Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën ka nënvizuar se e ka të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë, përcjell e pavarura MekuliPress.

“Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni këtë”, thuhet në letrën e Kryeministrit Kurtit drejtuar Thaçit.

Kurti argumenton se presidenti po e anashkalon detyrën Kushtetuese që të shpërndajë kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, pas përfundimit të betejës kundër koronavirusit.

“Ndonëse në dy shkresat tuaja të fundit, atë të datës 02.04.2020 dhe atë të datës 10.04.2020, thirreni në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO 103/14 i datës 30.06.2014 (i publikuar më 01.07.2014), veprimet tuaja të cilat qartazi janë në kundërshtim me nenet e Kushtetutës të cilëve ju referoheni dhe Aktgjykimin të cilin ju përmendi, tregojnë se Ju dhe stafi juaj nuk i keni lexuar mjaftueshëm dhe me kujdes të njëjtat”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Kurti thotë se nuk është në kompetencën e presidentit të vendit që të vlerësojë interesa të partive politike, por, që të mbrojë rendin shtetëror.

“Po ashtu, më lejoni të ju rikujtoj se pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike. Presidentit të Republikës së Kosovës, si organ kushtetues, një mocion mosbesimi i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim të përcaktuar nga kushtetutëdhënësi. Pra, shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje kryeministri në detyrë.

Kurti thotë se në takimet me presidentin nuk ka shkuar si shef i Lëvizjes Vetëvendosje, por, si kryeministër.

“Prandaj duke zhvilluar takime të tilla konsultative, Ju keni vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte juridike përmes të cilave realizohet kushtetutshmëria dhe konsiderohen burim i të Drejtës Kushtetuese. Për të qenë edhe më i qartë, siç e dini, para takimit dhe pas takimit me Ju, jeni njoftuar zyrtarisht nga unë se takimet me ju po i zhvilloj në cilësinë e Kryeministrit në detyrë dhe kam qenë i shoqëruar nga dy këshilltarët e mi të jashtëm të cilët nuk janë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kam qenë në takim që për temë diskutimi ka pasur gjendjen e emergjencës shëndetësore dhe çështjen e shpalljes së zgjedhjeve pas mocionit të mosbesimit”, ka argumentuar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka përmendur vitin 2010 dhe 2017-të, kur është rrëzuar qeveria me mocion të mosbesimit.

Kurti i ka sjellur në kujtesë presidentit një deklarim të ish-kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqit, dhe një deklaratë të tash kreut të shtetit, Hashim Thacit, në vitin 2010-të.

“Do të më thoni që këto procese kanë ndodhur në vitin 2010, pra para marrjes së Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese në rastin KO 103/14. Megjithatë rast i njëjtë sikur në vitin 2010 ka ndodhur edhe në vitin 2017 (pas Aktgjykimit të Kushtetueses), ku pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit është shpërndarë Kuvendi dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të reja. Edhe në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 10.05.2017, iniciuesit e mocionit të mosbesimit nuk kishin asnjë dilemë se pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit kishte vetëm një procedurë që duhej ndjekur dhe atë jo në Kuvend, por shpalljen e zgjedhjeve nga presidenti”, ka shtuar ai.

Vetëvendosje nuk kërkon tash mbajtjen e zgjedhjeve, mirëpo, pas kalimit të pandemisë, është i qartë Kryeministri Kurti.

“E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë të bëhet tani, por sapo të krijohen kushtet pas kalimit të pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni këtë?

Z. President, meqenëse prioriteti im i parë si kryeministër, si dhe prioriteti i parë i të gjithë Qeverisë të cilën e udhëheq, është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit COVID-19, çdo çështje tjetër partiake apo politike duhet konsideruar e rëndësisë dytësore apo tretësore, duke përfshirë në veçanti ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, të cilat po e pengojnë punën e Qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në kohën më të papërshtatshme të mundshme, ju po kërkoni që gjendjes emergjente të shëndetit publik, t’i shtoni një krizë të natyrës kushtetuese dhe politike, duke kërkuar me çdo kusht, pa asnjë mbështetje në Kushtetutë, që të hiqet Qeveria në detyrë, mu në javët më kritike të betejës sonë kundër COVID-19.

Prandaj në frymën e kësaj gjendjeje faktike dhe juridike  besoj se edhe Ju e keni tani të qartë që nuk është detyrë e Presidentit që të imponohet me shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për Kryeministër. Sidomos jo në një periudhë të emergjencës shëndetësore. Por më lejoni të theksoj, se kjo shkresë nuk është refuzim për të ju dhënë një emër të kandidatit për Kryeministër. Është një rikujtim i kornizës së kompetencave tuaja dhe obligimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, sepse nuk është në diskrecionin tuaj që të impononi skenarë jokushtetues. Po ashtu, përpos që është edhe një përkujtim se shëndeti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është prioriteti im dhe i Qeverisë, është ftesë që edhe Ju ta vendosni si prioritetin tuaj duke lënë mënjanë lojërat politike dhe duke mos rrezikuar më jetën dhe shëndetin e qytetarëve tonë”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

Bashkëngjitur gjeni letrën e kryeministrit në detyrë Kurti dërguar presidentit Thaçi.

 / Huazuar MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!