Home / Opinion / EDI RAMA NUK ESHTE PERSON PRIVAT

EDI RAMA NUK ESHTE PERSON PRIVAT

May 7, 2020
Nga BEDRI ISLAMI

Nuk më intereson fare se për çfarë do të flasin sonte në Syri TV blu, shefi i qeverisë Edi Rama dhe gazetari kontravers Çim Peka. Kjo është një temë që u takon atyre dhe vetëm ata e dinë krejt mirë përse iu futën kësaj katrahure, e cila nuk ka të bëjë as me lirinë e medias, as me fjalën e lirë, as me përballjen e dy kundërshtarëve, që kanë qenë e janë të gatshëm të nxjerrin sytë ose të mbushin xhepat e njëri-tjetrit.

Çuditë e shefit të qeverisë në këto shtatë vite janë shumë më të mëdha se prania e tij në një TV privat, dhe, vetë fakti se e gjithë buja që i priu kësaj bisede ishte e gjithëfarëllojshme, tregon se pas saj fjala është për më tepër se kaq.

Rama, edhe një herë gjendet në vendin e gabuar, përballë njeriut të gabuar dhe çfarë do që të flasë, edhe sikur të bëjë oponentin më të fortë ndaj kësaj media tejet kritike e denigruese ndaj figurës së tij, përsëri, e theksoj, asgjë nuk është e rëndësishme.

Të rëndësishme janë tjera gjëra:

E rëndësishme është se shefi i qeverisë bëri pranimin e plotë te një media private, ndaj të cilës ka pasur shumë dyshime; që nga ngritja e saj, e cila i takon dy familjeve më të mëdha mafioze të këtij vendi dhe përgjegjëse për shkatërrimin e tij, Berisha –Meta; që nga financimi i dyshimtë, pasi ende askush nuk e di se si u ngrit ai TV privat e deri tek saktësitë e tjera financiare që janë të domosdoshme të kontrollohen nga shteti.
Edi Rama bëri sonte rehabilitimin e një tv, por jo vetëm kaq, por edhe të fshehjes së krimeve financiare, të cilat ai, kryesisht ai, e ka për detyrë dhe paguhet për ta saktësuar.

Një Tv privat, i cili është ngritur mbi disa miliona euro të dyshimta dhe të paditura nuk mund të futet në treg dhe të rehabilitohet pikërisht nga shefi i qeverisë. Ndërmarrja e kësaj përgjegjësie nga shefi i qeverisë është e stërmadhe, e pashembullt dhe e dyshimtë.

E di vetë ai apo njerëzit e tij se në cilin kanal janë grumbulluar financimet për ngritjen e këtij TV?

Mund të jenë krejtësisht të ligjshme, çka nuk e beson askush, por, si edhe është mundësia më e madhe, të jenë të ardhura nga vepra të dyshimta dhe të lidhura me krimin financiar, cilën përgjegjësi do të mbajë mbi këtë shefi i qeverisë?

Kjo të kujton natën para gjykimit të Ilir Metës kur shefi i qeverisë së asaj kohe, Sali Berisha, zakonisht njeri i mbyllur dhe jo i darkave, gjeti mbrëmjen “e duhur” për të qenë pranë mikut të tij , për të pirë në gotë vetë, dhe, i theksoi vetë ai, për të biseduar për politikë, se ashtu i pëlqente njërës nga bijat e familjes Meta. Dihet pastaj vendimi që u dha, ashtu si do të dihet nesër se ndaj këtij kanali TV, nëse dikujt do ia mbajë të kontrollojë, do të ketë një amnisti pikërisht nga intervista kryeministrore.

Edi Rama nuk është person privat. Si person privat ai mund të bëjë çfarë të dojë që nuk cenon ligjin, të vejë në të gjithë kanalet TV, të flasë çfarë t dojë, por jo kundër ligjit, të analizojë; është e lirë të rrijë me oligarkët, nëse ato do të duan të rrinë më tej me të,pasi do e kenë shtrydhur; është e lirë të mbajë çitjane dhe brekushe, të shkojë përsëri në Francë a ku të dojë.
Por ai, mjerisht, vazhdon të jetë shefi i qeverisë dhe duhet t sillet si shefi i qeverisë. Llastimet e djalkave kryeqytetase të nomenklaturës së dikurshme, nuk kanë të bëjnë me shtetin dhe as me politikat e tij financiare.

Disa javë më parë, një njeri i shkretë mbyti veten në një qeli ku e kishin gjykuar me paraburgim për 12 mijë lek të vjetra. Askush nuk e dënoi policinë, shtetin, drejtësinë për mizorinë e treguar.

Prania e Ramës në një televizion privat, të liçensuar nga qeveria e tij, por i pakontrolluar për burimet financiare, është njëjtë e rëndë me ato që mbyllën në një qeli burgu një njeri që mund të dënohej me gjobë ose që mund të ndëshkohej me një shqelm prapa.

Sillu si shefi i qeverisë, i nderuar kryeministër dhe jo si djalkë tirane, që e merr shtetin si lojën tënde dhe bën rehabilitime dhe përcaktime duke u nisur nga një pozitë qeveritare.

Prania juaj tori kryeministër është edhe legalizim i pasurive të fituara jo ndershmërisht, shkurt e shqip, të vjedhura, nëse gjithçka ose disa nga ata që janë thënë në media do të jenë të sakta.
E dini ju se kush qëndron pas këtij TV?

Cilët janë financuesit e tij? Nga kanë ardhur paratë dhe nëse janë apo jo nga burime të pastërta? Janë të deklaruara dhe të kontrolluara?

Sipas shumë zërave medialë gjithçka është pronë e dyshes Meta-Berisha, dhe e gjithë struktura është e vendosur në njërin nga pallatet e familjes Meta: paguan qira për mjediset pronari i TV? Janë para të deklaruara si fitime të ndershme? Po qiramarrësi dihet se cili është: Paguan taksat për këtë fitim?

Shumë gjëra morët përsipër, megjithëse nuk e di pse jam i bindur se ju i dini të gjitha: edhe kush është pronari real, edhe kush fshihet pas gishtit, edhe kush kërkon të nxjerrë sytë, edhe cili financon, se, cilin mbështet ky TV kjo është e drejta e tij.

Ka shumë zëra se ky TV dhe aktivitete të tjera që lidhen me familjet e njohura, jo për dobi ndaj vendit, do të pastrohen përmes këtij stacioni, por edhe do të fillojnë vendosja e gjobave të reja. JU, nuk e di pse mendoj, se jeni në dijeni të kësaj, por jo rastësisht vendosët të ishit aty…
Mos qoftë e thënë që ky emision të jetë fillesa e një pazari të ri për ndarjen e plaçkës, si bëjnë mercenarët pas çdo lufte…

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...