Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është dërguar në shtëpinë e tij në Hajvali, pas arritjes nga Tirana.

Pas arritjes në Prishtinë, deputeti Pacolli deklaroi se është frikësuar për akt terrorist në aeroplanin e tij nga autoritetet e Kosovës.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka arritur të enjten në Prishtinë. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Pacolli ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar që për të të mos merren masat sikurse për qytetarët tjerë. Ka shtuar se nuk e di se kah do ta dërgojnë autoritetet e vendit.

“Asnjë moment nuk jam shprehur e as s’ka qenë në kokën time që të veproj jashtë normave. S’kam kërkuar asnjëherë të bëhet dallim për mua. Derisa e dua vendin tim, i nënshtrohem edhe të gjitha masave të ndërmarra. Unë nuk rezistoj. Unë i respektoj normat që janë marrë për të gjithë, ashtu edhe për mua. S’do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi apo mangësi. Nëse ka rregull që është aplikuar për të gjithë qytetarët, unë do ta zbatoja”, ka thënë ai me të arritur.

Ai është ankuar në deklaratat e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Unë s’jam kriminel. E dua këtë vend. Gjithë punën e bëj me vullnet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është frikësuar nga “institucionet e Kosovës se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim”.

“Kam qenë dy muaj i vetizoluar me përgjegjësi me familjen time. Ditën kur kam dashur të vi në Kosovë e kam kryer testin. Testi ka rezultuar negativ. Jam nisur për në Kosovë. Leja fillimisht është anuluar. E dyta është kushtëzuar me implikime të tjera, se me dhënien e lejes duhet të involvohen disa ministri. Unë fluturoj me një fluturake ku nuk ka asnjë forcë. Jam frikësuar për herë të parë nga institucionet e shtetit tim se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim dhe kam aterruar në Tiranë. Është hera e parë që frikohem nga një shtet. Sot jam kontrolluar, kam kryer procedurat dhe vazhdoj jam në dispozicion. Nuk e di kah do të më çojnë. Jam frikësuar nga të gjitha presionet që kam marrë deri kur jam nis për në Kosovë”, ka thënë ai.

Ardhja e tij në Prishtinë bëhet në kohën kur pritet votimi për Qeverisë e re, pjesë e së cilës pritet të jetë edhe AKR-ja e Pacollit. Ai qe dy ditë ka pasur përplasje me Qeverinë në detyrë, e cila kërkonte që Pacolli të mos veçohej nga të tjerët dhe t’i nënshtrohet rregullit për izolim dyjavor në Qendrën e Studentëve.