Intelektuali dhe autori shqiptar i më shumë se 600 këngëve, Agim Doçi në një intervistë ekskluzive për të pavarurën MekuliPress, ka folur mbi situatën aktuale politike e shoqërore në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare në tërësi.

Në këtë intervistë do të mësoni se çfarë mendon z. Doçi për figurat e njohura që lanë gjurmë në historinë e kombit shqiptar, si: Gjergj Fishta, Pashko Vasa, Enver Hoxha, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova e së fundmi Albin

MekuliPress: z.Doci intelektualet konformist, ata që mbështesin pikëpamjet zyrtare ose arsyetojnë krimet zyrtare, po nderohen e po priviligjohen nga shteti, ndërsa intelektualet e orientuar drejt vlerave dhe kundër opinionit dominiues në shoqëri, po ndëshkohen në mënyra të ndryshme. Cili është mendimi i juaj për këta dy lloj intelektualësh që i i kemi sot në Tiranë, Shkup e në Prishtinë?

Doçi: Tashti, në radhë të parë, sipas mendimit tim, intelektual me përkufizim shkencor me enciklopeditë europiane e botëore, quhet një njeri i shkolluar ose jo, i cili gjithë energjitë e tij fizike e mendore i vënë në dobi të paqes, njerëzimit dhe t’kombit t’vet. Kallxom ti mu ku ka intelektual të këtij formati? Ndaç në Kosovë e ndaç në Shqipëri. Nuk ke. E vetmja që vuri këto energji në funksion të së mirës, ishte nana Terezë. Të tjerat që marrin edhe tituj akademikë, për mu janë akademyk. Se kurgjo s’i kanë dhënë kombit, as paqes e as njerëzimit. Vetëm sherre.

MekuliPress: Perse nuk kemi një Aleancë apo Bashkim të akademikeve shqiptarë nën një ambrellë? Kush eshte pengesa këtu? Politika, Ideologjia, apo impotenca intelektuale?

Doçi: “Troç, dy fjalë, kombit mbarë, Sy me sy me ja thanë deshta: Ma zor mblidhen dy shqyptarë, Sesa mblidhet nji thes me pleshta”, kështu ka thënë Fishta. Tashti, akademitë e Prishtinës edhe të Tiranës, janë peng. Sepse akademia e Tiranës ka qenë e udhëhequn nga ortodoksia e shkollune që s’ka mujt me marr Shqipninë me e çu n’Vllahi e n’Greqi por ka defomu historinë. Deri aty sa mund t’quhen krime historike. Ndërsa akademia e Prishtinës t’u pas personalitete t’mëdha si Dr.Rugova e të tjerë që unë s’po t’i përmendi se ke njerëz të mrekullushëm, erdh e i morri peng komunizmi Tiranës në 1972’shin, kur u bo i ashtuquajturi kongresi i drejtëshkrimit. Aty, forca e vetme që e çon gjuhën në zhvillimin dialektik është infitivi – paskajori. Është me hangër, me pi, me fjet e ka shku siç e ka gjuha angleze to go, to eat e to sleep. Pastaj u hoq paskajorja. Nga me hangër, me shku, me fjet e me pi, u bë të hash, të pish e të flesh. Pra, toskërifikimi i gjuhës shqipe, u pranu si sakrificë nga akademikë që erdhën nga Prishtina në 72’shin. Dhe ato e bënë sepse Beogradi – agresivë e arrogantë, shqiptarët e Shqipërisë i quante albanac kurse të Kosovës i quante shiftari. kështu që për me vërtetu që jemi një komb, unë e vlerësoj si një sakrificë të akademisë zyrtare të Prishtinës aso kohe.  Kështu që akademikët e të dy anëve nuk  mund t’lidhen sepse janë peng. Disa akademikë të Kosovës, mendojnë shkinisht e përpiqen me e përkthy në shqip. Gjuha asht ajo që i paraprinë bashkimit kombëtar. Edhe ai që e donte, Albin Kurti, djalë shumë i zoti, ia bën grushtin e shtetit.

Shqiptarët e Shqipërisë, disa prej tyre, Albinin e kanë gjujt gur që me ato gur ishin ba n’ja 100 kisha.

 

MekuliPress: Përse periudha e Rilindjes shqiptare, shkrimtarët, publicistët, patriotët e ideologët e kësaj periudhe nuk i shohim e nuk i lexojmë në median shqipe. As në RTSH publik, biles! Ja për shembull në Norvegji, periudha romantike norvegjeze është çdo herë në pah dhe e reklamuar mire, me qëllim që të brymosen brezat e rinjë me ndjenjën atdhetare norvegjeze. Mendoni se  intelektualet shqiptarë në Prishtine e ne Tiranë i frikësohen porosive humane e demokratike të Sami Frasherit apo Fishtës?

Doçi: Tash është kriju shoqata At Gjergj Fishta që po mbanë vlerat e At Fishtës. Se ai është nderi kombit. Xhelozia e k’tyre poetëve tjerë, që kanë dalë në vitet 60, që s’mund të arrijnë vlerën e At Fishtës, i ka pengu prandaj lihen anash. Nga ana tjetër, rrjetet televizive në Shqipëri, janë peng i segmenteve të ndryshme politike. Pluralizmi është boll i mirë por kur forcat politike duke i fut hundët  në programacionet e rrjeteve telivizive, është edhe një aversion – mllef.

MekuliPress: Për çfarë mllefi e keni fjalën?

Doçi: Është mllefi jug-veri. Jugu ka ndejt 50 vjet në pushtet, me Enver Hoxhën me shok. Në qoftë se e kuptojnë ata “intelektualët” të jugut që, duhet me i dasht veprat madhore të letrave, se letrat në Shqipëri, janë bërë në zonën e gegënisë. Pa dyshim që edhe jugu ka pas burra të ndershëm si Faik Konica, Noli, kanë qenë vllezërit Frashëri. Burrë shumë i mençur ka qenë edhe Sami Frashëri.

MekuliPress: A ka qenë At Fishta, bashkëpunëtor i fazhizmit? Pasi që, jo pak autor, e akuzojnë Fishtën që bashkëpunoi me fashistët.

Doçi: Këto janë akuza që vijnë nga ortodoksisë akademike shqiptare. At Fishta është anëtar nderi i pesë akademive europiane. Kjo e ka trondit atë qorrin e sokakut të t’marrëve që është Ismajl Kadareja, që bën një vepër: Ra ky mort e u pamë. Kadareja, e urrente At Fishtën sepse ky i kish në palcë, në damarin e kombit shqiptar që ia din përmendsh veprat e tija, poezitë e tija. Kadareja e shpërfilli At Fishtën. Dhe kur u ba Ismajl Kadareja anëtar i partisë të Enver Hoxhës, u bë deputet dhe nënkryetar i përgjithshëm i frontit demokratik me kryetaren Nexhmije Hoxhën, imagjino sa i besueshëm mund të jetë ai tani. At Gjergj Fishta, nuk e ka përkrah Fashizmin, përkundrazi ai ka mbajt një fjalim spektakolar, kur e vranë Avni Rrustemin. Që edhe ky pa t’marrë pare prej jugosllavëve me e vra Esat Pashë Toptanin. At Fishta, në varrim të Avni Rrustemit, mbajti një fjalim si shqiptar ashtusic ka thënë fjalë monumentale: Ju bajram, ne kemi Pashkë, por Shqipninë e kemi bashkë.

Në këto figurat e kombit shqiptar, Pashko Vasa, kur Shkodra në 1914, ishin të rrethuar nga malazezët dhe që hanin mish t’kalit të coftë, mbante tri kilogram dekorata si guvernator i Libanit. Ai nuk ka shkru po mos shiqoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria, se do ta hante si Selman Ruzhdien. Por ai ka thënë mos shikoni kisha e xhamia, besa e shqiptaritë, është shqiptaria. Besa e jo feja.

 

MekuliPress: Si do ta përshkruanit me pak fjalë, figurën e Enver Hoxhës?

Doçi: Shiko: Enver Hoxha, ishte gjeniu i së keqës. Në një nga poezitë e mija, kam shkru:

Të gjitha veset, që djalli shpiku

I bëre pronë të shpirtit tënd

As ferri Dantes që shkoi dhe iku

Për Enver Hoxhën, s’do t’kishte vend

Ti arrestove lirinë e kombit

Prishe faltoret e perëndisë

Nuk e marr vesh nga ç’anë e globit

I re mallkim ti Shqipërisë

Ti që e vrave me thikë pas shpine

Fishtën, Konicën, vet historinë

Ti serbosllavi me brum prej Kine,

Të humbt fara me gjithë partinë

 

MekuliPress: Shoqëria shqiptare kam përshtypjen se që prej kohësh është tërësisht në krizë morali, që ka përfshirë edhe individët, edhe komunitetet, edhe institucionet, edhe shoqërinë civile. Sipas jush, cila është rrugëdalja nga kjo krizë?

Doçi: Dalja nga kjo krizë do të ndodh vetëm nëse vjen ajo që filloi të lindi edhe të gjelbëroj në Kosovë, nëpërmjet Vetëvendosjes. Nëse në gjithë trojet shqiptare, do lind një forcë politike që ka frymën e Vetëvendosjes, përmirësimi do të ndodh. Sepse politikuajt e Shkupit e t’Prishtinës e t’Shqipërisë, janë çuditërisht armiqtë më të rrezikshëm sepse kanë vërtetu që shumë vite akuzën e serbve edhe të europës arrogante ndaj shqiptarëve.

MekuliPress: Për çfarë akuze?

Doçi: Që shqiptarët nuk janë të zot për vetqeverisje. Këtë akuzë, aq të fuqishme, ata e kanë shfrytëzuar me agjenturat e tyre, me urrejtjen që ekziston toskë-gegë.

MekuliPress: E ndiqni situatën në Kosovë, si do ta komentonit situatën aktuale?

Doçi: Unë kam patur besim që Kosova, me politikuajt e saj, duke mos patur në gjirin e saj ortodoks – kur them ortodoks mendoj ortodoksi – do të shkojshin shumë përpara. Mirëpo, është një luftë e çuditshme në Prishtinë, beteja n’mes titistave dhe enveristave. Të dy palët janë të rrezikshëm, që s’ua ninë hiq për interesat e kombit. Janë bërë mulltimilionerë. Janë bërë të rrezikshëm dhe shfrytëzojnë faktin që drejtësia mungon. Ti shiko vetëm listën e komandantëve që u vranë pas lufte. Sepse do të merrnin pushtet ata që e morrën pushtetin. Në këto kushte, populli dhe elektorati, është shumë më i mençëm. Ai e kuptoi dhe ia dha shumicën e votave, Vetëvendosjes. Tashti nuk është se unë jam avokati i Albin Kurtit ose prokurori i Isa Mustafës por është gjynah me e marr n’qaf atë popull, atë republikë.

MekuliPress: Çfarë mendimi keni për liderët e partive politike në Kosovë?

Doçi: Unë jam autor i 645 këngëve për heronjtë e UÇK-së por unë s’ia kam bërë as Hashimit, e as Fatmir Limës. Ramushin e kam pas dashtë sepse ai respektonte Presidentin Rugova. Kur i kujtoj këta emra, më kujtohet kur e takova Rugovën, e më tha: me ba demokraci, e me ba shtet demokrat duhet me u mësu me hangër gur të nxehtë. Sa ka patur të drejtë! Unë e kam pas adhuru atë njeri për shumë arsye sepse ishte për së mbari.

MekuliPress: z.Doci, meqë e përmendet Rugovën, më lejoni t’ju them se, shumë persona publik, përfshi edhe krerët më të lartë të UÇK-së po edhe opinionistë të shumtë – madje edhe Adem Demaçi – Rugovën, e cilësojnë si frikacak që nuk e pranoi UÇK-në? Ka supozime që po ta njihte apo edhe e përkrahte do t’ishte një situatë tjetër beteja UÇK – Serbi. E arsyetojnë këtë teori, duke ngre paralel edhe Alija Izet Begoviçin e Bosnjës?

Doçi: Alija Izet Begoviçi, kishte 2000 luftëtar të nivelit të ISIS-it. Ishin luftëtar fundamentalist islamik. Peja dhe malësia e Pejës, t’u fillu prej Qakorrit, janë të fundit shqiptar të Kosovës, që janë kthy n’musliman. Ka qenë të krishter. Sepse feja e parë e shqiptarëve ka qenë feja katolike. Ndërkohë nga ana tjetër, UÇK-ja s’kishte aq fuqi. Fati madh ishte NATO, SHBA-të apo aleanca euroatlantike, se Serbia ishte forca më e madhe ushtarake në europë.