Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e konsideron si jo kushtetuese dhe joligjore, nismën e LDK-së për formimin e qeverisë pa zgjedhje të reja.

Në një intervistë ekskluzive për të pavarurën MekuliPress, Nagavci ka deklaruar se Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e konfirmoi planin e tyre që mocioni i mosbesimit ishte që të shkoj me tjerët në pushtet, me parti të cilat nuk kanë arritur t’i fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndërsa sipas saj, kurdo që të krijohen kushtet për të shkuar në zgjedhje të reja, LVV si gjithmonë do t’i bëj të qarta synimet e saj..

MekuliPress: Ishte gjithçka për së mbari, për një moment u shemb gjithçka. Çfarë ndodhi znj. Nagavci? Ku ishte thelbi i problemit që rrëzoi qeverinë Kurti?

Nagavci: Tash nëse kthehemi dhe e shohim edhe një herë që prej 6 tetorit, madje edhe më herët, shumë gjëra e kanë një kuptim tëri. Ju e dini që qysh para zgjedhjeve kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z.Kurti, i ka ofruar mundësinë LDK-së, që të shkojnë me një listë të përbashkët. Dhe kjo me të vetmin qëllim që të mundësohet një ndryshim që për qytetarët e Kosovës, përgjithësisht është jetike. Kjo zgjati shumë megjithëse, kemi menduar që do të përfundoj shumë shpejtë për shkak e gjatë fushatës zgjedhore, tëdy palët kemi patur premtime që do të qeverisim bashkë pas zgjedhjeve. Synimi ishte që partitë e PAN-it, të dërgohen në opozitë. Ishte synimi që të ofrohet një qeveri e pakorruptuar që do t’i çkapte institucionet dhe do të luftonte krimin e organizuar. Të ofrojmë mundësi të reja për qytetarët. Nisur nga këto premtime, ne kemi pritë që bisedimet do të zgjasin më pak, sido që të jetë, mbas 6 muajsh u arritë. Nëse e shohim deklaratën e fundit të kryetarit Mustafa, që të deklarohen të gjithë anëtarët e Këshillit të LDK-së për mundësinë e një koalicioni me AAK-në dhe Nismën, e tregon që në fakt, gatishmëria e tyre për të krijuar qeveri me Lëvizjen ka qenë jo për dëshirën e tyre po për faktin se nuk ka patur zgjidhje tjetër. Tashmë duket që edhe mocioni për rrëzimin e qeverisë, ka qenë mundësi për të krijuar qeverinë vetë.

MekuliPress: Edhe partneri i koalicionit, por edhe partitë opozitare, deklarojnë se Albin Kurti, me veprimet e tij, tregon një anti-amerikanizëm. Me fjalë tjera, Kurti, po cilësohet anti-amerikan. Si do t’i komentonit këto teori?

Nagavci: Albin Kurti është një qytetar i Kosovës, i cili gjatë gjithë jetës është angazhuar për vendin. Dhe kjo sipas mendimit tim është në një linjë edhe me demokracinë dhe parimet demokratike që promovohen në SHBA. Për më tepër, Albini, iu ka përmbajt që i ka dhënë që nga fillimi, shembull që taksa të hiqet, duke e zëvendësuar atë me reciprocitetin e plotë. Kjo ka qene edhe në programin tonë politik për të cilin jemi angazhuar që prej kohësh. Në situatën në të cilën jemi, ku nuk mund ta akuzojnë Albinin për asgjë, kapen për teori të tilla, të cilat bien ndesh me logjikën e shnosh. Ashtu siç e kemi thënë disa herë, nuk besojmë që ka shqiptar në Kosovë që është kundër SHBA-së. Të gjithë iu jemi mirënjohës për kontributin të cilin ata dhe BE-ja e kanë dhënë e po japing për Kosovën, pothuajse në të gjitha fazat e rëndësishme për shtetësinë e Kosovës. Albini ka treguar qartë pozicionet e veta edhe vetë. Të mos harrojmë se taksa e vënë nga qeveria Haradinaj, ishte pa një analizë paraprake, pa një planifikim dhe pa asgjë prej gjëje. Thjesht një vendim impulsive i pa analizuar mirë.

MekuliPress: Për shkarkimin e bordeve të Institucioneve Publike, ka akuza që Vetëvendosje i ka largu për t’i futur anëtarët e vet. Cili është komenti juaj?

Nagavci: Nuk ka pasë asnjë rast ku Vetëvendosje me vendimet e saj, ka shkelur ligjin. Vetëvendosje nuk i ka futur në borde militant partiak por njerëz kualitativ. Prej të gjithë të emëruarve në bordet e përkohshme, detyra e të cilëve është që të bëjnë një analizë punës paraprake, t’i japin raportet dhe pastaj do të emërohen bordet e përhershme. Në gjithë këta përfaqësues të emëruar, prej tyre tre ose maksimum katër janë persona që janë anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje. Këtu nuk ka absolutisht shkelje të ligjit për ndërmarrje publike sepse ligji e parasheh se nuk mund të jetë person që është në pozita vendimmarrëse në parti. Dy të emëruarit për të cilët u bë zhurmë, janë persona të cilët kanë të gjitha kualifikimet profesionale. Këta nuk do të thotë që do të jenë të favorizuar në rast kur hapen konkurset e rregullta. Unë shfrytëzoj rastin t’i inkurajoj të gjithë ata që janë të përgatitun dhe kanë vullnet të jenë pjesë e bordeve në momentin që hapen konkurset sepse përzgjedhja do të jetë krejtësisht duke respektuar legjislacionin në fuqi. Këta janë të emëruar, qeveria ka patur të drejtë të emëroj personat, për të cilët beson se do t’i kryejnë punët e tyre me përgjegjësi të plotë. Ashtu sikurse e ka sqaruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pasë – sidomos pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë – hezitim të profesionistëve që të marrin përgjegjësi të këtilla, për shkak se ndaj tyre po bëhet një gjueti e shtrigave.

MekuliPress: Cila do të jetë e ardhmja e qeverisë Kurti, meqë, LDK-ja, tashmë edhe publikisht është deklaruar se po bëhet gati për një koalicionin ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Nagavci: Ata mund t’i shprehin dëshirat e tyre. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e konfirmoj planin e tyre që mocioni i mosbesimit ishte që të shkoj me tjerët në pushtet, me parti të cilat nuk kanë arritur t’i fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo çfarë po bëjnë këta, është kundër kushtetuese, është kundërligjore dhe një gjë e tillë nuk mund të tolerohet dhe nuk guxon të ndodh. Nuk mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Me mocionin e mosbesimit është shpërnda Kuvendi dhe është hapë rruga për zgjedhje të reja. Duke patur parasysh situatën me pandeminë, më e udhës është që të ketë bashkëpunim për të menaxhuar situatën me sukses. Në momentin që situata të lehtësohet në raport me virusin, do të përcaktohen zgjedhjet e reja. Pas votimeve, kushdo qëdel fitues i zgjedhjeve, do të ketë mundësinë për të krijuar qeverinë.

MekuliPress: Në rast se shkojmë në zgjedhje dhe nëse hipotetikisht del përsëri e para Vetëvendosje, a do të ketë qeveri VV-LDK më apo Vetëvendosje do të shoh mundësinë tek partitë tjera?

Nagavci: Për ne është e rëndësishme është që ne, të jemi me gjithë energjitë tona, të fokusohemi në menaxhimin e kësaj situate. Kurdo që të krijohen kushtet për të shkuar në zgjedhje të reja, ne si gjithmonë do t’i bëjmë të qarta synimet tona.

MekuliPress: Një koalicion i mundshëm i Vetëvendosjes me partitë tjera, a përjashtohet apo jo?

Nagavci: Ajo që po them është se në kohën që do të nisëmi rrugëtimin për zgjedhje dhe sapo të fillojmë fushatën ne do t’i bëjmë të qarta qëndrimet. Nuk mund të them nëse përjashtohet apo nuk përjashtohet asgjë. Ajo që kemi thënë dhe pas së cilës do t’i qëndrojmë, është se këto subjekte të cilat e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, duhet të qëndrojnë në opozitë. Për fat të keq LDK-ja e rrxoi qeverinë e nuk e la mundësinë për t’i bërë ndryshimet për të cilat ishim zotuar. Por më e rëndësishmja është që qytetari do të kërkoj përgjegjësi të plotë dhe nuk do të ketë më kthim mrapa.

MekuliPress: Përfundimisht, Vetëvendosje nuk do të lejoj qeveri të re pa zgjedhje?

Nagavci: Nuk mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Të tjerët mund t’i shprehin dëshirat por që këto dëshira nuk do të realizohen. Unë po flasë në atë se çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës.