fizike e kohore, në pamje të parë teori goxha e mundshme por për mendimin tim shumë e gabuar.

E them me bindje të plotë se shumë mërgimtarë e njohin dhe e prekin më mirë realitetin e hidhur në vendlindje së sa isët e valonët për arsyen e thjeshtë, isët e valonët kurrë nuk kanë jetuar me hallet e popullit dhe pasurimi í tyre marramendës e abuziv í pasluftës í ka larguar ata përfundimisht e plotësisht nga realiteti í popullit.

Si përfundim, ska Isë as Valon që mund të vë në taborre të kundërta mërgatën e vendlindjen, dëme e dhimbje kanë bërë e mund të bëjnë ende por mishi e thoi nuk ndahen.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/