Merita Schmitt

Si e përshkruan Ernest Koliqi këtë festë të popullit tonë në vargjet e tij perlë:

SHËN GJERGJI

Vashat duarnjoma pa çilë agimi,
Kpusin sot gema me ja vndue derës,
Si shej gazmendi, si shej urimi,
Pse erdh Shën Gjergji krushku i prandverës,
T’tana u stolisën dyert që ka shpia,
Me gema kumbullash e drandofilash,
Pa za t’përshëndesin era e freskia,
Kudo që t’sillesh.

Erdhi Shën Gjergji me cërcërrime,
Flutrojn’ dallndyshet n’për rreze ari,
Qoftë bekue dora që n’derën time,
Dy gema lulesh n’mëngjes i vari,
Qoft’ bekue dita që n’mjeri t’soçme,
Një doke gzimi përtriu me mall,
Ritin e bukur t’prandverës s’moçme,
Ambël tue ngjallë.

Shën Gjergj -Prandvera, – zoja hirplote.
Prore ty t’pati ndër ne lajmëtar,
Kët kremte lulesh papra ndër mote,
Ti ia përserit motit shqiptar.
Ti lulevilet i hap mbi tanda,
Ku n’andrra t’reja zemrat na dridhen,
E ti mkamb’ vallet nën manda,
Ku shrregllat hidhen.

N’sternipa mbrriti si nëpër mjegull,
Hareja e pastër që dikur solle,
S’dijm me hov t’vjetër m’u lkund n’shrregull,
E vallja plogtas shtiellet okolle.
Dhe n’i u pergjegjshim grishjeve t’tuaja,
Dhe n’qe se vallet ende s’kan heshtë,
Prap s;dime me t’lutun : shllimet e huaja,
S’na lanë t’thjeshtë.

Sa dyer t’stolisuna me lule t’bardha,
Jan rruzue gjat moteve o dit’ pagane,
E sa duer vashash ka ngrimun mardha,
Që me këput gema dikur i baane.
Por pse ndër shekuj ndrruen njerzt e feja,
Zakon i moçëm, jo, nuk u buer.
Me gema e lule kah dyert e reja,
Prap çohen duer.

N’Shen Gjergj t’ardhshëm le t’çohen prore,
Duer t’bardha vashash n’shpijat shqiptare,
Le t’varin lule duert prandverore,
Ku ruhen doket porsi visare,
Bift n’ato shpija gzimi ma i dlirti,
Ma e ambla valle n’prandvere u këndoftë,
Andrra ma e bukur që dëshron shpirti,
Aty lulzofte.

Ernest Koliqi.

Fotografia e Merita Schmitt