Home / Opinion / Akademik Mehmeti:Llumi politik dhe kriminelët nuk mund të krijojnë marrëveshje për paqe!

Akademik Mehmeti:Llumi politik dhe kriminelët nuk mund të krijojnë marrëveshje për paqe!

LLUMI POLITIK DHE KRIMINELËT NUK MUND TË KRIJOJNË MARRËVESHJE PËR PAQE, BASHKËPUNIM DHE FQINJËSI TË MIRË MES POPUJVE DHE SHTETEVE

Kush tha se bota nuk mund t’i kuptojë shqiptarët, drejtuesit e shtetit, të Shqipërisë dhe të Kosovës, nëse nuk pranojnë dialog për asnjë çështje, jo më marrëveshje të gjerë (historike) bashkëpunimi dhe fqinjësie të mirë mes Kosovës dhe Serbisë, apo për njohje reciproke mes dy shteteve sovrane, përderisa në emër të shtetit fqinj flet dhe vendos një kryetar shteti me të kaluar kriminale (kriminel lufte, pjesë aktive e ish-regjimit të Millosheviqit), siç është presidenti aktual serb, Vuçiq?!

Asnjë shqiptar nuk është aq i paditur që të mos e bëjë dallimin mes pushtetit jodemokratik (kriminal) nga populli dhe qytetarët e pafajshëm serbë, të papërfshirë në krime, ose të cilitdo shtet tjetër fqinj të tyre.

Mjegullnajat e propagandës, fryma e urrejtjes mes popujve dhe fitili i luftënxitjes, fatkeqësisht janë në duart e kriminelëve dhe mercenarëve në të gjitha palët, të përkrahur edhe nga oligarkia ndërkombëtare dhe qendrat e luftënxitjes, për interesa të tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Nuk ka gjë më fisnike e të shenjtë se kur thuhet dhe mbrohet e vërteta, nëse thuhet hapur dhe qartë se Vuçiqi është kriminel lufte dhe si i tillë i papranueshëm për dialog dhe marrëveshje; se palën shqiptare të Kosovës në dialog dhe çfarëdo marrëveshje me shtetet fqinje, jo vetëm me Serbinë, nuk mund ta përfaqësojnë njerëz të dyshuar për krime, korrupsion dhe tradhti; se edhe palën e tretë, ndërmjetësuese dhe lehtësuese në këto bisedime nuk mund ta përfaqësojnë figurat politike e diplomatike me të kaluar të dyshimtë dhe pjesëtarë të lozhave masonerike që tregtojnë me interesat e popujve dhe shteteve të vogla e të pafuqishme, qofshin ata edhe përfaqësues të shteteve të dëshmuara si aleatë të popullit shqiptar, siç është rasti me ambasadorin Grenell dhe ndonjë tjetër, nëse vërtetohen dyshimet mbi qëllimet e tij jokorrekte dhe të padrejta për arritjen e një marrëveshje mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.

Në bisedimet ku marrin pjesë dhe mund të vendosin, trafikantë të ikonave dhe drogës, kontrabandistë dhe hajdutë ordinerë, kriminelë lufte, egjentë të dëshmuar të ish-regjimit komunist dhe njerëz pa identitet moral, çfarë mund të jetë rezultati i kësaj marrëveshje, përveçse MARRËVESHJE TREGTIE, konflikti të ngrirë, krimi e lufte të pandërprerë mes popujve, shteteve fqinje dhe rrezik i përhershëm për rajonin në përgjithësi?!

A nuk e din bota (faktori ndërkombëtar) se kush mund t’i përfaqësojë në mënyrë të denjë interesat e popujve dhe shteteve të caktuara? Sigurisht që e din më mirë se secili prej nesh, por lojërat e këtilla politike gjithmonë e kanë burimin në qendrat e prerjes së hartave dhe kreatorët e kaosit ndërkombëtar, fatkeqësisht, të përkrahura gjithmonë nga llumi politik i vendit!

(26.IV.2020)

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...