Home / Opinion / SIKUR TË ISHIN NXËNËS TË VITEVE 70-ta?!

SIKUR TË ISHIN NXËNËS TË VITEVE 70-ta?!

 

Ali Mehmeti Archives - KosovaPress

Ali Mehmeti, Gjenevë, 08.05.2020

do të shkonin në fakultetin e inxhinierisë apo të mjekësisë, ku “koeficienti i dobishmërisë”
para çdo vendimi është vendimtar. Dhe sidomos kur kjo dobishmëri matet me
respektimin e ligjit, me respektimin e vendimeve paraprake gjyqësore, luftimin e
korrupsionit, stabilitetit të vendit dhe perspektivës më të qartë për rininë, respektivisht
fëmijët e tyre.
Në vitin 1970, pasi që ishte hapur Universiteti i Prishtinës ishin hapur edhe
shumë fakultete të reja. Atyre viteve ishte krijuar një atmosferë e tillë që
nxënësit më të mirë që përfundonin shkollën e mesme “duhej” të shkonin në
fakultetin e mjekësisë apo në ndonjë nga degët e fakultetit teknik, kryesisht në
degën e elektroteknikës, që konsideroheshin sikur më prestigjiozë, por edhe më
të vështirë. Pra, aty mund të vërtetohej “superioriteti” i tyre! Konkurrenca ishte e
madhe, sidomos në fakultetin e mjekësisë. Vetëm më të mirët pranoheshin,
kurse pranimet me “intervenca” të miqve e kushërinjve ishin të rralla. A ishte e
mirë kjo “atmosferë” e krijuar? Përgjigje e shkurt është JO!
Pas studimeve shumë shpejt e kuptova se drejtorët kryesor nëpër organizata
punuese nuk ishin inxhinierët por juristët dhe ekonomistët. Konflikti shumë herë
ishte i pashmangshëm. Sidomos gjatë përpilimit të akteve të ndryshme
normative, atyre mbi shpërndarjen e të ardhurave personale posaçërisht. Në
PTK-në e atëhershme drejtor gjeneral, apo zëvendës, asnjëherë nuk është bërë
një inxhinier. Jo pse nuk e kërkonim një gjë të tillë dhe nuk luftonim për këtë,
por sepse drejtorët vinin sipas preferencave të Komitetit Krahinor apo Komunal
të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Për disa vende, edhe sipas
preferencave të shërbimit sekret jugosllav! Në shumicën e rasteve, me
përjashtime të rralla, “kuadrot” ishin plotësisht jo kompetent, që mund të ishin
njëherë drejtor në termocentralet e Obiliqit, pastaj drejtor i drejtorisë për
shëndetësi në komunën e Prishtinës, nga aty drejtor në ndërmarrjen ndërtimore
“Ramiz Sadiku”, për të ardhur në fund në PTK. Praktikë kjo që është aplikuar gjer
në ditët e sotshme, pavarësisht që sistemi quhet demokratik dhe shumë partiak.
Edhe sot kemi “super menaxherë” që shëtisin nëpër ndërmarrje të ndryshme
publike duke bërë “namin” nëpër to. Por, s’është kjo tema.
Sa i përket organeve të drejtësisë, aty situata ishte më e qartë, sepse
udhëheqësit domosdoshmërish duhet të ishin juristë. Sistemi komunist
karakterizohej edhe me një disiplinë të lartë (nga frika e partisë), prandaj
shkeljet e ligjit ishin të rralla, por edhe më të dënueshme. Kjo disiplinë nuk
vlente në raste kur bëhej fjalë për mos dëgjueshmëri ideologjike apo politike, kur
me urdhër të partisë edhe mund të shkelej ligji. Kështu s’paku mendonim ne
“superiorët” duke mos na u dukur sektor interesant ku ne do mund të zhvillonim
aftësitë tona.
Pyetja që më mundon një kohë të gjatë dhe dua ta shtroj është: kush na futi
neve në kokë bindjen se studimet e ekonomisë, të drejtësisë apo të mësuesisë
janë nënçmim për “aftësitë tona mbi mesatare” dhe sidomos, si u arrti që kjo
bindje të rrënjoset në kokat tona?
Sot e kësaj dite nuk mund t’ia jap vetës një përgjigje të saktë, të cilës do i
besoja edhe vet deri në fund, as në pjesën e parë të pyetjes e lere më në të
dytën. Por megjithatë, një përgjigje e cila më duket për ditë e më e besueshme
është, se pushtet-mbajtësit e atëhershëm serbo-sllavo-komunist kishin qëllim
strategjik që nxënësit më të aftë t’i mbajnë sa më larg levave kryesore të
pushtetit që janë ligji dhe financat.
Se strategjia e tillë ka ekzistuar në fushën ushtarake nga faktori serbo-malazez,
mjafton ta përmend faktin se serbët bashkë me malazezët përbënin rreth një të
tretës së popullatës së Jugosllavisë, por mbi gjysma e kuadrove udhëheqëse
ushtarake ishin nga këto dy kombe. Ky fakt u konfirmua dhe ishte vendimtar në
kohën e luftërave të viteve 90-ta në Jugosllavi.
Pra, inxhinierët dhe profesionistët e tjerë teknik duhet të janë sa më të zgjuar që
të kontribuojnë në planifikimin, projektimin, ndërtimin, zhvillimin apo
përmirësimin e proceseve prodhuese që sjellin vlera të reja, duke ndikuar edhe
në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, kurse mbajtësit e pushteti do të “marrin
përgjegjësi” për shpërndarjen e vlerave të krijuara. Ekonomistët duke përpiluar
buxhete vjetore dhe pesëvjeçare, kurse juristët duke i dhënë formë ligjore
sistemit të gjithmbarshëm shtetëror.
Në fakt, ne “superiorët” ishim injorantët më të mëdhenj që nuk e dinim se shteti,
para së gjithash, ndërtohet mbi ligje, qëndron mbi ligje dhe zhvillohet duke i
respektuar ato ligje, por gjithnjë duke dalluar ligjet nga drejtësia.
Ata që nuk e kanë kuptuar këtë gjë ende, le ta pyesin vetën sot: a është më me
rrëndësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të cilin po e presim me
ankth, apo suksesi i një operimi plastik i vitheve të një pacienteje, bashkë me
vendimin se ku do ta vendosim një antenë të telefonisë mobile?
Të shpresojmë se gjykatësit e sotshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës,
sikur të ishin nxënës të viteve 70-ta, do të shkonin në fakultetin e inxhinierisë
apo të mjekësisë, ku “koeficienti i dobishmërisë” para çdo vendimi është
vendimtar. Dhe sidomos kur kjo dobishmëri matet me respektimin e ligjit, me
respektimin e vendimeve paraprake gjyqësore, luftimin e korrupsionit, stabilitetit
të vendit dhe perspektivës më të qartë për rininë, respektivisht fëmijët e tyre.

P.S. Paraprakisht kërkoj falje nëse dikush mund të preket nga ky shkrim.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...