Shkruan: Valon Rogova

Po, po falimnderit. Falimnderit që më në fund: Të pavjedhur, me dinjitet, me punë.

Tash e morëm vesh se Albin Kurti, më saktë ministri Bislimi, kishte arritur që të na e zbuste papunësinë 6,6 për qind gjatë kohës së koronavirusit. Nuk mund të themi gjë tjetër veçse “bravo i qoftë”. Merreni me mend se çka do të bënte Qeveria Kurti po të mos ishte koronavirusi.

Unë kam besim te kjo qeveri. Besoj se janë bërë hapat e duhur që secili prej nesh të ketë shumë mundësi pune. Shpresa e ndryshimi nuk janë me brirë, ato vijnë kështu: kur qeveria punon për ne dhe na gjen punë.

Por, edhe pse punon e po punon pa u ndalur, kundërshtarët politikë nga xhelozia e smira nuk po i pranojnë këto punë. Edhe qytetarët duken paksa të trulluar ndoshta se nuk e kanë pritur që kaq mirë do të shkojnë gjërat.

Ja që ia dolëm o të dashur lexues. Ja që ia dolëm mbanë të kemi në krye një qeveri e cila merret seriozisht me problemet tona të moçme, ndoshta shekullore. Një ndër këto është padyshim punësimi.

Gjithë ata njerëz, tashmë 10 mijë e ca, përfituan kontrata puna nga detyrimi që ua bëri kjo qeveri punëdhënësve të tyre. Secili prej tyre do t’i fitojë nga 170 euro prej qeverisë, plus edhe paret e kontratës pastaj kur të kryhet pandemia. Jetë o jetë!

Ja, ky është ndryshimi që deshëm.

Unë për vete nuk kam pritur që të gjitha këto punë të mëdha të kryhen për një periudhë kaq të shkurtër. Ulja e papunësisë, lufta kundër korrupsionit, përfaqësimi dinjitoz i Kosovës nëpër botë siç e bëri Kurti, e shumë e shumë të tjera. Por ja që e bëri.

E morëm vesh më në fund pse punët shkuan aq keq për ne. Sepse të tjerët nuk menduan aspak për të mirën tonë, për të mirën e asnjërit prej nesh dhe na lanë në atë gjendje të tmerrshme. Tash, edhe ditët duken më të bukura ashtu siç duket më e bukur edhe jeta. Jemi të lirë e kemi punë. Jemi të lirë e nuk na vjedhin njerëzit të cilët i paguajmë, qeveritarët tanë.

Mbaj mend kohën kur qytetarët silleshin poshtë e përpjetë, nga kafeneja në kafene, dhe nuk mund të punonin asgjë. Nuk kishte punë, kishte depresion, zymtësi, stres. Tash, kjo është “e shkuar e harruar”.

Erdhi dita! Erdhi dita që të gjithë ne, pa dallim moshe e gjinie, të ndihemi si në shtëpinë tonë në Kosovë. Të pavjedhur, të paplaçkitur, të mirëprezantuar, me punë, e me para.

A e patë o lexues se si e politizuan rastin e Agon Musliut që u hodh nga kati i katërt i konvikteve? Ai kishte depresion, e mbyti veten, e këta turr e të akuzojnë Arben Vitinë, Albin Kurtin e krejt qeverinë.

E çka bëri Arben Vitia i ngratë? Të gjithë duhet të shkonin në karantinë, pa dallim, sepse kështu po na shpëtonte nga vdekja e sigurt prej koronavirusit. E ja që shkoi edhe Agoni dhe për fat të keq e humbi jetën.

Por, është gabim të mendohet tash që Arben Vitia kishte faj për depresionin e të riut. Në fakt, faji është bash i atyre që po e akuzojnë, i PAN-it që mbjelli varfëri, papunësi e me këtë edhe depresion masiv në vendin tonë.

Unë në këtë shkrim dua që thjesht të shpreh mirënjohjen e falenderimin tim të sinqertë për Qeverinë Kurti! Falemnderit Albin!